Shyqyri Ishmi – Hero i Popullit
Pat lindur në Tivar, në vitin 1922, në një familje patriotësh, që e kishte origjinën nga Ishmi i Durrësit. Etjen për dije e kishte të madhe, por mundësitë ekonomike për të ndjekur shkollën, jo. E la shkollën të pambaruar dhe nisi rrugën e punëtorit, fillimisht si elektricist pastaj hyri në punë në një shtypshkronjë…
Shyqyri Ishmi me shokë mori pjesë në rezistencën e 7 Prillit. Pa nga afër heroizmin e Mujos, të shtënat dhe dëshmorët e asaj dite ishin dhe thirrja për kushtrim, për t’u organizuar, për të ngritur në këmbë gjithë shqiptarët, për të fituar lirinë e humbur.
Anëtar i PKSH që me themelimin e saj, guerrilas trim i orëve të para, pjesëmarrës në shumë aksione, por… u kap ndërsa po kryente me shokë një aksion të rëndësishëm. Nisi kështu një periudhë tjetër e jetës së tij, sa e shkurtër aq dhe madhështore, sa frymëzuese për luftëtarët e lirisë, aq dhe tmerruese për pushtuesit dhe ata që i lëpinin çizmet. Qendroi heroikisht para torturave.
Para vdekjes në burg, ai shkroi për shokët një letër. Ç’thuhej në të? “Shokë po ju shkruaj këtë letër nga burgu. Unë po mbaroj, por ju mos u dëshpëroni, se një Shyqyri vdes, por njëqind të tjerë dalin nga populli…Rrugën që kemi nisur, rrugën që na tregon Partia për t’u çliruar nga pushtimi i huaj, ta vazhdoni me një vendosmëri të madhe gjer në fund… Amaneti im asht të merrni hak, të dëboni fashizmin, të qëroni tradhëtarët dhe spiunët…Ju përshëndes për herë të fundit Shoku juaj Shyqyriu…”
Njëzetvjeçar ishte atëherë kur hodhi në letër këto fjalë të mëdha. Janë fjalë të dala nga një zemër e madhe, që e kishte bërë efektin një ideal po aq të madh. Ishte ai ideal po aq i madh. Ishte ai ideal, ai patriotizëm, që i jepte kurajo e forcë atij nëzetvjeçari, si mijra të tjerë, që edhe pse me trupin e nxirë dhe të gjakosur nga torturat, me kokë të çarë, gjunjë të enjtur, me këmbë e duar të lidhura, edhe pse brenda në qeli, ta përmbyste fashizmin dhe bashkëpunëtorët e tij, ta pranonte, siç thuhet, “dekën si me le. “Trego shokët, trego bazat se do të marr shpirtin”, e kërcënonte xhelati. Dhe goditjet e tmerrshme vazhdonin pa ndërprerje mbi trupin gjysëm të vdekur të Shyqyri Ishmit. “Në gjyq, në litar!”- bërtiste xhelati sikur të mos mjaftonte ai akt i madhe dhune që ushtrohej mbi atë djalosh për fajin e vetëm, se e deshte vendin e tij, se e urrente pushtuesin.
Mblidhte forcat, përqendronte mendimin dhe i përgjigjej xhelatit dhe gjykatësit fashist: “…Nuk kam frikë nga vdekja. Ju në fund të fundit keni me i pague të gjitha. Me vdekjen time Rinia Komuniste e Shqipërisë nuk do të marrë fund. Poshte fashizmi, mjaft tradhti dhe tradhëtarët!…”
Fashistët tërbohen dhe marrin vendimin. Për ironi të fatit kërkojnë të hiqen si njerëz të zotit. Kërkojnë të zbatojnë ritet fetare. Para vdekjes shfaqet hoxha. Dhe djaloshi buzëqesh: “Largohu, o hoxhë, prej këndej. Nuk asht zoti që po ma merr shpirtin, por asht fashizmi!”
Trimi Hero Shyqyri Ishmi, edhe kur litari vdekjeprurës kaloi në qafën e tij të njomë, thirri fort: “Rroftë Shqipëria!”
Kjo ndodhi më 22 tetor 1942.
(Nga seria Heronj të Popullit)
add a comment