Vështrim/Analizë

Dilaver Goxhaj: Pedagogjia dhe psikologjia ushtarake – shkenca e drejtimit të mendjes njerëzore në jetën ushtarake

(Kumtesë rreth librit “Jeta akademike” me autor Xhemil Çelaj

Në këtë diskutim të librit “JETA AKADEMIKE” të z. Xhemil Çelaj, një ndër pedagogët më të shquar të Akedemisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm, po i rikthehemi pas 30 vitesh filozofisë pedagogjike dhe psikologjike të procesit mësimor të asaj Akademie, për të cilën, bën fjalë në librin e tij, i botuar pas vdekjes, i cili shprehet  qysh në faqen e parë të këtij libri, se ajo ka qenë për të “një periudhë plot përkushtim, kënaqësi, por edhe me jo pak shqetësime”.

Gjatë leximit të kësaj pjese fundore të historisë së asaj Akademie Ushtarake, 1980-1992, më saktë të dekadës së fundit të saj, shpesh i kam bërë pyetje vetes: Përse s’i ra ndërmend ndonjë pedagogu tjetër apo punonjësi shkencor të asaj Akademie, përfshi dhe mua, përpara se të shkruante pedagogu dhe punonjësi ynë shkencor Xhemil Çelaj për ta shpjeguar e bërë të qartë se si bëhej edukimi i lidershipit të asaj ushtrie?! Por ja që kjo iu dha atij, duke na bërë të gjithë ne të tjerëve një apel për këtë qëllim.

Në vitin 2008, dimë që është botuar një historik i kësaj Akademie, me autorë  Nënkol. Dr. Bernard Zotaj dhe Majore Ylvie Cani. Por libri i z. Xhemil Çelaj është i një lloji krejt ndryshe. Mendoj se nuk bëj ndonjë gabim të them, se ky libër është i ngjashëm me metodën tregimtare si te “Poema pedagogjike” e Makarenkos, por  me një ndryshim: Makarenko tregon se si fëmijët pa prindër dhe ata të braktisur nga shoqëria, përmes asaj shkolle bëheshin nxënës dhe qytetarë të zellshëm dhe më pas përvetësonin një sërë profesione e zakone të qëndrueshme, duke u bërë të devotshëm për shoqërinë; ndërsa Xhemil Çelaj nuk i shtrin rrethanat e procesit mësimor për gjithë Akademinë Ushtarake të SHP, por përqëndrohet vetëm në veprimtarinë pedagogjike e shkencore të një prej katedrave të asaj Akademie, të katedrës së Zbulimit dhe të Ushtrive të Huaja.

Xhemil Çelaj, përmes këtij libri përpiqet t’i tregoi lexuesit se ushtria e atij sistemi shoqëror kishte historinë e saj dhe aspektet e saj teknike, ekonomike, sociale e politike, të cilat përcaktonin edhe profilin e lidershipit të saj. Edhe pse autori përqëndrohet në programin pedagogjik e shkencor të Katedrës së UH, ai na len të kuptojmë se konsesusi programor midis katedrave ishte i mundshëm të realizohej me lehtësi, pasi sistemi edukativ përputhej me ideologjinë zotëruese  dhe se ekzistonte një koherencë e pastër si midis katedrave ashtu dhe me komandën e Akademisë.

Ai ndalet kryesisht në përmbajtjen e programit mësimor, në metodat si dhe teknikat pedagogjike të veçanta të Katedrës së UH, por, që ishin pothuajse të njëjta për gjithë llojet e armëve e shërbimeve; ai shpjegon se si funksiononte veprimtaria pedagogjike e psikologjike në atë Akademi, e cila mbështetej  mbi tre nënbashkësi bazë:  nënbashkësia e dëgjuesve (akademistëve), nënbashkësia e trupës pedagogjike dhe nënbashkësia e personelit komandues e administrativ, i aftë ky, për të  ushtruar në mënyrë korrekte funksionet që i qenë ngarkuar asaj Akademie.

NUK KA EDUKIM PA “FILOZOFI”.

