Redaksia e gazetës LËVIZJA do t’i botojë në vazhdime një pjesë të mijëra dokumenteve të gjetura, pas një pune hulumtuese shkencore, në arkivat e shtetit tonë AMË nga studiuesi i zellshëm Prof. Dr. Sabit Syla. Nga këto dokumenta lexuesit tanë mund të njihen më mirë me interesimin, përkushtimin dhe angazhimin e shtetit tonë, që udhëhiqej nga Enver Hoxha, për përmirësimin e pozitës së popullit të pushtuar shqiptar nga Jugosllavia dhe për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Iliri (Ballkan). Shteti shqiptar dhe personalisht Enver Hoxha interesohej për të gjitha shqetësimet dhe kërkesat që kishte pjesa e pushtuar e Shqipërisë dhe e popullit të saj, që vuante persekutimin, terrorin, burgimet, torturat, vrasjet dhe shpërnguljet (dëbimet) e pushtuesit jugosllavo komunist të Tito – Rankoviçit…
Në arkivat e shtetit tonë AMË është një mal me shkresa e dokumente që presin mendjen, vullnetin dhe dorën e studiuesve tanë për t’i hulumtuar, analizuar e publikuar. Studimi, analizimi, interpretimi dhe botimi i dokumenteve arkivore është shkencë më vete… Një pjesë të vogël të këtyre dokumenteve kemi patur rastin t’i shohim edhe ne në arkivin e Ministrisë së Jashtme (kryesisht të viteve 1981, 1982, 1983).
Shteti ynë ishte shpresa dhe përkrahja e vetme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Shqipërinë e pushtuar në periudhën e viteve 1945 – 1990. Askush në botë nuk çante kokën në atë periudhë pse dy të tretat e një vendi e të një kombi ishin të pushtuara dhe grabitura nga fqinjët shovinistë, që kishin krijuar shtetet e tyre kryesisht në tokat e Shqipërisë! Falë shtetit të Enver Hoxhës dhe mbështetjes së tij të pa rezervë Lëvizja jonë Kombëtare e Çlirimtare ia doli të unifikohejë, të organizohejë dhe të konsolidohejë deri në atë shkallë sa të merrte përsipër organizimin e Luftës Antipushtuese Çlirimtare, duke krijuar UÇK – në. Përkrahja e shtetit tonë dhe e pjesës së lirë të popullit tonë ishte vendimtare edhe pas vitit 1990 dhe, sidomos, gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK – së, që pati për rezultat çlirimin e Kosovës (pa vise) dhe përmirësimin e pozitës së popullit shqiptar në Maqedoninë tonë dhe në trojet tjera shqiptare… Roli i shtetit tonë AMË, Republikës së Shqipërisë, mbetet edhe më tej vendimtar për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare dhe për (ri)bashkimin e Shqipërisë në një shtet dhe me një Flamur kuqezi… (GL)
Prof. dr. Sabit Syla
DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Një interes të veçantë për opinionin publik shqiptar paraqet qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës. Hapja e arkivave shqiptare, ka sjellë një bollëk dokumentesh, një pjesë e mirë të panjohura më parë. Dokumentet e viteve ’50 dhe ’60 të shek. XX që po i ofrojmë lexuesit, pasqyrojnë në mënyrë të plotë dinamikën e qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, gjatë viteve në fjalë. Shteti shqiptar ka ndjekur në vazhdimësi politikën jugosllave në të gjitha drejtimet e saj karshi shqiptarëve e gjendjen e këtyre të fundit në të gjitha aspektet e zhvillimeve ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike. Këto dokumente janë përzgjedhur nga mijëra dokumente të hulumtuara në Arkivin e Ministrisë për Evropën dhe Punë të Jashtme dhe dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve 2008 – 2023. Për të ruajtur origjinalitetin e dokumenteve nuk kemi ndërhyrë.
-22-
Plan masash për propagandën tonë lidhur me Kosovën
Radio Tirana
- a) Të organizojë emisione me valë të mesme dy herë në ditë për shqiptarët jashtë atdheut, ku një vend të rëndësishëm të zënë tematika mbi Kosovën. Spikeri të përdorë një gjuhë të kuptueshme për kosovarët. b) Në këtë emision duke propaganduar sukseset e vendit tonë, një vend i mirë t’i kushtohet reportazheve dhe artikujve mbi zhvillimin e krahinave kufitare të veriut. c) Të krijojë një aktiv prej 4-5 vetash që të ndjekë gjendjen në Kosovë dhe të përgatis material për emisionin. c) Radio Tirana në emisionet e saja të transmetoj këngë nga krahina e Kosovës.
- Shtypi e propaganda
- a) T’i rekomandohet Universitetit që të përpunojë disa artikuj historikë me përmbajtje të larta shkencore, për të rrëzuar tezat e revizionistëve mbi gjoja karakterin serb të Kosovës. b) T’i rekomandohet Universitetit të nxjerri një plan kalenderik me afat të gjatë mbi ngjarje të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me luftën e popullit kosovar për liri dhe independencë, si dhe për njerëz të çmuar të kësaj krahine. c) Shtypi jonë të shkruaj në raste artikuj mbi gjendjen e keqe ekonomik të shqiptarëve të Kosovës, Metohisë dhe mbi trajtimin shkombëtarizues që u bëhet atyre. c) T’i rekomandohet Universitetit për të bërë një botim mbi folklorin në Kosovë. d) T’i vihen disa emra kosovarë, ndonjë kooperative, si rrugë, shkolla etj. dh) Të botohet një libër me artikuj mbi Kosovën nga dega e shtypit. g) T’i bëhet një letër udhëzuese Legatës sonë në Beograd, për mbi propagandën që duhet të bëjë ajo me shqiptarët në Jugosllavi mbi materialet që duhet të na furnizojë për t’i përdorur për propagandën tonë. gj) Në Legatën tonë në Beograd, dhoma e pritjes për vizitorë të bëhet si qendër agjitacioni, ku të ketë ekspozita fotografike dhe sendesh, si dhe revista, gazeta, libra etj. h) Të shfrytëzohen të dhënat mbi Kosovën edhe nga shtypi i emigracionit reaksionar shqiptar?
- Me anën e kosovarëve në Turqi
- a) Të nxiten kosovarët në Turqi për të shkuar me njerëzit e tyre në Jugosllavi, me qëllim që të mos shpërngulen nga Jugosllavia në Turqi. b) Kosovarët me banim në Turqi t’u dërgojnë njerëzve të tyre në Kosovë gazetën “Shqipëria e re”, si dhe buletinin që marrin nga Legata jonë në Ankara mbasi t’i kenë lexuar vetë.
- Me ndërmarrjen e botimeve
- a) Ndërmarrja e botimeve të hyjë në kontakt me shtëpi botuese dhe librari në Kosovë për të furnizuar me libra nga Shqipëria në bazë të kërkesave të tyre.
Zeqi Agolli
-23-
Legata e RP të Shqipërisë
Nr.44 Res. Beograd, 21/6/1960
Ministrisë së Punëve të Jashtme
(Dega e Dytë) Tiranë
Relacion mbi shëndetësinë në Kosovë
Ashtu siç shprehet në të gjitha drejtimet dhe në sektorin e mbrojtjes e të shëndetit të popullit në Kosovës, klika revizioniste pak interesim ka treguar dhe tregon. Për gjendjen e mjerueshme të kosovarëve edhe vet shtypi, ose statistikat e ndryshme që dalin në Jugosllavi, e vërtetojnë këtë. Kështu mund të themi se qëndrimi shovinist, antimarksist i udhëheqjes jugosllave vërtitet edhe në këtë sektor. Prapambetja në mbrojtjen e shëndetit të popullit të Kosovës, në krahasim me republikat ose krahinat e tjera të Jugosllavisë nuk është vetëm pasojë e politikës së krajlëve etj., të së kaluarës, po dhe të asaj politike të ngjashme që revizionistët jugosllavë vazhdojnë akoma të ndjekin lidhur me Kosovën. Gjendja shëndetësore e popullit, institucionet mjekësore, higjiena e pastërtia, të gjitha këto janë në një nivel shumë të ulët dhe që nuk mund të bëhet krahasime me republikat e tjera të Jugosllavisë. Si pasojë e kësaj, sëmundjet dhe vdekjet në këtë krahinë janë më të mëdha se kudo në Jugosllavi.
Po të shikojmë problemin e higjienës nga kujdesi i pakët që tregohet në përgjithësi në të gjitha qytetet e Kosovës dhe Metohisë, nuk ka pastërti. Shpesh ngjasin helmime nga ushqimet e uji. Edhe personeli që merret me shërbimet higjienike është shumë i pakët. Nga vetë statistikat jugosllave, del se në tërë Kosovën e Metohinë, ka tre mjek higjienikë, 5 teknikë sanitarë, 9 inspektorë sanitarë dhe asnjë inxhinier. Kurse, po të marrim shembull një vend tjetër, p.sh. Sllovenin, kjo ka 17 mjekë sanitarë, 28 teknikë sanitarë, 25 inspektorë dhe 22 inxhinierë. (Statistiçki Godishnjak o narodnom Zdraviju i zdravstvenoj sluzhbi u FNRJ 1956, botim 1959, faqe 62). Për një gjendje të tillë të keqe higjienike, janë detyruar të pranojnë edhe vetë revizionistët jugosllavë. P.sh. në gazetën “Rilindja”, të datës 27/II/1960, faqe 6, botohet artikulli me titull: “Pak pastërti nëpër qytet”, ku ndërmjet të tjerave thuhet: “Higjienën e qyteteve nuk e prishin vetëm kafshët që duken edhe rrugëve kryesore, po ende mungon kujdesi për hedhjen e mbeturinave dhe cofëtina e në shumë vende nuk ekzistojnë varrezat për kafshët e ngordhura. Nga ana tjetër, ngjan shpeshherë që shtazët e sëmura të therën dhe të përdoren për nevoja shtëpiake, mish për ushqim etj…”. Më poshtë duke folur për ujin e pijshëm thuhet se: “Përveç ujësjellësit të Prishtinës asnjë ujësjellës tjetër nuk ka zonën e mbrojtjes. Në afërsitë e tyre gjinden banesa, ahrije e burime të ndryshme infektuese etj…”. Po në këtë artikull, flitet për pasjen e objekteve publike. Në mes të tjerave thuhet: “Në Prizren p.sh. të gjitha mbeturinat që përmban kanalizimi derdhen në Bistricë (lum). Njësoj qëndron edhe Prishtina, ku kanalizimi i qytetit derdhet në Vellushë dhe në lumin tjetër të Prishtinës etj. Veçanërisht serioze, thuhet në këtë artikull, është çështja e hedhjes së ndyrësirave të nevojtoreve si dhe mungesa e nevojtoreve publike në shumë vende, p.sh. Prizreni e Gjilani nuk kanë fare etj.
