Lëvizja\UÇK

Mehmet Bislimi – Prekazi: Në vigjilje të Epopesë së Lavdishme të UÇK – së

Në vigjilje të Epopesë së lavdishme të Jasharajve.

 Adem Jashari

   Kjo figurë markante, Adem Jashari, që i përkiste Lëvizjes Popullore të Kosovës, ishte fjalë pak, ngase puna i fliste më shumë… nuk i duronte fjalamanët, ishte i përkushtuar, fjala e tij nuk kthehej mbrapsht, ishte i rreptë dhe i pa kompromis kur ishin në pyetje interesat e atdheut.
   Natyra e kishte krijuar si të thuash të veçantë në mesin e njerëzve tjerë! Është trungu me rrënjë më autokton shqiptar, që interesave të atdheut nuk ua ktheu shpinën asnjëherë. Ademi, është vet liria, Ademi është Legjenda e lirisë së Kosovës, Ademi është miti hyjnor, është hyu i atdheut, që natyra ia ka falur shqiptarisë, Ademi është çmimi më i lartë i lirisë!
   Pamja e tij të ngjasonte me Gjergj Kastriotin, Zaharia Gropën, Gjergj Ballshën, Lekë Dukagjinin, Rrapo Hekalin, Zenel Gjolekën, Zeman Mashkullorin, Çerçiz e Bajo Topullin, kjo pasuri kombëtare, kjo figurë madhështore dhe e papërsëritshme e historisë sonë kombëtare!…
     Ky portret, nuk të lë indiferent, është portret i admirueshëm nga e gjithë bota liridashëse- edhe sot, provokon dhe le pa gjumë imagjinatën krijues të letrarëve, piktorëve, skulptorëve, poetëve, historianëve, filozofëve dhe strategëve të artit ushtarak… është figurë që mbushë sheshet me bronz, figurë që përflakë qiellin e lirisë sonë, figurë që shndritë rreze lirie gjithandej ku janë shqiptarët liridashës!

   Ai i ka dhënë emër lirisë sonë, është zemra e tokës mëmë, pa te, këngët, baladat, pikturat, poezitë do të ishin më të zbehta, pa të bronzi, nuk do të kishte ku të derdhej, pa Ademin- Komandantin Legjendar të Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës, madhështia e shtatorëve do të ishte më e tkurrur, pa emrin e Ademit, sheshet do të ishin më të varfra, do të ishin më të zbehta. Pa Ademin liria e Kosovës nuk do të kishte fuqinë e sotme çlirimtare!
Emri dhe vepra e tij do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona! Emri dhe vepra e tij, janë krenaria jonë kombëtare!

 Ai ishte një kokë luani.
Si ay, nuk lindë nëna më!…