Lëvizja\UÇK

Fjala e Ramadan Avdiut për Veteranin e Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare Ilaz Bajrami – Kosova

Gjenevë, 6 nentor – Me organizimin e Shoqërisë LËVIZJA, mbrëmë në Gjenevë, në mesin e shume pjesëmarresve eshte mbajtur Akademi perkujtimeore kushtuar veprimtarit të shquar Ilaz Bajrami i njohur si Ilaz Kosova. 
« Ilaz Kosova ishte atdhetar, veprimtar i devotshëm dhe luftëtarit i paepur për çlirim dhe bashkim kombëtar.. » ka thëne nder tjetra z.Ramdan Avdiu, ish-konzuli i parë i Republikes se Kosovës ne Gjenevë z.Ramadan Avdiu, njofton gazeta zvicerane ne shqip Le Canton27.ch
Për vepren dhe jeten patriotike te Iljaz Bjarami-Kosova pos anetareve nga shoqata  Shoqëria LËVIZJA ne Gjenevë folen edhe miqe dhe bashkeveprimtar te tij ne Zvicer dhe diasporë
Si me poshte po e japim fjalën kryesore në Akademinë përkujtimore, kushtuar, Atdhetarit Ilaz Bajrami-Kosova
E nderara Familje Bajrami,
Të nderuar pjestarë të familjeve të heronjëve,
Të dashur bashkëveprimtarë e shokë të Ilaz Bajtramit
Të nderuar të pranishëm,
Më ka rënë të shkruaj artikuj e fjalime në rrethana të ndryshme. Më besoni që më së vështiri e kam të zgjedh fjalë kur shkruaj për bashkëveprimtarë, dëshmorë e heronjë, ngaqë çkado që thuhet për një veprimtarë që ndikon në rrjedhën e historisë, është pak dhe më duket se nuk mund të nxjerr në pah vyrtytet dhe vlerat që ata kanë ngërthyer në vete.
Me 27 Qershor të këtij viti pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit, veprimtarit të devotshëm e luftëtarit të paepur për çlirim e bashkim kombëtar Ilaz Bajrami.
Në trajektoren jetësore të Ilaz Bajramit, në rrudhat e fytyrës së tij, ravijëzohej jeta e shqiptarit të vuajtur. Shqiptarit të robëruar e të mërguar. Por në ato rrudha vërehej edhe krenaria, pathyeshmëria, vullneti, guximi, përkushtimi e vendosmëria, për të ndryshuar dhe përmirësuar jetën. Ilaz Kosova këto tipare i dëshmoi gjatë jetës së tij dhe në rrugën e vështirë të luftës për liri. Ai nuk kursej asgjë nga vetja, vetëm për të parë atdheun dhe popullin të çliruar nga kthetrat fashiste të Serbisë…
Për shkak të përkushtimit të madh që e kishte në rrugën e lirisë, të gjithë e thërrisnim Ilaz Kosova.
I lindur më 8 Qershor 1943, në Devajë në komunën e Vitisë, Ilazi pati fëmijëri dhe rini të vështirë. Ishte rritur në rrethanat e pasluftës së dytë botërore, në një okupim dhe verfëri të rëndë. Ajo periudhë kishte lënë gjurmë në kujtesen e tij. Si femijë i kishte parë dhe ndjerë torturat sistematike të pushtusve serb dhe bashkëpunëtorëve të tyre ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe bashkëfshatërëve të tij në veçanti…
Sa herë i jipej rasti, tregonte ngjarje që i kishte përjetuar dhe gravuar thellë në memorie. E kishte përjetuar kohën kur regjimi pushtues ua kishte konfiskuar të gjitha të mirat materiale, madje ua kishte fshirë magjen me fshisë në kohën siç njihet zia e bukës. Na tregonte edhe për kohën kur në vitin 1956, 16 burra të fshatit Devajë UDB-ja i kishte torturuar për vdekje në një natë dimri të acartë, në mesin e të cilëve edhe babain e tij Bislimin. Tregonte se si pasojë e përndjekjes, varfërisë e torturave të shkakatuara nga pushtuesit rankoviçist e titist, më shumë se gjysma e banorëve fshatit, sikurse qindra mijëra shqiptarë nga Kosova e viset e saja ishin shpërngulur në Turqi.
