Histori

“Kushtrim Brezash”: 29 mars 1944 – 80 vjet – 29 mars 2024

🇦🇱 29 mars 1944 – 80 vjet – 29 mars 2024 🇦🇱
Sot përkujtohet Beteja e Margëlliçit dhe katër Heronjtë e Popullit
Beteja e Margëlliçit, një betejë historike që gdhendi në histori edhe emrat e katër Heronjve të Popullit.
Lavdi emrit dhe veprës së tyre të pavdekshme!
Nga Bardhyl Gosnishti
Historia e Lavdishme e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare njeh shumë e shumë ngjarje, histori, beteja, rënie në luftë e përkujtime dje, sot e në vazhdimësi. Çdo ngjarje, betejë apo rënie në krye të detyrë së shenjtë në shërbim të atdheut, është regjistruar ashtu si ka ndodhur realisht, njëra me historike se tjetra, më e përgjakshme se tjetra, më e lavdishme se tjetra, më heroike se tjetra, më legjendare se tjetra. Me këtë format, me këtë atdhedashuri, me këtë heroizëm e përkushtim deri në dhënien e jetës për lirinë e shumëdëshiruar në vite e shekuj, sot kjo histori, në këtë 80 vjetor të Çlirimit të Atdheut, rezonon edhe më shumë, plot me dritë e dashuri për ata që bënë këtë histori. Dhe, njëra prej ngjarjeve që kanë lënë gjurmë të mëdha është edhe Beteja e Margëlliçit, një betejë historike që gdhendi në histori edhe emrat e katër Heronjve të Popullit, të rënë brenda 24 orësh në luftime të ashpra me gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Emrat e Mustafa Matohitit, Meleq Gosnishtit, Dino Kalenjës e Lefter Talos, “Heronj të Popullit” si dhe “Dëshmorëve të Atdheut” Damir Koro, Lutfi Tolari, Hajrulla Papa, Ndreko Zhaka, Faik Çorogunji, Stefan Zhaka, Abedin Shkëmbi, Mikele Trali (italian) dhe Josif Vodoviç (me origjinë sllave), janë çmimi që u pagua në emër të lirisë dhe me gjakun e tyre.
Ka qenë fillim marsi i 1944-ës kur Grupi i 3-të Partizan i zonë Fier-Mallakastër, pas riorganizimit, realizoi disa sulme kundër armikut në një numër jo të vogël të fshatrave në zonën e Mallakastrës, duke synuar dhe realizuar çlirimin e një numri jo të vogël të tyre. Me objektiv ruajtjen dhe mbajtjen nën kontroll të zonës naftëmbajtëse të Patosit, forcat gjermane këmbëngulnin për të mos lëshuar terren, kryesisht në rrugën e kalimit Fier-Berat. Në këto kushte, për të arritur objektivin, goditjen e largimin e pushtuesit nga kjo zonë shumë e rëndësishme dhe strategjike, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare urdhëroi që Batalioni Partizan “Naim Frashëri” i Brigadës së 6-të Sulmuese të merrte përsipër kryerjen me sukses të këtij aksioni. Në krye të këtij batalioni ishte trim ii Labërisë, Komisari i Brigadës Mustafa Matohiti. Pasi kaloi nga Buzi në Qafën e Kiçokut, në Gllavë, Osmënzezë e Ngraçan, më 27 mars u vendos në krahun e djathtë të lumit Gjanicë, përballë kalasë së Margëlliçit. Në këtë përballje të pritshme me gjermanët, forcat e Batalionit “Naim Frashëri” nuk ishin vetëm. Në krahun e majtë të partizanëve të tij ndodheshin të pozicionuara edhe forcat e tre batalioneve të Grupit të 3-të Fier-Mallakastër. Armiku, i vendosur përballë forcave partizane, kish epërsi në forca, mjete e teknikë luftarake. Për me tepër ai kishte mbështetjen edhe të ballistëve vendas. Epërsia e tyre ishte e dukshme edhe për faktin e përdorimit herë pas here të artilerisë.
