Gjergj Kastrioti Skënderbeut doli në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare pas disfatës së osmanëve në Betejën e Nishit (Zllaticës), më 3 nëntor 1443. Ai u kthye në Krujë tri javë më vonë dhe më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e lirisë, flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenore. Me gjithë kushtet e vështira që ekzistonin në fillim të viteve 40, Skënderbeu diti të zgjidhte hallkën që i duhej për një fillim të mbarë të kryengritjes çlirimtare. Sikurse na njofton Barleti, Skënderbeu sapo kishte shpalosur, në kalanë e Krujës, flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenore, shkoi krahinë më krahinë duke ju shpjeguar masave fshatare karakterin e luftës çlirimtare duke i ftuar ata të rrëmbenin armët kundër zgjedhës së huaj, duke i bindur se do të luftonin jo për zotërim e tij feudal, por për lirinë e tyre, për të çliruar jo një krahinë të veçantë, por mbarë atdheun e robëruar.Pasi arriti t`i bindte krerët feudalë, të demoralizuar nga dështimet e mëparshme, që të linin mënjanë mosmarrëveshjet midis tyre dhe të bashkoheshin në një front të vetëm luftarak kundër sundimit osman, më 2 mars 1444, Skënderbeu konvokoi Kuvendin e gjithmbarshëm i cili u mbajt në Lezhë, në kishën e Shën Kollit, e para besëlidhje shqiptare. Edhe pse u mbajt në zotërimin e Venedikut, megjithatë, qëndrimi i venedikasve ishte tipik. Ata në Kuvend ishin të pranishëm jo si miq, por si vëzhgues me qëllime të caktuara spiunazhi. Arsyeja për një qëllim të tillë shihet ne faktin se Republika e Venedikut, që ishte në marrëdhënie të mira me sulltanin, nuk donte që ato t`i prishte. Dhe çdo gjë që u premtimin shqiptarëve nuk ishte gjë tjetër veçse fjalë boshe.Kuvendi i Lezhës, që njihet edhe si Lidhja Shqiptare në historinë e popullit shqiptar, për herë të parë, paraqet bashkimin e krerëve feudalë shqiptarë në shkallë mbarëshqiptare.Skënderbeu si “primus inter pares” u zgjodh Kapiteni i Përgjithshëm (“Capitaneus generalis”). Princërit shqiptarë krijuan me të, atë raport që kishte dhe Dhimitri i Arbërit kur i quante bujarët e shekullit XIII “homines mei”. Po ky raport, për shkak të përmasave të luftës, do ta lartësonte përherë e më shumë Skënderbeun si Zot i Shqipërisë (“Domines Albaniae”). Ideja e bashkimit është ideja e konvergjimit, e krijimit të shteteve kombëtare, ide kjo tepër novatore e fundit të mesjetës dhe e epokës së Rilindjes Evropiane. Që më përpara se sa Makiaveli ta bënte formulimin e shteteve kombëtare si teori për Evropën, shkruan Moikom Zeqo, Kuvendi i Lezhës e mbartte mesazhin e vet, duke e bërë flamurin e shqiponjën dykrenare të Skënderbeut simbolin heraldik të krejt kombit shqiptar. Të mos harrojmë se bashkimin e Italisë dhe të Gjermanisë, përkatësisht Garibaldit dhe Bismarkut, e aspiruan dhe luftuan ta realizojnë shekuj më vonë, në shekullin XIX. Kuvendi i Lezhës shpaloste një ide novatore në rrafshin evropian. Ky aspekt ndërkombëtar i tij nuk duhet mohuar. Në rrafshin ballkanik vetëm shqiptarët e bënë një Kuvend të tillë, kaq rezultativ, çka nuk e bënë dot popuj të tjerë të gadishullit, me përjashtim të hungarezëve etj. Në planin e jashtëm Kuvendi i Lezhës, si në rastet e paraardhësve të shtetit të Arbërit dhe të Regnum Albaniae, që midis Perëndimit evropian dhe Lindjes bizantine zgjodhën Perëndimin, bëri gjithashtu një zgjidhje të saktë jetike dhe strategjike: d.m.th., lidhjen me Perëndimin kundër Lindjes, ku bizantizmi qe zëvendësuar nga otomanizmi, egërsisht i fuqishëm dhe fatal. Skënderbeu dhe bashkëkohësit e tij konfirmuan shkëlqyeshëm statusin evropian të Shqipërisë dhe ua lanë pasardhësve shembullin aktual të integrimit përfundimtar në Evropë.Vektori evropian i padiskutueshëm i Kuvendit të Lezhës ia fuqizonte rezistencën dhe mbijetesën Shqipërisë, i krijonte lidhjet e mëdha me qytetërimin evropian në aspektin kulturor, humanist, po edhe në aspektin fetar të krishterë, sepse lufta titanike e shqiptarëve për liri u përjetua edhe në kuadrin e konfliktit madhor midis krishterimit dhe islamizmit, ndonëse nuk u fundamentalizua asnjëherë.Kjo shpjegon faktin pse Skënderbeu u metaforizua si “Atlet i Krishtit” dhe akoma dhe sot është emri shqiptar, që e lidh Shqipërinë me Evropën më shumë se çdo emër tjetër. Kuvendi i Lezhës është dhe mbetet një guidë e Shqipërisë. Mund të thuhet, se pa Kuvendin e Lezhës, ndoshta s’do të kishim sot kombin shqiptar dhe se Kuvendi i Lezhës është ende sot një dëshmi e marrëveshjes dhe konsensusit të institucionalizuar kombëtar.Në Kuvend morën pjesë pothuajse të gjithë bujarët shqiptarë e sidomos ata të cilët ishin në krye të kryengritjeve të mëparshme kundër osmanëve, siç ishin Gjergj Arianti, Andrea Thopia, Nikollë Dukagjini, Teodor Korona Muzaka, Stefan Cernojeviqi, nga Zhabjaku i Malit të Zi, bashkë me të bijtë dhe krerët e tjerë nga Shqipëria e Veriut dhe ajo e Jugut.Ndonëse ekzistonin divergjencat në mes bujarëve shqiptarë, kuptohet të ngarkuar me interesat e tyre personale e sidomos të ruajtjes së pronave të tyre, megjithatë u arrit vendimi që bashkohen në luftën e përbashkët kundër osmanëve. Formimi i saj shënon në të njëjtën kohë edhe pikënisjen për veprën e madhe politike që u krye dora – dorës me fitoret e mëdha ushtarake: formimin e shtetit shqiptar të bashkuar, i cili shënonte nga ana e vet një hap të madh përpara në krahasim me gjendjen e mëparshme, kur Shqipëria vuante nga copëzimi politik dhe nga anarkia feudale. Ky hap i madh historik është ngushtësisht i lidhur me emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili u shqua jo vetëm si një komandant i shquar ushtarak dhe si një strateg gjenial i betejave, por edhe si një udhëheqës i talentuar politik, që diti të thyente prirjet centrifugale të feudalëve dhe t`i shkrinte zotërimet e tyre partikulariste në një shtet shqiptar të bashkuar.Milan Shuflaji, duke e analizuar këtë ngjarje historike të popullit shqiptar me plot të drejtë, konstaton se “nën Skënderbeun e tërë bujaria shqiptare u bashku në luftë kundër turqve. U krijua shteti vërtet shqiptar, pas rënies së Kostandinopojës, Serbisë dhe Bosnjës, shteti i fundit më i madh në Ballkan”.
add a comment