Arkiv / Ripublikim

Mehmet Bislimi: Të fyer dhe të zhgënjyer

TË FYER DHE TË ZHGËNJYER
(tregim tredimensional)
Mes hamendjes dhe shpërfytyrimit, prej shumë kohësh kisha një konsideratë për juve zoti
Stasi, mbase të papeshuar mirë, në fakt, ata që nuk kanë konsideratë për tjetrin , do të thotë se
ata duan vetëm veten e tyre, dhe kështu tjetrit i shkon mundi huq. Sa bukur e thotë populli: “si
t’i hedhësh qenit hallvë!”, prandaj kam frikë se hallva paska shkuar kot për gjithë ato vite,
derisa ju njoha mirë z. Stasi. O, sa kisha dashur të mos ju njihja për së afërmi fare, të paktën
do kisha jetuar me iluzionin së ti je burrë i mirë, dhe kjo do më mjaftonte.
Duke qenë i vetëdijshëm se gjërat janë relative, dhe jo absolute, domosdo u desh t’i thirrja
kujtesës ngasë element të tillë janë sa servilë, po aq edhe skile, ata shtiren sipas situatave, janë
të pacipë, janë sajues e gënjeshtarë, të shajnë e të lavdërojnë siç ua kërkon situata, nuk skuqën
kur shpifin, ushqehen me thash e thëna, madje edhe pamjen e kane si të zagarit, fytyrëhequr e
lesh lëpirë, hiqen si mendje hollë, mendojnë së bota sillet  rreth tyre e nuk kanë gjë në dorë,
ky fodullëk, ata i ka lënë fillikat vetëm e nuk shoqërohet njeri me ta, madje as hija e tyre nuk i
ndjek më nga prapa!…
Megjithatë ti, merr një kafe e tresim pak muhabet së bashku. Në fakt, do të shtroj ca pyetje z.
Stasi, kuptohet për aq sa është në kaçikun tënd që të përgjigjeni, se qenke bërë spec nga mëria
zotëria juaj, kundër kujt zbrazet kjo urrejtja juaj kaq e papërmbajtur, z. Stasi; kundër një bote
të tërë apo kundër vetes suaj më shumë?! Për të mos ra ndesh me situatën tuaj emocionale,
edhe ashtu të rënduar në këtë vapë politike, ngase nuk dua që t’ju nxjerr puna në “lakror”, që i
thoshim dikur pjesës së dheut që mbetej mes brazdave pa e kapur plugu, si njollë e keqe që
dukej nga larg e cila kërkon një ripunim shtesë më pastaj.
Jam kureshtar për të ditur z. Stasi: sipas jush, a ka njeri të ditur në këtë botë, veç teje!? a kanë
të drejtë edhe të tjerët të flasin për juve, bie fjala të ju shajnë si injorant që jeni, si i pa ditur, si
fodull që hiqeni, si shpifës, si nostalgjik i veglave të pushtuesit, si dredharak që në nëpër kohë
në vazhdimësi je përshtatur sipas situatave e kështu me radhë deri tek makutëria juaj për të
qenë burrë e që nuk u bërë kurrë…
–    Zoti Stasi, a nuk më thua: nëse është më i rëndë zhgënjimi, apo fyerja?!, aktualisht situata
politike që ka kapluar mjedisin tonë, pa dyshim edhe më herët, nuk na lejon që të sillemi me
kaq komoditet, sikur nuk po ndodhë asgjë nën hundët tona. Me aq sa më kujtohet, as edhe një
herë nuk kemi qenë kaq indiferent përballë gjithë këtyre hamshorëve të verdhë e të zi, që
sorollatën poshtë e lart, madje po t’i shikosh krekosjet e tyre me plot hirësi, të mbushet
mendja se secili që vjen, tamam në vete është historia vet!
–   Ke të drejt zoti Dini, ç’ është e vërteta zhgënjimi dhe fyerja janë ngjitur, ta themi si brekë e
bythë, fyerja të zhgënjen, dhe zhgënjimi të fyen! T’i ke të drejt që je zhgënjyer, ngase nuk e
ke njohur për së afërmi shpirtligësinë time dhe të sojit tim, prandaj… ne, flasim për ata që
kanë sedër z. Dini, jo për të pacipët që nuk njohin as kod as moral, madje as parimet më
elementare të etikës e lëre më sjelljet etike universale,  që janë vyrtyti më i lartë njerëzor.
