Kulturë\Letërsi

Jusuf Zenunaj: Për ty do të ziheshin perënditë (një dorë poezish)

PËR TY DO TË ZIHESHIN PERËNDITË

A ia more dritën hënës;
ngrohtësinë mos ta dha dielli? Kur u ndërruan nata me ditën
kengën ta dhuroi bilbili. Flokët kur t’i shpupurish era
lëkunden si dallendyshet buzë detit,
dhëmbët të shkëlqejnë si kristal
e bukura, e mira pulbardhë.
Edhe heshtja jote flet,
kur me sy numron yjet
dikush përballë teje thotë:
„Për ty do të ziheshin perënditë”


DJEGIA NËN GËRSHETIN TËND

Në gërshetin tënd yjet lëshojnë dritë,
hija e lisave prej syve tu ikën,
era e flokëve më rrëmben si vullkan,
robi yt bëhem, s’e di ku jam!
Nuk di ç’flas tek Shkëmbi i bardhë,
s’e di a jam në ëndërr, i zgjuar, apo në përrallë.
Ndoshta je zanë, tash luan me mua,
s’e shoh dot hënën, as ujë s’pi në krua..
C’duan xixëllonjat mbi krahë që të pushojnë.
Të m’i vërbojnë sytë, pastaj të fluturojnë?
S’e di a jam buzë lumit, buzë detit, apo në fushë!
Gërsheti yt më djeg, më bën prush.
Bruksel, maj 2005


KAÇURRELAT

Kur i kujtoj kaçurrelet tua në duart e mia,
më kapin të dridhurat, skuqem në fytyrë
si një fëmijë i padalë kurrë në diell.
Balli më është rritur
sikur t’i kish rënë fshesë babadimri,
vitet kalojnë nuk plaket kujtimi-
takimi i parë;
ti ishe gocë , unë djalë.
Kaçurrelat që kishe
të janë drejtuar si fije bari të njomë,
s’e kanë humbur freskinë,
kanë po atë aromë.
Bruksel, 24 janar 2006


FYELLASHTI IM

Fyellashtin tim qindvjeçar
s’e ngroh dielli në pikë të verës,
nuk e fryn as era e bjeshkës.
Fyellashtin tim nuk e lajnë shirat e vjeshtës,
s’e ngrin as akulli siberian,
as ujku nuk e bren dot me dhëmbë.
Në hartën e grisur të atdheut tim;
në hartën e arnuar,
fyellashtit tim do t’i bie,
me verë ilire që piu Aristoteli
do të ngre dolli


JU KORBA MJAFT BËTË HIJE

Hije u bëni edhe fëmijëve në djep
në teh bajonete sytë ua peshoni
me gaz në dhëmbë e shfryni egërsinë
luftërave të humbura kërkoni lavdinë !
Natës së këtij shekulli,
jetën kot ia zgjasni,
me gjakun tonë dita po agon.
Akrepat e orës së zezë i shlyen kuqëlimi,
as kenga me s’këndohet pa krushq,
rrugën ia hap Flamuri i kuq.
Ju korba mjaft bëtë hije,
mos na zini më diellin,
lereni të qetë të këndojë
në çerdhen e vet bilbili.
Bruksel, 6 maj 1996


STUHIA

Degët e lisave i theu stuhia në mesnatë,
po rrjedhën s’ia ndërroi lumit të gjatë,
veç shtratin ia rriti nê fushat e pafund,
kur nënat fëmijët i vënin në gjumë.
Gurgullima e lumit u shndërrua në oshëtimë,
vajet në djepa u përtrinë,
e një nënë lutej për fëmijën
t’i presë pranverat që do të vijnë.
Shiu e ndiqte mbrapa vetëtimën,
as ariu s’e dinte në ishte verë apo dimër.
I ishin ngatërruar mali e fusha,
bariu vëzhgonte nga i vajti tufa.
Stuhia zgjati, zgjati, pas saj doli dielli,
mes varreve këngës ia tha bilbili.
Ata që mbetën thanë:”Erdhi pranvera,
as gurin s’e rrëzojnë stuhitë e tjera.”
Bruksel, 6 shtatot 2001


