Mërgatë

Mehmet Bislimi: VËLLEZËRI DHE INTERES!

Çështja duhet parë më thellë në thelb, në esencë, në koncept, jo aq ngushtë e thjeshtë vetëm nga këndi fitimprurës. Që nga kohët e vjetra, ku ndarja e fundit mes atyre që përcillnin dhe atyre që iknin në kurbet, vend ky që quhej lendinë e lotëve, ngasë nuk përmbaheshin lotët kur ndahej nëna nga i biri, motra nga vëllai, fëmija nga prindi, nusja nga i shoq dhe vëllai nga vëllai! Pa dyshim, kjo ishte e rëndë, dhe nuk harrohej lehtë. Ata i lagnin me uji gjurmët e atyre që iknin për në kurbet, në mënyre që uji t’i kthej prapë në atdhe e familje.
Ata që merrnin rrugët e kurbetit, me vete merrni nga një grusht dhe!, nga këtu lindën edhe këngë e balada epike e lirike, që këndohen edhe sot: Kur e përcolla ylberin, ky kurbet qoftë mallkua, Mitrua kur u martua etj. Mes tjerash, shumë decenie më parë nga Kristo Floqi, ishte shkruar edhe komedia komike-tragjike: “Vëllazëri dhe interes!”…

Mes tjerash, krejt arsyeshëm e me mendje të shëndoshë, pa rënë nën ndikimin e epsheve të marra përfitimi material, të gjithë ju, për të bërë gjumin rehat, për të mos i hyrë pjellës suaj në hak, para së gjithash, mërgimtarët shqiptar, gjithandej ne Evropë, Amerikë e Australi, sigurisht se nuk kanë braktisur vendin e tyre nga dëshira për të ikur, nuk ia kanë kthyer shpinën shtëpisë, familjes dhe atdheut me dëshirën e tyre.
Mërgimtarët, atje, larg atdheut dhe familjes, më shumë derdhin lot se uji, ata nuk iu gëzohen festave shtetërore as atyre të religjionit, ata nuk janë më ju në sofrat e gëzimit dhe trishtimit, vuajtjes dhe mortit, në ditë të liga e ditë të mira, prandaj mos i nënçmoni bijtë tuaj, mos i shani ata, mos i përbuzni ata, mos i shihni ata vetëm përmes llogarisë-  rrjedhëse se i fyeni, mos i vrisni ata shpirtërisht për herë të dytë!

Kjo sjellje është irrituese dhe e padenjë nga ana e jua, si: ” A të erdhën, a i mole hiq, a kishin pru ndonjë gjë, sa ditë po rrishin, hajt banë gajret se nuk rrinë më shumë se dy-tri javë, merrni me të mirë sa t’i rruajmë pak, fort nalt po ia mbajnë bre, i kanë ba dy lek e po donë me na shkel, o duhet me ua thye kerret e me ua ba llom, ndoshta bajn bythën se na kanë lodhë, hajt se i rruajmë sa të mundemi e në fund ua hamë edhe pronat e pasurinë, shtëpitë e banesat që i kanë!”… sa e ultë është kjo, që ne, mërgimtarët i dëgjojmë nga ju për ditë, Shtëpitë, pronat, banesat, makinat e mërgimtareve, anë e mbanë Kosovës tonë të dashur, janë bërë pre e thyerjeve, shkatërrimit, hajnive dhe shfrytëzimit të egër e vandale të përditshëm.
Përditshmëri, kjo që po kalon në shprehi:” e kujt është kjo pronë, shtëpi, banesë, makinë?… e një mërgimtari, shkatërroje, se a nuk po kanë ata a!?”, e ultë kjo, shumë e ultë, nuk ka ku të shkoj më ultë  

Në, këto lek që i sjellim në vendlindje, nuk i gjejmë nëpër tokë, ne, këto të mira materiali i ndajmë nga kafshata e gojës së familjeve tona për të ua sjellë juve, ne zgjohemi që pa gdhirë për të ikur në punë dhe kthehemi me të ngrysur, shpesh herë kalon java dhe ne, nuk mund të ulemi së bashku me familjet tona për ta ngrënë një drekë si duhet, dhe në fund të muajit, sa ta marrim rrogën, ulemi së bashku dhe ndajmë diçka për juve: “ këtë për nënën, këtë për plakun, këtë për vëllain dhe fëmijët e tij, ketë për motrat, nipërit dhe mbesat, këtë për ndonjë skamnor se kur po i shohim në Televizion, po na mbetet kafshata në fyt!”… Të gjitha këto, ne nuk i bëjmë së kemi lek për të hedhur, as së duam të shesim fodullëk, por se e duam atdheun, se ju duam juve, se na dhemb zemra për çdo ditë për juve, se edhe ëndrrat i shohim ende tek oxhaku i vjetër, se syri ynë për ju, pikon lot e gjak deri nën mjekër…

Askush nuk iku për qejf nga atdheu dhe familja, këtë e dini ju më së miri, atëherë kur na keni përcjellë, sa shpejt keni harrua, ne ikëm për ju, për ta ngjalluar ekonominë, për të mos ju lënë juve me thes në krah tek dyert e Nën Terezës, tek dyert e Entit social, tek trotuari, tek vuajta dhe pesha e skamës! Shqiptarët e përndjekur sistematikisht, me dhunë e terror nga regjimet e pushtuesit, të përçmuar edhe atje, në vende të huaj- të huaj, fatkeqësisht, të huaj edhe në atdhe. Mërgimtarët, ne ç’do kohe, iu përgjigjen zërit të atdheut, mos i shihni ata vetëm përmes gjiro llogarisë rrjedhëse, ata si edhe të gjithë ju, janë banor të tokave shqiptare, janë të punësuar përkohësisht në vende të ndryshme të botës, të cilët kur të duan kane të drejt të kthehen në tokat e veta, dhe të jetojnë me dinjitet, si të gjithë shqiptarët e tjerë, dhe kjo e drejt është e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, pa dyshim edhe me Kushtetutën e Republikës se Kosovës, për të cilën ata dhanë shumë!