Unë, zoti Dini, sikur e ke vërejtur, dua me çdo kusht ballin e oxhakut, pra me patjetër dua të
jam elitar, dhe kujt i bëhet vonë se personazhe të shumtë, që dikur prapa kurrizit të vatanit, me
sejmenët e Sulltanit, pinin lëngun e limonit, tani edhe ata pretendojnë ballin e oxhakut! Dhe
krejt në fund, kujt i bëhet vonë nëse, zoti Dini me shokë fyhet e zhgënjehet, të paktën ata lart
duhet të ndihen komodë e të qetë se kështu e do rendi. Sipas një versioni të pashkruar;
dredharakët, të paskrupulltit, gënjeshtarët, pra të gjithë atyre që nuk ju skuqët faqja fare nga të

pabërat e tyre, depërtojnë gjithkund dhe gjithandej, edhe atje ku nuk e pret, ndryshe po të jesh
i moralshëm mbetesh në fund dhe askund z. Dini, janë të rrallë ata që e pranojnë këtë të
vërtetë të shëmtuar kaq hapur, siç e pranoj unë!
–   Mirë, zoti Stasi, megjithatë, a nuk e kupton ti se personazhet dhe aktorët e politikës sot,
janë realë, pra njihen për bëmat e tyre jo të këndshme përballë atdheut. Pra nuk do ndonjë
mund të veçantë për të parë faqen e tyre, që ndër brezni, si të thuash më qartë, ju shkruan me
damkë në ballë!
–   Po ç’ rëndësi ka kjo tani z. Dini, ata janë të akomoduar mirë, ia pinë lëngun arkës së
shtetit, ia kanë pirë e luajtur themelin edhe në të kaluarën, po ia luajnë prapë, por tani me
metoda më të sofistikuara, dhe nuk ngopen me kaq. Ata duan që kjo shoqëri t’i respektojë
prapë, të mos ua kujtojnë të kaluarën së ndihen të fyer, ua vret krenarinë etj. Në raste tjera, ata
të hakmerren më shumë së të gjithë të tjerët, kupton ti z. Dini, apo jo?, dikush pretendon të
jetë gjithmonë kalorës, dikush (pavarësisht ndërrimit të moteve), mbetët gjithmonë këmbësor!
–   Për cilën krenari flisni ju zoti Stasi ?! Siç e di edhe vetë, atëbotë kishte vetëm dy shtresa
shoqërore, dallimi mes tyre ishte fare i prekshëm; njëra palë mbante në brez armët me leje të
pushtuesit – tjetra me leje të Bajram Currit e kundër pushtuesit; e sheh pra, të dyja palët me
armë!… Pastaj, në shtëpitë e njërës palë, sejmen, hafije , UDB-ashë e milicë, hanin e pinin,
kurse në shtëpitë e palës tjetër: milicë e UDB-ashë, kontrollonin, shkatërronin, arrestonin,
keqtrajtonin atdhedashësit tanë gjithandej!…
Me njërën palë pushtuesi ndante sofrën e bukës- me palën tjetër shiheshin përmes grykës së
pushkës!, njëra palë vdiste për atdhe, tjetra palë e vdiste atdheun. Njëra palë ndihmonte dhe
strehonte ushtarët e lirisë, tjetra palë i denonconte ata! Njëra palë ishin mysafirë të
përhershëm në postëkomandat e pushtuesit, për të spiunuar në dem të atdheut, pala tjetër në
këto postëkomanda keqtrajtoheshin deri në alivanosje, atyre u rridhte nga goja gjak, e
megjithatë me sa zë që kishin thërrisnin: Atdheun nuk e jap!…
Pra shkurt, njëra palë ishin ata që atdheut ia bënin gropën, dhe tjetra ishin ata që për atdhe,
jepnin dhe dhanë edhe jetën! Ja pra, ky ishte dallimi zoti Stasi!, është kaq e thjeshtë kjo.
–   Tani, kush ka të drejt të ndihet i fyer dhe i zhgënjyer në këtë mes, zoti Stasi! Këto janë
pjesë të historisë sonë të dhimbshme, janë personazhe të urryera të atdheut, nuk janë
personazhe të imagjinuara si në libra që ne të ndihemi aq rehat, pra, ishte realitet i tmerrshëm,
madje edhe më i tmerrshëm se ç’ mund të imagjinosh ti. Dhe nëse ata ishin aktorë të asaj
kohe, dhe bartës të shtjellimeve të atyre prapësive, si ka mundësi që prapë të njëjtët të jeni
pjesë përbërëse e zhvillimeve të sotme shoqërore dhe politike!?
