Histori

Gazeta “Kushtrim brezash”: Veteranët dhe Pasardhësit e LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”

7 prill 1939 – 83 vjet – 7 prill 2022
7 Prilli dita simbol e rezistencës antifashiste të popullit shqiptar
Viti i 39-të i shekullit që kaloi hyri me ngjarje që do të tronditnin jo vetëm Shqipërinë, por tërë botën. Kudo në Shqipëri, por sidomos në mjediset e shkollave dhe punëtorëve flitej për rrezikun fashist, për pushtimin e Atdheut, për fillimin e Luftës së Dytë Botërore… Shqipëria ishte vendi i parë në Ballkan që u pushtua ushtarakisht nga Italia fashiste, 7 prill 1939, 5 muaj përpara se të niste zyrtarisht Lufta e Dytë Botërore, me agresionin nazist kundër Polonisë.
Musolini grumbulloi trupat ushtarake në skelat e Italisë jugore përballë Shqipërisë, më 25 mars 1939, dhe i paraqiti qeverisë së Tiranës një projekt- traktat që Zogu dhe qeveria e tij e mbajtën të fshehtë projekt-traktatin si dhe ultimatumin e Musolinit. Opinioni publik ra shpejt në dijeni të përgatitjeve të Romës. Ushtritë e shumta të grumbulluara në skelat e Italisë jugore vunë në shqetësim tërë vendin. Java e parë e prillit, që Musolini e kish caktuar për sulmin mbi Shqipërinë, u bë Java e Demonstratave të fuqishme të popullit, veçanërisht rinisë shkollore dhe asaj punëtore. Një popull i tërë në këmbë në demonstrata të fuqishme që kundërshtonte pushtimin e Atdheut nga Italia fashiste.
Në mbrëmjen e 2 prillit 1939: Në Tiranë shpërtheu demonstrata e rinisë së kryeqytetit, te cilët shfaqën gatishmërinë e tyre për të mbrojtur Atdheun nga agresioni fashist italian. Më 4 prill, një masë e madhe, shpërtheu një demonstratë të fuqishme në rrugët e kryeqytetit duke kërkuar lajme të sigurta rreth përgatitjeve italiane dhe armë për të luftuar kundër agresorit fashist. Demonstrata shpërthyen edhe në në Korçë, Shkodër, Elbasan, Durrës, Gjirokastër, Vlorë, etj. Zogu u përpoq të qetësonte opinionin publik duke lëshuar një komunikatë qeveritare me të cilën përgënjeshtronte lajmet e përhapura rreth keqësimit të marrëdhënieve italo-shqiptare.
Ja ç’shkruan në kujtimet që ka lënë veterani LANÇ, Vasil Gjylameti, atëherë student në gjimnazin e Tiranës dhe që ka marrë pjesë çdo ditë në “Javën e Demonstratave”:
5 prill: Sot u bë një nga demonstratat më të mëdha. Të gjithë ne, pjesëmarrësit, të mëdhenj dhe të vegjël, kërkuam armë. Lëvizja filloi nga sheshi i bashkisë në drejtim të parlamentit dhe të ministrave. Të gjitha ishin të mbyllura. Përpara kafe “Kurrelit” e mori përsëri fjalë Hamid Shijaku (Hero, dëshmo, i dënuar me vraje nga fashistët), i cili i revoltuar, pasi foli për rrezikun që kërcënonte Shqipërinë dhe, duke iu drejtuar me ironi “baballarëve të kombit” kërkoi që ata të tregonin veten, o sot, o kurrë, në se ishin atdhetarë të vërtetë. Fjala e tij na ndoqi gjithë demonstruesit. Ndërkohë filloi të fliste një nga deputetët e Zogut, por ne nuk e lejuam. U bë një zhurmë e madhe. Duke shkuar përpara pallatit ne kërkonim armë.
6-7 prill: Nga pasdrekja e 6 prillit, në qiellin e Tiranës, fluturonin disa skuadrilje aeroplanësh të fashizmit. Ishte një demonstrim për të trembur popullin, por populli u derdh përsëri në sheshe. Një përfaqësi shkoi në pallatin mbretëror për të kërkuar armë, por nuk u dhanë. Ndërkohë nxënës të shkollës teknike dhe të gjimnazit dhe të tjerë u nisën për në Durrës për të luftuar kundër agresorëve që tashëm më 7 prill, zbarkuan në disa porte, Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin etj. Por u pritën me pushkë.
Në Tiranë, u organizuan grupe për të mbrojtur rregullin në kryeqytet, për të ndihmuar popullsinë në rast bombardimi. Ndërkaq grupe vajzash të Institutit femëror dhe shtëpiake shkonin në spitalin ushtarak për t’u regjistruar infermiere dhe për t’u dërguar në front. Është vështirë për të përshkruar gjendjen tonë shpirtërore, patriotizmi, urrejtjen për fashistët italianë, zemërimin ndaj klikës qeveritare zogiste.
