Vështrim/Analizë

Fatmir Fezga: Platforma demokratike dhe vendimet historike të Kongresit të Përmetit

Më 24 maj 1944 filloi punimet në Përmet Kongresi Antifashist i Lëvizjes Nacionalçlirimtare Shqiptare. Ne terminologjinë e shkurtuar historike ky kuvend kombëtar njihet si Kongresi i Përmetit. Kongresi ishte një nga ngjarjet më te rëndësishme dhe decizive te luftës antifashiste te popullit shqiptar, një kuvend që riformatoi dhe çimentoi vendimet dhe idetë paraprake qe ishin hedhur ne Konferencën e Pezës në Shtator të vitit 1942.

Për më tepër, duke u mbështetur në hovin dhe iniciativën qe kishte fituar tashmë lufta e reparteve partizane ne veçanti dhe lëvizja antifashiste në Shqipëri; Kongresi i Përmetit saktësoi direktivat për kalimin në stadin final të kësaj lufte, çlirimin e plote të atdheut. Vizioni i kongresit shkoi përtej çlirimit te vendit duke hedhur themelet për mënyrën e qeverisjes dhe duke përcaktuar se kush do te ishte forca që do të merrte në dorë pushtetin në Shqipërinë e lirë, pas shporrjes se pushtuesve gjermanë.

Natyrisht me vendimet e rëndësishme që ndikuan në jetën dhe fatet e Shqipërisë, për dekada të tëra nga ajo ditë, Kongresi i Përmetit ka zënë një vend te rëndësishëm në historinë shqiptare të pasluftës dhe në kujtesën e mbarë popullit shqiptar.

Padyshim duhet përmendur se për shkak të kësaj ngjarjeje historike, 24 Maji zuri një vend të veçantë ne kujtesën e popullit të Përmetit. Është normale krenaria e përmetarëve si banore të qytetit që mirëpriti delegatët dhe udhëheqjen e Lëvizjes Nacionalçlirimtare (LNÇ); njëkohësisht ata kontribuuan me të gjitha mundësitë e tyre për të siguruar mbarëvajtjen e punimeve te kongresit. Qysh nga viti 1944, në nderim të vendimeve te Kongresit Antifashist, ajo ditë u kthye në një festë popullore të përvitshme në Përmet.

Kushtet  Politiko-Ushtarake për Thirrjen e Kongresit te Përmetit

Lëvizja Nacionalçlirimtare (LNÇ) dhe Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare (UNÇSH), ose forcat partizane, përballuan me sukses Operacionin e Dimrit (1943-44) që ishte një mësymje e koordinuar kundër tyre nga ushtria pushtuese gjermane dhe kolaboracionistët vendas. Propaganda e ushtrisë gjermane dhe ajo e qeverisë kuislinge te Tiranës deklaronin në këtë kohë se rezistenca antifashiste dhe lufta partizane ishin asgjësuar. Në të vërtetë, me gjithë humbjet që pësoi nga ky operacion, UNÇSH mbijetoi dhe u konsolidua si forcë e rëndësishme luftarake.

Në fillimet e pranverës 1944 ajo filloi të zgjerohej me shpejtësi dhe po shtrihej në të gjithë territorin shqiptar. Kështu, nga Janari në Maj të atij viti, UNÇSH iu shtuan brigada të tjera partizane e disa batalione e çeta lokale.

Vrullin e rritjes se lëvizjes partizane në këtë periudhë, e përshkruan me realizëm dhe përshtypje të veçantë në kujtimet e tij edhe oficeri i misionit aleat britanik në Shqipëri, kapiteni R.Hibbert. Në librin e tij “Fitorja e Hidhur” që është botuar në vitin 1991ai shkruan:

“Zgjerimi i forcave partizane ose UNÇSH në pranverë ishte një dukuri e jashtëzakonshme, që i habiti oficerët e misionit britanik, të cilët kishin qenë dëshmitarë të situatës së rrezikshme që kishte kaluar bërthama e forcave partizane vetëm dy-tre muaj më parë”.

Me luftën e saj të ashpër kundrejt pushtuesit, organizimin e lartë dhe qëndrimin dashamirës ndaj popullit, UNÇSH fitoi besimin dhe mbështetjen popullore në Shqipëri. Ajo shihej si e vetmja forcë shqiptare që luftonte për çlirimin e vendit, ringritjen e flamurit shqiptar dhe mbrojtjen e aspiratave e te drejtave për shumicën e popullsisë shqiptare.