Po kështu, në një artikull të gazetës “Rilindja”, datë 28/II/1960, faqe 8, në një artikull me titull: “70 punëtorë të fabrikës konfeksionit “Napredak”, u helmuan prej ushqimit të infektuar”, (Gjakovë) në të cilën vërtetohet mungesa e higjienës në mes të të tjerave thuhet: “Si do që të jetë, prej kësaj çka pamë sot në mëngjes mund të konstatohet se pastërtia dhe kushtet tjera higjienike në kuzhinën dhe magazinën ku ruhet ushqimi janë në një shkallë shumë të ulët”. Duke shkruar po për këtë çështje, gazeta “Rilindja”, e datës 29/II/1960, faqe 5, boton artikullin me titull: “Nuk mjafton vetëm me pasë”. Në këtë artikull, në mes të tjerave thuhet: “Është fakt se ende objektivisht mungojnë lokalet e përshtateshme për vendosjen e magazinave dhe të dyqaneve që merren me shitblerjen e gjërave ushqimore”. Duke dhënë si shembull për këtë, thuhet: “Njësoj mund të thuhet dhe për vendosjen e objekteve hoteliere, të cilëve po ashtu ju mungojnë stabilimentet e nevojshme sanitare. Çka është më zi, objektet e këtilla gjinden nëpër tercat rrethuese me burime të ndyrësirave të ndryshme… etj.”. Më poshtë thuhet: “Furra e Prizrenit është vendos në një shtëpi të adaptuara por rrethuese me shtëpi të vjetra pa terren mbrojtës, mandej dhe pa ujë të pastër. Nuk është si duhet as gjendja në thertoren e Mitrovicës, Gjilanit e Prizrenit. Të shumtën e rasteve, transportimi i mishit prej thertoreje deri në qytet bëhet me mjete primitive. Higjiena mungon edhe në vendet ku përgatitet ushqimi – nëpër kuzhina dhe restauronte. Nuk bëhet as dezinfektimi i enëve që përdoren. Nuk bëhen në rregull vizitat mjekësore të personelit merret me ruajtjen dhe përgatitjen e gjërave ushqimore, sigurimin e rrobave të punës për këtë personel, si dhe përdorimi dhe shitja e gjërave të prishura ushqimore”. Sigurisht një gjendje e tillë higjienike, ka pasojat e saja negative në shëndetin e popullit të Kosovës. Si pasojë e kësaj, sëmundjet dhe vdekjet dhe veçanërisht sëmundjet e fëmijët janë të zhvilluara shumë.
Për të pasur një pasqyrë më të qartë dhe më qëllim që të bëhet krahasimi me republikat e tjera të Jugosllavisë këtu poshtë po shënojmë edhe një statistikë mbi popullatën e ndarë në republika të Jugosllavisë, ku më poshtë do të dal më e qartë në përgjithësi gjendja shëndetësore dhe institucionet shëndetësore të Kosovës – në krahasim me republikat tjera, diferencimi i madh që i bëhet kësaj zone si konsekuencë e politikës revizioniste – shoviniste të klikës së Titos karshi popullit shqiptar të Kosovës.
N.R. | Republika ose krahina | Popullsia | Territori në km2 |
1 | Kosovë-Metohi | 808 141 | 10 690 |
2 | Serbia | 6 979 154 | 88 361 |
3 | Vojvodina | 1 712 619 | 21 774 |
4 | Kroacia | 3 918 817 | 56 253 |
5 | Sllovenia | 1 466 425 | 19 992 |
6 | Bosnjë-Hercegovina | 2 847 790 | 51 139 |
7 | Maqedonia | 1 304 514 | 25 715 |
8 | Mali i Zi | 419 873 | 13 812 |
*Marrë nga statistiçki godishnjak FNRJ, faqe 293 për popullatën dhe faqe 292 për territorin sipas regjistrimeve 31/3/53. Për Serbinë popullata dhe territori janë të përbashkëta me Vojvodinën dhe Kosmetin.
Në mënyrën e më sipërme paraqitet popullata e territori i ndarë në republika e krahina në Jugosllavi.
Si paraqiten sëmundjet sipas vetë statistikave jugosllave (Statistiçki Godishnjak o Narodnom Zdravlju i zdravstvenoj sluzhbi u FNR Jugosllaviji 1956, botim 1959, faqe 202 e 216) (konstatime në fund të vitit 1956).
N.R | Krahinat | TBC mushkri
Burra |
Gra |
Dispanseri | Konstatime për të sëmurët me TBC nga vizitat |
1 | Kosmet | 3178 | 2 570 | 6 | 4 139 |
2 | Serbi | 33 313 | 23 663 | 79 | 50 438 |
3 | Vojvodinë | 8 058 | 5 970 | 21 | 12 884 |
4 | Kroaci | 12 658 | 8 508 | 40 | 17 914 |
5 | Slloveni | 6 582 | 3 920 | 48 | 6 752 |
6 | Bosnjë-Herceg. | 9 986 | 7 905 | 19 | 27 470 |
7 | Maqedoni | 3 722 | 3 032 | 11 | 6 384 |
8 | Mali i Zi | 1 181 | 497 | 5 | 1 718 |
(Për Serbinë përfshihen dhe Vojvodina e Kosmeti).
Kurse gjendja shëndetësore e fëmijëve paraqitet si më poshtë vijon – (Konstatime në fund të vitit 1956). (Statistiçki Godishnjak o Narodnom Zdravlju i zdravstvenoj slizhbi u FNR Jugosllaviji 1956, botim 1959, faqe 169, 191).
N.R. | Krahinat | TBC Konstatim në ambulancat e shkollave | TBC konstatim dispanseri | Malaria |
1 | Kosmet | 735 | 1 599 | 101 |
2 | Serbi | 1 049 | 2 551 | – |
3 | Vojvodinë | 210 | 420 | 1 |
4 | Kroaci | 697 | 453 | 2 |
5 | Slloveni | 41 | 65 | – |
6 | Bosnjë-Hercegovinë | 447 | 1 269 | – |
7 | Maqedoni | 588 | 854 | 744 |
8 | Mali i Zi | 23 | 34 | 1 |
Nga vetë statistikat e sipërme të disa sëmundjeve kryesore tregojnë gjendjen shëndetësore të popullit të Kosovës dhe veçanërisht të fëmijëve në shkolla ose parashkollorë. Kjo gjendje e keqe shëndetësore shpjegohet nga konditat e këqija dhe ushqimi i dobët i popullatës dhe nga ana tjetër mosinteresimi që organet qeveritare jugosllave tregojnë karshi këtij populli. Kështu, nuk mund të thuhet se influencon klima etj., sepse dihet se klima në këtë zonë është shumë më e mirë se sa për shembull, në Serbi ose Vojvodinë ose e njëjta me Malin e Zi. Por, po t’i hedhësh një sy fëmijëve të sëmurë nga TBC do të shohim se në Kosmet numri është shumë më i madh nga ai i krahinave të tjera, pavarësisht nga numri i popullatës që është më i vogël. Për një gjendje të tillë janë të detyruar ta pranojnë dhe vetë organet jugosllave. Ja p. sh. se çfarë shkruan gazeta “Rilindja”, e datës 29/XII/’59, faqe 6, me titull: “Mungesat në punë shkaktojnë dëme të mëdha”. Në mes të tjerave kur flet për mungesat në punë të punëtorëve, thuhet: “nga ana tjetër disa organizata ekonomike janë interesuar shumë pak për krijimin e kushteve bashkëkohore në vendet e punës. Në radhë të parë janë konstatuar të meta të shumta higjienike nëpër disa ndërmarrje. Mandej në të shumtën e rasteve punëtorët udhëtojnë në këmbë më tepër se nga 10 km në ditë për të mbërri deri në vendin e punës. Çka është kryesorja, çështja e ushqimit ende nuk është zgjidhë nëpër të gjitha sipërmarrjet. Për mungesën e ushqimit kalorik konstatohet se është shfaq sëmundja e gastritit. Prej kësaj sëmundje lëngojnë vetëm në rrethin e Mitrovicës, 35% e të të gjithë pacienteve të paraqitur për mjekim”, etj.
Në shtimin e sëmundjeve negativisht përveç sa u tha më sipër, influencon edhe sepse në Kosovë e Metohi ka një mungesë të konsiderueshme institucionesh shëndetësore, spitaleve e mjekëve. Këtu poshtë po paraqesim një pasqyrë të gjendjes së spitaleve e mjekëve të marra nga vetë statistikat jugosllave (statisticki Godishnjak o Narodnom Zdravlju I zdravstvenoj sluzhbi u FNR Jugosllaviji 1956, botim 1959, faqe 6 dhe 13.) (Gjendja në fund të vitit 1956).
Spitale
N.R. | Krahinat | Spitale të përgjithshme | Shtretër |
1 | Kosmet | 8 | 1 718 |
2 | Serbi (bashkë me Vojvodinën e Kosmetin) | 101 | 26 358 |
3 | Vojvodina | 21 | 6 887 |
4 | Kroacia | 56 | 20 958 |
5 | Sllovenia | 31 | 10 538 |
6 | Bosnjë-Hercegovina | 22 | 6 501 |
7 | Maqedonia | 27 | 5 228 |
8 | Mali i Zi | 13 | 1 998 |
*Vërejtje: Ndër këto një është anti TBC dhe një për mukozë.