Nga viti 1951 deri në viti 1959, e mbaron shkollën fillore në Radivojc dhe Viti. Nuk i kishte mundësitë të vazhdonte shkollimin më tutje, ngase rrethanat e krijuara i kishin imponuar të kërkonte punë për të ndihmuar familjen. Ndërprerja e shkollimit nuk e ka zvogluar etjen e tij për dije e formim. Ai kishte shfrytëzuar çdo mundësi për të absorbuar dije, qoftë nga shokët, qoftë me vetëiniciativë duke lexuar çdo libër që i binte në dorë.
Kur evokonte kujtime nga jeta e tij, thoshte se në atë kohë punë në Kosovë e sidomos në komunën e Vitisë, që ishte ndër më të varfërat në Kosovë nuk kishte. Nga tre fshatra që ai i njihte mirë, vetëm një shqiptar punonte si mirëmbajtës shkolle.
Në Devajë mbijetesa dhe ekzistenca e shqiptarëve sigurohej nga ata pak toka bujqësore që i posedonin fshatarët, e të cilat i punonin me shumë vështirësi. Në këto rrethana Baca Ilaz në moshën 17 vjeçare detyrohet të kërkojë punë për të ndihmuar familjen. Duke kërkuar punë shkon deri në Beograd. Atje gjenë një punë në një ndërmarrje ndërtimore 7 Korriku. Duke e parë Beogradin të zhvilluar e krahasonte me Kosovën, me vendlindjen dhe pyeste veten, si ka mundësi që brenda një shteti të ketë kaq dallime të mëdha.
Trajtimi që iu bëhej shqiptarëve nga pushtuesit e rritnin revolten dhe kristalizonin bindjet tek Baci Ilaz se nuk duhet të pajtohet me këtë gjendje të robëruar. Me burrërimin e tij, e sidomos pas demostratave të në vitin 1968, kishte vendosur të mos punojë më nepër Serbi. Priste momentin kur të largohej dhe të gjente punë në një vend të Perendimit. Kështu në vitin 1970, shkon në Austri ku qëndron deri në vitin 1976, pastaj kalon në Zvicër dhe nga atëherë deri në fund të jetës së tij punoi, veproi dhe jetoi në Gjenevë.
Pas demostratave të të pranverës së vitit 1981, edhe bashkaatdhetarët tanë që punonin në vendet e Evropës perendimore filluan të organizohen dhe të bëhen pjesë e rëndësishme e luftës për liri e barazi të shqiptarëve.
Ilaz Bajrami ishte ndër punëtorët e parë gurbetqar, që iu bashkua veprimtarëve të cilët kishin filluar të njoftojnë opinionet e vendeve demokratike për pozitën e robëruar të popullit shqiptar në Jugosllavi.
Në prill të vitit 1981, ai morri pjesë në demonstratën e parë të organizuar nga patriotët shqiptarë në Vjenë, e pastaj në Bern, ku do të njihet me heroin Kadri Zeka. Nga kjo kohë nuk do të ketë më demostratë apo aktivitet atdhetar, ku Baci Ilaz nuk ishte i pranishëm, jo vetëm si pjesmarrës, por edhe si një prej më të dalluarve në mobilizim dhe organizim të bashkatdhetarëve.
Me themelimin e Lëvizjes Për Republikën Shqiptare në Jugosllavi, pararendëse e Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ilaz Bajrami bëhet anëtar i sajë dhe në gjirin e kësaj organizite ka vepruar me përkushtim të pashoq deri në çlirimin e vendit…
Në fillet e organizimit të rezistencës antipushtuese numri i veprimtarëve në diasporë nuk ishte i madh. Angazhimi vetmohues i Bacit Ilaz bie në sy të vrojtuesve të UDB-së, e cila kishte rrjetin e spiunëve të organizuar edhe në vendet e Evropës perendimore dhe përmes konsullatave dhe misioneve diplomatike të Jugosllavisë, përpiqeshin t’i kontrollonin dhe orientonin bashkatdhetarët tanë. Duke e parë se gurbetqarët shqiptarë i respektonin dhe mbështesnin përpjekjet e veprimtarëve dhe patriotëve si Ilaz Bajrami, të cilët iniciuan edhe hapjen e shoqatave atdhetare jashtë kontrollit të sistemit jugosllav, rekomandonin dhe iniconin përndjekjen e tyre.