Synimi i filozofisë së atij edukimi programor në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm, na thotë Xhemil Çelaj, ishte  të formonte elitën intelektuale komanduese të ushtrisë në shërbim të shoqërisë socialiste, edukim, i cili, si qëllim final kishte: Mbrojtjen e Shqipërisë me forcat e veta ndaj çdo agresioni të mundshëm.

Ky ishte synimi fundor i atij edukimi ushtarak në atë Akademi. Prandaj Xhemil Çelaj i thotë lexuesit se teoria psikologjike e atij programi tregonte se si ishte e mundur të përvetësoheshin ato dije, duke e aftësuar gjithë popullin ushtar që të mund të përballonte edhe një grup agresorësh; dhe për këtë, ai analizon faktorët përcaktues të atij përballimi, duke u udhëhequr nga parimi i solidaritetit popull-ushtar.

Xhemil Çelaj ndalon gjerësisht edhe në punën shkencore të asaj Akademie, duke na e bërë të qartë se qëllimi i asaj “filozofie” ishte: të ndikonte në filozofinë e përfeksionimit të edukimit pedagogjik ushtarak, ashtu edhe në metodat e atij edukimi, ku, qëllimi maksimal i së cilës ishte shndërrimi i peisazhit teknik e profesional të lidershipit ushtarak, në atë që ai të ishte i aftë për të drejtuar  një popull të tërë ushtar; por, pa lënë pas dore formimin e një elite të gjerë ushtarake, me synim që imagjinata e saj krijuese të vihej në shërbim të kërkimit të vazhdueshëm të zgjidhjeve të reja në kuadrin e situatave të reja, duke iu përshtatur sa më shumë progresit teknik e shkencor të armatimit dhe teknikës luftarake të kundërshtarëve të mundshëm të asaj kohe.

Si rrjedhojë, kjo është një monografi e rëndësishme për atë Akademi Ushtarake, për periudhën 12 vjeçare të fundit të egzistencës së saj, leximi i së cilës për historianët dhe lexuesit ushtarakë shqiptarë, por edhe më gjerë, është sa i lehtë aq edhe i dobishëm. Në të kundërtën, sot nuk mund t’u kërkohet një punim i tillë atyre që nuk kanë qenë pedagogë në atë Akademi për periudhën 1958-1992, e cila ushtroi një ndikim të thellë në përgatitjen e kuadrit të lartë ushtarak komandues të Ushtrisë së Shqipërisë për periudhën socialiste.

Por dikush mund të më thotë se lexuesi ka në dispozicion historikun e asaj Akademie të autorëve të lartëpërmendur. Mirëpo, struktura e atij historiku nuk ka për qëllim të bëjë interpretimin e kësaj lloj trajtese të asaj Akademie gjatë asaj epoke, sikundër na e bën Xhemil Çelaj për katedrën e UH, që të mund të thellohesh në të gjitha pasazhet që janë trajtuar në mënyrë të hollësishme e të gjerë nga z.Xhemil, nëpërmjet të cilave autori përcakton  dhe herë-herë e thellon mendimin e vet:

Për praktikat e përdorura në procesin për njohjen e UH; për mënyrën sesi shikohej e trajtohej në procesin mësimor mundësia e një agresioni ushtarak ndaj vendit tonë dhe përballimi i tij; për problemet e kundërvënies të armiqve tanë të mundshëm; për problemet për luftën kundërpartizane apo se si t’i kundërviheshim veprimeve luftarake të armikut në terret tona malore e atë bregdetar; për  mënyrën si të mos binin kuadrot tona në kurthet mashtruse të armiqve të mundëshëm të asaj kohe; për  mënyrën se si analizoheshin dukuritë e reja të luftës; si  ngriheshin idetë e stërvitve të niveleve të ndryshme me shtabe apo me pjesëmarrjen e forcave; apo se si u realizua fortifikimi i vendit sipas kapacitetit të terrenit, e në mënyrë të veçantë se si zhvillohej puna shkencore nga katedrat dhe pedagogët në atë Akademi etj., të cilat përbënin themelin e përgatitjes të drejtuesve të lartë ushtarakë të përshtatshëm për mbrojtjen e atdheut qoftë edhe nga një koalicion ushtrish.

