Shqipëria/Aktualitet

Kryeministri Rama në 2 – vjetorin e tërmetit: Tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet

Sot, që u mbushën 2 vjet nga tërmeti i 26 nëntorit, që shkaktoi 51 viktima, kryeministri Edi Rama ka përkujtuar ngjarjen e rëndë që tronditi shqiptarët.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, kreu i qeverisë thekson se tragjeditë sprovojnë njerëzit, duke shtuar se sot jemi ngritur më të fortë.

MESAZHI I RAMËS
MIRËMËNGJES 🇦🇱
Tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu, mund të themi pa ndroje se sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu mund të marrim frymë të lehtësuar, për faktin se mijëra familje të goditura prej asaj fatkeqësie sot janë më mirë se sa përpara goditjes prej saj😍
Kujtoj me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur dhe mbetem mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë, që u solidarizuan nga të katër anët e vendit dhe të botës me të goditurit nga fatkeqësia, që punuan e punojnë pa pushim për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë, më të fortë, më të bukur🙏