Personeli mjekësor
N.R | Krahina | Mjek | Specialist | Mjek me arsim të mesëm | Mjek me arsim të ulët | Personel shërbimi mjekësor | Personel jo i shërbimit mjekësor |
1 | Kosmet | 62 | 30 | 71 | 185 | 318 | 398 |
2 | Serbi (bashkë me Vojv. e Kosmetin) | 1 421 | 601 | 1 039 | 3 211 | 5 671 | 5 041 |
3 | Vojvodinë | 211 | 114 | 165 | 663 | 1 039 | 972 |
4 | Kroaci | 813 | 445 | 478 | 2 551 | 3 842 | 4 321 |
5 | Slloveni | 365 | 149 | 400 | 1 248 | 2 013 | 2 886 |
6 | Bosnjë-Hercegovinë | 328 | 120 | 167 | 977 | 1 467 | 1 957 |
7 | Maqedoni | 266 | 84 | 249 | 553 | 1 113 | 795 |
8 | Mal të Zi | 61 | 30 | 75 | 175 | 311 | 288 |
Statistikat e sipërme janë pasqyrë e gjallë me të cilën vërehet se në çfarë gjendje është lënë populli i Kosovës dhe nga ana tjetër diferencimi i madh që i bëhet në krahasim me republikat e tjera ose krahinat. Vetëm një krahasim të bësh, p. sh. Malin e Zi që ka afërsisht gjysmën e popullatës së Kosovës, del e qartë kjo. P.sh. Kosova ka 62 mjekë, kurse Mali i Zi 61, ose Kosova ka 8 spitale me 1 718 shtretër, kurse Mali i Zi 13 spitale me 1 998 shtretër, d.m.th. më shumë se sa Kosova, megjithëse në Kosovë ka më tepër të sëmurë. Veç kësaj, duhet theksuar se edhe ata mjekë që janë në Kosovë janë me një eksperiencë të pakët. Nga ana tjetër, me 8 spitale me 1 718 shtretër dhe 62 mjekë, në asnjë mënyrë nuk mund të plotësohen nevojat e një popullate prej afro një milion banorësh. Këto të dhëna janë të vet organeve jugosllave ku nuk mund të përjashtohet mundësia e zmadhimit dhe e zbukurimit. Veç kësaj, gjendja e orendive të spitaleve nuk janë në nivelin e duhur. Ja p. sh. se çfarë shkruan gazeta “Rilindja”, datë 23/1/1960, faqe 7, me titull: “Loka1i – problem numër një”. Në mes të tjerave thuhet: “Nëse u paraqitet nevoja të kërkojnë ndihmën e mjekut në qendrën e komunës (referohet Podujevës) me 65 katunde e nja 47 000 banorë, kemi me hasë në këto rrethana: nëse vizitohemi në katin përdhese të shtëpisë së shëndetësisë, do të mundemi të strehohemi në sallën e pritjes, por nëse u bie radha të vizitohen në katin e parë, atëherë nëse është ftoftë, keni me i cakërrua dhëmbët në korridorin e ngushtë dhe të ftoftë”. Duke folur për mungesë lokalesh shëndetësore më poshtë thuhet: “për mungesë të vendit tash pothuajse ka pushua veprimtaria e dispanseritë të fëmijëve”. Po kështu, në gazetën “Rilindja”, datë 4/2/1960, faqe 6 thuhet se: “Ambulanca e Lluzhanit është mjaft moderne, por kjo nuk përdoret krejtësisht për këtë nevojë. Në të është vendos posta e vendit dhe një mësues me familjen e vet. Për shërbimin mjekësor, është caktuar vetëm një dhomë ku dy herë në javë vjen mjeku për të vizituar të sëmurët. Dhoma e vizitorëve është shumë e përshtatshme, por ata që presin rendin, kalojnë shumë keq, sepse janë të detyruar me prit në oborr dhe në këto ditë të ftohti të dimrit etj.”. Në një gjendje të tillë ndodhen dhe spitalet e qendrat e tjera shëndetësore në Kosovë. Mungesa e mjekëve ndjehet shumë në këtë zonë. Në shtypin gjen botime në të cilat shprehet kjo mungesë. P.sh. në gazetën “Rilindja”, të datës 4/2/1960, faqe 5, në një artikull me titull: “Ndërtesa ngushtë, mjekë pak”, në mes të tjerave duke folur për punën e mjekëve thuhet: “Kështu, me tre mjek të përhershëm, prej të cilëve një gjendet në pushim mjekësor, është e pamundur me i dal në skaj kërkesave për intervenime mjekësore”, dhe më poshtë thuhet: “Për dy-tre madje edhe për katër mjekë, është tepër të vizitojnë brenda ditës mesatarisht afër 250 fëmijë të vegjël e të mëdhenj”. (Kjo i referohet Mitrovicës). Po kështu, në gazetën “Rilindja”, dt. 10/2/1960, faqe 5, në një artikull me titull: “Praktika private mjekësore mund të hiqet edhe në vende të tjera të krahinës”, duke folur për personelin mjekësor dhe shpërndarjen e tij, thuhet: “Sepse fakti se prej gjithsej 230 institucioneve shëndetësore në krahinën tonë, 150 gjenden në qytete dhe qendra të mëdha e vetëm 80 prej tyre me 32 mjekë dhe 39 kuadro të mesëm medicional në të gjitha vendet e tjera të krahinës, flet qartë se duhet me marr masat për organizimin me të mirë dhe ndarjen e këtij shërbimi etj”. Një shprehje e tillë sigurisht ka kuptimin e mungesave për mjekë në Kosovë dhe të vështirësive që hasin në kërkesat e popullit për t’u mjekuar.
Po kështu, në gazetën “Rilindja”, të datës 18/2/1960, faqe 5, në një artikull më titull: “Afër 600 mijë qytetarë të Kosovës e Metohisë”, në të cilën flitet për sigurimet shoqërore në mes ë tjerave në një vend thuhet: “Kjo tregon se para shërbimit mjekësorë në Kosovë e Metohi shtrohen detyra shumë serioze, aq më parë kur numri i themelatave shëndetësore dhe i personelit mjekësorë ndër to, ende nuk është i mjaftueshëm”. Gjithashtu, në “Rilindje”, datë 10/3/1960, faqe 6, në një artikull me titull: “Shërbimi shëndetësor para zgjedhësve (Prishtinë)”, duke folur për shërbimet shëndetësore në mes të tjerave thuhet: “Edhe pse numri i mjekëve, madje edhe i enteve shëndetësore që sot funksionojnë në Prishtinë, është shumëfishuar në krahasim me vitet e paraluftës, theksohet vazhdimisht se numri tashmë i mjeteve, sidomos i specialistëve nuk është i mjaftueshëm”. Veç sa u tha më sipër, në një gjendje të tillë ndodhen dhe institucionet e tjera me karakter shëndetësor, si dispanseritë për fëmijë, maternitetet, klinikat dentare, ambulancat etj.
Këtu poshtë po paraqesim disa statistika të mara nga “Statisticki Godishnjak o Narodnom zdravlju i zdravstvenoj sluzhbi u FNR Jugosllaviji 1956, botim 1959, respektivisht faqe 34, 36, 33, 35, (gjendja në fund të vitit 1956).
