Botë

KOMENT – Gjermania mbyll kapitullin Merkel dhe hap faqen Scholz

PARIS, 8 dhjetor /ATSH-AFP/ – Një kapitull i gjatë në historinë bashkëkohore gjermane mbaroi sot, pasi Bundestagu zgjodhi social-demokratin Olaf Scholz si kancelar duke mbyllur kështu 16 vitet e epokës Merkel.

Gruaja e parë që do të udhëhiqte Gjermaninë, Angela Merkel qëndroi në pushtet për 5 860 ditë, duke dështuar vetëm me nëntë ditë të thyejë rekordin e jetëgjatësisë së mentorit të saj, Helmut Kohl.

Në përfundim të një procesi shumë të kodifikuar, liderja konservatore i dorëzoi frenat e fuqisë së parë ekonomike evropiane Olaf Scholzit, i cili ishte edhe kundërshtar politik i saj, por edhe zëvendëskancelar dhe ministër i Financave.

Pak më shumë se dy muaj pasi fitoi zgjedhjet legjislative në fund të shtatorit, Scholz u zgjodh nga Bundestagu në krye të një koalicioni të paprecedentë tripartiak, i formuar shumë më shpejt se sa pritej, nga social-demokratët e SPD me të gjelbrit dhe liberalët.

Transferimi i pushtetit nga Merkeli, do të shohë qendrën e majtë të kthehet në krye të vendit për herë të parë që nga Gerhard Schroeder.

Për herë të parë, do të kemi një qeveri ku në postet kyçe ministrore si Punët e Jashtme, Brendshme ose Mbrojtja do të jenë të drejtuara nga gra.

Fillim i ri

Pavarësisht një rekordi të përzier, të shënuar nga ndryshime të papritura si pritja e refugjatëve në 2015 dhe aftësia për të menaxhuar krizat, por edhe nga mungesa e ambicies në betejën klimatike dhe modernizimi i Gjermanisë, Merkel mbetet pas katër mandatesh një nga personalitetet më të preferuara politike të gjermanëve.

”Angela Merkel ka qenë një kancelare e suksesshme”, tha Olaf Scholz, duke nderuar një lidere që ”i ka qëndruar besnike vetes për 16 vite të shënuara nga shumë ndryshime”.

Megjithatë, ai që prezantohet me dëshirë si trashëgimtari i Merkelit, synon t’i japë një frymë të re vendit.

“Unë dua që vitet 2020 të jenë ato të një fillimi të ri”, tha Olaf Scholz për ”Die Zeit” duke thënë se donte të zbatonte “modernizimin më të madh industrial” në histori, “i aftë të ndalojë ndryshimin klimatik të krijuar nga njeriu”.

Qeveria e tij po premton gjithashtu një politikë shumë pro BE që synon “rritje të sovranitetit strategjik të Bashkimit Evropian” dhe mbrojtjen më të mirë të “interesave të përbashkëta evropiane”.

Kreu i ardhshëm i diplomacisë, ambientalistja Annalena Baerbock, synon në të njëjtën kohë të mbajë një qëndrim më të ashpër në lidhje me regjimet autoritare si Kina dhe Rusia.

Por, qeveria e ardhshme nuk do të përjetojë një gjendje të trazuar. Ajo duhet të fokusohet menjëherë në sfidën e saj të parë të madhe: menaxhimin e ringjalljes së pandemisë Covid-19, e cila preku veçanërisht Gjermaninë.

Scholz, i zgjedhur nga përvoja e tij si politikan, por jo shumë karizmatik, synon veçanërisht të votojë shpejt detyrimin e vaksinës, që supozohet të hyjë në fuqi në shkurt ose mars.

Kjo masë radikale, e zgjedhur tashmë nga fqinji austriak, mbështetet nga rreth dy të tretat e gjermanëve, por rrezikon të dëmtojë një pjesë të madhe të popullsisë, veçanërisht në ish-RDGJ.

Ndërkohë, Scholz, Merkel dhe 16 landet kanë rënë dakord për kufizime të reja që synojnë ekskluzivisht të pavaksinuarit, të ndaluar nga vendet kulturore, restorantet dhe bizneset e tjera jothelbësore.

Përballjet 

Ish-kryebashkiaku i Hamburgut, i cili, ashtu si paraardhësit vizitën e tij të parë do të bëjë në Francë, do të duhet të përballet edhe me një situatë të pafavorshme ekonomike, të rënduar nga rritja më e dobët nga sa ishte paralajmëruar si edhe rikthimi i inflacionit.

Scholz ka një mori projektesh të tjera për të realizuar, të cilat jodomosdoshmërisht kanë miratimin e gjermanëve.

Rritja e planifikuar e pagës minimale, dalja e parashikuar nga përdorimi i qymyrit apo zhvillimi i energjive të rinovueshme kanë miratimin e opinionit publik, sipas një sondazhi për kanalin publik ARD.

Premtimet e tjera të koalicionit si kanabisi pa recetë, blerja e dronëve të armatosur nga Bundeswehr ose e drejta për të votuar në moshën 16, nga ana tjetër, mbështeten vetëm nga një pakicë.

Dhe për klimën, pavarësisht “programit më ambicioz që një qeveri ka paraqitur ndonjëherë”, qëllimi për të kufizuar ngrohjen globale në 1,5 gradë Celsius duket i paarritshëm në këtë moment./ (Nga Mathieu Foulkes) a.jor.