Histori

Organizata Dëshmorëve: Elbasani 109 vite PAVARËSI

ELBASANI 109 VITE PAVARËSI
Elbasan 25 nëntor 2021. Qyteti edhe sot, si çdo datë të tillë, i veshur aq bukur me flamujt kombëtarë, nën një mot të ledhatuar nga stina, që nuk i kurseu rrezet e diellit të ngrohtë. Me krenari elbasanasit festuan 109 vjetorin e ngritjes së flamurit, duke paraprirë me dinjitet kombëtar, pavarësinë e plotë të Shqipërisë, më 28 nëntor 1912.
Në nderim të asaj vepre atdhetare dhe heroike, drejtuar nga Aqif Pashë Biçakçiu më 25 nëntor 1912, sot, në sheshin para shtatores së tij, dhjetëra qytetarë ishin të pranishëm të merrnin pjesë në ceremoninë zyrtare, organizuar nga Bashkia Elbasan. Si rrallë herë, këtë shesh, e mbushnin nxënës të shkollave të ndryshme, veshur me uniformat kuq e zi, duke mbajtur në duart e njoma flamuj kombëtarë.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, Prefektja e Qarkut Elbasan, zj. Majlinda Perriu (Peza), Kryetari i Këshillit të Qarkut Elbasan, z. Bukurosh Stafa, ish Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Qazim Sejdini, Sekretari Politik i Partisë Socialiste të Shqipërisë në Elbasan, z. Damian Gjiknuri, deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë për Elbasanin, me detyrë Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe anëtare e kryesisë së OFDA Elbasan, zj. Evis Kushi, deputetët e Partisë Socialiste të Shqipërisë për Elbasanin, zj. Desantila Tahiraj, z. Klevis Xhoxhi, z. Florenc Spaho, dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor Elbasan. Krah tyre, nga OFDA Dega Elbasan, ishin të pranishëm, Bardhul Toda, nënkryetar i organizatës, Rolanda Suli, sekretare e organizatës, si dhe anëtarë të tjerë, Lume Sulovari, Burbuqe Vërçani, Fatbardha Topuzi e shumë të tjerë. Gjithashtu ishin të pranishëm, Gani Hida, sekretar i KV Elbasan, njëherësh Kryetar i Shoqatës së Oficerëve në Lirim dhe i Shoqatës Kulturore Atdhetare Shpati, shoqëruar nga anëtarë të tjerë.
Në shenjë simbolike, kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja, nën tingujt e himnit kombëtar, ekzekutuar nga Banda Muzikore Afërdita e qytetit, ngriti flamurin pranë shtatores së Atdhetarit Aqif Pasha. Tërë sheshi atë kohë, u mbulua aq emocionalisht nga zërat e fëmijëve që këndonin himnin tonë.
Pas ngritjes së flamurit, Kryetari i Bashkisë, mbajti fjalën e rastit, duke vlerësuar aktin atdhetar dhe të guximshëm të atyre burrave që shpallën pavarësinë e Elbasanit, si dallëndyshja e parë që solli pranverën e pavarësisë së Shqipërisë.
Më pas, nga nxënësit e shkollave Qamil Guranjaku, Jorgji Dilo, Onufri dhe Ali Agjah, u dha një program artistik, me tematikë kombëtare. Më herët, të pranishmit patën mundësinë të shikonin dhe ekspozitën me piktura, të nxënësve të shkollës artistike Onufri.
Të nderuar miq, të nderuar elbasanas, Gëzuar në çdo brez këtë datë të shenjtë për Elbasanin, për Shqipërinë, për Kombin!

Postimet e fundit !