Si njëri nga bashkëveprimtarët, jo të shumtë asokohe, më duhet të them dy fjalë për Fadilin e madh. Për Fadilin idealist dhe ideolog, frymëzues dhe ideator, veprimtar dhe organizator, i burgosur politik dhe çlirimtar! Për Fadilin drejtues të organizatës së vetme çlirimtare të asokohëshme, Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, paraprijëse dhe themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E kisha menduar se, këtu, sot, do të ishin prezent përfaqësuesit më të lartë shtetëror dhe fjalën time ta filloja me ata prej ku fillon shteti, në themelet e të cilit është flijuar sakrifikueshëm edhe Heroi i Popullit Fadil Vata!
Po shoh thuajse vetëm bashkëveprimtarë dhe sigurisht që kjo nuk është pak!
Fundja, edhe Kosova nuk është çliruar vetëm me fjalë!
Respekt deri në përulje për çlirimtarët, familjet e dëshmorëve e të heronjëve të Lirisë sonë!
Një përshëndetje të veçantë falënderuese për kryetarin z. Bali Muharremaj, i cili, me përkushtimin dhe angazhimin e Tij, u bë shkas edhe për këtë rast nderimi të rëndësisë monumentale të Fadil Vatës!
Përshëndetje dhe respekt për të gjithë!
Është ndjesi dhe përjetim i bukur veçantë, kur bëhesh pjesë e një vepre a përurimi të saj, në nderim dhe shërbim të atyre që, gjithë çka patën, i dhanë Lirisë sonë. Liri, të cilën kemi fatin e madh ta jetojmë sot. Dhe, çfarëdo që bëjmë për heronjtë, kurrë nuk është boll.
Si njëri nga bashkëveprimtarët, jo të shumtë asokohe, më duhet të them dy fjalë për Fadilin e madh. Për Fadilin idealist dhe ideolog, frymëzues dhe ideator, veprimtar dhe organizator, i burgosur politik dhe çlirimtar! Për Fadilin drejtues të organizatës së vetme çlirimtare të asokohëshme, Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, paraprijëse dhe themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prandaj, edhe sot, kjo vepër monumentale, përurimi i të cilës na ka tubuar nga të gjitha anët shqiptare, na vie si trokitje e ndërgjegjes për nderim dhe respekt të dinjitetshëm për Fadilin dhe gjithë çlirimtarët tanë.
Veprimtaria organizative e Fadil Vatës dhe gjeneratës së Tij, ishte një trokitje e fortë dhe e guximshme e kohës në ndërgjegjen kombëtare për liri!
Ishte vazhdimësia e rezistencës së organizuar liridashëse. Ishte kohë pararendëse dhe vendimtare për formësimin dhe ndërtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje dhe të vetë Lirisë!
Dhe, mos të harrojmë se, ishte koha kur monizmi po kalonte në sistemin pluripartiak. Me lirinë e organizimit pluralist dhe heqjen e deliktit verbal, demokracia filloi të proklamohet dhe të imponohet si liri e vërtetë, anise pushtuesi po bëhej edhe më i egër në antishqiptarizmin e vet.
Nga ana tjetër, atdhetarët e devotshëm, veprimtarët e vendosur dhe çlirimtarët e guximshëm, përkundër kësaj sfide të pazakontë, të bindur se pa luftë nuk vie liria dhe pa liri nuk ka demokraci, u mobilizuan brenda e jashtë vendit dhe arritën që përmes LPRK-së, të organizohen mirëfilli dhe të përqëndrojnë gjithë veprimtarinë e fshehtë çlirimtare kundër pushtuesit serb.
Pavarësia e Kosovës është rezultat i punës, djersës dhe gjakut të të gjithë atyre që u rreshtuan, luftuan dhe u sakrifikuan në përballjen e shenjtë për Liri.
Sakrifica sublime e të gjithë atyre që edhe jetën e vunë në shërbim të atdheut dhe lirisë, për ne do jetë detyrim dhe përgjegjësi e përjetshme, në nderim të të cilëve përkulemi me pijetet të thellë, gjithmonë e jetë!
Lavdi jetës dhe veprës së Heroit Fadil Vata!
Çlirimtarët dhe dëshmorët janë shpirti i Lirisë!
LAVDI!
Sallagrazhdë, 25 Nëntor 2021
Bashkwveprimtar dhe njëri nga ish-drejtuesit e LPRK-së.