Lëvizja\UÇK

Fjala e Bajrush Xhemailit në mbledhjen komemorative për shokun e tij, atdhetarin e dalluar Sadulla Kadriu

Fjala ime në mbledhjen komemorative, me rastin e ndarjes nga jeta të mikut tim Sejdullah Kadriu, nga Bujanoci.
E nderuara dhe shumë e respektuara familje Kadriu,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve,
Të nderuar bashkëveprimtarë të Sejdullahut,
Të nderuar veprimtarë të qështjes kombëtare,
I nderuar Kryetar i komunës,
Përfaqësues të strukturave shtetërore, qendrore e lokale,
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot, nuk e kam të lehtë pwr tw folur këtu para jush, në këtë mbledhje komemorative, sepse po ndahemi nga Sejdullah Kadriu, veprimtari i devotshëm e atdhetari idealist, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi qështjes kombëtare të pazgjidhur.
Me Sejdën u njohëm qyshë herët, në zanafillën e veprimtarisë së tij.
44 vite më parë, më 3 shtator të vitit 1979, si student në atë kohë, pas dy muaj pune në Zvicër, po kthehesha në shtëpi. Në stacionin e trenit në Cyrih, duhet të ndalesha për t’u bashkuar me bashkëfshatarin tim Shaban Isufin, për t’u kthyer së bashku, i cili, poashtu, kishte ardhur për të punuar.
Shabani, që më parë më kishte njoftuar se, gjatë qëndrimit atje, ishte njoftuar me një student, i cili ishte i njëjtë në pikëpamje dhe i gatshëm për te vepruar per lirinë e shqiptarëve dhe se do të udhëtonim së bashku.
Bashkëudhëtari ynë i ri, ishte Sejdullah Kadriu.
Shabani me Sejdën, gjatë qëndrimit në qytetin Zug, ishin njohur edhe me një gurbetqar atdhetar, më në moshë, Ismail Gashin nga Ferizaj, nga i cili kishin marrë literature të shumtë, të ndaluar në atë kohë. Ne, faktikisht, që në momentin e parë të njohjes me Sejdën, po rrezikonim së bashku, duke futur literaturë brenda në Kosovë.
Në dukje, Sejdullahu ishte një djalë skofjar dhe i brishtë, por koha do ta tregojë se ishte shumë dinamik dhe rezistentë.
Gjatë udhëtimit me tren, flisnim pa rezerva, sepse këtë na e mundësonte njohja dymujore e Sejdës me Shabanin. Po udhëtonim natën, por nuk fjetëm fare, sepse kisha takuar një djalë atdhetar, i cili fliste qartë për situatën politike dhe gjendjen e shqiptarëve në tokat e pushtuara nga okupatorët jugosllav dhe nevojën për t’u angazhuar në luftë për liri.
Shpejt arritëm në Lubjanë, ku duhej të ndaheshim me Sejdën, pasi ai vazhdonte për në shtëpi, kurse unë e Shabani shkonim për t’i vizituar vëllezërit, të cilët i kishim ushtar në Kroaci.
E lamë për t’u parë së shpëjti në Ramnabuqë, sepse Sejda donte të na njoftonte me një bashkëmendimtar të afërt të tij, djalin e axhës së tij, Njazi Kadriun, për të vepruar së bashku.
Me Shabanin, pas dy muajsh, do të shkojmë në Ramnabuqë në familjen e Sejdullahut dhe pastaj edhe të Njaziut, ku u njohëm me familjen Kadriu, e cila ishte tipike një familje mikpritëse e bujare. Në një atmosferë shumë të përzemërt, formuam celulën e Organizatës së fshehtë, të cilës i takonim unë e Shabani. Më vonë, Sejda dhe Nijaziu do ta funksionalizojnë këtë celulë dhe do ta zgjërojnë veprimtarinë e tyre në kuadër të Luginës së Preshevës, ku do të bashkëpunojnë edhe me veprimtarë të tjerë që vepronin në atë anë, me Halil Selimin, Imer Hasanin, Eshref Jakupin e të tjerë, me synim për të formuar Komitetin e Karadakut, në kuadër të komiteteve të Lëvizjes për Çlirim Kombëtar të Kosovës, të cilën po e fuqizonim çdo ditë e më shumë.
