Vështrim/Analizë

J. Mandili: Paradokset e kohës që jetojmë

Kemi 30 vjet që themi se jetojmë në një Republikë Parlamentare, por një datë të krijimit të Republikës nuk kemi. Mbani mend të kemi festuar ditën e Republikës pas viteve 90?

Themi se jetojmë në një Republikës Parlamentare por monumentin ia kemi ngritur Monarkut tradhtar në bulevardin që mban edhe emrin e tij! Madje edhe të Geraldinës së tij, që të mos jetë i vetmuar!

Deklarojmë se jemi çliruar nga nazifashistët, por për çudinë e botës ende nuk kemi fiksuar një datë ku ta festojmë gjithë bashkë si një popull normal – opozita në 28 nëntor e mazhoranca më 29 nëntor, pavarësisht se me dekret parlamenti është caktuar data 29. Çfarë shteti jemi ne – ligjor apo anarkist? Dhe askujt nuk i bën përshtypje por vazhdon me ritualin hipokrit të mosnderimit të kësaj date të lavdishme të popullit tonë .

Por jo vetëm kaq. Kur vjen puna të deklarohen për të vërtetën e LANÇ- it përpiqen të mohojnë, të heshtin apo ta lënë “jetime ” atë pa udhëheqje e pa Komandant. E paparë dhe e padëgjuar në historinë e luftërave. Ishte ai Komandant, që përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris! Është po ai, që është vlerësuar nga historia e luftës së dytë botërore dhe shumë udhëheqës të vendeve aleate Antifashiste, madje edhe nga antikomunistë. Kurse ju e mohoni apo bëni sikur e harroni. Një shaka pa kripë kjo! Kaq miopë jeni? A mund të mohohet një vërtetë historike? Përkohësisht ndoshta, por jo përjetësisht. Madje sa më tepër të mundoheni, aq më tepër brezat e ardhshëm dhe historianët e rinj, të çliruar nga sindroma “enkelejdiane” (kompleksi dhe makthi i së kaluarës tradhtare), do të kërkojnë të dinë të vërtetën historike.

Themi se kemi “Dëshmorë të Kombit” dhe është caktuar 5 maji, por kjo është dita më e trishtuar me hipokrizinë e shfaqur në këtë ditë. Jo më vonë se një vit më parë u bënë përpjekje nga drejtori i arkivit (i cili tani pas denoncimit të bërë nga gazeta Dita, duhet të ishte i shkarkuar) , për ta relativizuar këtë datë përmes çmitizimit të “Heroit të Popullit” Qemal Stafa. Synimi i këtij çmitizimi, si mohim i ditës së dëshmorëve (ashtu siç është mohimi i ditës së Çlirimit dhe ditës së shpalljes së Republikës), është në instancë të fundit – mohimi i LANÇ si akti më i lartë njerëzor i realizuar për herë të parë në historinë tonë nga Partia Komuniste dhe udhëheqësi i saj Enver Hoxha. Që çoi popullin në emancipimin e përgjithshëm social e ekonomik drejt një shoqërie progresive përmes transformimeve gjigante në industri, bujqësi, arsim, kulturë, shëndetsi e mbrojtje të vendit .

Këto të vërteta nuk duan të pranojnë “neonazistët” që dolën pas Vetëpërmbysjes Komuniste kur ra Muri i Berlinit.

Nuk më pëlqen t’i quaj “neo-nazistë”, sepse “nazizmi” ishte një doktrinë politike e përcaktuar qartë, me ideologë të shquar, ndërsa në Shqipëri, ne po flasim për një shumëllojshmëri lëvizjesh që ndërthurin të gjitha tiparet e nazizmit (si legalistët, ballistët, antisemitistët, nacionalistët  etj.), pa u bashkuar në një doktrinë të vetme. Ato janë më shumë si një grumbullim fanatikësh e mediokrish që miopia politike i çoi në atë “moçalishte”. Më tepër këtë term e përdor për një kursim retorik të kohës.

E vërteta e madhe e Luftës së Dytë Botërore

Nihilizmi historik, demonizimi i LANÇ- it dhe Dëshmorëve të saj për të rishkruar historinë sipas këndvështrimit të tyre, nuk është një fenomen shqiptar. Është një trend i lindur pas shpërbërjes së Traktatit të Varshavës dhe me faljen e pavarësisë  ish-shteteve sovjetike. Ustashë dhe nazistë, u rishfaqën në hapësirën publike, duke fituar mbështetjen e anglo-saksonëve, falë bashkëpunimit të paraardhësve të tyre gjatë Luftës së Ftohtë.