Të rinjtë dhe të rejat shqiptare vërshuan dhe shtuan me shpejtësi rreshtat e formacioneve partizane.

Në fund të pranverës te vitit 1944 iniciativa ushtarake në Shqipëri kaloi në dorën e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare; gjermanët dhe forcat kolaboracioniste u mbyllen kryesisht në garnizonet e qyteteve, sidomos në Shqipërinë e Jugut.

Ne planin ndërkombëtar, situata gjithashtu ishte optimiste për koalicionin antifashist qe udhëhiqej nga tre fuqitë e mëdha; Bashkimi Sovjetik, Anglia dhe SHBA.

Në përputhje me ketë situatë optimiste; për të bërë bilancin e arritjeve te LNÇ dhe për te percaktuar objektivat dhe platformën për vazhdimin e mëtejshëm te luftës çlirimtare dhe qeverisjen e vendit, Kryesia e Këshillit te Përgjithshëm Nacionalçlirimtar vendosi, me 15 Prill 1944, thirrjen e Kongresit Antifashist te Përmetit.

Procedura Demokratike e Zgjedhjes së Delegatëve

Është me mjaft interes të përmendet se, megjithëse LNÇ operonte në situatë lufte, idetë dhe vendimet për realizimin e zgjedhjeve ishin ide të përparuara e mjaft demokratike. Në rezolucionin e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar për zgjedhjen e delegatëve theksohej:

“Në kongres të përfaqësohen zonat e lira, zonat e pushtuara nga armiku, brigadat dhe batalionet partizane e vullnetare, Bashkimi i Rinisë Antifashiste me 10 delegatë dhe Bashkimi i Gruas me 5 delegatë”. Në zonat e çliruara dhe formacionet e ushtrisë delegatët do të zgjidheshin demokratikisht me votim të hapur kurse ne zonat e paçliruara do të caktoheshin nga këshillat e qarqeve apo të qyteteve.

Haxhi Lleshi, i cili ishte një nga udhëheqësit kryesorë të LNÇ, e përshkruan natyrshëm në kujtimet e tij një episod që tregon se si u zgjodhën në mënyrë demokratike, në një miting të hapur, përfaqësuesit e popullit në komunën e Plashnikut (Qarku i Beratit), ku ai ishe i dërguar në atë kohë (Prill 1944) për të ndjekur zgjedhjet.

Ja si e përshkruan ai këtë moment:

“Përshtypje të veçantë më ka lenë mbledhja që u organizua në Plashnik, ku morën pjesë rreth 500 vetë e midis tyre afro 100 gra. U emocionova kur pashë këtë pjesëmarrje të gjerë, mendova sa lart ishte ngritur vetëdija patriotike, antifashiste dhe demokratike e mbarë popullit që po merrte pjesë jo vetëm për fitoren e luftës kundër pushtuesit e tradhtarëve por edhe për formimin e pushtetit të ri, tek i cili ai kishte mbështetur shpresat e të nesërmes.… Aty folën edhe aktivistë, burra e gra, të rinj e të reja. Në diskutimet e tyre shprehej përkrahje e plotë për LNÇ dhe thirrjen e Kongresit të I Antifashist. Ne fund pjesëmarrësit zgjodhën demokratikisht delegatët për në konferencën nacionalçlirimtare të qarkut”.

Përfundimisht, megjithëse në kushtet e vështira te luftës me pushtuesit, u zgjodhën 200 delegatët e Kongresit te I Antifashist të cilët përfaqësonin të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare dhe mbulonin gjithë territorin shqiptar. Aty kishte delegatë nga Partia Komuniste Shqiptare (PKSH), përfaqësues nga shtresat nacionaliste, nga ushtria partizane, nga Bashkimi i Rinisë Antifashiste dhe Bashkimi i Grave te Shqipërisë.

Forumet drejtuese te LNÇ dhe PKSH kishin marrë vendimin që kongresi të mblidhej në qytetin tashmë të çliruar të Përmetit.

Vendimet e Kongresit të Përmetit

Kongresi Antifashist i Përmetit, duke patur parasysh përbërjen gjithëpërfshirëse te delegatëve te tij dhe përfaqësimin e tyre territorial, ishte nje kuvënd kombëtar apo nje asamble kushtetuese që kishte misionin te zgjidhte organet legjislative dhe ekzekutive te cilat do te qeverisnin vendin deri ne mbarim te luftës dhe me pas, në Shqipërinë e çliruar.

