Portreti/intervista

Kadri Rexhaj: Ndërroi jetë atdhetari, revolucionari, profesori, gazetari, publicisti dhe veprimtari e luftëtari i LËVIZJES, QERIM F. REXHAJ

Me pikëllim të thellë njoftojmë se sot fizikisht u nda nga ne, vëllai ynë,
QERIM F. REXHAJ
Sot, në këto çaste dhimbjeje dhe pikëllimi të madh për ne, me lamtumirën e fundit, po ndahemi fizikisht nga më i dashuri ynë, prof. Qerim Rexhaj, po ndahemi nga ky burrë i ndritur, i cili, bashkë me veprën e tij të çmuar, ndër bashkëkohësit dhe ndër brezat që do të vijnë, me nderim do të kujtohet si gjimnazist i shkëlqyer, student revolucionar, gazetar guximtar, publicist militant, organizator shembullor, protestues dhe demonstrues i pa ndalur për të drejta kombëtare, orator i zjarrtë në tubimet politike, themelues i shoqatave dhe partive, udhëheqës parimor i jetës kulturore dhe politike, ushtar i devotshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Drejtor i Drejtorisë për Arsim, Kulturë, Rini e Sport për Komunën e Istogut, deputet me dy mandate në Kuvendit Komunal, pedagog i devotshëm i edukimit dhe arsimit shqip… dhe, mbi të gjitha, intelektual i formuar, veprimtar dhe patriot i panënshtruar, jeta e të cilit në vazhdimësi ishte mision i shenjtë në shërbim të kombit dhe të atdheut.
I lindur më 04.04 1957 në fshatin Cerrcë të Istogut, shkollimin fillor dhe gjimnazin, Qerimi i ka kryer në Istog. Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës ka studiuar Gjuhën dhe letërsinë angleze dhe Letërsinë dhe gjuhën shqipe. Fillimisht ka punuar si profesor i gjuhës angleze në shkollën fillore “17 Nëntori” në Istog derisa për shkak të bindjeve të tij politike, për shkak të burgosjes politikisht të vëllezërve të tij dhe për shkak të diferencimit ideo-politikisht të familjes së tij nga strukturat udhëheqëse të LKJ-së së fshatit e në veçanti nga Komiteti Komunal i Istogut, Qerimin e përjashtojnë nga procesi arsimor dhe i ndalohet me dekret ushtrimi i profesionit të mësimdhënësit me arsyetimin: i papërshtatshëm ideopolitikisht për sistemin jugosllav. Për disa dekada, deri në pensionim, Qerimi ka punuar në profesionin e profesorit të Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin “Haxhi Zeka” në Istog. Qerimi njihet ndër themeluesit dhe kuadrot më parimore të partive politike në Komunën e Istogut, LDK, PDK dhe LVV.
I edukuar në gjirin e traditës familjare, i rritur me shembullin e cilësive morale-atdhetare të atit të tij, Feriz Rexhaj, i arsimuar në frymën e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Qerimi, që në rini të hershme, si karakter i formuar, diti t’i dallojë vlerat e vërteta të jetës, prandaj e gjithë vepra e madhe e tij e dëshmon shpirtin liridashës, mendimin revolucionar, qëndresën prometejane, idealistin e papërkulur dhe atdhetarin suprem për të cilin ka nevojë secila kohë. I papërdorshëm për t’u venë në shërbim të pushteteve të armikut shekullor dhe të politikës ditore, i papërshtatshëm për t’u vënë në shërbim të karrierizmit dhe të përfitimit personal e klanor, në vend të konformizmit, Qerimi u përcaktua vetëdijshëm për jetën me dinjitet, për gatishmërinë për flijim, zgjodhi ta ketë për prijës jetësor urdhrin e ndërgjegjes së lartë, rrugën e qëndresës së papërkulur, porosinë e gjakut të dëshmorëve të lirisë. Veprimtar dhe kontributdhënës shumëvjeçar në fushën e arsimit dhe në atë të lëvizjes atdhetare në kohërat më të vështira të kombit, gazetar, publicist dhe kronist i ngjarjeve për trevat e Podgurit, burrë i dëshmuar i penës dhe i pushkës së lirisë, gjatë dekadave të robërisë sllave, së bashku me tërë familjen e tij, Qerimi ishte në shërbim të popullit dhe në krahun e progresit historik të kombit shqiptar, prandaj ishte i ndjekur dhe i persekutuar shumëfish nga armiku serb.