KAFSHIMI

Bisha e kafshon malin egërsisht,
jo me muaj e as me ditë,
këtë e di bilbili
e di edhe qyqja e vjetër
pendlat me gjithë vaj
peng në mal i mbeten.
Bisha dhëmbët mpreh prej lisit në lis,
në kërkim të rrënjëve
bisqet ngatërron me mish.
Rrezet e përvjedhura nën re
bilbili, diellit ia sheh,
shkrepave ia thotë këngës së tij;
PRANVEREN e pret e thërret
edhe në tragjedi.


MURIMI

Gërvishi gjirin nëna,
kohët gjak të pijnë
kënga e fortesës
të rritej me fëmijën.
Vajet lahen në lumë
me këngën jetime,
guri i fshejtë në urë
qumështi në buzën time.


FJALA NË GUR

Me avuj misri jam përzier,
në çerepin e diellit piqem,
në ma prefshin gjuhën,
fjalën në shkëmb e keni!
Prishtinë, 1980


SI E QUAJNË ATË RRUGË

Lisat i rrëzuan nëpër kohë
rrënjë t’mos kenë as për trohë
rrugë hapën ballabanët
që të ecin sulltanët.
Shirat i lanë plisat
qullur në gjak e lotë,
bardhësinë që patën
s’ua humbën dot.
Si e quajnë atë rrugë?:
« Rruga e Ballabanit »,
në të mori ikën
edhe vetë Sulltani


FYELLASHTI IM

Fyellashtin tim qindvjeçar
s’e ngroh dielli në pikë të verës,
nuk e fryn as era e bjeshkës.
Fyellashtin tim nuk e lajnë shirat e vjeshtës,
s’e ngrin as akulli siberian,
as ujku nuk e bren dot me dhëmbë.
Në hartën e grisur të atdheut tim;
në hartën e arnuar,
fyellashtit tim do t’i bie,
me verë ilire që piu Aristoteli
do të ngre dolli.


A HARROHET HISTORIA
(Emil Kestemanit, shkrimtar belg)

“Duhet të harrohet historia…“
pate thënë miku im poet,
ajo me përsëritje
nëpër kohë rreshqet.
Ti do paqen,
unë s’jam për hakmarrje,
po çdo të thoje vallë,
për ata që i ç’varrosi kuçedra
dhe i mori bashkë me mijëra të gjallë?
Qe dy vjet,
çdo tre muaj nga dyzet
edhe ish të gjallët
na i kthen skelet në thes!
Bruksel, 13 mars 2004


PREJ SHKËMBIT RRJEDHIN LOT

Këngën e harruar ta përtrijmë
me fyellin e vjetër të bariut,
nën hijen e lisave binjakë,
ku dimër e verë
kroi nuk shtjerrë.
Aty pinin ujë zanat,
nusja me krushq etjen shuanin
pa perënduar mirë dielli
bashkë me zogj u gurëzuan
edhe sot
prej shkëmbit rrjedhin lotë.
Bruksel, prill 2004


ZOGU

Fluturo akullnajave
mbi shkretetire fluturo

mos harro

Syte merrmi mbi krahe
deteve ushqeji me kripe

Zog

syte te m’i kthesh ne atdhe
mos harro!


NGA URA E QABESE

Nga ura e Qabese
shoh gji nenash te shtjerrur,
vashat flokethinjura tek leshonje gjeme
dhe kafshe pa dhembe.

Nata me trete
ne mes te Ures se Qabese

koken mbaj ne duar
mbushur jam plot vaje
nena ime e veje
nga t’ia mbaj?

Emrat zhduken ne Sahare
si drita ne shpelle
shpirterat e humbur ne kete ure
Cili zot do t’i mledh?