Ato vlera të pedagogjisë ushtarake të trajtuara nga z.Xhemil për Katedrën e UH nuk ndryshonin aspak me katedrat e tjera.

Veç kësaj, duhet thënë se zgjedhja e tematikës nga Xhemil Çelaj nuk është bërë aspak në mënyrë të pastudjuar. Dhe, ajo që duhet pasur parasysh nga lexuesi, në këtë libër nuk ka vetëm mendime që i përkasin së kaluarës, pavarësisht se natyra historike nuk mund të shmanget plotësisht. Gjithashtu nuk do të më çudiste aspak fakti që këtij apo atij interpretimi që bën Xhemil Çelaj mund t’i kundërvihet një interpretim tjetër, ashtu si në një a dy raste, ku z.Xhemil i ka veshur vlera intelektuale të pa merituara ndonjë kuadri, gjë që gjate leximit, bashkëkohësi lehtë mund t’i konstatoi.

Lidhur me librin që po diskutojmë, mendoj se duhet shtuar se, metoda e edukimit ushtarak që përdorej në Akademinë e SHP  të asaj kohe, e trajtuar hollësisht nga Xhemil Çelaj, pavarësisht se ai përqëndrohet në katedrën që ai pat drejtuar, duhet vlerësiar nga rezultatet që ajo ka dhënë për formimin e drejtuesve të lartë komandues të ushtrisë, përmes të cilëve përgatitej populli për luftë, si mënyra më frytdhënëse për ruajtjen e paqes, sikundër shprehej Xhorxh Uashington, të cilin e citon edhe vet autori  Xhemil Çelaj, dhe që ai del në përfundimin se: “Mbrojtja (e asaj periudhe, D.G) ishte e aftë të përballonte jo vetëm një agresion ushtarak në njërin nga drejtimet strategjike (shtete kufitare a më larg) por edhe njëherësh në të gjitha drejtimet si nga toka, ajri dhe deti”.

Me interes në këtë libër është edhe çështja tepër e diskutueshme që prek Xhemil Çelaj, të titulluar “Rivaliteti komandant-komisar nëpërkëmb punën e mirë”, ku ai trajton marrëdhëniet midis komisarit dhe komandantit të asaj akademie. Dihet se komisarët u rivendosën në Ushtrinë Popullore në vitin 1966 kur u hoqën gradat ushtarake. Detyra e komisarit ishte të vepronte si përfaqësues politik i drejtpërdrejt i KQPPSH me idenë që të parandalonte mundësinë e ndonjë komploti kundër ushëheqjes së shtetit, prandaj edhe Enver Hoxha theksonte: “në Komandë është Partia”. Kështu që komisari edhe në Akademi do të ishte  në çdo kohë me komandantin dhe, me të drejtë  autori  na thotë se çdo urdhër që jepte komandanti do të hynte në fuqi pasi të merrte edhe miratimin e komisarit. Dhe faktikisht komisari kishte më shumë autoritet se sa komandanti. Mirëpo, sikundër del edhe nga trajtesa e z.Xhemil Çelaj, vendosja e komisarëve shpesh ka qenë dëmtuese për disiplinën, gjë që autori na lë të kuptojmë se vendosja e komisarëve më së shumti ka qenë pengesë për forcimin e disiplinës në ushtri, dhe kjo ngaqë një njeri nuk mund t’u shërbei njëherësh dy zotërinjve. Përvoja e gjithë luftrave dhe e gjithë ushtrive ka vërtetuar se  në ushtri duhet të ket veç një autoritet. Kjo u vërtetua katërcipërisht gjatë Luftës Patriotike të BS me Gjermaninë, ku funksioni i komisarit u mënjanua, ngaqë gjatë Luftës së BS me Finlandën një vit më pare, pushteti i komisarëve u zvogëlua shumë, ku u pa qartë se autoriteti i copëzuar midis dy titullarëve të barabartë nuk funksionoi me frytshmëri, gjë që vërtetoi ekzistencën e konflikteve të brendshme, sikundër e trajton z.Xhermil për në Akademinë tonë të SHP.