Mbetet e pa qartë për mua, prej nga more gjithë atë guxim, që ti u rreshtove me ta z. Stasi, apo
edhe ty nuk t’ u skuq faqja fare, dhe për inate personale, shkele mbi parime, në mos në
brendinë tuaj keni qenë gjithmonë i tillë, por nuk të ishte dhënë mundësia që të hapareshesh
me gjithë mllefin tënd, prej nga gjithë ai vrer kundër atdhetarëve z, Stasi!
–   Mos u habisni z. Dini, unë atë ves e kam ushqyer gjithmonë, kundër të gjithë atyre që më
kanë dalë përpara. I kam luftuar me të gjitha mjetet, si në kohët e paraluftës, si tani paslufte,
në brendinë time, unë kam urryer çlirimtarët, unë nuk kam ndryshuar asnjë milimetër! Pas
lufte, jam kamufluar me lajka e premtime, jam rreshtuar pas fitimtarëve, dhe nuk kemi lënë
gjë pa bërë, për çka na ka rënë në dorë dhe në mundësinë tonë!

– Dhe ata ju besuan premtimeve tuaja, z. Stasi!?
– Po, z. Dini, po, na besuan, madje na kanë quajtur edhe “Thesar kombëtar!”…
–  Po, po, z.Stasi, këtë e di, dhe vërejtjet tona në këtë drejtim ishin të kota, tani pas gjithë
kësaj, nuk e di kë ta shaj e kë ta qaj! Shokët tanë, nëpër kohë, me ndjenja të përziera, kishin
humbur toruan, dhe mendonin që t’i thërrisnin derrit dajë! Prandaj me të drejtë; të devotshmit
e atdheut, kishin të drejtë legjitime të ndiheshin të fyer deri në palcë, kur shoqëria e re, po
vente në baraspeshë dy ekstreme, madje avancon ata të cilët, ishin shëmtia e zhvillimeve
historike kombëtare… Dhe pas gjithë kësaj hallakame, ne mbetëm me frymën në fyt dhe
zemër të plasur; kë ta shajmë e kë ta qajmë!…
– Jo, jo zoti Dini, nuk e thashë në atë kuptim, para së gjithash dua të të them hapur se reagimin
tënd po e marr si të drejtë dhe në parim unë vlerësoj lirinë e shprehjes së tjetrit. Mirëpo më
habitë fakti që këto gjëra i paske marrë me ters, madje do të duhej që të ishe më babaxhan, të
paktën t’i prisje këto zhvillime me heshtje deri në fund, për t’u treguar diplomat i zgjuar dhe
tamam i regjur, pra të mos flisje, të mos denoncoje të vërtetën, të mos shkruaje, mjafton që ti i
ke vërejtur këto anomali shoqërore, dhe kaq. Por më sa po shoh unë, ti sikur nuk je mjaftuar
vetëm me kaq, dhe kë bërë gjithë këtë alamet zhurme që mund të keqkuptohet nga njëra anë,
ndërkohë që sot për sot, nuk i hyn kujt në punë hapja e kësaj çështje, janë vesh- shurdhër këta
të parisë sonë tani, madje edhe këta të bashkësisë ndërkombëtare, ooo Dini!, nuk po dihet më
se kush pi e kush paguan, sido qoftë ne, skilet si gjithmonë, po rruajmë atë që mund ta
rruajmë: ne jemi me atë që rri në këmbë, kush rrëzohet, ne i hipim, dhe e shalojmë prapë…
– Jo, jo, të lutem, mos ma shtrembëro mendimin zoti Stasi, mos më nxjerr atë që kam këtu
përbrenda, se ka rrezik e na pëlcet barku. Ne nuk kemi kërkuar as edhe një herë hakmarrje, jo,
ne po kërkojmë sjellje të mirëfilltë qytetare për të gjithë, pra edhe për ata që nuk po duan ta
kuptojnë këtë mirësjellje, populli e ka thënë aq bukur: “ Ia jap gishtin- ta marrin krahun!”, Ne
duhet t’ju themi të gjithë atyre që nuk skuqen, se servilizmi i tyre për të qenë, për t’u parë dhe
për të përlarë, nuk i bënë nder atdheut, as shtetit, as vendit dhe as kuvendit. Populli i thjeshtë
ndihet i fyer kur sheh matrapazët, servilet e dallkaukët- atje, ku nuk guxojnë të jenë dhe as të
dukën, parimisht, z. Stasi, ju nuk jeni thesari i atdheut, por mbeturinat e atdheut, ai që ju ka
thënë kështu, besoj unë, ta ketë bërë këtë aksidentalisht!
