Kulturë\Letërsi

Elvira Xhori Loli: Djemtë e Dukajve të LABOVËS së Rrëzës

Dukajt, fisi më i madh i fshatit, pas lufte, për shkak të djegies, i ndarë në dy familje,u vendos në dy skajet e fshatit. Ajo e Papa Leonidhës, gjyshit tim, në krye të fshatit.
Familja e Xha Pilos, me nënë Lenon, cice Athinanë dhe pesë DJEMTË: Vangjelin, Apostolin, Sofon, Arbenin dhe Josifin banonin në lagjen e poshtme, nën Luari dhe kishë, pranë kroit që derdhte lumë ujët e ftohtë të Gurës.
Sipër fshatit shtrihej Nikëza me çairet dhe kullotat për gomarët dhe kecëret.Përkarshi, në lindje ngrihej pylli i dendur i Pallambellës mbushur me kafshë të egra. Bukuri e tërë natyra , si në lindje të Diellit edhe në netët me Hënë, njëherë nën shkëlqimin e zjarrtë e më pas me ndriçimin e argjendë .
Nga qyteti, venim te gjyshërit në fshat, pas mbarimit të shkollës, kur çelte lulja e lofatës dhe largoheshim pas shkundjes së arrës ,në Tetor.Djemtë e xha Pilos ishin shokët tanë më të ngushtë, disa më të mëdhenj , të tjerë më të vegjël, nuk ndaheshim. Në netët me Hënë të Gushtit ,nga lagjja e sipërme, zërat vajzëror ja merrnin këngës , ndërsa poshtë nga Luaria djemtë ja kthenin me ison labovite:
Labova në rrëzë mali,
Shokë çdo na marrë malli,
Për të shkretënë Odrie,
Gjithë lisa, gjithë hije,
Ujët e ftohtë në krye……
Kujtime të ngrohta edhe me cice Athinanë,stërgjyshen faqekuqe dhe gojëmbël.
JETOO , na drejtohej duke na vënë përpara arrat për t’i çarë, por të nxjerra kallëp të plota, t’i shkonim varg në fill si rruazat dhe më pas ajo i zhyste në qullin e mbytur në mjaltë. Çfarë të haje: suxhuk me arra, qumështor të pjekur në saç,gjalp dhe dhallë të dybekut; të gjitha nga dora e nënë Lenos dhe Cices.
Xha Pilua, mjeshtër i ndërtimit dhe i punës me gurë , propozuar edhe për Hero i punës socialiste,punonte si në fshat ashtu edhe në ndërtimin e veprave industriale.Hija e tij qëndronte përherë mbi kokat e bijëve.
Ne të ardhurit nga qyteti mësuam nga kushërinjtë tanë shumë të fshehta të natyrës dhe përballjen me to.Një herë i afroj gomarit dorën, për të lëpirë kripën mbi të. Kur dora përfundoi në grykë të tij unë ulërita. Poçoli aty pranë, qetë tha: – Kripën do të lëpij, dorën nuk ta ha.
Nga tavani i kasolles po varej poshtë një gjarpër. Ulërimat tona i dëgjoi Vangjeli në oborr.
U fut brenda, e kapi gjarprin me dorë dhe u tall me ne: – kërkon minj, jo njerëz.
Kur kecëret , të tërhequr nga kullotat,i zinte mbrëmja në Nikëza ,mësuam t’i ndillnim si me fërshëllim Cpërr, Cpërr, Cpërr… dhe në minutë ” çapkënët e vegjël të dilnin para syve.
Mësuam të pinim nga thithkat e gjoksit të Kenes me dy vathë dhe Shytës pa brirë, qumshtin e ngrohtë të dhisë.
Dy muajt e parë të shkollës i bënim në fshat.
Ishte krenari për ne të mësonim aty ku u hap shkolla e parë shqipe për atë zonë jugore, aty ku mësuan gjyshërit dhe prindërit tanë. Shkolla ndodhej në lagjen tjetër të Labovës, pak larg. Kalonim nëpër shpella, lugina përrenjësh edhe me ujë, përballeshim me qenë të egër stani, ndoshta edhe me ndonjë ujk.
Fjala e prerë dhe e mënçur labovite , figura plotë autoritetet e kreut të shtëpisë, së xha Pilos ,nxorri nga ajo derë Pesë burra të vërtetë – dashuria për vendlindjen,etja për dijen, pasioni për lirinë … Pesë mëmëdhetar patriot.
Madhështia dhe bukuria e asaj Rrëze mali, shpirti poetik i krahinës, dashuria dhe ngrohtësia e nënë Lenos dhe Cices ngritur në vatrën familjare…lindën BILBILIN e Labovës, Arben Dukën, që thurri ” Dy fjalë për vete”:
– Një natë në 5 Dhjetor,
Kur drutë përtypet zjarri,
Labovës, në Labovë,
I lindi këngëtari.
Plotë këngëtar të tjerë,
Labova kishte herët
Ai i asaj nate,
Shkëlqeu mbi të tjerët.