Përvoja historike ka vërtetuar se në asnjë profesion tjetër nuk ndëshkohet shteti në një shkallë aq të madhe dhe në një mënyrë aq të pakthyeshme sesa në udhëheqjen e ushtrisë. Suksesi apo dështimi i një shteti varet nga udhëheqja në forcat e armatosura. Për këtë arsye komandantëve ushtarakë u duhen kultivuar një sërë cilësishë e aftësishë të veçanta, të cilat mësohen në Akademitë ushtarake. Prandaj edhe goditja kryesore në fillimin e proceseve pluraliste në Shqipëri u dha në pikën më të fortë të atij shteti, tek shkollat ushtarake, sipas parimin kryesor të strategjisë së doktrinave ushtarake të superfuqive, të cilat goditjen kryesore e japin në pikën më të fortë të kundërshtarit, gjë që trajtohet hollësisht edhe në këtë libër prej z. Xhemil Çelaj.

RISTRUKTURIMI I USHTRRISË NE KUSHTET E DEMOKRATIZIMIT TË SHQIPËRISË

Pas asaj goditjeje, Partia Demokratike, me të ardhur në pushtet, e pati shumë të lehtë ta kthente ushtrinë në mbështetëse të saj. Për këtë PD-ja filloi menjëherë reformën, së pari, nga përzgjedhja e kontigjentit oficer të dalë nga ato akademi, duke u mbështetur në dy kritere bazë: militantizmi dhe krahinarizmi; ndërsa oficerët e tjerë, sado të aftë që të ishin, ose i uli në detyrë ose i transferoi larg vendbanimit të tyre, me qëllim që ata të kërkonin vetë largimin nga ushtria; njëkohësisht, me ligj të veçantë u liruan të gjithë ata oficerë e nënoficerë që ishin mbi 49 vjeçë. Me këtë ligj PD i hoqi qëllimisht ushtrisë trurin e saj.

Këto masa u ndërmorën nën idenë e “lirisë së plotë demokratike”, të cilat nuk pajtoheshin aspak me disiplinën, respektin dhe autoritetin që janë aq të domosdoshme për çdo ushtri. Dhe rezultati i asaj përzgjedhjeje u pa në shkrirjen e plotë të asaj ushtrie, si kripa në ujë, brenda 24 orëve, në ngjarjet e marsit 1997. Ai dështim i PD erdhi ngaqë, si parim kryesor në përzgjedhjen e kuadrit komandues të të gjithë rangjeve ishte parimi i “militantizmit partiak” dhe respekti ndaj PD-së dhe jo ai ndaj popullit, ngjashëm siç ndodhi me ushtrinë cariste të Kerenskit në vitin 1917, si dhe me atë gjermane gjatë revolucionit të Gjermanisë që u zhvillua pak më vonë, si dhe në Spanjë në vitin 1936 jo dhe aq vonë. Duke qenë se oficerat e lartë komandues PD-ja i zgjodhi mbi bazën militantizmit ndaj saj, të cilët vinin kryesisht prej nivelit deri komandat batalioni, përvoja e tyre natyrisht që ishte e kufizuar, prandaj dhe nuk treguan aftësi për të komanduar njësitë brigadë (regjiment) e lartë si dhe nuk kishin asnjë ide për logjistikën.

Mirëpo, edhe Partia Socilaiste, e cila e morri pushtetin në vitin 1997, edhe ajo përzgjedhjen e kuadrit oficer e mbështeti në të njëjtin parim, në atë të militantizmin ndaj partisë (PS-së). Në të dy rastet, duke qenë se kuadrot e larta të ushtrisë u përzgjodhën nga radhët e militantëve më të zjarrtë të partive, (ngjashëm si edhe në të gjitha fushat e tjera të jetës shoqërore), i gjithë kuadri i lartë ushtarak e civil, përkushtimi i tyre në radhë të parë ndaj partisë, prej atëhere është shndërruar në traditë. Kjo politikë përzgjedhëse e kuadrit drejtues bën që ata të jenë kryesisht, së pari, besnikë të partisë dhe së dyti ndaj Atdheut; duke qenë më së shumti besnikë të partive dhe jo ndaj pasurisë kombëtare; besnikë ndaj  liderëve partiakë dhe jo ndaj popullit, prandaj dhe në ngjarjet e marsit 1997 ushtria u asgjësua. Ngjashëm ndodhi edhe në vitet 1997-2005, ku kuadri i lartë i Ushtrisë dhe ai i Administratës Shtetërore u përzgjodh mbi bazën e besnikërisë ndaj partisë dhe udfhëheqjes së saj, ndaj dhe u shit e gjithë pasuria ushtarake dhe ajo ekonomike që kishte shpëtuar nga rebelimi i vitit 1997, gjë që solli korrupsionin galopant, sa që popullit i plasi shpirti, dhe në vitin 2005 riktheu në pushtet zjarrvënësit e vitit 1997.