- Maternitetet
Nr. | Krahinat | Materniteti | Shtretër | Mjek specialist | Mami |
1 | Kosmet | 14 | 234 | 1 | 42 |
2 | Serbia (së bashku me Vojvodinën e Kosmetin | 172 | 239 | 7 | 424 |
3 | Vojvodinë | 62 | 832 | 2 | 159 |
4 | Kroaci | 59 | 1 168 | 18 | 232 |
5 | Slloveni | 11 | 484 | 11 | 64 |
6 | Bosnjë-Hercegovinë | 54 | 653 | 7 | 124 |
7 | Maqedoni | 25 | 439 | 4 | 33 |
8 | Mali i Zi | 16 | 185 | 1 | 29 |
- Dispanseri i fëmijëve
Nr. | Krahinat | Dispanseri | Mjek kryesor | Vizita |
1 | Kosmet | 7 | 9 | 86 348 |
2 | Serbia (së bashku me Vojvodinën e Kosmetin | 89 | 144 | 76 2106 |
3 | Vojvodinë | 18 | 33 | 149 024 |
4 | Kroaci | 35 | 57 | 261 164 |
5 | Slloveni | 33 | 18 | 66 676 |
6 | Bosnjë-Hercegovinë | 27 | 52 | 173 230 |
7 | Maqedoni | 12 | 26 | 173 335 |
8 | Mali i Zi | 11 | 8 | 42 891 |
- Dispanseri dhe qendra këshilluese për gra
Nr. | Krahina | Qendra | Mjek kryesor |
1 | Kosmet | 9 | – |
2 | Serbi (bashkë me Vojvodinën e Kosmetin | 115 | 39 |
3 | Vojvodinë | 57 | 11 |
4 | Kroaci | 92 | 15 |
5 | Slloveni | 88 | 12 |
6 | Bosnjë-Hercegovinë | 38 | 28 |
7 | Maqedoni | 56 | 5 |
8 | Mali i Zi | 6 | – |
- Ambulanca të ndryshme
Nr. | Krahina | Ambulanca të përgjithshme | Ambulanca dentare | Mjek dentist | Dentist | Dentist teknik |
1 | Kosmet | 36 | 18 | 6 | 18 | 18 |
2 | Serbi (bashkë me Vojvodinën e Kosmetin | 740 | 337 | 159 | 465 | 456 |
3 | Vojvodinë | 291 | 125 | 34 | 184 | 100 |
4 | Kroaci | 596 | 242 | 50 | 362 | 184 |
5 | Slloveni | 432 | 151 | 54 | 209 | 199 |
6 | Bosnjë-Hercegovinë | 342 | 125 | 20 | 172 | 178 |
7 | Maqedoni | 110 | 64 | 15 | 107 | 69 |
8 | Mali i Zi | 8 | 27 | 5 | 34 | 33 |
- Farmaci
Nr. | Krahinat | Farmaci | Farmacist | Vlera në dinarë e ilaçeve të dhëna |
1 | Kosmet | 21 | 29 | 280 992 641 |
2 | Serbi (bashkë me Vojvodinë dhe Kosmet) | 449 | 808 | 4 747 233 996 |
3 | Vojvodinë | 205 | 279 | 1 384 580 082 |
4 | Kroaci | 244 | 575 | 2 950 367 180 |
5 | Slloveni | 99 | 176 | 1 355 327 123 |
6 | Bosnjë-Hercegovinë | 96 | 143 | 1 447 267 565 |
7 | Maqedoni | 47 | 73 | 781 169 681 |
8 | Mali i Zi | 18 | 28 | 216 512 491 |
Statistikat e shënuara më lart paraqesin qartë se ç’gjendje ndodhet mjekësia në Kosovë. Kudo në vetë statistikat jugosllave del se këto janë më të ulëta dhe më të pakta qofshin si institucione, qofshin edhe si personel mjekësor. Kështu p.sh. ndërsa në Maqedoni që popullata është ½ milioni më tepër, ka 47 farmaci me 73 farmacistë, në Kosovë ka vetëm 21 farmaci me 29 farmacistë, që nuk është as gjysma e atyre që ka në Maqedoni, ose p.sh. dispanseri i fëmijëve në Mal të Zi që popullata është sa gjysma e Kosovës, ka 11 dispanseri me 8 mjekë, kurse në Kosovë, (ku sipas statistikave që shënuam më lart sëmundjet e fëmijëve janë më të shumta) ka vetëm 7 dispanseri më 9 mjekë. Po kjo gjendje paraqitet edhe në sektorët e tjerë të shëndetësisë, p. sh. klinikat dentare, mjekët dentist, dentist etj. Si konsekuencë e këtij trajtimi të keq, mortaliteti në Kosovë në krahasim me vendet e tjera, është më i madh dhe ka ardhur duke u rritur. Këtu poshtë po paraqesim një pasqyrë mbi vdekjet të marrë nga “Statistiçki godishnjak, 1959, faqe 307 e 308”. Në vitin 1958 në Kosovë, në 1 000 banorë kanë vdekur 12.9, kurse në krahinat e tjera më pak. P.sh. në Serbi 8.2, në Vojvodinë 9.3, në Kroaci 9.3, në Slloveni, 9.1, Bosnjë-Hercegovinë 9.2, në Maqedoni 10.2, në Mal të Zi 7.5. (Nuk dimë nëse në statistikat e dhëna për vdekjen në Kosovë i kanë shënuar edhe personat që UDB-ja jugosllave i ka zhdukur, po besojmë se ato përmblidhen në ndonjë statistikë tjetër sekrete të Jugosllavisë).
Po japim edhe një statistikë tjetër të marrë po nga botimi i sipërpërmendur (Statistiçki godishnjak, 1959, faqe 307) ku pasqyrohet rritja e mortalitetit:
Nr. | Krahinat | Vdekjet
1948 |
1958 |
Vdekja e fëmijëve
1949 |
1958 |
1 | Kosmet | 10 324 | 11 513 | 4 208 | 4 924 |
2 | Serbi | 51 657 | 39 130 | 10 316 | 6 123 |
3 | Vojvodinë | 24 491 | 16 531 | 5 589 | 2 283 |
4 | Kroaci | 52 416 | 38 423 | 10 816 | 5 866 |
5 | Slloveni | 17 884 | 14 270 | 2 709 | 1 132 |
6 | Bosnjë-Hercegovinë | 36 804 | 29 728 | 8 783 | 10 824 |
7 | Maqedoni | 16 764 | 13 946 | 6 409 | 5 114 |
8 | Mali i Zi | 3 675 | 3 523 | 537 | 1 003 |
Statistikat e sipërme japin një pasqyrë të qartë të gjendjes shëndetësore të popullit të Kosovës, në të cilën del se si rrjedhim i trajtimit të keq mortaliteti në Kosovë është rritur kur në të gjitha republikat e tjera ka pasur ulje, dhe nga ana tjetër në proporcion me popullatën mortalitetit në Kosovë është më i lartë se kudo në Jugosllavi.
Mungesa të ndjeshme duken edhe në shërbimin e ndihmës së shpejtë. Në shumë vende, fshatarët janë të detyruar të ecin disa dhjetëra kilometra me qerre ose në këmbë, për të shkuar te mjeku për vizitë, ose për të bërë një injeksion. Ja p.sh. se si shprehet në artikullin e gazetës “Rilindja”, datë 12/1/1960, faqe 6, me titull: “Për 35 000 banorë një automobil i ndihmës së shpejt”. Në këtë artikull, në mes të tjerave thuhet: “Nuk ka ndodhur që të presim me orë të tëra për ndihmë të shpejtë. Edhe ai që kishte lajmëruar para meje, edhe tjetri që nuk u ndal së rrahuri në telefon edhe shumë të tjerë pritshin tanë vesh e sy sinjalin e automobilit shpëtimtar. Unë nuk di se çfarë ndihme e shpejtë është kjo, kur duhet me prit me orë të tëra për raste urgjente. E çka kishin me thanë ata që me 40 gradë temperaturë presin ndihmën e shpejtë, ose ndonjë grua shtatzënë që ndien dhimbjet e para me interval të shkurtra etj. Prandaj, është me vend që dikush të interesohet për këtë gjë”. (kjo i referohet Prishtinës).
Për sa i përket problemit të sigurimeve shoqërore nuk kemi pasur mundësi të nxjerrim ndonjë statistikë nga botimet jugosllave, por nga bisedimet që kemi pasur (por deri më sa mund të jetë e vërteta) rezulton se punëtorëve nga rroga e tyre për sigurimet shoqërore ju mbahen shuma prej 35, 65%. Me këtë kanë të drejtën e vizitave gratis dhe të marrin ilaçet gratis po kështu dhe pensioni. Sipas botimit në gazetën “Rilindja”, të datës 18/II/1960, (artikull me titull afër 600 mijë qytetarë të Kosovës e Metohisë) ndër të tjera thuhet: “Në fund të vitit të kaluar ka pas në Kosovë 57 516 të siguruar. Me ligjin e ri jugosllav për sigurimin edhe të prodhuesve të bujqësisë, sipas gazetës së sipërme, numri i të siguruarve do të arrij në 600 000 qytetarë. Po kështu, sipas gazetës së sipërme fshatarët për sigurime shoqërore do të paguajnë 2% prej të ardhurave të tyre kadastrale dhe nga 250 dinarë çdo anëtarë të familjes për formimin e fondit për mbrojtjes shëndetësore. Shpenzimet vjetore, thuhet në këtë artikull, për mbrojtjen e një prodhuesi bujqësor mbërrijnë afërsisht në 1 330 dinarë, kontributi i prodhuesve në afër 741 dinarë, kurse nga buxheti duhet të sigurohet shuma tjetër prej 589 dinarë. Më poshtë thuhet se kjo nuk është e saktë, prandaj duhet analizuar”. Duke folur mbi këtë çështje në gazetën “Rilindja”, datë 10/3/1960, faqe 5, në një artikull me titull: “Si realizohet e drejta e mbrojtjes shëndetësore” në mes të tjerave duke folur për prodhuesit bujqësorë, thuhet: “Ligji për mbrojtjen shëndetësore fillon prej 1 janarit të këtij viti. Kontributet prej 2% nga të ardhurat kadastrale dhe tjetrin prej 250 dinarë për anëtar të familjes bujqit e paguajnë bashkë me tatimet tjera për të ardhurat bujqësore dhe ashtu si paguhen tatimet. Mirëpo, ligji ka caktuar afatin e fundit deri kur këshillat popullore të komunave duhet të marrin vendimet dhe duke caktuar ditën prej se cilës do të fillojnë prodhuesit bujqësorë të gëzojnë të drejtën e tyre sipas këtij ligji”. Më poshtë, në mes të tjerave thuhet se afati i fundit nuk mund të jetë më vonë se 1 korriku. Prodhuesi duhet ta bëjë pagesën e kontributit në kohën e caktuar se përkundrazi ligji parasheh edhe pagimin e kamatës vjetore prej 9%, duke filluar prej ditës kur është dashur të bëhej pagesa etj. Kjo është një masë e re në praktikën e sigurimeve shoqërore jugosllave për të cilën momentalisht është e vështirë të nxjerrim një konkluzion, por duke pas parasysh se në shumicën e fshatrave të Kosovës nuk ka institucione shëndetësore kjo nuk do të jetë e kënaqshme për fshatarët kosovarë dhe nuk do t’ju japë ndonjë ndihmë konkrete. Me këtë masë gjoja të re revizionistët jugosllavë do t’ju pakësojnë edhe ato pak të ardhura fshatarëve kosovarë duke ju vështirësuar akoma më tepër konditat e jetesës. Deri tani të pasiguruarit, sipas një bisedimi që kemi pasur me shtetasin shqiptar, Selman Galla, paguajnë për një vizitë mjekësore në ambulancë 300 dinarë, për një ditë shtruarje në ambulancë 1 200 dinarë, kurse për të bërë një injeksion arrin sipas injeksionit në 1 000 e më shumë dinarë, (ky banon në fshatin Jabllanicë).
Për sa i përket kuadrit shqiptar që punojnë në sektorin e shëndetësisë këta janë shumë të pakët. Pjesa dërmuese e tyre janë serbë ose malazezë. Të dhëna në këtë drejtim nuk ka në shtypin, ose në librat statistikore. Këtë ne e mbështesim në biseda të ndryshme që kemi bërë me kosovarët. Se çfarë është bërë për përgatitjen e kuadrove, në këtë drejtim nga radhët e kosovarëve për më tepër se 15 vjet? Përgjigjen e gjejmë në qëndrimin e revizionistëve në të gjithë kompleksin karshi Kosovës, që ata ndjekin një politikë nacionaliste e shoviniste.
