Histori

Kadri Rexhaj: Kush vdes për Atdhe e për Popull lind për së dyti

(Në 72-vjetorin e rënies heroike të Rifat Berishës dhe bashkëluftëtarëve të tij)

Në ciklin e epikës popullore historike, në të cilin pasqyrohet rezistenca e pa epur e popullit shqiptar gjatë viteve të pas Luftës së Dytë Botërore kundër dhunës dhe terrorit gjithnjë në ngritje të ushtruar nga pushtuesi serbo-jugosllav, kënga “Rifat Berisha nji djalë drangue” zë një vend me rëndësi, qoftë si dëshmi historike e qoftë si vlerë letrare artistike.

Që në ditët dhe vitet e para të administratës së pasluftës regjimi serb kishte vendosur ta zhbijë farën e lirisë shqiptare. Prandaj, arrestimet, burgosjet, likuidimet, zhdukjet pa shenjë të intelektualëve atdhetarë nuk kanë të sosur. Shteti jugosllav i dinte fajet e veta, ndaj ngutej. Shteti me plot të drejtë i frikësohej hakmarrjes së ligjshme shqiptare. Për këtë gjah mbi atdhetarët shqiptarë, për këtë atmosferë të rëndë krimi të pushtuesit si dhe për qëndresën heroike të bijve besnikë të popullit shqiptar flet edhe kënga në shqyrtim.

Në mesin e qindra atdhetarëve shqiptarë, UDB-a kishte vënë në shënjestër edhe Rifat Latif Berishën nga fshati Berishë i Drenicës, i lindur në vitin 1910. Gjatë LDB-së, si luftëtarë me armë në dorë, Rifat Berisha vepron si nënkryetar i Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit dhe është njëri ndër organizatorët e Konferencës së Bujanit. Në mbarim të luftës ai emërohet nënkryetar i Kosovës:

Rifat Berisha nji djalë drangue

Emni i tij kurrë s’ka me u harrue

I pa pajtuar me tradhtinë që iu bë vendimeve të Konferencës së Bujanit, luftës antifashiste si dhe i pa pajtuar me robërinë serbe, Rifat Berisha vazhdon aktivitetin e tij atdhetar duke mbajtur lidhjet edhe me lëvizjen ilegale. Kjo veprimtari e tërhoqi vëmendjen e UDB-së, e cila atë e vuri nën mbikëqyrje. Në kohën kur UDB-a vendosi ta likuidojë, Rifat Berisha ishte i angazhuar si deputet dhe si kryetar i Frontit Popullor të Kosovës.

Përpjekën e parë për arrestimin e Rifat Berishës e marrin mbi vete Çedo Topalloviç dhe Çedo Mijoviç, që të dy shefa të UDB-së për Kosovën. Ata, si miq të paftuar, shkojnë në Berishë, ulën në odë, dhe, në bisedë e sipër, e urdhërojnë Rifatin që të niset së bashku me ta në Prishtinë meqë gjoja urgjentisht po e kërkonte Fadil Hoxha. Rifati përgatitet dhe niset me ta drejt makinës që po i priste. UDB-a që përpara e kishte rrethuar terrenin. Por, as të afërmit e Rifatit, që e kishin hetuar hilen, nuk hezituan. Nga plumbat e parë të pritës të organizuar nga njësiti shpëtimtar tre udbashë ranë të vdekur, ndërsa njëri nga kryeudbashët plagoset rëndë. Rifati me shpejtësi i bashkohet njësitit dhe nga ai moment bëhet pjesë e lëvizjes ilegale, e lëvizjes që kishte vendosur të luftojë deri në çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.

Dështimi i arrestimit dhe dalja në mal e Rifat Berishës e tmerroi Beogradin. Tashti për likuidimin e Rifatit dhe të njësitit të tij shteti bën plane tjera. Moti i lig e me reshje si dhe operacionet e një pas njëshme të UDB-së Rifatin e zunë në fshatin Gajrak. Deri sa ishte në konak të Ismail Gajrakut, Rifati me njësitin e tij, me tradhti, rrethohen nga ushtria dhe milicia. Në mëngjesin e hershëm të 17 majit 1949, shtëpia zgjohet nën rrethim të trefishtë:

Punë të poshtra bani tradhtia

UDB-eja edhe ushtria

Po e rrethojnë Rifatin te shpia

Te nji shpi o ma kanë rrethue

Qy ai Çeda në kambë na u çue

Fort tradhtari koka ngërmue

Ty Rifat të kem rrethue

Me i pasë krahtë s’mundesh me pshtue

Rifati dhe njësiti i tij i përbërë nga vëllezërit dhe i nipi, Mustafë, Islam dhe Brahim Berisha si dhe nga kushërinjtë e tij të parë Halit e Jahir Berisha, thirrjes së parë për dorëzim i përgjigjen me të shtëna të vendosura:

Ai Rifati të madhe briti

A merr vesh Çedo shovenisti

Ç’do me thanë zemër komunisti

Vdes për popull o lind për s’dyti

Lufta fillon e pa kompromis. Një ushtri e armatosur me artileri të rëndë dhe me murtaja kundër gjashtë burrave të armatosur lehtë dhe të zënë tradhtisht në kullë. Lufta vazhdon tërë ditën:

Fort po vret fjala e Rifatit

Shumë ma shumë pushka e Islamit

Në mbrëmje udbashët dhe ushtria ia fusin zjarrin kullës. Rreth orës 22.00 Rifati me njësitin e tij vendosin ta çajnë rrethimin dhe të dalin në mal. Dalja e vetme nga rrethimi ishte dera e oborrit. E vetmja mundësi e shpëtimit nga breshëri i plumbave të armikut ishte shfrytëzimi i shpejtësisë:

Halit Berisha nji djalë kreshnik

Kap me Çedën fyt për fyt

Nji hendek o ma paska qitë

Në ndeshje ballë për ballë e trup për trup me armikun bien heroikisht Rifati, Islami, Mustafa e Brahimi, ndërsa Haliti e Jahiri, ndonëse të plagosur rëndë, arrijnë të shpëtojnë për të vazhduar qëndresën:

E vranë Rifatin me vllazni

Ditë e natë po kajnë rinia

Ditë e natë o po kajnë rinia

Koftë e rrnoftë kujtimi i tij

Në këtë luftë armiku pati humbje të konsideruara në njerëz, në moral dhe në imazhin e përbuzur të shtetit. Qëndresa e armatosur e Rifat Berishës me njësitin e tij përtëriu lavdinë e Shaban Palluzhës dhe të Drenicës heroike. Kjo qëndresë në popull ngjalli shpresën për rezistencë më të madhe kundër armikut. Populli me admirim dhe me kujdesin më të madh Rifat Berishës ia dha vendin e merituar, ndërsa muza popullore, e mishëruar në rapsodin Dervish Shaqa, atë e përjetësoi me fjalë zemre e me ndjenjë loti.

(Pjesë nga libri: Mr. Kadri Rexha, Dervish Shaqa, RKL, Prishtinë, 2012)