Duke vendosur në të gjitha strukturat drejtuese të ushtrisë dhe të administratës shtetërore kryesisht militantët e partive, ai kontigjent nxitet prej partisë në pushtet se si të pasurohen, njëkohësishtë, duke i mbrojtur edhe nga drejtësia. Ky është shkaku kryesor pse jemi shteti më i korruptuar në botë.

MILITANTIZMI PARTIAK DHE AI ATDHETAR

Mirëpo kur vihet militantizmi partiak mbi militantizmin ndaj Atdheut, sikundër u shpreha më lart, ai militantizëm ndodh që të çon në pasivitet total ndaj çështjes kombëtare, qoftë ajo edhe urgjente, për sa kohë nuk është shprehur qartë apo ka qëndruar indifirente partia e tyre.

Kjo u vërtetua në mënyrën më të dukshme nga kuadri oficerave aktivë të dalë në reservë, të cilët përbënin më shumë se 50% nga totali prej 16.500 oficerë që kishte Ushtria Popullore në vitin 1992, nga të cilët vetëm 5 oficera prej tyre shkuan shkuan vullnetarë në luftë brenda në Kosovë në radhët e formacioneve të UCK-së, si dhe 12 të tjerë që u angazhuan direkt në luftime në frontin e Koshares dhe në atë në mal të Pashtrikut. Kjo do të thotë se vetëm 1 (një) oficer në 500 (pesëqind) oficerë rezervë të asaj armate oficerash i shkuan direkt në ndihmë gjysmës së kombit shqiptar; dhe, ajo që ka rëndësi edhe më shumë, asnjë prej atyre vullnetarëve nuk ishte anëtar i PS, as i PD, as i “Ballit Kombëtar” dhe as i “Legalitetit”!

Ngjashëm ngjau edhe në Kosovë, ku, nga 700 oficerë shqiptarë të ish-ushtrisë Jugosllave, vetëm rreth 40 (dyzetë) prej tyre iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të thotë 1 (një) oficer në 200 (dyqind) prej tyre.

Por nuk mund të mohojmë kontributin e dhënë për atë luftë nga kontigjenti i oficerave aktivë të DK të Kuksit me në krye komandën dhe shtabin e tij, bashkë me komandën e Forcave Ajrore dhe të Regjimentit të Helikopterave në Farkë, e veçanërisht kontributin e Spitalit Uahtarak në Tiranë, ku nga 810 të plagosur rëndë, vetm një nuk mundi të kthehej në front.

Por kemi edhe anën tjetër të medaljes: asnjë Shef Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare i dalë nga ajo armatë prej 16.500 oficerë, asnjë Ministër Mbrojtjeje, asnjë Kryeministër dhe asnjë President i Shqipërisë të këtyre 30 viteve “pluralizëm demokratik”, nuk morën mundimin të shprehnin qoftë edhe një fjalë miradie për ata vullnetarë, por përkundrazi.

Pothuajse kështu u veprua edhe nga Partia Demokratiuke, Lidhja Demokratike dhe gjithë Presidentat dhe Kryeministrat në Kosovë.

Nuk mund të besohet se kjo duhet të jetë rastësi, pasi kjo dukuri është shfaqur edhe ndaj vullnetarëve që shkuan në Luftën e Spanjës, në vitet 1936-1939, ku, sikundër tregon shkrimtari Petro Marko: “jo vetëm që nuk u tregua asnjë interesim, por përkundrazi, na shihnin si armiq, duke përhapur edhe shpifje”. Për mua, arsyeja e kësaj dukurie duhet kërkuar te moskrijimi i një uniteti kulturor e politik në mes vetë shqiptarëve, si këtu dhe në Kosovë, si rrjedhojë e militantizmit partiak.  Kjo është e vërteta. “Nëse do që të përshkruash të vërtetën–  ka thënë Ajnshtajni–lere elegancën tek robaqepësi”.