Historia e vërtetë e Luftës së Dytë Botërore tani është histori e armikut, kështu që duhet të zhbëhet. Dita e Fitores tani është fitorja e armikut, ndaj nuk duhet të festohet. Simbolet antifashiste duhet të ndalohen. Monumentet e Luftës së Dytë Botërore duhet të shkatërrohen dhe varret të përdhosen. Ky ishte dhe mbetet synimi revanshist i këtyre “neonazistëve”!

Si shembull kujtojmë:

– Në Bullgari, në Sofje, ka rreth pesëmbëdhjetë vjet që mbahet një demonstratë vjetore në kujtim të gjeneralit Hristo Lukov .

– Në Estoni, në 2009, hiri i kolonelit SS Alfons Rebane (Estonezi Rommel) u riatdhesua, më pas u vendos një pllakë përkujtimore , me mbështetjen e qartë të Presidentit Toomas Hendrik Ilves (vetë një zyrtar amerikan). Në vitin 2012, Ministri i Mbrojtjes, Urmas Reinsalu, mori pjesë në ishullin Saaremaa në një ceremoni të Aleancës së Luftëtarëve të Lirisë të Estonisë (bashkëpunëtorë të nazistëve) dhe përgëzoi ish-SS për “çlirimin e atdheut”

– Në Letoni, presidentja Vaira Vike-Freiberga (1999-2007) pohoi se “SS janë heronj të luftës kundër sovjetikëve”. Ajo ka modifikuar tekstet e historisë dhe ka autorizuar demonstrata për të përkujtuar këta “heronj”. Letonia, një e katërta e së cilës është ruse, ka ndaluar përdorimin e gjuhës ruse në shkollat ​​e mesme.

Për më tepër, në vitin 2018, së bashku me Estoninë, ndërtoi një mur përgjatë kufirit rus .

– Në Bolivi në vitin 2019, MI6 mbështeti komunitetin ustash kroat për të rrëzuar Presidentin Evo Morales .

Më 18 nëntor 2020, Komisioni i Tretë i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë mbi “Luftën kundër glorifikimit të nazizmit, neo-nazizmit dhe praktikave të tjera që kontribuojnë në nxitjen e manifestimeve aktuale të racizmit, diskriminimit racor, ksenofobisë dhe intolerancës si pasojë”. (Kombet e Bashkuara A / C.3 / 75 / L.49 ).

Të gjithë anëtarët e OKB-së votuan pro, përveç Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës që votuan kundër.

 

Pse jo edhe në Shqipëri?…

Kjo frymë e përhapur pas vetërënies së komunizmit shtetëror, nuk mund të mos reflektohej edhe në Shqipëri si ish vend komunist përmes “pinjollëve” me të kaluar komuniste apo atyre të ” Mërgatës së Qyqeve.

Ka një urrejtje patologjike, që as vetë përfaqësues apo historianë nazifashistë apo kolaboracionistë nuk kanë guxuar të bëjnë një mohim të tillë të LANÇ- it, duke e konsideruar atë luftë civile dhe gjakun e dëshmorëve si gjak të rremë!

 

Hipokrizi me nderimin e të rënëve

Është edhe kjo sjellje e ky qëndrim i papërgjegjshëm kontrovers e mendjecekët, që ka frymëzuar historianë, analistë, publicistë, shkrimtarë, studiues, arkivistë, moderatorë e disa politikanë “parveny” – të inkuadruar në “taborrin antikomunist”, në mënyrë të vazhdueshme, veç e veç e të gjithë sëbashku, në këtë “koncert urrejtjeje”, përveçse arsyeve personale të tyre apo individë të institucioneve apo agjencive të huaja.

Sepse nuk ka se si shpjegohen një sërë veprimesh, qëndrimesh e sjelljesh demonizuese e denigruese kundër LANÇ-it, Dëshmorëve dhe Heronjve të saj, të tilla si:

– Mungesa e vëmendjes së shtetit ndaj simboleve të luftës dhe varrezave të dëshmorëve konform ligjit dhe rregullave.

– Largimi i monumentit të Heronjve të Vigut në Shkodër, zhdukja e bustit të heroit Misto Mame në Tiranë, si dhe heqja e disa emrave të heronjve të popullit në botimet e fundit të enciklopedisë.

