7 korrik 1944 – 79 vjet – 17 korrik 2023
Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima u varën në litar
Bule Naipi:
Lindi në vitin 1920 në lagjen Dunavat të qytetit Gjirokastër. Shtëpia e Naipe ishte bazë e rëndësishme e LANÇ. Vetë Bulja ishte anëtare e Komitetit Qarkor. Veprimatria e saj ishte në qytet dhe në krahinat fshatare. U njoh si partizane në male dhe si ilegale në qytet. Ajo gjendej kudo, në qytet dhe fshat. Veprimtaria e Bule Naipi shfaqej në marrjen pjesë të grave e vajzave në demonstrata e luftë.
Bule Naipi endej shtigjeve të Malit të Gjerë, maleve të krahinës së Kardhiqit.Përherë në veprime luftarake. Kudo ku shkonte nëpër fshatra zëri i saj bindës i tërhiqte me vete edhe vajzat në kompanitë partizane, me dëshirën e tyre për ta çliruar Shqipërinë e robëruar nga të huajt.
Radhët e brigadës mbusheshin me vajza partizane nga Prongjia, Fushëbardha, Lunxhëria, Kurveleshi. Ecte nëpër shtigjet partizane duke kënduar me zë të lartë këngën himn të Memo Metos: “Dua armë e municion se do shkoj/E urrej dhe unë fashizmin do luftoj/Jam një vajzë shqipëtare vajzë mali/E kam forcën, e kam zemrën si të djalit…”
Shfaqej Bulja partizane në Cepo mes luftëtarëve të lirisë. Ku errej nuk gdhihej.
Në korrik u burgos dhe iu nënshtrua torturave më të rënda.
Më 17 korrik 1944 armiqtë nazistë e varën në litar te sheshi i Çerçizit në Gjirokstër.
Persefoni Kokëdhima:
U lind në Qeparo të Himarës në vitin 1924. Ishte veprimtare e luftës, veproi me të rinjtë e fshtait, duke u ardhur në ndihmë partizanëve.
Persefoni u rreshtua në radhët e Brigadës VI Sulmuese. U shqua në luftimet që u zhvilluan në Shën Vasi të Sarandës. Në këto luftime në Malin e Bardhë u bë një qëndresë e fortë kundër ushtarëve nazistë, të cilët sulmonin për të hapur rrugën në drejtim të Bregdetit dhe maleve të Kurvelelshit. Këto luftime zgjatën 15 ditë e 15 netë. Në historikun e Brigadës VI Sulmuese, Persefoni Kokëdhima veçohet si një luftëtare e shquar. Mbi këto motive të heroizmit partizan, dhe varjen e saj në litar nga nazisto-ballistët, vajza e Qeparoit u dekorua me titullin më të lartë Hero i Popullit.
Persefoni Kokëdhima u var në litar te sheshi i Çerçizit në qytetin e Gjirokastrës, më 17 korrik 1944.
Ajo qendroi si heroinë dhe si partizane e vendosur, e palëkundur në qendresë, duke u bërë shembull për të gjithë partizanët e partizanet.
add a comment