Kërkesë e hapur drejtuar shqiptarëve për të mbrojtur gjuhën shqipe!
Dikush në klasën time një ditë më tha: “Edona, hajde”. U çudita se thash me vete kush po më flsite “shqip”. Ishte një djalë i klasës, i cili kishte pasur një mik shqiptar dhe i kujtohej vetëm kjo fjalë “shqipe”. Unë fillova t’i shpjegoja se “hajde” nuk është shqip, thuaj “eja”, i thashë. Por ai “i shkreti” s’po e kuptonte zemërimin tim ndaj fjalës “hajde”. Unë nuk u zemërova në fakt, por se ç’më zuri një shqetësim. Një shqetësim i tillë më zë sa herë dëgjoj fjalë me zanafillë të huaj, fjalë të panevojshme, që zëvendësojnë fjalët tona shqipe. Shqetsohem kur disa shqiptarë ngatërrojnë fjalët që i gjejmë si sinonime nëpër dialektet tona me fjalët e huaja që kanë zënë vend në këto dialekte.
Fjalët “hajde, sabah, selam, xhenaze, penxhere, ej-valla”, e shumë të tjera nuk janë fjalë që i përkasin ndonjë dialekti shqip. Në gegërisht si rregull nuk themi “Çoji selam”, por themi “Bani t’fala”. Në disa këngë të Fatmira Breçanit dëgjova një ditë fjalën “ejvalla”. M’u kujtua ajo skena te filmi “Mësonjëtorja”, ku vajza e Stefanit në mos gaboj, i thotë të atit, “ejvalla”, dhe ai i përgjigjet, “Mos thuaj “ejvalla” kur ne kemi fjalën tonë të bukur shqipe “Faleminderit”. E pra edhe unë bëhem shpesh si Stefani, qoftë edhe me familjarët e mi aq sa shpesh më kthehen: “Po hajt na le të qetë me gjithë korrigjimet tua”. Por e kam ndarë mendjen të mos i lë të qetë të gjithë ata që zgjedhin pa pikë nevoje fjalë të huaja, dhe kërkoj që as mua të mos më lini të gaboj padashur duke mos zgjedhur fjalë shqipe nëpër bisedat e mija.
Kjo çështje më çon thuajse gjithmonë drejt fjalëve fetare të thëna në gjuhë të huaja. Duke lënë plotësisht mënjanë pikëpamjet e mija mbi fenë, protestoj gjithmonë hapur kundër fjalëve: “Inshallah, Elhamdulilah/Shyqyr, Dynja, Xhenaze, Xhenet, Xhehenem”, etj., që sot i dëgjoj edhe më shpesh se më parë. Nëse besoni në Zot dhe si rrjedhojë duhet ta shprehni këtë besim përmes fjalëve, shpreheni ato në shqip. “Në dashtë Zoti, Falë Zotit, Botë, Kufomë… ” Prap po e përsëris, po lë mënjanë çështjen e besimit dhe parimeve fetare, shqetësimi im në këtë rast mbetet gjuha. Mos fyeni gjuhën shqipe në emër të fesë.
Feja ka qënë dhe mbetet ndër armët më të forta që antishqiptarët kanë përdor për të shkelur mbi gjuhën shqipe, por së fundmi dhe ky farë botëzimi (globalizmi) po shtyn sidomos të rinjtë të flasin me terma modernë sidomos në gjuhën angleze. Jo vetëm të rinjtë në fakt por edhe njerëzit e “famshëm” apo ata edhe ata në poste të rëndësishme shtetërore e madje edhe qeveritarët të cilët duhet të jenë shembull për të folurit qartë dhe shqip. A për t’u dukur më të zgjuar, apo ku ta di unë për çfarë arsye ata përdorin këto terma e fjalë të huaja! Për mua kjo mbetet dhunë e hapur, e rrezikshme ndaj gjuhës tonë.
E kam vrejtur së fundmi se nuk po guxojmë më të pasurojmë gjuhën tonë. Jemi kthyer në një shoqëri dembele e cila përton të vrasë mendjen të gjejë emra për të emërtuar gjërat e reja, por vendosim thjeshtë t’i huazojmë ato nga gjuhët e tjera. Nuk e kuptoj as pse sot nuk guxojmë të ndryshojmë ato fjalë në fjalorin tonë që nuk janë shqipe me justifikimin se ato janë bërë pjesë e gjuhës shqipe, që “kështu i kemi thënë nuk e ndryshojmë dot sot”. Nuk i zëvëndësojmë këto fjalë në emër të ruajtjes së “zakoneve”, kur njëkohësisht ne fyejmë zakonin tonë më të shenjtë “të flasim shqip, të emërtojmë gjërat me një logjikë të qartë, të pastër, që ka kuptim vetëm në shqip”. Themi se nuk e zëvëndësojmë dot fjalën “Babë” e cila nuk është shqipe, me fjalën “Atë” e cila ka një zanafillë të pastër shqipe. Mohojmë ta rikthejmë këtë fjalë në përdorim duke thënë se ne gjithmonë kemi thënë “Babë” nuk është e lehtë të ndryshojmë përnjëherësh. Ndryshime të tilla marrin kohën e vet, padyshim, por nëse ti nuk ndryshon dot sot mënyrën si e thërret të atin tënd, të paktën bëj çmos që brezat e ardhshëm të përdorin emërtimin shqip.
Meqë ra fjala tek emëritimi, dua të prek pak dhe punën e vendosjes së emrave së foshnjeve që po lindin. U deshën breza të tërë për të rikthyer lirinë e vendosjes së emrave shqip, me kuptim të pastër e të bukur shqiptar. U deshën breza që të çliroheshim nga emrat turko-sllavo-grek, dhe të risillnim emrat që shpalosin kulturë e histori shqipe. Përpos gjithë këtyre sot kemi një hov të madh emrash që vetëm shqip nuk janë. Personalisht jam më se e lumtur se sot përfaqësohem me një emër shqip. Qysh në kohët e hershme, shqiptarët janë përfaqësuar me emra kuptimplotë shqip. Andaj do dëshiroja t’ju bëja një kërkesë mjaft të sinqertë të gjithë prindërve të rinj, në emër të traditave shqiptare, në emër të gjuhës tonë të larmishme dhe historisë tonë që daton më herët se e çdo populli që sot njohim, në emër të gjakut që u derdh për t’i ruajtur gjithë këto, vendosni fëmijëve emra shqip.
Gjithashtu, dua të kërkoj, kështu hapur, që të bëhemi sot më shumë se kurrë fanatikë për gjuhën tonë. Dua të kërkoj t’i vendosim dy pikat përmbi “e” aty ku duhet, të mos vendosim “c” aty ku duhet “ç”. Kërkoj që sa herë të shkruajmë një mesazh, një fjalim, një shkrim çfarëdolloj, të shkruajmë me të njejtin kujdes që shkruanim dikur nëpër diktime në shkollë. Të bëjmë kujdes me hollësirat në jetën e përdithshme sepse këto gabime që duken të thjeshta përcillen sot më lehtë se kurrë dhe kthehen në zakone, zakone të cilat po e deformojnë gjuhën shqipe. Kërkoj të mos kemi frikë të korrigjojmë njëri-tjetrin kudo dhe kurdoherë. Kërkoj të shfletojmë ndonjë libër gramatike nganjëherë. Thënë shkurt, kërkoj të zgjohemi dhe të ruajmë pasurinë dhe vlerën më të madhe të kombit tonë: GJUHËN. Është radha jonë t’i dalim zot shqipes.
add a comment