– Dekorimi e rehabilitimi, në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet ndërkombëtare, të kolaboracionistëve kriminelëve, tradhtarëve e diversantëve që ish presidenti i paemër tinëzisht dhe fshehtazi i shpërndau.

– Organizimi i ceremonive zyrtare aktmortore të tipit ” Mit’hat & Co” nga një kryeministër eklektik e kontrovers…

– Ngritja e monumenteve e busteve në qytete të ndryshme të kolaboracionistëve, tradhtarëve e kriminelëve banditë si Halil Alia në Dibër etj.

– Dhe më skandalozja “vendimi politik neonazist” i Tufës (jo më kot kërkoi azil politik jashtë shtetit), që 265 komandantë e luftëtarë, dëshmorë e heronj për t’i shpallur kriminelë si Xhako Merkoja, Zylyftar Veleshnja, Nexhip Vinçani, e shumë të tjerë, madje edhe vetë Komandantin e përgjithshëm të LANÇ- it , Enver Hoxhën.

Duke shfrytëzuar eklektizmin politik, anarkinë, mungesën e shtetit ligjor si edhe papërgjegjshmërinë e qeverive të tranzicionit, të gjithë revanshistët e neonazistët përfituan në emër të “antikomunizmit” privilegjet e humbura të etërve të tyre si edhe lirinë për të ngritur institute, botime, enciklopedira, libra, organizime konferencash “tufleshësh”, “godoleshësh e gjekleshësh”, nga gjithkush që deklarohej i “persekutuar” apo “antikomunist”- historianë të akredituar nga politika si dhe “akademikë” të konvertuar si të tillë pas ’90-s, vetëm e vetëm, që përmes financimeve të qeverisë dhe granteve, kredive e donacioneve të institucioneve, organizatave dhe agjencive të huaja, të interesuara për rishkrimin e historisë së luftës nën maskën e “dekomunistizimit”, të sajonin, fantazonin, interpretonin, gënjenin  e mashtronin, veç e veç e të gjithë së bashku, me të vetmin synim- nihilizmin e demonizimin e LANÇ-it dhe Dëshmorëve të saj!

Një president amerikan ka thënë: “Ajo që ne bëjmë tani, si e nderojmë kujtimin e të rënëve, do të përcaktojë nëse demokracia do të qëndrojë gjatë.”

 

Dëshmorët janë materie e ndërgjegjjes së kombit

Sepse, të rënët për atmëmëdheun që të gjithë kombet i quajnë “Dëshmorë” janë një emër i ndritur për këta popuj e kombe kudo në botë. Dëshmorët nuk janë numra apo shifra, por vlera e tyre është hyjnore, nderimi e mirënjohja nuk mbetet vetëm në pllaka varresh, në lapidarë e memoriale. Ndaj dhe për këto vlera të spikatura kombëtare ruhen në zemrën e kombit. Kështu duhet të ruhen në zemrën e kombit edhe dëshmorët e LANÇ- it!

Sepse Dëshmorët e LANÇ- it janë pasuri që lidhin brezat e kombit shqiptar, janë trashëgimia e ndërgjegjes kombëtare, vlerat dhe virtytet e krenarisë. Janë materie e ndërgjegjjes së kombit që lidhin të djeshmen me të sotmen dhe nga mënyra se si nderohet kujtimi i tyre, përcakton edhe të ardhmen e kombit!

Por kujdes!

Mos i bëni pis dëshmorët e heronjtë e kombit duke i vendosur së bashku me tradhtarët e kombit në gjirin e NËNËS SHQIPËRI! Si mundet Nëna të mbajë në të njëjtin gji  edhe heronjtë edhe bastardët? Ky handikap ndodh vetëm në Shqipëri dhe nën hundën e socialistëve dhe jo pa qëllim. Për të relativizuar LANÇ-in dhe heroizmin e dëshmorëve të saj dhe për të rishkruar historinë për të rehabilituar “tradhtarët patriotë”.

Mos përzieni gjakun e kuq me gjakun e zi !

Sepse, të rënët në luftë, Dëshmorët e saj ishin dhe mbeten:

– bijtë dhe bijat më të mirë të këtij populli hero, që gjatë Luftës II Botërore, diti t’i lidhë betejat e tij çlirimtare me ato të Popujve antifashistë me në krye aleatët anglo-sovjeto-amerikanë, kundër nazifashizmit që synonte të nënshtronte botën.