…Zogu u arratis në Greqi, ndërsa demonstruesit patriotë, të rinj e të reja, u nisën për të luftuar në Durrës kundër pushtuesve italianë… Por u pritëm me plumba…
Në mëngjesin e 7 prillit, trupat italiane filluan zbarkimin në brigjet e Shqipërisë. Në orët e para të mëngjesit të 7 prillit 1939, dita e së Premtes së Zezë, trupat me prej gati 40 mijë vetash në një mori luftanijesh dhe të shoqëruar nga qindra aeroplanë lufte, nën komandën e përgjithshme të gjeneralit Guzzoni, iu afruan skelave kryesore të Shqipërisë – Durrësit, Vlorës, Sarandës, Shëngjinit etj.
Italianët prisnin lule, por… morën plumba. Me gjithë punën sabotuese të agjenturës fashiste zbarkimi nuk ndodhi pa rezistencë…Tri herë ushtritë italiane provuan të merrnin Durrësin. Simboli i kësaj rezistence u bë marinari Mujo Ulqinaku, i cili ra heroikisht në mbrojtje të Durrësit, më 7 prill 1939. Ushtritë italiane ndeshën rezistencë edhe në Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin, por përballë epërsisë së tyre, rezistenca shqiptare brenda ditës u thye. Italianët nuk zbarkuan vetëm në Durrës. Të njëjtën gjë provuan dhe në Vlorë, Sarandë, Shëngjin… Shkodranët kapën Urën e Baçallëkut, mirditorët dolën në Gëziq, korçarët e pogradecarët kapën Qafën e Thanës, myzeqarët bllokuan derdhjen e Semanit, elbasanasit Urën e Zaranikës. Të gjithë në këmbë, por… me çfarë?… Populli kërkonte armë, Zogu ua kishte hequr shulin armëve që mos qëllonin kundër fashistëve.
Në Tirane ushtritë fashiste hynë më 8 prill. Të nesërmen, më 9 prill, pothuajse të gjitha qytetet u pushtuan nga Italia fashiste, pa patur asnjë protestë nga fuqitë perëndimore dhe nga shtetet ballkanike. Të gjithë shqiptarët patriotë, të cilët ndodheshin në emigracion, me përjashtim te anëtarëve të grupit “Bashkimi Kombëtar”, protestuan me anë deklaratash kundër këtij pushtimi që varroste pavarësinë e atdheut të tyre të fituar me aq lufta e sakrifica. Kryesia e shoqërisë panshqiptare “Vatra” në Boston Mass të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dënuan ashpër e denoncuan me forcë pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashite. Protestat më të fuqishme i shprehën “Komiteti i Çlirimit Nacional” i shqiptarëve të mërguar në Francë. Shqiptarët e mërguar patën solidaritetin e forcave progresive demokrate të mbarë botës.
7 prilli shënoi preludin e rezistencës së popullit liridashës e të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër fashizmit. Krismat e mitralozit të Mujo Ulqinakut me shokë do të bëheshin shumë… Populli dhe ata që e donin Shqipërinë nisën rezistencën, luftën e madhe për liri. 7 prilli 1939 shënoi preludin e rezistencës së popullit liridashës e djemve të e vajzave të tij që i dolën zot vatanit, preludin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër nazifashizmit. Ajo ditë e zezë e agresionit të madh fashist, shënoi tradhtinë e pabesinë e madhe që i bëhej këtij kombi. Vulosi tradhtinë e mbretit Zog, nxori në shesh mashtrimin e prapaskenat e qeverisë e klikës së tij në kurriz të popullit, të cilit iu nxiros edhe më shumë jeta që për 15 vjet me radhë e kishte shtypur e shfrytëzuar deri në palcë.
Atë ditë të 7 prillit ishte e dhimbshme kur shikoje pushtuesit fashist italianë të rrëzonin flamurin shqiptar, se ato ditë ishin ngritur se kish lindur “trashëgimtari” Dhe populli thotë: “Kur ngrihet Flamuri, ngrihet Kombi!
Kur rrëzohet Flamurit, rrëzohet Kombi! Por shqiptarët u dëshpëruan, por nuk u gjunjëzuan, u çarmatosën, por ata, me komunistët në krye, u armatosën, u rrëzuan flamurin, por atë e ngritën më lart, kudo, se u ngrit tërë kombi kundër pushtuesit e tradhtisë, u bashkua dhe u ngrit në LANÇ, që pruri datën e fitores, 29 Nëntor 1944, ndërsa bashkëpunëtorët e fashizmit, tregtarët, e flamujve, nxitonin në mbledhjen e Asamblesë Tradhtare për t’i dhënë kurorën e Skënderbeut Viktor Emanuelit III, vendosnin Bashkimin e Shqipërisë me Italinë Fashiste.
Në atë 7 prill të zi dhanë jetën në balle të rezistencës duke luftuar me heroizëm:
Mujo Ulqinaku, Hamit Vashko Hamit Dollani, Stefan Dhimertika, Hysni Koçi Ramadan Veliu, Ismail Reçi Ismail Hasanymeri, Haxhi Tabaku, Isak Metalia, Toma Toma dhe Mitro Dhimertika.
LAVDI DËSHMORËVE TË ATDHEUT!
LAVDI LANÇ!