Diku në prill të vitit 1982, gjatë kohës sa isha duke jetuar fshehtas, pata shkuar dhe u strehova për dy javë edhe në Ramnabuqë në familjen e Njaziut. Atëherë, edhe pse familja e Sejdullahut kishte zbritur në Bujanoc për të jetuar, ku Sejdullahu edhe punonte si arsimtar, çdo ditë, pas punës ngjitej lartë në Ramnabuqë, që të na bashkohej.
Gjatë kësaj kohe, vendosëm që ta shkruanim e ta shtypnim një “Trakt”, si thirrje popullsisë së asaj ane për të punuar për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare të pushtuara, në një republikë të vetme shqiptare, i cili trakt do të shpërndahet në Luginën e Preshevës nga anëtarë të cilët i kishin angazhuar Sejdullahu me shokë.
Këtë punë atdhetare të tyre, më 25 mars të vitit 1983, e ndërpreu UDB-ja jugosllave, ku bashkë me Sejdën do të arrestohen, e do të torturohen në mënyrë barbare në burgun e Vranjës dhe më vonë do të dënohen me burgim të rëndë: Njaziu, me 8 vjet, Sejda me 6 vjet, Eshref Jakupi, me 6 vjet dhe Refik Kadriu me 2 vjet burg.
Më vonë, do të transferohen në kazamatin e Nishit, ku do të qëndrojnë deri në fund të mbajtjes së dënimit.
As torturat çnjerëzore, e as burgu në kazamatin e Nishit, nuk do ta ndalin Sejdën për të vepruar për liri, pas daljes nga burgu.
Sejda vazhdoi aktivitetin e tij në ngritjen dhe konsolidimin e partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës dhe, duke qenë aktiv, arriti të artikulonte rrjedhshëm kërkesat për të drejtat kolektive të shqiptarëve, në këto anë. Orientimi i tij politik ishte i qartë dhe i paalternativë: krijimi i një fronti të përbashkët gjithëshqiptar, për çlirim e bashkim të trojeve të pushtuara shqiptare.
Me rastin e Luftës së UÇK-së, Sejdullahu angazhohet dhe koordinoi aktivitetet ushtarake me Zonën Operative të Karadakut, duke dhënë kontributin e tij të madh në fushën e logjistikës për nevojat e UÇK-së.
Pas mbarimit të luftës së UÇK-së, Sejda angazhohet në luftën e UÇPMB-së, konkretisht në Këshillin Politik për Preshevë, Medvegjë e Bujanovc. Mbajti pozitën e Sekretarit dhe ishte përgjegjës për financa, ku u kujdes që fronti i luftës të jetë i furnizuar mirë me armatim dhe mjete të tjera të nevojshme logjistike.
Sejda ishte një veprimtar i palodhshëm. Pas mbarimit të luftës së UÇPMB-së, u angazhua në Shoqatën e të Burgosurve politikë, Dega në Gjilan dhe ka dhënë një kontribut të pamohueshëm në mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie.
Pastaj, ishte njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Politike “Vatra”, me seli në Gjilan dhe, përmes këtij mekanizmi politik, ai u perpoq të rikthente shqiptarët e shpërngulur me dhunë nga trojet e veta. Përmes “Vatrës”, punoi me përkushtim për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ndërsa u angazhua politikisht edhe në komunën e Gjilanit.
Dhe, të nderuar pjesëmarrës, krejt në fund:
Sot, po i themi lamtumirë Sejdullah Kadriut, një familjari brilant, një shoku të dashur, një miku të sinqert e komunikativ, njeriut të fjalës e të besës, atdhetarit të papërkulur për realizimin e idealeve të tij, mbi të gjitha, njeriut në kuptimin më të mirë të fjalës: njeri.
Sejda shkoi, duke lënë një veprimtari të bujshme atdhetare, e duke lënë një familje të mrekullueshme, por që, mjerisht, shkoi me një peng të madh nga kjo botë: me Luginën e tij të paçliruar!
I përjetshëm qoftë kujtimi për Sejdën tonë të dashur!
Lavdi jetës dhe veprës së tij atdhetare!
Lamtumirë, miku im!