– E kuptojë brengën tuaj zoti Dini, por si të të them, duhet të kapërdihen edhe kjo;
– “Ai e tha, ne u ngritëm, ai u ngul, ne shpëtuam!
– Pra, sipas jush, zoti Stasi, duhet t’i themi derrit dajë, ëëë?!
– Po zoti Dini, po, dajë edhe çfarë daje se!, tani këto janë kohë të pakohe oreee, dhe vetëm
skilet e regjura ia hedhin lumit matanë, e po më të dalë matanë, ata ta lodrojnë atkinë dhe
kështu vetëm ata ia arrijnë qëllimit, or Diniiii…
– Po, këtë e di zoti, Stasi, më të arrirë qëllimin, ata ia këpusin zotërisë me të shara e të palara!
– Jo, o i padjallëzuar, jo, ata të zonë nuk e shajnë përderisa lumin nuk kanë kaluar, me të dalë
matanë, po, ç’ është e vërteta; ata ia këpusin zotërisë me babë e nënë!…
– Ata janë tradhtarë!, zoti Stasi – ia priti Dini tërë mllef!
– Ju, z. Dini, nuk po bëni mirë që po i fyeni, t’ia kujtosh sot dikujt, pse në një kohë ka
bashkëpunuar me pushtuesin e UDB-në, tani në kohët e demokracisë, është fyerje or Dini,

fyerje. Nëse ata ishin tradhtarë dikur,  të gjithë këta, që sot po bashkëveprojnë me ata,
nënkupton së janë të tillë, prandaj shtrohet pyetja, a kanë apo nuk kanë ata diçka të
përbashkët, në fakt e kaluara nuk i ka lidhur, e me çfarë po i lidhë e tashmja?!
– Që do të thotë:
– Po, do të thotë se ti, z. Dini dhe shokët tuaj, të heshtni, t’i vini kyçin gojës, të lëvizni të lirë,
duke thithur ajër të pastër në natyrë, të mos i fyeni ata me fjalët spiunë, UDB-ashë e
tradhtarë…, madje ndihuni rehat në mesin e tyre. Ata, në një formë janë shpallur thesar! Të
bëni kujdes, zoti Dini, së falë bashkëpunimit tonë me “ata”, si në të gjitha kohërat, që nga
pushtimi Otoman e deri tek ky i Eulexsit … fare lehtë mund të jeni bashkëshoqërues të
shokëve tuaj, atje ku sot po pihet uji me lugë!… dhe ne prapë do jemi këtu, me pushtetin dhe
në pushtet, ndoshta jo me popullin, por pa dyshim me Miletin!
– Kjo sipas jush qenka shpërblimi që ju ka ofruar demokracia, z.Stasi!?
– Po, kështu veprojnë të gjitha shtetet me një demokraci të avancuar kudo në botë, zotëri Dini,
ata i çmojnë shërbëtorët e devotshëm!…
– Jo zoti Stasi, jo, e keni gabim gjithë ditën, po e shtrembëron me qëllim të vërtetën, sepse në
shtetet demokratike perëndimore, që nga shtetet Skandinave e këtej, hajnat, të korruptuarit,
dhe tradhtarët e interesave të atdheut janë kategoria më e urryer, të paktën këtë kategori ata
nuk e avancojnë! Shtetet në fjalë, të tillët i burgosin dhe i dënojnë nga se ata janë shkelësit e
interesave nacionale, dhe bashkëpunëtorë të pushtuesit. Pra, në as një rast e rrethanë, nuk
lejojnë që të tillët të jenë bartës të përgjegjësive shoqërore. Këtë kategori, vetëm ne shqiptarët
e lejojmë, e mbrojmë dhe pushtet i ofrojmë, vetëm ne!…
– Pavarësisht se mund të na dhembë,  ty si individ z. Dini, por edhe gjeneratës sate, në analet e
zhvillimeve evolutive, individi nuk paraqet më shumë se një numër, një qenie e gjallë. Besoj
se edhe ti mendon kështu: ata që nën pushtimin otoman e serb ngrenë dolli, le të ngrenë prapë,
edhe ata duan me pi! Për mua, besoj se edhe për ty (pa i personifikuar gjërat), përkundër asaj
që ata i kanë shërbyer armikut me veprat e tyre të liga, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se
kokrra e secilit është e vlefshme, tamam si e atdhetarit, si e zagarit, si e tradhtarit, një me një,
z. Dini është kokërr ajo, një votë, një antar!…
– Tani më pëlciti damari, zoti Stasi, ju me votën tuaj, edhe atëherë na e keni “luajtur t’amën”,
tani me votë do të na e luani prapë ëëë!, dhe sinqerisht, nuk po e kuptoj; nëse jeni ju shumicë,
apo ne populli, zoti Stasi?
