Gjermani
Së pari përgëzime nismëtarëve që janë përcaktuar për ta begatuar tablonë informative të shqiptarëve edhe me një zë që do të dëgjohet jo vetëm në trojet tona, por edhe në mërgatën e stërdegëzuar nëpër shtete e kontinente. Prandaj, urime edhe Redaksisë duke i dëshiruar të arritura të pakontestueshme.
Tani, disa rreshta për pagëzimin dhe ditën që do të dëgjohet Zëri i ri – Lëvizja. Pa ngurim mund të thuhet se është vështirë të gjendet ndonjë tjetër më domëthënës, por, njëkohësisht, është vështirë të gjendet ndonjë tjetër që do të bënte borxhli sa ky pagëzim. Pse? Sepse ai zë me shtatë shkronja do të na përkujtojë të kaluarën tonë të lavdishme nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri me 28 Nëntor të vitit 1912; sepse aktet heroike të asaj periudhe në faqet e historisë sonë i gjejmë të nyjëtuara në togfjlashin Lëvizja Kombëtare. Ndërkaq, edhe të më vonshmet, me ndonjë nuancë përmes të cilave shprehen veçantitë e tyre. Mjaftojnë të përmenden dy: Lëvizjen Nacionalçlirimtare që e organizoi luftën, prandaj edhe fitoren kundër nazifashizmit dhe Lëvizjen Ilegale, ndonëse brenda orbitës së saj vepronin organizata me emra të ndryshëm, që kulmoi me formimin e UÇK-së dhe luftën e saj të lavdishme.
Dëshirojmë, prandaj edhe shpresojmë se “Lëvizja” do t’i sublimojë vlerat kombëtare që u spikatën nga “Fjamuri i Arbrit”, “Drita” e Sofjes, “Shqipëria” e Bukureshtit, për të mos i përmendur të tjerat pas tyre… por pa e kapërcyer “Zërin e Popullit”, as “Zërin e Kosovës”…
Duke u përcaktuar që inagurimin e “Lëvizjës” ta bëni në kryedatën e historisë së kombit shqiptar, rrugëtimi i së cilës nga Kruja deri në Vlorë zgjati 469 vjet, spektrit të t’arriturave nëpër ditët e Nëntorit, ndër të cilat nuk mund të mos përmenden ato më kapitalet si Kongresi i Manastirit, i cili e mbylli odisejadën e Alfabetit të gjuhës shqipe, çlirimin e Shqipërisë nga nazistët, Kongresin e Drejtëshkrimit, i cili e inauguroi njësimin e Gjuhës Letrare shqipe dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia shtuat edhe një. E juaja, ndonëse simbolike në krahasim me pararendëset, e ka rëndësinë e vet. Prandaj “Lëvizjës” jetë të gjatë e lexues të panumërt, kurse ju, Redaksisë – PUNË TË MBARË!!!
Me respekt!
Hasan Ukëhaxhaj