Njëkohësisht, historia jonë ka vërtetuar edhe të kundërtën e militantizmit partiak, atë kur oficeri është militant për Popullin e tij dhe Atdheun. Në këtë rast ka ndodhur krejtësisht e kundërta e atyre që shpreha pak më lartë. Kur përzgjedhja e  kuadrit komandues oficer bëhet mbi bazën e përkushtimit ndaj Atdheut, ushtria e tij, sado e vogël dhe e dobët që të jetë, ajo del fitimtare edhe ndaj një ushtrie më të madhe e më të fuqishme. Për këtë më lejoni të sjell përvojën e Ushtrisë sonë Popullore në provokacionet e Gushtit 1949, kur  Ushtria Mbretërore Greke, e ndihmuar nga ushtria amerikane dhe angleze, pas 8 muaj provokacione të pareshtura në kufi, vërsuli  drejt Shqipërisë  mbi 70 mijë forca të armatosura, shoqëruar me 80 tanke dhe mbështetur me një divizion artilerie me rreth 400 gryka zjarri, si dhe me mbi 50 avjonë luftarakë. Ndërsa pala jonë me 10 mijë forca, ku i gjithë kuadri komandues i tyre përbëhej nga oficerë të dalë nga formacionet e Ushtrisë së Luftës Nacionalçlirimtare, të cilët jo vetëm që e mbrojtën popullin dhe atdheun, duke luftuar prej 2-15 gusht bajonetë më bajonetë, por i shkaktuan armikut mbi 300 të vrarë, rreth 500 të plagosur dhe i kapën 270 robër; ndërsa nga pala jonë mbetën të vrarë vetëm 29 ushtarë e oficerë dhe vetëm 127 të plagosur; humbjet, pra, qenë në raport 1 me 10 në favorin tonë.

Në po këtë mënyrë u vërtetua edhe në Kubë, në zbarkimin e vitit 1961, në Gjirin e Derrave, ku sulmit të 20 mijë mërgimtarëve kubanë, të organizuar e mbështetur prej ish-qeverisë dhe presidentit të Kubës në ekzil, -nën drejtimin e CIAs-, të mbështetur nga 16 avjonë dhe 1400 parashutistë, më 17 prill zunë kryeurë, por ushtria e Kastros, e komanduar nga oficerë të dalë nga revolucioni dhe jo militantë partie, pas 64 orë luftime, të gjithë sulmuesit i detyruan të dorëzoheshin dhe u burgosën në Havanë.

Këto fakte historike, pozitive dhe negative, ne shqiptarët nuk bën që t’i harrojmë, pasi jemi një komb dhe një shtet i vogël.

ÇDO BREZ ECËN MBI SUPET E BREZIT PARAARDHËS

Përmes këtij libri, z.Xhemil Çelaj, kërkon t’u thotë breznive të ardhshme se si të mund ta shfrytëzojnë këtë edukim ushtarak të brezit të “epokës socialiste”, me besimin se brezat pasardhës mund të japin gjykim më të arsyeshëm e më të drejtë. Por që ta japin këtë vlerësim, duhet që ta njohin atë përvojë.

Por, duke qenë se nga një brezni te tjera  ndryshojnë kushtet ekonomike, morale e shoqërore, mund të ndodhi që metoda që ka dhënë rezultate për brezin tonë pararendës, mund të mos jetë tërësisht e dobishme për brezin e  ardhshëm. E megjithatë, ky libër përsëri ka për të shërbyer si një proces i thejshtë i përvetësimit të një kulture të kaluar, si një formim që synon vetëm të fusë ushtarakët e ardhshëm në një kulturë të caktuar kalimtare, si të gjitha kulturat e tjera; por edhe për faktin se një edukim ushtarak kaq konservator nuk mund të themi se ka vlejtur veç për aq kohë sa ka ekzistuar kjo kulturë ushtarake e trajtuar hollësisht nga Xhemil Çelaj.

