Vështrim/Analizë

Ibrahim Kelmendi: Kolaboracionisti Qazim Mulleti edhe sot po na shkakton sherrnajë

EDHE TANI KOLABORACIONISTI QAZIM MULLETI NA SHKAKTON SHERRNAJË
Këto ditë Teatri Kombëtar në Tiranë rishfaqi komedinë “Perfekti” (Qazim Mulleti), të autorit Besim Levonja. Kjo shkaktoi cunami në legen, sepse pinjollët e kolaboracionistëve nazifashistë po ndihet të atakuar.
Artisti i Popullit Robert Ndrenika e ka interpretuar mrekullisht Qazim Mulletin. Komedia “Prefekti” përqesh dhe tallet me prefektin e Tiranës gjatë kohës së pushtimit fashist, Qazim Mulletin, dhe një vartës të tij që ishte drejtues i policisë së Tiranës po në atë kohë, Mon Kukaleshi. Kjo komedi bazohet në stereotipa të kohës se pushtimit fashist. Tiranasit e vjetër paraqiten si injorantë, të korruptuar, fetarë (kjo në atë kohë kishte kuptim negativ duke qenë se shënjestronte reaksionarët dhe njerëz që gjithsesi ishin kundër rrymës së asaj kohe); fshatarët që banonin afër Tiranës si të trashë, fanatikë, etj. Edhe një personazh nga Luma (veriu) që arrestohet gabimisht, paraqitet në mënyrën më të keqe, si analfabet që shiste salep me ibrikë në duar dhe ishte gati të spiunonte këdo. E folura në dialekt ose me fjalë të huazuara e personazheve është bërë me qëllim shumë e fortë, për të stigmatizuar grupet shoqërore nga vinin personazhet e komedisë.
Në debatet zhurmuese që ndodhen pothuajse në gjithë televizionet, pse Teatri Kombëtar e rishfaqi këtë komedi, më neveriti sidomos Njuton Mulleti, që po prezantohet si sternip i Qazim Mulletit. Po prezandohet edhe si pedagog universitar. Ai lavdëron Prefektin fashist Qazim Mulleti si intelektual që zotëronte shumë gjuhë, që kishte studiuar në Stamboll, që kishte merita edhe patriotike si pjesëmarrës në shpallje e Pavarësisë. E radhiste si vlerë patriotike edhe angazhimin e Qazim Mulletit, bashkë me Aziz Çamin dhe Ndokë Gjeloshin, për t’i bërë atentat mbretit Zog në vitin 1931 në Vjenë. Por e justifikonte edhe angazhimin kolaboracionist të Qazimit si prefekt i kryeqytetit Tiranë, i emëruar nga pushtuesit fashist italian. Thirrej sidomos në lendimin e ndiesive të Familjes Mulleti që u paskësh shkaktuar komedia “prefekti”. Por asnjëherë nuk kërkoi falje për angazhimet fashiste të Qazimit, për krimet që i ka bërë gjatë kohës që kishte terrorizuar Tiranën si prefekt kuisling (1939-1944).
Duhet të censurohen Teatri Kombëtar vetëm pse ka rivënë në skenë këtë komedi që e ka për kryeprotagonist Prefektin fashist Qazim Mulleti, e cila e përqesh atë ish kolaboracionist, dhe pse kjo komedi na qenkësh vepër “komuniste”, siç po broçkullisin (pseudo) anti-komunistët? Sigurisht që nuk duhet! Edhe Mulletët duhet të pajtohen me fatkeqësinë që u ka ndodh, duke shpreh keqardhje për shumë familje, të cilat Prefekti Qazim i ka terrorizuar kur ishte sundimtar fashist.
Shëmbull për konkretizim:
I kishte parasysh familjarët e Familjes Quisling (Kuisling) Gjykata norvegjeze në Osllo kur e dënoi me vdekje norvegjezin Vidikun Quisling, i cili ishte emëruar na pushtuesit nazist si “kryeminister” i Norvegjisë dhe u ekzekutua më 24 tetor 1945? I marrin parasysh tani në Norvegji krijuesit letrarë, aktorët, historianët, publicistët, kur e diskreditojnë KUISLINGUN Vitikun Quisling (sipas mbiemrit të të cilit është ndërkombëtarizuar emërtimi i atyre që bëhen marioneta të pushtuesve)?
Familjarët në raste të ngjashme më mirë është të heshtin, nuk kanë të drejtë të kërkojnë nga tjerët të mos kritikohen marionetat kolaboracioniste të pushtuesve, vetëm pse u ka rastis t’i kishin familjarë. Përndyrshe, ne nuk do të kishim liri të kritikojmë as kuislingët Xhafer Deva, Fadil Hoxha, Ali Shukria, Sinan Hasani, Azem Vllasi…, vetëm pse u lendohen ndiesitë familjarëve dhe tifozëve politikë të tyre…