– bijtë më guximtarë e heroikë që luftuan e ranë në Brigadat Internacionaliste Antifashiste për Lirinë e popullit spanjoll si Asim Vokshi, Ramiz Varvarica etj.

– ata që ranë më 7 Prill 1939, me në krye Heroin Mujo Ulqinaku, në betejën kundër falangave pushtuese fashiste të Musolinit;

–  Heronjtë e Kodrës së Kuqe, me Vojo Kushin në ballë, të frymëzuar nga heroizmi i Qemal Stafës, që nuk iu tremben as tankeve fashiste;

– trimat e Shkodrës Loce, që me Perlat Rexhepin në krye, mposhtën hordhi të tëra sulmesh fashisto-tradhtare; janë djemtë e heroizmit të pashoq të një brezi atdhetarësh, antifashistësh e patriotësh, të udhëhequr nga komunistët.

– bijat trimëresha,pasardhësit e Shote Galicës Bule Naipi, Persefoni Zonja Çurre, Margarita Tutulani etj.,që nuk iu tremben as litarit të fashistëve e të ballistëve që i spiunuan.

– të gjithë ata partizanë e partizane, trima, komandantë e komisarë, gra e vajza martire heroina, e deri edhe pionierët dëshmorë të LANC-it që ranë në Luftën Çlirimtare; për të arritur te Heroinat e Mirditës, e deri te ata që nga Shqipëria morën pjesë në Luftën Çlirimtare; për të arritur te Heroinat Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima,Zonja Çurre Margarita Tutulani etj , për të ardhur pastaj edhe deri te ata që ranë në Masakrën e 4 Shkurtit (ku neofashistët sotëm guxuan t’ia heqin edhe pllakën përkujtimore rrugës ku u masakruan, duke i venë qëllimisht emrin e nipit të Xhafer Devës për të konfirmuar kështu zyrtarisht këtë masakër).

Janë pra, të gjithë ata, para të cilëve, përulet vetë Flamuri Kombëtar dhe me sakrificën e tyre supreme, mbajnë lart emrin e tyre në Altarin e Atdheut e të Lirisë. Prandaj edhe shumica e shqiptarëve u përulet me nderim të thellë Heronjve dhe Dëshmorëve të LANÇ-it…

Të rënët në luftë nuk janë numra apo shifra, por janë vlera hyjnore, ku nderimi e mirënjohja për ta nuk mbetet vetëm në pllaka varresh, në lapidarë e memoriale, që mund të shkatërrohen nga vandalët pushtetarë apo të mos mbrohen nga pushtetarët të papërgjegjshëm. Prandaj këto vlera kombëtare “hipotekohen” në zemrën e kombit, sepse janë pasuri që lidhin brezat, janë trashëgimia e ndërgjegjes kombëtare, vlera dhe virtyte të krenarisë sonë kombëtare.

Pavarësisht të gjitha këtyre marrëzive, me ” luftë civile” “gjaku i rremë”, “dekomunistizimin”, rishkrimin e historisë etj marrëzira, damkën e turpit kriminelëve dhe tradhtarëve nuk ua hiqni dot, sepse atë damkë në ballë e kanë vulosur vetë me dëshirën e tyre.

Fatkeqësi për ju mjeranë fosilesh të së shkuarës që nuk keni nxjerrë mësime nga përvoja historike: sado baltë t’i hedhësh arit ndriçimi i tij asnjëherë nuk zbehet, por vetëm verbon!

Prandaj Dëshmorët në shekuj do të ndriçojnë si “yje të pashuar” në Panteonin e Historisë së Shqipërisë, kurse ju fatkeqësisht do të mbeteni “puçra të qelbëzuara” në Dinjitetin e Kombit, “Nishane” të perversitetit të tuaj njerëzor dhe “brikete politike” të zjarrit të përçarjes së unitetit të popullit!

Dëshmorët e LANÇ-it jetojnë, të përjetshëm në gjirin e memories së popullit, sepse janë Ata që kanë dhënë jetën në luftë për qëllimin e shenjtë të Lirisë së Atdheut e Kombit. Dëshmoreve u qëndron në krah Lavdia dhe Përjetësia!

Dëshmorët e LANÇ- it do të mbeten burim frymëzimi për brezat, për ta dashur Atdheun si shqiponja folenë. Dëshmorët e LANÇ- it do t’i ndihmojnë përherë të gjallët e këtij kombi që të shikojnë rrugën e drejtë dhe të vërtetë se nga duhet orientuar dhe ecur edhe në kohrat më të turbullta e komplekse.