Për tre ditë me radhë, më 27, 28 dhe 29 Mars 1944 u zhvilluan pa ndërprerje luftime mjaft të ashpra e të përgjakshme. Në mjaft momente nuk mungoi as përballja trup me trup me armikun. Avancimet dhe tërheqjet alternonin epërsitë, herë njëra e herë tjetra palë. Partizani i parë i plagosur ishte Komandanti i Grupit të 3-të Partizan, trimi Qamil Hamzo. Një ditë më pas ra në betejë edhe Dino Kalenja, poeti i njohur i Mallakastrës. Bashkë me të ranë edhe shokët e tij, Sabri Merkaj e Ibrahim Zenelaj. Më 28 Mars në mbrëmje, Batalioni “Naim Frashëri” në bashkëveprim me Grupin e 3-të, filloi lëvizjen për marrjen e kalasë së Margëlliçit, aty ku edhe ishin përqëndruar pjesa dërmuese e forcave të armikut. Urdhri për marrjen e Kalasë së Margëlliçit u dha në orët e para të mëngjesit të datës 29 Mars. Pasi diktuan momentin e sulmit, gjermanët reaguan shpejt me zjarr të pandërprerë. I pari që mundi të çajë dhe të mbërrijë në majën e Kalasë së Margëlliçit ishte Komandanti i Batalionit “Naim Frashëri”, trimi përmetar Meleq Gosnishti. Në momentin që dha sinjalin për fitore, ai u godit nga plumbat e armikut. Në krye të sulmit ishte edhe Komisari i Kompanisë së 4-t, mësuesi, artisti e biri i denjë i minoritetit Lefter Talo. Në luftime trup me trup u qëllua për vdekje edhe Lefteri. Ndërkohë, Mustafa Matohiti, së bashku me Qemal Klosin po avanconin sulmin e tyre mbi armikun. Ai goditet me disa plumba vdekjeprurës, ndërsa Qemali u plagosur rëndë në shpatull.
Beteja e Margëlliçit regjistroi shumë gjermanë e ballistë të vrarë, ndërkohë që robër nga këta të fundit u kapën 24 vetë. Beteja e nisur në Kalanë e Margëlliçit vazhdoi e ashpër deri në 9 maj 1944, dita kur u arrit përfundimisht edhe çlirimi i Patosit e Margëlliçit.
Heronjtë e Popullit, të kësaj beteje, Mustafa Matohiti, Dino Kalenja, Meleq Gosnishti e Lefter Talo janë emrat që bënë histori. Ata ishin patriotë e atdhetarë të flaktë, të shkolluar dhe me horizont të gjerë. Figurat e tyre janë përjetësuar në buste, monumente, lapidarë, në emra lagjesh, rrugësh e shkollash.
Lavdi emrit dhe veprës së tyre të pavdekshme.
Mustafa Matohiti “Hero i Popullit”
U lind në Lekdush të Tepelenës në 15 nëntor 1912, në një familje me tradita patriotike e atdhetare. Shkollën fillore dhe atë plotore i mbaroi në Delvinë. I jati i tij, ndonëse në kushte shumë të vështira ekonomike, dëshironte shumë ta shkollonte djalin e tij. Në vitin 1929 Mustafai u punësua në Tiranë, tek një farmacist. Donte të vazhdonte shkollën, por askush nuk e ndihmonte. Me durim dhe vullnet fitoi në një konkurs dhe u fut në shkollën e oficerëve. Aty u lidh ngushtë me Asim Vokshin, “Hero i Popullit”. Pas mbarimit të shkollës, në në verën e vitit 1933 u emërua oficer për artilerinë. Në maj 1937 ai arrestohet nga xhandarët e Zogut për veprimtarinë atdhetare, përjashtohet nga ushtria dhe burgoset në Tiranë.
Agresionin fashist të 7 Prillit 1939 e priti me një zemërim prej atdhetari të vërtetë. Më 18 mars 1942, në përkujtim të Luftës së Mashkullorës, nga çeta e Çerçiz Topullit, Mustafa Matohiti para autoriteteve dhe popullit mbajti një fjalim të zjarrtë patriotik. Në fund ai nxorri nga gjiri Flamurin Kombëtar mbi të cilin qe shkruar: “Sot me flamur shpalosur, nesër me pushkë në dorë maleve!” Me udhëzim të Qarkorit të Gjirokastrës, në Gusmar në prill 1942 formoi çetën partizane, ku komisar të saj luftëtarët e lirisë caktuan Mustafa Matohitin … Mustafa Matohiti ishte njeri i aksionit të guximshëm, por ai shquhej edhe për oratorinë e përsosur. Kështu e kanë njohur Mustafanë Kurveleshi, Lopësi e Mesapliku, Buzi, Rrëzoma e Krahësi, Bënça, Bregdeti e Përmeti, Kardhiqi, Gjirokastra e Mallakastra, Zagoria, Dëshnica e Poliçani, Tepelena e Konispoli…Aftësitë drejtuese, organizuese dhe fryma luftarake e tij u shfaqën edhe më të spikatura kur u caktua Komisar i Brigadës së 6-të Sulmuese, më 26 janar 1944. Brigada VI Sulmuese zhvilloi shumë beteja dhe në njërën prej tyre, në atë të 29 marsit 1944 në Margëlliç, ra heroikisht së bashku me Dino Kalenjën, Lefter Talon dhe Meleq Gosnishtin, të katër “Heronj të Popullit”.
