Histori

Historiani i njohur Pëllumb Xhufi për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kolaboracionistët

Nga Pr.Pëllumb Xhufi
Do të mund të dallonim dy grupime kryesore politike e ushtarake në Shqipërinë e viteve të luftës. Në grupimin e parë bënin pjesë përfaqësuesit e Shqipërisë së vjetër, me të mirat e të këqijat që ky term nënkupton. Kishte mes tyre veteranë të Rilindjes Kombëtare e të luftërave për pavarësi e për shtet kombëtar, si Mit’hat Frashëri, Lef Nosi, Qazim Koculi, Mehdi Frashëri, Bahri Omari etj. Ishin personalitete me formim liberal e konservator, që bërjen e Shqipërisë e kishin parë më shumë si rezultat të tratativave e të ujdive politike e diplomatike.
Një linjë e tillë, edhe në fillimet e shek. XX, ishte kundërshtuar nga të tjera personalitete të shquara të Lëvizjes Kombëtare, përfaqësues të krahut “revolucionar”, me Ismail Qemalin, Dervish Himën, Mihal Gramenon, Luigj Gurakuqin, Ibrahim Temon, Hilë Mosin, të cilët çlirimin nga sundimi osman e kishin parë si rezultat të një shkundjeje të madhe popullore, të një kryengritjeje të përgjithshme.
Përveç personaliteteve të tilla, në grupimin e parë bënin pjesë edhe përfaqësues të klasës së vjetër të bejlerëve, të bajraktarëve e të krerëve të fiseve, që i kishin mbijetuar kohës dhe që ishin dëshmia e gjallë e stanjacionit politik e shoqëror të Shqipërisë. Të tillë ishin Shefqet Verlaci, Eqerem Libohova, Eqerem bej Vlora, Fuat Dibra, Ali bej Këlcyra, Abaz Kupi, Selim e Dan Kaloshi, Muharrem Bajraktari, Mustafa Kruja, Gjon Marka Gjoni etj. Kush më shumë e kush më pak, personazhet e këtij grupimi formuan klasën e kuislingëve dhe të kolaboracionistëve, të cilët nëpërmjet një politike anakronike e miope, gjykuan se mund t’i fitonin të gjitha, edhe pushtetin, edhe privilegjet për veten, edhe “Shqipërinë etnike”, edhe luftën me “të kuqtë”, duke u bërë njësh me pushtuesit. Nëse fundi i luftës do të kishte gjetur në pushtet këtë klasë politikanësh, pavarësia dhe integriteti i Shqipërisë me siguri do të ishin cenuar rëndë.
Grupimi tjetër, ai që e kuptoi frymën e kohës dhe që u hodh në luftë kundër pushtuesit, duke u shkrirë me frontin e madh antifashist botëror, përfaqësohej nga intelektualë, ushtarakë, nëpunës e krerë patriotë, të dalluar në betejat për krijimin, forcimin e demokratizimin e shtetit shqiptar, si Mujo Ulqinaku, Omer Nishani, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Spiro Moisiu, Ismail Strazimiri, Shefqet Peçi, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Riza Kodheli etj. Por, ky grupim u përfaqësua para së gjithash nga rinia e qyteteve dhe e shkollave, e cila me një idealizëm e patriotizëm të pashembullt, zgjodhi pa mëdyshje luftën pa kompromis me pushtuesin italian e gjerman. Me rënien e tyre heroike, Qemal Stafa, Vojo Kushi, Margarita e Kristaq Tutulani, Manush Alimani, Perlat Rexhepi e plot të tjerë përfaqësues të brezit më të ri e më të përparuar të Shqipërisë, elektrizuan të gjithë rininë shqiptare, të fshatit e të qytetit, duke i dhënë jetë një rezistence që Shqipëria nuk e kishte njohur kurrë. Një qëndresë, që për herë të parë theu kufijtë krahinorë dhe përfshiu të gjitha krahinat e vendit dhe që si asnjëherë më parë tërhoqi në mënyrë masive femrën shqiptare. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte njëherësh e para ngjarje e madhe e kombit, që e vuri femrën shqiptare në piedestalin e historisë…
Në emër të Frontit Nacionalçlirimtar, në korrik 1944, E. Hoxha i denoncoi me forcë projektet për një federatë ballkanike, ashtu siç denoncoi edhe marrëveshjen e Ballit Kombëtar me Rallis e Zervën për një federatë greko-shqiptare, ku ushtria shqiptare do të vihej nën urdhrat e shtabit të ushtrisë greke. Ende pa u çliruar vendi, në tetor 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL, Brigada XIV dhe ajo XIX u dislokuan përgjatë kufirit shqiptaro-grek për të ndalur çdo përpjekje të trupave greke për të depërtuar në tokën shqiptare. Në fjalimin e vet në Tiranë, më 28 nëntor 1944, E. Hoxha paralajmëroi Greqinë se Shqipëria ishte gati të bënte një luftë të dytë në rast se ajo do të guxonte të tentonte aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Edhe për sa i përket çështjes së Kosovës, qeveritë kuislinge të Tiranës dhe organizatat kolaboracioniste mbajnë një përgjegjësi të madhe historike, sepse në vend të propagandonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nëpërmjet luftës kundër pushtuesit nazifashist, gjë që përputhej edhe me Kartën e Atlantikut, ushqyen iluzionin e rrezikshëm të realizimit të “Shqipërisë etnike” si dhuratë e pushtuesit nazifashist. Nëse në Kosovë nuk pati një lëvizje çlirimtare antifashiste masive, gjë që do ta kishte forcuar pozitën e popullit të Kosovës pas luftës, kjo erdhi edhe për faj të ndikimit të dëmshëm që ushtruan aty rrethet kuislinge e kolaboracioniste të Tiranës. Në të kundërtën, Fronti NÇL dhe Partia Komuniste që e drejtonte atë, zgjodhën të vetmen rrugë të mundshme që i jepte një shans bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Sipas tyre, bashkimi mund të bëhej realitet vetëm në frymën e Kartës së Atlantikut, pra, nëpërmjet zbatimit të parimit të vetëvendosjes pas kontributit që shqiptarët e Kosovës do të jepnin në luftën antifashiste. Fronti NÇL dhe PKK bënë përpjekje serioze për të inkurajuar luftën partizane në Kosovë. Ato organizuan edhe Konferencën e Bujanit, ku komunistët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, në prani edhe të përfaqësuesve serbë të PK jugosllave për Kosovën, artikuluan shkoqur vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim kombëtar mbi bazën e kontributit në luftën e madhe antifashiste.