Kulturë\Letërsi

Mehmet Bislimi: Lavdi qiellit (Poezi për Simbolin e qëndresës shqiptare, Adem Demaçin)

LAVDI  QIELLIT
(Adem Demaçit)

në motet e largëta

zë i vetmuar

një grusht atdhedashës

përflakur

në ballë të furtunës

bijtë e tokës

bijtë e zotit

bijtë e nënëlokes

Kosovë e Adem Demaçit

Kosovë vatër e zjarrit

Kosovë flakadan lirie

Kosovë e Adem Jasharit

 

në këtë vend ku nuk kishte teatër

e teatër luhej

as sot

nuk skuqen ata

që do duhej skuqur

shpirtshiturit  trazuar

bacë Ademi të vërtetën tha

si gjithmonë

të vërtetën

dhe

as gjë më shumë

 

Ai

edhe dje

si sot e nesër

gjërave u thotë në emër të vet

hajnit i tha hajn

tradhtarit- tradhtar

qenit- qen

spiunit- spiun

zagarit- zagar

pushtuesit- pushtues

çlirimtarit- çlirimtar

ai nuk vdes

ai është gjallë

 

Ai ecte vertikalisht

në një kohë

kur shumë të tjerë hiqeshin zvarrë

si hardhucat e përhirta

përmbi zall

mure erë myku e zymtësie përballoi

papërkulur e ballëlartë

në rrugët e jetës marshues

në rolet e imponuara nuk u tjetërsua

me fuqinë e shpirtit

për botën e madhe

dashurinë përjetësoi

deri në sakrificë e vetëmohim

dashuri për të tjerët

dhuroi

 

nëse keni dëgjuar deri më tani

ta ketë peshuar dikush

gurin e vuajtjeve të tij shpirtërore

e pra

sa peshoi vuajtja

mbi supet e tij

a e thotë dikush të vërtetën

a do bënë dikush ndonjëherë llogari

për bijtë e vuajtur

të nënës Shqipëri

 

Bac Ademi

mbi një çerekshekulli me diellin u mat

sytë nuk iu verbuan

nga klithmat e të tërbuarve

si klithma lakuriqesh në shpellat pa hënë

ku jargët e tyre

lakuriqet hanë

Bacë Ademi nuk u zmbraps

 

lavdi qiellit

çka (s) presim më shumë

nga kryeneçët e kësaj shoqërie të çakorduar

çmendurisht

kryeneçë gërdallë

kur vdes të qajnë

të shajnë sa je gjallë

CH-26-07-2024
Mehmet Bislimi