– Jo, mor djalë, ne jemi pakicë e papërfillshme që nuk ia vlen të merresh me këtë çështje.
Kombi ynë ka pasur pak, fare pak gjakprishur e bastardë të tillë. Ta zëmë, rrethi ku unë jetoj,
mund të ketë diku mbi një mijë banorë, nuk e besojë që ka pas më shumë se nja dhjetë të tillë,
prandaj nuk ia vlen të merresh me ta, lëri, lëri dhe bëhu sikur nuk po i sheh or Dini…
– Mirë, zoti Stasi, sikur the se ata janë pak, e pra çka na duhet neve vota e asaj pakice të
papërfillshme pra, çfarë i duhen ato dhjetë vota rrethi tuaj ta zëmë? Çfarë peshe ka ajo votë
për ne? Nga ana tjetër; si ka mundësi që ata kaq të pakët në numër, të bëhen kaq të zotët në
vendime, dhe ta marrin rrethin ku jeton ti?!,  kudo nëpër vendet kyç ata me miq, akraba e
ilaka, pra u mbush lama me atllarë, por edhe sofra me tradhtarë… ë, si thua ti: rri e bënë sehir,
thirre derrin dajë, prit go… sa të del barë- i thonë kësaj!…

– Luteni, zoti Dini, fali të dobëtit edhe ata kanë sedër, dhe mund të fyhen!
– Mirë, zoti Stasi, po ne a kemi sedër e krenari, a kemi dinjitet ne, a nuk fyhemi edhe ne kur
shohim dallkauk e zagarë të deridjeshëm, gjoja në shërbim të pushtetit e ligjin sot?! Ti, mbase
mendon ndryshe zoti Stasi, por ne, nuk e ndryshojmë historinë dot, as për hatrin tuaj, madje,
as për hatërin e ndokujt. Nuk e bëjmë dot Moisinë, Hamzanë, Toptanin e Kadri Mehmetin
atdhetarë, dhe as Zaharinë, Komnenin, Kastriotin, Rrustemin e Currin, tradhtarë- jo asnjëherë!
Të gjithë ata që vranë atdhetarët si Grajçevcin, Shalën, Zhitinë e Fazliun e qindra atdhedashës
tjerë (më herët e më vonë), nuk ishin më pak se shërbëtorë të UDB-së, gjakprishur, spiunë e
tradhtarë. Prandaj ne duhet me guxim ta themi dhe ta mbrojmë të vërtetën, duhet t’ju themi
gjërave në emër të vet e me hak, ngase ata në momentin e parë tradhtojnë prapë, nëse ne nuk e
themi këtë, atëherë ku është dallimi mes nesh z. Stasi?
– Nuk e di se ç’të themi z. Dini! Jo, ta them unë z. Stasi;
– Dallimi mes nesh është se juve thoshit:”Rroftë pushtuesi- Serbia dhe jepnit çdo gjë për
pushtuesin!”, e ne thoshim:” Rroftë atdheu ynë- Shqipëria, dhe jepnim çdo gjë për bashkimin
dhe lirinë e shqiptarisë!”… dhe do t’i themi përjetë me sa zë kemi: sajuesit- sajues, shpifësit-
shpifës, imoralit- imoral, spiunit- spiun, servilit- servil, tradhtarit- tradhtar, zagarit- zagar, dhe
pikë. Nëse e thua këtë, uk ke bërë ndonjë mëkat, ke thënë të vërtetën që është obligim i çdo
atdhedashësi e shtet ndërtuesi!
Dhjetor, 2017
Mehmet Bislimi