Shqipëria/Aktualitet

Muzetë e Krujës, 5 mijë turistë vendas e të huaj vetëm në janar-mars

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës priti në muajt e parë të këtij viti rreth 5 mijë vizitorë vendas e të huaj.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “në muajt janar-mars muzeu pati një numër të lartë vizitorësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në tre muajt e parë dy muzetë u vizituan nga 5 mijë vizitorë nga 3400 që ishin në 2021-shin”.

Sipas tij, Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Hafizi tha se “gjatë kësaj periudhe është shënuar një rritje e numrit të turistëve spanjollë, e cila është ndikuar dhe nga shtimi i fluturimeve direkte drejt Barcelonës dhe Madridit”.

Hafizi tha se “aktualisht muzeu Etnografik i është nënshtruar rikonstruksionit dhe do të jetë gati në tetor për të pritur turistët”.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90 % e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 % janë funksionale.

/k.s/r.e/