Disa herë Ilaz Bajrami kishte kryer rolin e bartësit të porosive të Kadri Zekës me anëtarët e Lëvizjes së rezistencës në Kosovë. Kishte dërguar meteriale propagandistike dhe gazetën LIRIA. Në vitin 1982, pas vrasjes heronjëve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla bashkëveprimtarë të bacit Ilaz, ai ishte kthyer në Kosovë për t’u konsultuar me shokët që kishte njohur përmes Kadriut.
Gjatë qëndrimit të tij në vendlindje, UDB-ja e kërkon t’a arrestojë. Ai me shkathtësi i shmanget arrestimit dhe ia doli të kthehet në Zvicër, ku edhe më shumë e shton përkushtimin e tij në rrugën e lirisë, duke e vënë të gjithë qenjen e tij fizike e meteriale në shërbim të luftës dhe të Lëvizjes.
Në këtë kohë nga Kosova në Zvicër e tërheqë edhe familjen , bashkëshorten Eminen me të cilën i rritën dhe edukuan shtatë fëmijë, tri vjaza dhe katër djem….
Angazhimin, përkushtimin dhe entuziazmin më të madh në veprimatrinë e tij atdhetare Baci Ilaz e kishte pas fillimit të luftës çlirimtare. Ai gjithaçka që pati e vuri në shërbim të luftës. Shtëpia e tij në Shqiperi do të jetë ndër bazat e para të Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës, po ashtu edhe shtëpia e tij në Devajë.
Baci Ilaz i përket asaj plejadës së parë të kurbetçarve të organizuar që për shkak të anagzhimit të tyre në përhapjen e ideve çlirimatre në mesin e diasporës për thuajse dy dekada nuk mundën të kthehen në vendlindje, si baci Ilaz në Gjenevë ishin edhe veprimtarë të tjerë si ; Kadri Avdullahu, Shyqeri Ukashini, Jup Ahmeti, , Enver e Zahide Avdullahu, Adem Islami, Jakup Halimi, Sami Dermaku, Januz Salihu etj.
Ai në Qershor të vitit 1999, pas 17 viteve, u kthye në atdheun e çliruar për të ndarë gëzimin e lirisë me shokët, bashkëluftëtarët dhe popullin e tij.
Nuk mund ta përshkruaj takimin që pata me bacin Ilaz, menjëherë pas luftës në Kosovën e çliruar. Mbaj në mend të më ketë thënë; tani edhe po të vdes nuk më mbetet asgjë merak për këtë botë. Ne e kryem misionin tonë. Kosova është e lirë dhe tash kemi mundësi për zhvillim përparim dhe bashkim të kombit tonë të vuajtur e të mbetur pas në krahasim me popujt e lirë.
Personalitetet si Ilaz Kosova kanë merita te mëdha historike, sepse ruajtën dhe përhapën frymën e rezistencës, luftës dhe frymën e çlirimit ndër breza. Shëmëlltyra e tyre duhet të na shërbej si shembull e udhërrëfim për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të lirisë. Andaj përkujtimi si sot në këtë Akademi, është më së paku që mund të bëjmë për një veprimtar e luftëtarë lirie si Baci Ilaz, vepra e të cilit mbetet inspirim për gjeneratat që vinë.
E kishim për nder që patëm fatin ta kishim bashkëveprimtar e bashkëluftëtar dhe sot e nesër do ta përkujtojmë dhe do të përkulemi përherë para personalitetit dhe veprës së tij….
Lavdi Jetës dhe veprës së atdhetarit Ilaz Bajrami! Lavdi dëshmorëve të rënë për liri të atdheut!
Ju falemnderit!