Këtë e themi duke u bazuar në bindjen, se çdo ushtarak i brezit pasardhës përfiton nga kultura ushtarake e brezave para ardhës. Tek edukimi ushtarak i “epokës socialiste” ne nuk mund të shikojmë vetëm një përgatitje për kushtet e një mbrojtjeje të dhënë, e për një stil të luftuari të dhënë. Të mbrosh atdheun nuk do të thotë t’i referohesh kryesisht edukimit ushtarak të kohës tënde, por edhe vlerave të përgatitjes ushtarake së kohës së shkuar. Kjo ka qenë dhe është një përvojë historike, prandaj dhe mësohet historia. Dhe pedagogjia ushtarake që trajtohet nga Xhemil Çelaj besojmë se do të shërbei si një reflektim mbi historinë e filozofisë sonë ushtarake të gjysëm së dytë të shekullit XX.

E themi këtë me bindje, pasi kjo përvojë e edukimit ushtarak shqiptar të periudhës socilaiste, nuk kishte për qëllim vetëm formimin e një pjese të caktuar të shoqërisë shqiptare, por për të gjithë popullin e Republikës së Shqipërisë, duke e shndërruar atë në popull-ushtar. Por, e ndjej të nevojshme të them se ajo përvojë nuk është vetëm përvojë e Shqipërisë Socialiste. Ajo ishte model i njëjtë me atë të shtetit të Izraelit, ku edhe ai e ka angazhuar me detyrim gjithe popullin në shërbim të detyrueshem ushtarak prej tre vitesh dhe me pjesëmarrje më pas te gjithe atyre, meshkuj e femra, në stërvitje të ndryshme si rezervistë. Prandaj medoj, se do të jetë me interes për breznitë tona të ardhshme të shohin se si kanë qenë teknikat e eksperimentuara nga brezi ynë pararendës për përgatitjen e kuadrit drejtues të ushtrisë dhe të gjithë popullit; se si ato kanë dhënë ndihmesë për ta lehtësuar këtë tejkalim, dhe se si pedagogët ushtarakë, secili me frymën e tij origjinale, secili në fushën e vet të armës apo të shërbimit, kanë mundur të realizojnë mjete dhe metoda për të siguruar këtë përgatitje të kuadrit oficer që përbën një madhështi të jashtëzakonshme për mbrojtjen kombëtare.

Xhemil Çelaj është i pari që u lë brezave të ardhshëm një filozofi pedagogjike për edukimin e elitës ushtarake. Me këtë dua të them se në epokën kur Xhemil Çelaj ishte pjekur nga pikpamja intelektuale si teoricien ushtarak, ishte koha kur edukimi i strategëve të ardhshëm ushtarakë shqiptarë ishte bërë një veprimtari e veçantë si kurrë më parë.

Nuk ekziston asnjë bashkësi njerëzore që të mos i përcjellë brezit që rritet institucionet dhe besimet e veta; pikëpamjet morale e ato fetare e ushtarake; dijet dhe teknikat e veta të të luftuarit. Prandaj, libri  i z.Xhemil Çelaj “Jeta akademike” ka karakterin e një udhëzuesi të tillë, të ballafaqimit të mendimeve; një mjet i drejtëpërdrejtë i inteligjencës që përdoret për përcaktimin në përgjithësi mbi këmbimin dhe bashkëveprimin e ideve ushtarake midis brezave, të mbështetura mbi studimin racional dhe në  përdorimin metodik të dhënies së njohurive ushtarake; një përvojë mbi artin e të mësuarit se si ta përballosh një kundërshtar më të fuqishëm nesër në luftë. Njëkohësisht, ky libër e mëson oficerin se si ushtria mund t’i kundërvihet çdo agresori të mundshëm dhe të dalë fitues, nëse lidershipi i saj e ke të sinqertë dashurinë ndaj Atdheut. Për këtë mund të them se ky libër është një sintezë e një përvoje 40 vjeçare që shpaloset me përkushtim, në gjerësi e thellësi, prej një pedagogu ushtarak të klasit të parë.

Tiranë, maj 2021