International Womens Day. Vector seamless pattern with women faces. Design element.
Opinion

Ganimete Jakupi: Kërkimfalja dhe pendimi i vonuar nuk ndihmon

Ajo ishte një femër e bukur, e thjeshtë dhe e edukuar… U martua me një djalë dhe në vitet e para të martesës dukej se gjithçka shkonte mirë. Në jetë erdhi edhe një vajzë pas dy vitesh. Ajo ndihej nëna më e lumtur në botë, njashtu edhe babai dukej i lumtur… Ajo tërë kohën kujdesej për vajzën, punët shtëpiake, mysafirët dhe shumëherë as natën nuk flinte ngase vajza nuk e linte të qetë… Ditët kështu kalonin dhe në jetë priste edhe një fëmijë tjetër, mirëpo raportet me të shoqin ditë e më shumë shkonin duke u zbehur, në vend se lidhja të përforcohej, meqenëse tani familja po rritej, por ndodhte e kundërta! Kështu erdhi në jetë edhe fëmija i dytë, djalë. Ajo ishte shumë e lumtur, fëmijët ishin jeta dhe shpresa e saj që e mbanin shumë të fortë… Përkujdesi i babait ditë e më shumë vërehej se nuk ishte aq i përkushtuar as ndaj fëmijëve as ndaj bashkëshortes, madje as nuk e respektonte aspak. Çdoherë kur kthehej nga puna në shtëpi e nënçmonte gruan, i bënte presion psiqik, nuk i interesonte aspak se si e kalonte kohën ajo, a ishte e lodhur, si ia dilte t’i kryente punët, fëmijët e vegjël dhe gjithçka tjetër që mbante mbi supet e saja. Kur ishte i lirë nuk e kalonte kohën e lirë me gruan e fëmijët, por çdoherë dilte me fqinjët e shokët, madje argëtohej tërë natën, kur kthehej në shtëpi i dehur tregonte se si e kishte kaluar natën, se si ishte argëtuar me vajzat tjera dhe gjithçka tjetër, vetëm e vetëm për ta nënvlerësuar gruan!… Gruaja e shkretë ditë e më shumë ndihej e lodhur psiqikisht dhe fizikisht, sjelljet e burrit nuk i pëlqenin aspak, shumëherë kishte tentuar të fliste me të, mirëpo ai as që donte të fliste, gjoja se ishte jeta e tij dhe bënte çfarë të donte, duke mos e lënë as të fliste… Ajo nuk ishte e punësuar, nga ana financiare nuk kishte si t’ia dilte mbanë për t’u divorcuar, mbështetja e shtetit ishte shumë e vogël, as mbështetjen morale të familjes nuk e kishte, fëmija ishin të vegjël dhe nuk kuptonin asgjë, ishte e detyruar të jetonte jetën ashtu përditë e keqtrajtuar, e fyer dhe më vonë duke e duruar edhe dhunën fizike! Bukuria e saj fizike u shndërrua në një tjetër femër, ndryshim drastik ku çdonjërit i binte në sy. Filloi e ankohej, sepse me shëndet nuk ishte mirë! Mirëpo, kujt t’i ankohej?! Burrit aspak nuk i interesonte për ankesat e saj, për atë më me rëndësi ishin ndejat me shoqëri, argëtimi me tjera vajza! Ashtu një ditë e lodhur nga dhimbjet bie pa ndjenja në tokë dhe burri kur erdhi nga puna e pa që ishte shtrirë përtokë e nuk lëvizte! Ai nuk dinte si të reagonte apo çfarë të bënte. Me të shpejt e dërgoi në spital, ia dhanë ndihmën e parë dhe e dërguan nën kujdesin intensiv! Gruaja tanimë nuk ishte aspak mirë, kishte kaluar në fazën e fundit të kancerit dhe gjasat për të shpëtuar pas operacionit ishin shumë të vogla… U kthye burri në shtëpi si asnjëherë më parë, ku duhej të kujdesej për fëmijët, ushqimin dhe gjithçka tjetër. Shtëpia, që çdoherë ishte e mbushur me mysafirë, tanimë ishte e boshatisur, askush nuk vinte t’i ndihmonte apo vizitonte në këto ditë të vështira! Ndërkohë gruaja, pas operacionit, u kthye në shtëpi në gjendje shëndetësore jo aq të mirë. Ai i kuptoi gabimet e veta që i kishte bërë, por asgjë nuk kthehej si më parë… Në ditët më të vështira të jetës u detyrua edhe punën ta linte, e asnjëherë asnjëri nga fqinjët, shokët as se kishte pyetur si ishte! Ndodhej në një situatë aspak të lehtë, si nga ana financiare ashtu edhe nga ndërgjegjja që nuk e linte të qetë… I kërkoi falje gruas për gjithçka që kishte ndodhur dhe i premtoi se do të ndryshonte në të ardhmen! Mirëpo, gruaja ishte e mllefosur aq shumë me të dhe i tha: “Kërkim falja nuk është zgjidhje, nuk përmirëson tanimë asgjë, përderisa ditët e mia janë të numëruara, tash mendo vetë si do t’ia dalësh”!… Gjithçka ishte vonë për ndryshim, gruaja pas tri jave vdiqë, ai mbeti me fëmijët, pa punë dhe i penduar përjetë për gjithçka që kishte bërë…