Ashtu siç dihet nga dokumentet historike, kongresi zgjodhi se pari Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (KPNÇ) si organin më të lartë shtetëror; forumin kryesor ligjvënës, përfaqësuesin e vetëm sovran të popullit shqiptar.

KPNÇ zgjodhi Kryesinë e Këshillit te Përgjithshëm qe perbëhej nga 25 anëtare; president i saj u zgjodh Omer Nishani.

Së treti, në kongres u zgjodh dhe Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar i cili kishte atributet e një qeverie provizore. Ky komitet, apo qeveri e provizore, përbehej nga 11 anëtarë. Sekretari i përgjithshëm i PKSH, Enver Hoxha, u emërua kryetar i qeverisë provizore kurse nacionalisti i mirënjohur, Myslim Peza, u emerua nënkryetar i qeverisë provizore.

KPNÇ si organ ligjvënës, qysh në formimin e tij gjate ditëve te kongresit, nxori aktet apo vendimet e para te rëndësishme te cilat patën një rëndësi te madhe për zhvillimin e mëtejshëm te luftës çlirimtare dhe pavarësinë e Shqipërisë ne vitet e mëvonshme. Vlen te përmenden tre vendimet e mëposhtme te cilat lanë gjurmë të pashlyeshme ne jetën politiko-ekonomike te Shqipërisë dhe përcaktuan drejtimin qe do merrte shteti i ardhshëm shqiptar:

Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike e popullore sipas vullnetit të popullit.

T’i ndalohet ish-mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri që mund të formohej brenda ose jashtë vendit kundër vullnetit të popullit.

Të vazhdohet më me ashpërsi lufta kundër pushtuesve gjermanë dhe tradhtarëve shqiptarë, deri në shkatërrimin e tyre të plotë dhe vendosjen e pushtetit demokratik-popullor në të gjithë vendin.

Vendimet e Kongresit te Përmetit treguan se LNÇ dhe PKSH, si forca kryesore lëvizëse e saj, kishin krijuar bindjen se ato do te ishin fituesit e luftës dhe do te qeverisnin vendin pas fitores. Megjithëse ca vëzhgues te huaj e quanin si vete-besim të tepruar optimizmin e drejtueseve te LNÇ në atë kohë; ngjarjet e mëvonshme vërtetuan se analiza e situatës që bëri PKSH dhe LNÇ ishte racionale dhe realiste.

Kongresi i Përmetit, duke shpallur person non-grata ish-mbretin Zog, i vuri atij legalisht damkën e tradhtarit sepse ai e ktheu Shqipërinë në shtet vasal te Italisë dhe braktisi popullin e vendin (bashke me shpurën e qeveritarëve te tij) në ditët e vështira te pushtimit fashist. Gjithashtu, vendimet e këtij kongresi u dhanë një mesazh të qartë kuislingëve dhe kolaboracionisteve ballisto-zogistë; nuk do kishte pushtet në tavolinë për ata që bashkëpunonin me armikun dhe as për ata që prisnin të ikte pushtuesi e pastaj “të luftonin”. Pushteti u takonte atyre që luftonin kundër pushtuesit për çlirimin e Shqipërisë dhe do te mbronin lirinë, te drejtat, interesat dhe aspiratat demokratike te popullit shqiptar.

Në zbatim të vendimit të Kongresit për çlirimin e plotë të Shqipërisë; Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, me 28 Maj 1944, nxori urdhrin per fillimin e ofensivës se përgjithshme ushtarake. Në këtë kuadër Divizionit te I S, i cili sapo ishte formuar, iu komunikua detyra të kalonte Shkumbinin dhe të mësynte forcat gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas në Shqipërinë e Mesme dhe Shqipërinë Veriore. Marshimi i Divizionit I drejt veriut ishte një moment kyç në luftën për çlirim; ai tregoi se tani UNÇSH ishte e aftë për të luftuar pushtuesit në çdo zonë te Shqipërisë, kishte marrë iniciativën luftarake kundrejt armikut dhe së shpejti objektivi i saj do të ishte çlirimi i qyteteve, përfshirë edhe Tiranën.

Përfundimisht edhe sot pas 77 vitesh, mbështetur në kohën kur u mbajt dhe vendimet e rëndësishme të tij, mund te thuhet se Kongresi i Përmetit zë një pikë kulmore në historinë shqiptare. Aty u përcaktuan drejtimet për të realizuar qëllimin final të luftës antifashiste te popullit shqiptar; çlirimin e plotë të atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë, garantimin e një Shqipërie të lirë e sovrane në mbarim të luftës së dytë botërore dhe vendosjen e pushtetit popullor.