I brumosur me virtyte të njerëzishme, Qerimi ka qenë gjithmonë një shembull i shkëlqyer jo vetëm për familjen tonë të madhe, jo vetëm për familjen e tij të ngushtë, si bashkëshort dhe prind, por edhe për shokët e tij të shumtë dhe për të gjithë ata që e njohën gjatë harkut kohor 66-vjeçar.
Personaliteti i Qerimit do t’i mungojë shumë familjes, shoqërisë dhe atdheut!
Sot Qerimi fizikisht po ndahet nga ne, por qenia, vepra dhe lavdia e tij do të jetojnë përjetësisht.
Qerimi jetoi dhe vdiq si Hero!
Lamtumirë, Vëlla i dashur!
Pusho i qetë në dheun e Shqipërisë Natyrale, për të cilën punove aq shumë!
****
VEPRIMTARIA ATDHETARE DHE POLITIKE
-Gjatë studimeve bie në kontakt me lëvizjet ilegale të kohës. Ka zhvilluar një aktivitet të dendur në shpërndarjen e shtypit dhe të literaturës ilegale atdhetare të kohës. Ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë dhe në Istog. Veprimtarinë ilegale atdhetare e ka vazhduar me intensitet të shtuar deri në Luftën e UÇK-së
– Gjatë viteve të 80-ta ka vepruar në kuadër të organizatës së LPK-së, në cilësinë e korrespondentit për Komunën e Istogut, si gazetar në revistën “Zëri i Kosovës”, organ i LPK-së.
– Në vitin 1988 ka organizuar dhe ka marrë pjesë në protestat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit,
– Pas themelimit të LDK-së, në dhjetor të vitit 1989, së bashku me disa veprimtarë themelon Këshillin Nismëtar të LDK-së, dega në Istog, ku, me votim të fshehtë, zgjidhet kryetar i Këshillit për Komunën e Istogut.
– Në vitin 1992, së bashku me shokë, themelon Këshillin e Shtabit Komunal të Mbrojtjes në Istog, ku edhe emërohet anëtar në cilësinë e oficerit për informim për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.
– Nga viti 1990, tetë vite rresht, ka qenë Kryetar i Komisionit për Informim për Komunën e Istogut
– Pas mbylljes së mjeteve të informimit publik, Radio Prishtinës, TV Prishtinës dhe”Rilindjes” ka kryer punën e gazetarit korrespondent për emisionin e lajmeve në gjuhën shqipe në Radio Zagreb si dhe në gazetat dhe revistat tjera të kohës, të cilat përmbushnin mungesën e Rilindjes, Radios dhe TV Prishtinës.
– Më 1994 për të përmbushur sado pak vakumin kulturor dhe propagandistik, rithemelon Shoqërinë Kulturore Artistike “Gurrat e Bardha” në Istog, të cilën e ka udhëhequr vite me radhë në cilësinë e kryetarit të saj.
– Në vitet e 90-ta ka qenë njëri ndër nismëtarët dhe themeluesit e Shoqatës “Nënë Tereza” dhe të Forumit të Intelektualëve Shqiptarë në Istog.
– Më1995 ka qenë njëri ndër nismëtarët dhe bashkëthemeluesit të revistës politike-letrare “Kronika e Istogut”, njëkohësisht edhe redaktori i saj.
– Më 1998 u bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku pas çlirimit të Kosovës i njihet statusi i veteranit të UÇK-së
– Menjëherë pas luftës emërohet Drejtor i Drejtoratit për Arsim, Kulturë, Rini e Sport në Kuvendin Komunal të Istogut
– Gjatë asaj kohe, po ashtu, ka qenë anëtar i Bordit Politik në Kuvendin Komunal në Istog
– Në vitin 2000 ka qenë ndër iniciatorët kryesor për themelimin e PDK-së, dega në Istog, ku zgjidhet sekretar i Degës.
-Gjatë viteve të 2000-ta, për dy mandate, ka qenë asamblist pranë Kuvendit Komunal në Istog
-Nga viti 2015, me vetëdije dhe me veprimtari, i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje, ku me të gjitha forcat, në vazhdimësi, së bashku me të gjithë anëtarët e familjes dhe më gjerë,ka marrë pjesë aktive në proceset, tubimet dhe protestat politike që ka organizuar dhe zhvilluar Lëvizja Vetëvendosje në Istog e deri në Prishtinë.
– Në zgjedhjet lokale për Istog në vitin 2021 ishte njëri nga dy kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Komunës së Istogut.
-Qerimi ishte anëtar aktiv i Kryesisë së Shoqatës së Historianëve “Ali Hadri”, dega në Istog,
– Qerimi ka botuar poezi dhe shkrime publicistike, nga të cilat, disa vëllime presin të publikohen.