I ngarkuari me punë a. i.
Tahmaz Beqiri
-24-
Veprimtaria diversioniste, subversive dhe agjenturiale e Qeverisë jugosllave, kundër Republikës Popullore të Shqipërisë
Politikën armiqësore kundër popullit shqiptar dhe RP të Shqipërisë, Qeveria jugosllave e ka shoqëruar me një veprimtari të (madhe) dhe agjenturiale të organizuar, që përfshinë spiunazh, diversion dhe propaganda shpifëse e provokuese. E gjithë kjo veprimtari është e drejtuar kundër rendit shoqëror dhe integritetit të RP të Shqipërisë, ka përbërë një rrezik kërcënues për paqen në Ballkan dhe në botë.
Zhvillimi i ngjarjeve në historinë e marrëdhënieve midis dy shteteve, ka treguar më së miri se Qeveria jugosllave për të realizuar qëllimet kolonialiste e grabitqare kundër Shqipërisë, e ka filluar veprimtarinë agjenturiale e subversive qysh pas dështimit të prapaskenës famëkeqe të Beratit dhe sidomos pasi pushteti politik në Shqipëri u morr përfundimisht në duart e Partisë e të popullit. Organet e sigurimit të shtetit të RP të Shqipërisë, gjatë viteve 1945-1948, kanë zbuluar 18 spiunë në shërbim të Jugosllavisë, të rekrutuar nga personalitete diplomatike dhe nga inxhinierë e nga persona të tjerë jugosllavë që punonin në Shqipëri. Duke shfrytëzuar marrëdhëniet e mira të fqinjësisë që ekzistonin midis vendeve tona, si dhe mundësit e krijuara për ta, duke qenë në liri të plotë, ish-ministri i Legatës jugosllave, Josif Djerda, këshilltari i Legatës për çështje ekonomike (Sergei Kraige) ish-sekretari i Legatës, Ostrec Juboviq, ish-drejtori i shoqërisë shqiptaro-jugosllave për ndërtimin e hekurudhave dhe më vonë ish-nëpunës i Legatës, Savo Bozhidaroviq, inxhinieri Hyber etj., kanë vepruar nën rrogozë për të përgatitur terrenin që një të ardhme të afërt Shqipëria të shndërrohej në republikën e shtatë të RFP të Jugosllavisë. Që atëherë, me elemente armiq të popullit shqiptar, të dobët nga karakteri e të degjeneruar, kishin krijuar rrjetin agjenturial të organizuar (shih dok. nr.1). Por, kjo veprimtari u bë më intensive dhe mori një karakter të tërbuar armiqësor pas dështimit të plotë të të gjitha përpjekjeve të Qeverisë jugosllave për të nënshtruar partinë dhe shtetin tonë.
Pas prishjes se njëanshme të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, më 1948, si rezultat i kursit politik të ndjekur nga Qeveria jugosllave ndaj RP të Shqipërisë, Jugosllavia u shndërrua në një vend ku munden të gjejnë strehim të gjithë ata kriminelë të luftës dhe armiq të betuar të popullit shqiptar, që deri atëherë kishin mundur t’i shpëtonin shpatës së drejtësisë popullore për krimet dhe tradhtinë e lartë karshi atdheut dhe popullit shqiptar. Kriminelet Dan Kaloshi, Gani Bej Kryeziu, Cen Elezi, Tahir Hoxha etj. Amnistia e shpallur nga presidenti i Kuvendit Popullor të RP të Shqipërisë, u prit me kënaqësi nga të gjithë ata të arratisur që përfitojnë nga ajo. Por, propaganda jugosllave, duke aktivizuar të gjitha mjetet e saj, si dhe elementin më reaksionar në radhët e emigracionit shqiptar, është përpjekur dhe përpiqet që të errësojë karakterin dhe qëllimin e vërtetë të amnistisë. Për të mashtruar ata që dëshironin të ktheheshin në atdhe, propaganda jugosllave përhapi versionin se të gjithë ata që do të riatdhesohen do të dalin përpara organeve gjyqësore shqiptare për të dhënë llogari dhe do të pushkatohen ose do të përfundojnë nëpër burgje. Këtë gjë u përpoqën ta bëjnë edhe me qytetarin shqiptar Hasan Spata, i cili duke dashur të përfitonte nga amnistia erdhi në Jugosllavi me qëllim që nëpërmjet saj të riatdhesohej. Mirëpo, Qeveria jugosllave kur pa se përpjekjet e Qazim Lushës dhe Dushan Mugoshës nuk munden ta lëkundin vendosmërinë e Hasan Spatës u krye me qëllim jo vetëm për të fshehur gjurmët e punës armiqësore të organeve jugosllave të spiunazhit kundrejt qytetarëve të RP të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe për të mos lejuar që ai të riatdhesohej, gjë që do të influenconte shumë në radhët e emigracionit reaksionar shqiptar që ndodhet në Jugosllavi.
Por, me gjithë përpjekjet e mëdha të Qeverisë jugosllave për ta qetësuar e për ta mbajtur me shpresa emigracionin reaksionar shqiptar, faktet tregojnë se në radhët e tij sundon mosbesimi e pakënaqësia kundrejt qeveris së sotshme jugosllave dhe pendimi për krimet e fajet që kanë kryer e për qëndrimin që po mbajnë kundrejt RP të Shqipërisë. Shumë prej tyre kanë shfaqur dëshirën për t’u riatdhesuar e përfituar nga amnistia. Mirëpo, organet qeveritare jugosllave janë përpjekur me të gjitha mënyrat që ta pengojnë një të tillë. Përveç propagandës së hapur armiqësore kundër RP të Shqipërisë, këto organe kanë përdorur kërcënimin dhe marrjen e masave barbare e fashiste kundrejt atyre që shprehin dëshirën për t’u riatdhesuar deri në arrestimin, internimin dhe në pushkatimin e tyre. Përveç burgjeve, u krijuan edhe kampe përqendrimin për të arratisurit shqiptarë siç është ai i Gerovos, Brusit etj. Në këto kampe, kundrejt të interesuarve janë përdorur torturat nga më barbare, sa që njerëzit duke mos qenë në gjendje t’u rezistojnë, i kanë dhënë fund jetës në mënyrë tragjike. Kështu p.sh. i arratisuri Zef Nikolla nga katundi Iballje i rrethit të Pukës, duke qenë i internuar në kampin e Brusit, në fund të vitit 1958, u mbyt me një copë teli në qelin e burgut që ia kishin mbushur me ujë, për shkak se ishte nën torturat e përhershme. Ndërsa, i arratisuri Ali Rustem Kurpali, nga katundi Letaj i rrethit të Kukësit, më 1959, u çmend si rezultat i torturave të tmerrshme që i bëheshin në këtë kamp. Ata u detyruan ta çojnë më vonë në spitalin neuropsikiatrik të Nishit. Dhe ky qëndrim çnjerëzor e barbarë kundër këtyre e shumë të tjerëve si këta, është mbajtur dhe mbahet vetëm për faktin se nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen dëshirës së UDB-së për të pranuar në mënyrë shpifarake se “janë dërguar me mision nga Shqipëria”. Deklarata të tilla organeve qeveritare jugosllave duhen për të kurdisur gjyqe false kundër Jugosllavisë.
Por, është e qartë për të gjithë botën se Shqipëria nuk ka asnjë interes që të zhvillojë aktivitetet armiqësore kundër Jugosllavisë apo ndonjë shteti tjetër. Ajo ka ndjekur dhe ndjek një politikë paqësore dhe të fqinjësisë së mirë dhe me përpjekjet e saj të gjithanshme për zgjidhjen e problemeve që bën vetë, kërkon t’ia hedhë Qeverisë së RP të Shqipërisë. Për t’ia arritur këtij qëllimi, që nga viti 1959 e deri në maj 1961, në Jugosllavi janë kurdisur 18 procese gjyqësore kundër të ashtuquajturve “agjentë shqiptarë”. Në këto procese gjyqësore janë nxjerrë njerëz të përgatitur që më parë nga UDB-ja që në deponimet e tyre të pranonin se gjoja me të vërtetë janë dërguar me mision nga Shqipëria. Por, të dhënat mbi të arratisurit Hafiz Hoxha, Ali Mehaz Basha, Adem Bucaj (Gega), Imer Hajdari, Shaban Berisha etj., tregojnë se ata kanë qenë armiq të popullit shqiptar, elementë të degjeneruar, hajdutë vagabondë dhe prandaj janë arratisur edhe nga Shqipëria e kanë gjetur strehim në Jugosllavi, pikërisht me deponimet e elementeve të tillë qeveria jugosllave është përpjekur dhe përpiqet të ngrejë akuza shpifarake e të pathemelta kundra RP të Shqipërisë. Por, ndërsa me njerëz të tillë kurdisen gjyqe false, krerët e emigracionit reaksionar shqiptar si, Nik Sokoli, me shokë jo vetëm që janë lënë të lirë, por atyre u janë krijuar edhe kushte të favorshme për të ushtruar veprimtarinë e tyre shkencore duke u vënë në dispozicion bile edhe mjete transporti.