Meleq Gosnishti “Hero i Popullit”
Veprimtar i shquar i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare,” Hero i Popullit”. Lindi në fshatin Gosnisht të Përmetit në një familje me tradita patriotike. Për vështirësi ekonomike u detyrua të mërgojë jashtë atdheut, në Francë, në 1929-n. Punoi si minator dhe në punë të tjera të vështira. Njohja me Ali Kelmendin dhe Halim Xhelon ndikoi në formimin e tij revolucionar, antizogist e antifashist. U pranua anëtar i PKF në vitin1933 ku militoi derisa u kthye në atdhe, i dëbuar nga policia franceze në 1938-n. Pas themelimit të PKSH-së u hodh menjëherë në luftë kundër pushtuesit të huaj e tradhtarëve të vendit. Në krahinën e Ceries u bë një propagandist i zjarrtë i vijës së Partisë. U caktua komandant i njësitit gueril të kësaj krahine në vitin 1942 dhe u rreshtua në radhët partizane po këtë vit. Fillimisht në në Çetën “Musa Fratari” e më pas në Batalionin Partizan “Naim Frashëri”. Ra heroikisht në Betejën e Margëlliçit në 29 Mars 1944.
Dino Kalenja “Hero i Popullit
Dino Kalenja ka lindur në Kalenjë të Mallakastrës, më 4 Nëntor 1919. Pasi mbaroi shkollën fillore në Ballsh dhe Liceun në Korçë, vazhdoi studimet e larta në Itali. Pas kthimit në Atdhe Dinua lidhet me Lëvizjen Antifashiste Nacional Çlirimtare fillimisht në njësitin guerril të Tiranës, pastaj në Çetën e Pezës dhe më pas si Komisar i Batalionit Partizan “Ismail Klosi” në Mallakaster. Si njeri me talent të lindur dhe të kultivuar me studimet në Korçë, ai nis të shkruajë poezi të bukura. Por, Lufta për Çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët fashistë e nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre ballistë e zogistë e bënë figurën e Dino Kalenjës një trim të madh dhe shëmbull për çdo luftëtar të lirisë. Kështu, ditë pas dite dhe luftim pas luftimi, do të vinte 29 marsi 1944 kur u shkrua Epopeja e Margëlliçit, ajo që Dino Kalenjën do ta bashkonte me tre Heronj të tjerë të Popullit, Mustafa Matohitin, Meleq Gosnishtin dhe Lefter Talon.
Lefter Talo “Hero i Popullit”
Lefter Talo ka lindur në Vurg të Minoritetit grek në vitin 1913. Shkollën fillore e kreu në Dhrovjan, dhe në Leshnicë të Delvinës, kurse të mesmen në Filat të Çamërisë. Më vonë mbaroi Normalen e Elbasanit dhe u emërua mësues. U bë njeri me kulturë. Në veprimtarinë e tij në zonën e Vurgut, Lefter Talo meritoi dashurinë de respektin e fshatarëve. Ai, në fillim të vitit 1943 do të frymëzohej shumë kur çeta partizane me komandant Dilaver Poçin shkoi në zonën e Vurgut ku kreu një veprimtari të gjerë luftarake. Ajo la gjurmë të pashlyeshme në popull. Me formimin e Çetës Partizane “Çamëria”, Lefter Talo u caktua zëvendëskomisar i saj. Ai për veprimtarinë e tij si revolucionar i vërtetë gëzonte respektin e dashurinë shoqërore të Mustafa Matohitit. Ndërsa kur u formua Brigada VI Sulmuese, Lefteri do të inkuadrohej në të me kompaninë minoritare në Batalionin “Naim Frashëri”. Në betejën Heroike të Kalasë së Margëlliçit, Lefter Talo bie heroikisht për të mos vdekur kurrë. Disa javë më vonë në një fshat të vogël po hynin duke kënduar partizanët e një reparti të porsakrijuar. Fëmijët vrapuan drejt partizanëve, duke thirrur të gëzuar: “Po vjen Lefter Talua. Po vjen Lefter Talo”. Një grua plakë që rrinte te dera e shtëpisë, u habit kur dëgjoi këto fjalë dhe u tha fëmijëve: ”Ç’thoni kështu ore djema? Lefteri është vrarë”. Është Batalioni “Lefter Talo” moj gjyshe, jo vetë Lefteri, iu përgjigj një nga fëmijët.