Vështrim/Analizë

Gjokë Dabaj: Intervista me defekte e një filogreku

Sapo u transmetua në Top Channel një intervistë e z. Ilir Paço me z. Nikollaq Karamelo. Bëhej fjalë për disa kërcënime që i ka marrë z. N. Karamelo, për shkak se e paska paraqitur Korçën, në shkrime apo në një mënyrë tjetër, si qytet ku një pjesë e banorëvet janë me kombësi greke. Intervista pati defekte në transmetim. U ndërpre disa herë. Rrjedhimisht, unë mbeta i paqartë për shumë gjëra. Prandaj dhe po i formuloj disa pyetje, me qëllim për të plotësuar atë çfarë intervista la mangut. 1. Deri ku shtrihet Greqia Veriore sipas konceptit tuaj, z. N. Karamelo?2. A ka në Republikën Greke pakica kombëtare të njohura me kushtetutën e atij shteti dhe cilat janë?3. Arvanitët çfarë janë, në pikëpamje kombëtare, dhe a i njeh arvanitët kushtetuta e shtetit grek si pakicë kombëtare jogreke?4. Ku gjendet Çamëria gjeografikisht? Në Shqipëri apo në Greqi? Po pyes: Gjeografikisht, sepse shtetërisht e dimë që gjendet në Republikën Greke.5. A ka në Korçë minoritet grek dhe a mund të jepni emra familjesh? Cilat familje korçare janë me kombësi greke dhe sa familje të tilla ka në Korçë?6. Kosturi, Follorina, Konica, Janina, a gjenden gjeografikisht në Shqipëri apo në Greqi? Them gjeografikisht, sepse shtetërisht e dimë.7. Si mendoni ju, z. Nikollaq: Korça, Erseka; Leskoviku, Përmeti, Gjirokastra, Saranda, Himara, a gjenden gjeografikisht në Shqipëri apo në Greqi?8. Kur bëhet fjalë për të këtilla tema, shumë delikate, besoj se nuk është keq të mbahet parasysh edhe një kusht tepër i rëndësishëm: Nëse vërtet duam të shkojmë mirë njëri me tjetrin, shqiptarë edhe grekë, nuk duhet të fshehim a lëmë mënjanë asnjë të vërtetë. Ju, a e keni pasur parasysh një kusht të këtillë në deklarimet dhe në shkrimet tuaj të derisotëm? 9. Një studiues skrupuloz, kur flet, për shembull, për pakicat kombëtare greke që, sipas tij, jetojnë në Republikën e Shqipërisë, a nuk duhet të flasë edhe për pakicat (apo shumicat) kombëtare shqiptare që jetojnë në Republikën Greke? Apo duhet të jetë i njëanshëm dhe të justifikohet duke thënë: “Unë nuk e kam studiuar këtë krahun tjetër të këtij problemi. Ose edhe më keq: Mua nuk më interesojnë shqiptarët në shtetin grek. Mua më interesojnë grekët në shtetin shqiptar. Kjo është fusha ime e interesit.”10. Dhe në fund, m’u duk sikur në mbarim të intervistës, ju, z. Nikollaq Karamelo, e përfshitë edhe Korçën në konceptin Greqi Veriore. A thatë vërtet, apo s’e dëgjova mirë?!Ndërsa për z. I. Paço kam këto pyetje: 1. A mendon ti, z. Ilir, se duhet të njihet në kushtetutën e Republikës Greke bashkësia shqiptaro-arvanite si kombësi më vete? 2. A mendon ti, z. Ilir, se në Republikën Greke duhet të hapen shkolla në gjuhën shqipe të të gjithë nivelevet, financuar shtetërisht, ashtu siç kemi ne në Republikën e Shqipërisë, shkolla në gjuhën greke të të gjithë nivelevet? 3. A do të më thërrasësh edhe mua në një intervistë, siç thirre z. Nikollaq Karamelo? (Cel: 0692567880) Shijak-Pjezë, 17 qershor 2021.