Qeveria jugosllave, pasi përgatiti që më parë me anën e organeve të saj të spiunazhit arratisjen e tradhtarit, Panajot Plaku, në vitin 1957 e pranoi atë të strehohet në territorin e Jugosllavisë dhe i dha mundësi që të vazhdojë më tej veprimtarinë e tij armiqësore kundër vendit tonë. Gjyqi që u zhvillua në Tiranë në muajin maj të këtij viti, kundër një grupi agjentësh në shërbim të zbulimit grek, jugosllav etj., që kanë kryer krime kundër shtetit, tregoi se Panajot Plaku, është agjent i vjetër i zbulimit jugosllav dhe, duke pasur poste të larta shtetërore ka mundur ta fshehë me dhelpëri veprimtarinë e tij prej armiku e tradhtari dhe të dëmtojë kështu sikurse Koçi Xoxe për përmbysjen e pushtetit tonë popullor dhe për shndërrimin e Shqipërisë në një republikë të shtatë të Jugosllavisë. Pas arratisjes, ai është përdorur si njeriu më i përshtatshëm për të koordinuar veprimet e spiunazhit jugosllav me atë grek e amerikan dhe me armiqtë e brendshëm të vendit tonë për organizimin e kryengritjes së armatosur. Për këtë qëllim, ai ka hyrë ilegalisht dy herë në territorin e RP të Shqipërisë dhe ka marrë kontakt me Tomë Sejkon e Tahir Demin, udhëheqës të organizatës tradhtare që ishte krijuar në vendin tonë e që u shpartallua përfundimisht (shih deponimet e Tomë Sejkos e Tahir Domit në gjyq). Por, ashtu sikurse edhe më parë, revizionistëve jugosllavë, monarkofashistëve grekë dhe imperialistëve amerikanë, u hasi sharra në gozhdë dhe dështuan me trup në planet e tyre skllavëruese kundër Shqipërisë.
Një kujdes të veçantë tregon Qeveria jugosllave edhe për emigracionin reaksionar shqiptar në vendet perëndimore. Qysh në vitin 1952, ajo ka tentuar që në bashkëpunim me spiunazhin amerikano-anglez dhe krerët reaksionarë shqiptarë në vendet perëndimore, të organizohej një komitet i përbashkët për bashkimin e gjithë emigracionit reaksionar shqiptar, duke përfshirë edhe atë që ndodhet në Jugosllavi. Kjo u vu re edhe në mbledhjen e Triestes, më 1953, ku jugosllavët propozuan që të krijohej një komitet i vetëm me qendër në Zvicër e të punonte aktivisht kundër RP të Shqipërisë. Aktivitetin në drejtim të emigracionit reaksionar shqiptar në vendet perëndimore e veçanërisht në Francë e Itali, Qeveria jugosllave e dendësoi sidomos në vitin 1958. Në bashkëpunim me amerikanët, ku përfaqësuesit jugosllavë në këto vende janë përpjekur që të zbusin divergjencat që ekzistojnë midis grupeve të ndryshme të emigracionit, duke u përpjekur kështu për të realizuar idenë e bashkimit.
Në bashkëpunim me vendet perëndimore dhe sipas marrëveshjeve me ta, Qeveria jugosllave zgjodhi dhe dërgoi në shtetet perëndimore 1 000 emigrantë nga radhët e emigracionit reaksionar shqiptar në Jugosllavi. Midis tyre, organet e UDB-së dërguan edhe agjentë informatorë të tyre me detyra të caktuara. Gjithashtu në Itali e Francë, janë dërguar edhe disa kuadro “specialistë” jugosllavë për çështjen e emigracionit. Në Romë p.sh. u dërgua si sekretar i parë i Ambasadës jugosllave në Tiranë, Svetoza Koçiq, i dëbuar nga vendi ynë si element i padëshirueshëm para se të shkonte në Romë, Svetozar Koçiq, dhe funksionarë të tjerë të Ambasadës jugosllave në Romë, kanë krijuar lidhje të gjëra me krerët reaksionarë shqiptarë, për të kurdisur me ta komplote e plane armiqësor kundër RP të Shqipërisë, kurse në Francë në këtë drejtim punon konsulli jugosllav në Paris, Milutinoviq. Me nxitjen e tij të drejtpërdrejtë, shpeshherë në Legatën tonë në Paris, janë paraqitur agjentë provokatorë, (të cilët kanë tentuar të mashtrojnë Legatën tonë). Kuadro të zbulimit jugosllav kanë shkuar dhe kanë marrë kontakt me krerët reaksionarë shqiptarë Muharrem Bajraktari e Fiqiri Dinë edhe në Belgjikë.
Në kuadrin e bashkëpunimit me amerikanët, autoritetet jugosllave kanë lejuar përfaqësuesit amerikanë që të vizitojnë kampet e të arratisurve se do t’u jepeshin veshmbathje dhe ju regjistroi emrat e të gjithëve për t’iu dërguar vizat e kalimit për në Perëndim. Në muajin mars 1960, po këtë kamp e vizitoi Lingti, komisar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për emigracionin. Ai bisedoi me të arratisurit shqiptarë dhe u premtoi se do t’u jepen viza për të kaluar nga Jugosllavia në SHBA. Në fillim të vitit 1960, brenda një periudhe prej një muaj e gjysmë, nga kampi i Gerovos, i cili është bërë qendra e grumbullimit të të arratisurve shqiptarë për t’i përgatitur dhe për t’i kaluar në shtete perëndimore, janë nxjerrë 60 vetë dhe që të gjithë u dërguan në Itali. Kështu pra, Qeveria jugosllave e ka konsideruar dhe e konsideron emigracionin reaksionar shqiptar si pikën mbështetëse kryesore të saj në veprimtarinë armiqësore kundër RP të Shqipërisë. Ajo, jo vetëm që ka rekrutuar agjentë e ka organizuar një numër të madh bandash diversioniste, por u ka dhënë mundësi edhe zbulimeve të shteteve kapitaliste që nga radhët e emigracionit reaksionar shqiptar në Jugosllavi, të zgjedhin e të rekrutojnë agjentë në shërbim të tyre.
Qeveria jugosllave, për qëllimet e saj antishqiptare dhe luftënxitëse, ka zhvilluar kundër Republikës Popullore të Shqipërisë një aktivitet intensiv sabotazhi, diversion dhe terrorizmi të kryer me anën e agjentëve të saj të rekrutuar nga ana e Legatës jugosllave në Tiranë dhe nga agjentët e diversantët të dërguar në Shqipëri me anën e organeve të spiunazhit jugosllav. Kjo veprimtari është faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme nga proceset e zhvilluara në RP të Shqipërisë, kundër grupeve të spiunazhit jugosllav. Kështu p.sh., procesi i zhvilluar në Tiranë, prej 21 deri më 27 maj 1949, dhe ai në qytetin e Durrësit, prej 10 deri më 22 qershor 1950, kundër agjentëve dhe sabotatorëve të kryesuar nga agjenti, Selman Rusi, procesi i zhvilluar në Tiranë në muajin tetor 1951, “kundër agjentëve e spiunëve në shërbim të qeverive imperialiste dhe satelitëve të tyre, si dhe gjyqi i fundit që u zhvillua në Tiranë prej 15 deri 27 maj 1961, duke mos përmendur këtu edhe shumë procese të tjera gjyqësore të zhvilluara me parë, kanë vërtetuar aktivitetin armiqësor të Qeverisë jugosllave dhe të organeve të saj, që konsiston në grumbullimin, organizimin dhe hedhjen e agjentëve dhe spiunëve për të kryer akt terrorizmi dhe sabotazhi kundër popullit shqiptar dhe Republikës Popullore të Shqipërisë.
Që nga viti 1948 e deri në qershor të vitit 1960, janë zbuluar dhe gjykuar 270 spiunë në shërbim të spiunazhit jugosllav (agjentët e zbuluar sipas viteve) (shih pasqyrën ankesë nr. 2). Po ashtu, që nga viti 1948 deri në fund të vitit 1960, nëpërmjet kufirit shqiptaro-jugosllav, kanë hyrë në territorin e RP të Shqipërisë, 327 banda të armatosura gjithsej me 1 349 diversantë si dhe 33 individë të shkëputur. Këto banda kanë qenë të organizuara dhe të drejtuara nga organet e spiunazhit jugosllav.
Proceset gjyqësore të zhvilluara në vendin tonë, kanë vërtetuar se si agjentët ashtu edhe bandat diversioniste kanë ardhur me detyra të caktuara për të grumbulluar informata me karakter politik, ushtarak dhe ekonomik, për të kryer akte terroriste e sabotazhi si dhe për të zhvilluar propagandë armiqësore kundër vendit tonë. Për të konkretizuar veprimtarinë armiqësore të Qeverisë jugosllave kundër vendit tonë. Këtu më poshtë po sjellim disa shembuj konkretë: organizimi i komploteve kundër partisë dhe shtetit tonë, ka qenë dhe mbetet qëllimi kryesor i Qeverisë jugosllave dhe i organeve të saj të spiunazhi. Proceset e zhvilluara kundër Koçi Xoxës, Hysen Sejdinit etj., treguan më së miri dhe në mënyrë të pamohueshme se qysh në fillim të veprimtarisë së saj armiqësore kundër RP të Shqipërisë, Qeveria jugosllave ka synuar t’i nënshtrohej interesave të saj partinë dhe vendin tonë, (duke shndërruar Shqipërinë në një republikë të shtatë të Jugosllavisë). Pas dështimit të plotë të përpjekjeve të para, janë bërë përsëri të tilla tentative. Këtë e ka vërtetuar procesi i zhvilluar kundër Muharrem Jazexhiut, i cili pasi u rekrutua në qendrën e UDB-së në Ohër, u dërgua në Shqipëri me detyrë që të organizonte grupe për rrëzimin e pushtetit popullor. Gjyqi kundër Dali Ndreut, Liri Gegës, Petro Bullatit, Dhora Lekës, deponimet e Tuk Jakovës, Bedri Spahiut etj., vërtetojnë se Qeveria jugosllave dhe organet e saj nuk kanë hequr kurrë dorë nga organizimi i komploteve. Këtë veprimtari ajo e ka zhvilluar para, gjatë periudhës së normalizimit të marrëdhënieve dhe pas, e deri më sot. (Gjyqi i fundit që u zhvillua në Tiranë në muajin maj të këtij viti, tregoi se për t’ia arritur këtij qëllimi, Qeveria jugosllave bashkëpunon edhe me qeveritë dhe organet e spiunazhit të vendeve kapitalist.
Një drejtim tjetër i veprimtarisë së organeve të spiunazhit jugosllav kundër vendit tonë, është kryerja e akteve të sabotazhit në ekonomi. Proceset e zhvilluara kundër agjentëve jugosllavë që vepronin në hekurudhë, si: Feti Dvorani, Vera Kokalari, Xheladin Begolli etj., treguan se pa u prishur akoma marrëdhëniet midis të dy vendeve tona, gjatë viteve 1947-1948, jugosllavët filluan të sabotojnë në ndërtimin e hekurudhës. Agjentët që kishin vepruar në këtë drejtim, kanë marrë shpërblime të mëdha në të holla nga organet e spiunazhit jugosllav.
Pas prishjes së marrëdhënieve shumë agjentë e diversantë, janë dërguar në vendin tonë me detyra të caktuara për të sabotuar në sektorë të ndryshme të ekonomisë sonë popullore. Në vitin 1950, agjentët Tom Llaçi e Sotir Rusto, të rekrutuar më 1948, kur ishin në një kurs për teknikë sharrash në Jugosllavi, dogjën stabilimentin e sharrave të Kryeziut në rrethin e Pukës dhe për këtë u shpërblyen nga jugosllavët me 50 mijë lekë (shih deponimet e Tom Llaçit, dok nr. 10).
Organizimi i akteve terroriste është gjithashtu një nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së Qeverisë jugosllave dhe organeve të saj të spiunazhit. Për këtë qëllim janë dërguar shumë banda të armatosura diversantësh, të cilët në disa raste kanë mundur edhe të veprojnë. Kështu p.sh. në tetor 1949, një grup diversantësh të armatosur dhe të porositur posaçërisht nga kapiteni i UDB-së, Vllado Popoviq, u futen fshehurazi në tokën shqiptare, vranë kryetarin e lokalitetit të kalas së Dodës, rrethi i Kukësit, Sabri Poden. Duke u larguar grabiten familjen e Bahtjar Dautit nga katundi Buzë Math dhe atë të Zylfi Maliqit nga katundi Ujmisht i rrethit të Kukësit. Banda të tjera diversantësh kanë vrarë: më 14 korrik 1950, sekretarin e katundit Vukel-Ded Markun; më 19 korrik 1950, nëntogerin e Ushtrisë Popullore, Malo Babaj; më 14 gusht 1950, policin Man Kazanin etj.
Gjatë fushatës së zgjedhjeve të Kuvendit Popullor, më 1950, bandat diversioniste të ardhura nga Jugosllavia kanë djegur shkollën e katundit Morinë në rrethin e Kukësit dhe atë të katundit Myhejan në rrethin e Tropojës, të cilat ishin caktuar si qendra të votimit. Për të sabotuar punimet në ndërtimin e rrugës “Shemri Kolgecaj” dhe për të shtrirë panik në punëtorët e kantierit, më 7 korrik 1951, një bandë tjetër diversantësh vrau nënkomandantin e brigadës, Prel Qerimin. Në deponimet e tij paragjykues, kryebanditi Zaim Banushi, tregoi se udhëzimet për kryerjen e këtyre akteve terroriste në territorin e RP i japin oficerët e UDB-së. Midis të tjerash ai tha se “Kapiteni i UDB-së, Vllado Popoviqi, i kishte ngarkuar si detyrë që të vriste ndonjë nga funksionarët e partisë dhe njerëz të sigurimit, si dhe të rrëmbente ndonjë anëtar partie”.
Në detyrat që spiunazhi jugosllav i ka ngarkuar agjenturës së tij në drejtim të RP të Shqipërisë, një vend të rëndësishëm zë propaganda armiqësore, plot shpifje e provokime, propagandë kjo që shtrembëron kryekëput realitetin mbi RP të Shqipërisë. Me mijëra broshura, fletushka e trakte në gjuhën shqipe, të shtypura në tokën jugosllave, janë hedhur dhe vazhdojnë të hidhen në territorin e RP të Shqipërisë me anën e bandave diversioniste si dhe me anën e aviacionit. Kështu p.sh. më 4 prill 1949, duke ardhur nga Jugosllavia, kanë kaluar kufirin shqiptaro-jugosllav dy të arratisur shqiptarë, Prenk Doda dhe Hazis Cara. Të dy të përmendurit më datën 6 prill 1949, arritën në qytetin e Shkodrës dhe filluan të shpërndajnë material propagandistik jugosllav kundër RP të Shqipërisë. Ata u kapën në flagrancë në veprën e tyre dhe iu zu materiali që vijon: “Mbi nacionalizimin e internacionalizimin”, “Edhe një herë mbi akuzat e padrejta e të pathemelta” etj. Gjithashtu, më datën 7 prill 1949, pikërisht në kohën kur po mbusheshin 10 vjet nga dita famëkeqe e okupacionit fashist italian në Shqipëri, në sektorin e Bllatës, midis piramidave 13-14, janë hedhur brenda tokës shqiptare 55 copë broshura me lëndë propagandistike jugosllave kundër RP të Shqipërisë. Më datën 4 prill, është shpërndarë fshehurazi edhe nëpër katundet e rrethit të Kukësit, po i njëjti material.
Më datën 4 korrik 1949, një patrullë kufitare jugosllave, doli në piramidën nr.23 në sektorin e Dukagjinit dhe, pasi qëlloi me armë në drejtim të tokës sonë, u fut 40-50 metra brenda territorit shqiptar dhe shpërndau material propagandistik. Më 27 gusht 1949, një grup i përbërë prej 6 vetash u fut në thellësinë e tokës shqiptare në piramidën nr. 6, të sektorit kufitar të Tropojës, me qëllim që të shpërndajë materialet që mbanin me vete. Të shumta janë gjithashtu rastet e hedhjes së materialeve të këtij karakteri me anë të avionëve.
Për zhvillimin e propagandës armiqësore, Qeveria jugosllave ka shfrytëzuar gjithashtu edhe agjenturën e rekrutuar në vend si dhe agjenturën e dërguar nga Jugosllavia në rrugë legale e ilegale. Kështu p.sh. nga radhët e emigracionit politik jugosllav, deri në vitin 1960, janë zbuluar 7 agjentë, që kanë zhvilluar veprimtari armiqësore në dëm të RP të Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe agjitacionin verbal, për të krijuar pakënaqësi në popull kundër pushtetit popullor, për të propaganduar gjendjen gjoja shumë të mirë të Jugosllavisë. Po kështu nga radhët e të riatdhesuarve janë demaskuar 8 agjentë të tillë, si: Sali Mançuni, Lutfi Ambari, Petro Kavaja, Serafin Mazreku, Zenel Pajoshi, Ibrahim Aliaj etj. Organet e spiunazhit jugosllav nuk lanë pa shfrytëzuar, gjithashtu për qëllim propagandistike, edhe periudhën e normalizimit të marrëdhënieve, kur filluan të shkëmbehen vizitorët midis vendeve tona. Gjatë kësaj periudhe, ndërmjet 152 vetëve që erdhën nga Jugosllavia si vizitorë në Shqipëri, u dërguan edhe agjentë të UDB-së, si: Matë Markoviq, Ruzhdi Selamni, Nush Kërlliu etj. Këta agjentë përveç kontakteve me njerëz të pakënaqur e të lëkundshëm, zhvilluan atëherë një propagandë të hapur armiqësore në dëm të RP të Shqipërisë, duke propaganduar mbi “jetesën e mirë në Jugosllavi”, mbi “gjendjen e keqe në Shqipëri” dhe kanë nxitur shtetasit tanë për t’u arratisur.
I quajturi Rrok Muri nga Shkodra, i cili u arrestua për veprimtari armiqësore, në deponimet e tij ka thënë se përgatitjet për t’u arratisur në Jugosllavi, i nxitur nga motra e tij që kishte ardhur si vizitore nga Jugosllavia. Edhe delegacionet e ndryshme jugosllave që kanë ardhur në vendin tonë, si delegacione tregtare, komisioni i ujërave, ai i kufirit etj., nuk e kanë lënë pa shfrytëzuar rastin për të zhvilluar veprimtarinë e tillë propagandistike (shih dok. nr. 5-16). Si rezultat i gjithë kësaj veprimtarie dhe i bandave të armatosura, është organizuar ose kryer me forcë arratisja e mjaft qytetarëve, është organizuar ose kryer me forcë arratisja e mjaftë qytetarëve të Shqipërisë. Vetëm gjatë periudhës 1955-1960, bandat diversioniste të dërguara apostafat nga Jugosllavia, me gjithsej 46 pjesëtarë.
Të gjithë këtë veprimtari agjenturale, diversioniste dhe subversive, kundër RP të Shqipërisë, e drejton Drejtoria e Zbulimit pranë Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, me drejtor gjeneralmajor, Milic Maks Baç. Në kuadrin e kësaj drejtorie ka një degë speciale që merret drejtpërsëdrejti me organizimin dhe drejtimin e veprimtarisë armiqësore kundër Shqipërisë. Kryetar i kësaj dege është koloneli Çedomir Mijoviq dhe zëvendësi i tij nënkoloneli Millan Dumpviq. Në këtë degë, punojnë shumë kuadro të zbulimit jugosllav, si majorët Shkerbiq e Bullatoviq, oficerët Llazoviq, Dragan Durakoviq, Dimitri Kollkoviq etj.
Nga dega e zbulimit kundër Shqipërisë varen tre qendra zbulimi, të cilat janë të vendosura në Titogradë, Prishtinë dhe Shkup. Shefi i qendrës së spiunazhit në Titogradë është Vito Timoviq, i asaj në Prishtinë nënkoloneli Pero Cukiq, kurse në Shkup është majori Niko Rodoshi. Secila nga qendrat e spiunazhit në drejtim të Shqipërisë ka edhe nënqendrat e saj në këtë mënyrë: qendra e Titogradit i ka nënqendrat në Tuz, Ulqin, Tivar dhe Guci; ajo e Prishtinës në Gjakovë, Prishtinë dhe Pejë; kurse qendra e Shkupit, nënqendrat e saj i ka në Dibër dhe Strugë (Prizren dhe Pejë). Siç shihet pra, të gjitha qendrat e nënqendrat e spiunazhit jugosllavë janë të vendosura në afërsi të kufirit shqiptaro-jugosllav dhe zhvillojnë një aktivitet të madh e të organizuar kundër RP të Shqipërisë. Tani në drejtim të vendit tonë punojnë rreth 100 kuadro të zbulimit jugosllav. Dihet se në bazë të rregullave të njohura ndërkombëtare dhe të pranuara nga gjithë shtetet, përfaqësuesit diplomatikë të një shteti të akredituar në një shtet tjetër, gëzojnë një sërë të drejtash të veçanta, të cilat u lejojnë atyre të ushtrojnë normalisht funksionet e tyre si përfaqësues diplomatikë. Por, njëkohësisht ata kanë edhe një sërë detyrimesh që duhet t’i respektojnë me dinjitet. Në këto norma përfshihen në radhë të parë, mosndërhyrja në punët e brendshme, nga ana e diplomatit, në vendin e akredituar, mos marrja pjesë në asnjë veprimtari që drejtohet kundër qeverisë ose personaliteteve të diplomatit dhe të mikpritjes që i është rezervuar nga vendi ku ndodhet. Por, diplomatët jugosllavë, prej ditës së parë që kanë shkelur në vendin tonë e deri tani, jo vetëm që nuk i kanë respektuar aspak këto norma të caktuara, por edhe i kanë shkelur në mënyrë më flagrante, arbitrare e të pashembullt. Nën petkun e diplomatit ata kanë zhvilluar hapur një veprimtari të theksuar armiqësore kundër Partisë së Punës së Shqipërisë dhe shtetit shqiptar. Përfaqësia diplomatike jugosllave në Tiranë u transformua në një qendër të rëndësishme spiunazhi.
Që në fillim dhe vazhdimisht e deri në kohët e fundit, Qeveria jugosllave, nën maskën e diplomatit ka dërguar në përfaqësinë diplomatike në Tiranë kuadro të zbulimit. Të tillë kanë qenë p.sh. ish-ministrat: Josif Djerda, Predrag Ajtiq dhe Asro Milutinoviq; ish-sekretarët e parë: Drago Fliks, Rexhep Xhija; ish-këshilltari i parë Svetozar Koçiq; ish-atashehu i shtypit Janko Avliçek; ish-atashetë e Legatës, Drago Kosmerlja e Murat Agoviq, Savo Bozhidaroviq, i cili në fillim ka qenë nëndrejtor i shoqërisë shqiptaro-jugosllave për ndërtimin dh shfrytëzimin e hekurudhave, pastaj kaloi në komisionin e koordinimit dhe më në fund ish-funksionar i Legatës, ish-këshilltar i Legatës etj. Këta kanë zhvilluar një veprimtari të gjerë armiqësore në dëm të vendit tonë, duke shfrytëzuar të gjitha mundësit që u kishte dhënë posti diplomatik. Kanë vendosur kontakte me agjenturën e vjetër në shërbim të spiunazhit jugosllav dhe kanë rekrutuar agjentë të rinj.
Proceset e zhvilluara kundër spiunëve jugosllavë, kanë treguar se funksionarët e Legatës jugosllave në Tiranë, duke kryer detyrat si kuadro të zbulimit, punën për rekrutimin e agjenturës e kanë drejtuar në elementin e pakënaqur e antiparti, si: Nuri Huta, Niko Opari, Liri Gega, Dali Ndreu, Zija Dibra, Dhora Leka, Petro Bullati etj., në elemente të pavendosura e të lëkundëm që kishin hyrë kontrabandë në parti si, Gjylsime Preza, në njerëz të degjeneruar, hajdutë e vagabondë si Pipi Marinari e Dalina Bejleri, janë përpjekur të rekrutojnë dhe të vënë në shërbim të tyre nënshtetas jugosllavë që janë paraqitur në Legate për t’iu zgjidhur ndonjë problem, siç është rasti i Mehmet Lengut etj. Nëpërmjet kësaj agjenture “diplomatët” jugosllavë, janë interesuar të grumbullojnë informata me karakter politik, ushtarak dhe ekonomik dhe të kryejnë komplote, akte sabotazhi e diversioni dhe terror. Për popullin shqiptar është i njohur fakti që grupin e Hysen Sejdinit, spiun e armik i tërbuar, e kishte organizuar Savo Bozhidaroviqi. Këtij grupi ai i kishte ngarkuar detyra që të përgatiste arratisjen e tradhtarit, Koçi Xoxe, dhe njëkohësisht të nxiste dhe shtetin tonë, duke kryer akte terroriste kundër udhëheqjes së Partisë e të shtetit. Sabotimet në ndërtimin e hekurudhës dhe në objekte të tjera të ekonomisë së RP të Shqipërisë, komploti që ishte kurdisur për Konferencën e Tiranës, por që në saje të vigjilencës së Partisë sonë dështoi fund e krye dhe vepra të tjera të këtij lloji, kanë qenë drejtuar gjithashtu nga zyrat e përfaqësisë diplomatike jugosllave në Tiranë.
Përveç veprimtarisë me anën e agjenturës, funksionarët e Legatës jugosllave në Tiranë, kanë vepruar edhe vetë në mënyrë direkte. Kështu, p.sh. më datën 9 shkurt 1957, në orën 12:05, Arso Milatoviçi, bashkë me funksionarë të tjerë të Legatës, si Radivoi Geniç, shkoi pa leje në zonën e ndaluar të Beratit dhe të qytetit Stalin dhe fotografoi aty aeroportin ushtarak dhe objekte të tjera. Më vonë, po ky person gjatë një shëtitje që bëri në zonën e Ujit të ftohtë në Vlorë, kërkoi nga shtetasit shqiptarë informata ushtarake mbi ishullin e Sazanit dhe Karaburunin. Gjatë këtyre udhëtimeve ka marrë në makinën e tij qytetarë shqiptarë, dhe pasi ka tentuar të marrë nga ata informata sekrete, ju ka bërë propagandë kundër pushtetit dhe udhëheqësve të vendit tonë.
Më datën 8 dhjetor 1957, funksionarë të Legatës jugosllave kanë shkuar në Shëngjin dhe janë interesuar të dinë se ku janë kufijtë e zonës ushtarake, sa punëtorë ka porti i Shëngjinit, çfarë transporti bëhet, nëse ka rrugë bregdeti nga mund të kalohet etj. Mbas një ore, në të dalur të Shëngjinit kanë zbritur nga makinat dhe kanë drejtuar dylbitë në drejtim të kazermave ushtarake.
Më datën 13 shkurt 1957, Arso Milatoviqi shkoi në katundin Vrake të Shkodrës. Duke biseduar me fshatarët u ka thënë se populli i Vrakës është populli ynë, jugosllavë dhe prandaj duhet të punoni për Jugosllavinë. Por, ata në formë proteste për këtë provokim që ai e bëri, i thanë se ne jemi shqiptarë dhe i treguan se s’kanë të bëjnë me njerëz të tillë provokatorë si ai. Një gjë të tillë ai e kishte bërë më parë edhe me fshatarët e Omarajt, më 20 janar, të cilët në muhabet e sipër i pyet në mënyrë provokuese, nëse kishin hyrë në kooperativën bujqësore me zor. Pastaj u ka thënë se në Jugosllavi kooperativat bujqësore janë prishur për shkak se nuk kanë leverdi, duke bërë kështu propaganda armiqësore kundër sistemit socialist kooperativist në bujqësi. Përveç sa më sipër, Arso Milatoviqi dhe diplomatë të tjerë jugosllavë janë sjellë në mënyrë arrogante e mospërfillëse karshi rregullave dhe ligjeve që ekzistojnë në RP të Shqipërisë. Kanë shkelur rregullat e qarkullimit në qytet dhe shumëherë kanë rrezikuar jetën qytetarëve. Në kundërshtim me ligjet e rregullat doganore kanë sjellë nga Jugosllavia sende të ndryshme.
Siç shihet, veprime të tilla që s’kanë të bëjnë dhe nuk pajtohen aspak me funksionet e një diplomati të vërtetë, tregojnë se funksionarët e Legatës jugosllave, duke shkelur çdo ligj e rregull ndërkombëtare të diplomacisë, kanë ndërhy shumë thellë në punët e brendshme të RP të Shqipërisë. Qeveria jonë ka protestuar energjikisht pranë përfaqësisë diplomatike jugosllave në Tiranë dhe pranë Qeverisë jugosllave. Por, në vend që të merreshin masa e të ndërpritej kjo veprimtari arbitrare, është vazhduar edhe më tej. Duke parë se kjo gjendje është bërë e padurueshme, Qeveria e RP e Shqipërisë është detyruar që të marrë edhe masa duke përjashtuar si njerëz të padëshirueshëm e që paraqesin rrezikshmëri për vendin tonë, një numër diplomatësh jugosllavë. Të tillë kanë qenë Savo Bozhidaroviqi që është përzënë në vitin 1950, Janko Havliçek dëbuar më 1950, Svetozar Koçiq dëbuar më 1956, Rexhep Xhija dëbuar më 1956, Kosta Filipoviq dhe më vonë, Murat Agoviq dëbuar më 1961.
Për të realizuar qëllimet e saj djallëzore kundër RP të Shqipërisë, Qeveria jugosllave dhe organet e spiunazhit të saj kanë bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e SHBA-së, Anglisë, Italisë dhe Greqisë dhe me agjenturat e këtyre qeverive. Veçanërisht qeveria jugosllave ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me qeverinë greke, si bashkaleat që ka në kuadrin dhe izolimin e RP të Shqipërisë, për të realizuar kështu më lehtë qëllimet e tyre agresive kundër vendit tonë. Përveç fakteve që janë sjellë më lart, ky bashkëpunim vërtetohet edhe nga sa më poshtë: në gushtin e vitit 1949, përderisa forcat e armatosura tokësore dhe ajrore të Qeverisë së Athinës sulmuan kufijtë jugorë të Shqipërisë, forcat e armatosura të Qeverisë jugosllave provokonin dhe zhvillonin lëvizje trupash në sektorë të tjerë të kufijve të RP të Shqipërisë.
Qeveria jugosllave e ka shndërruar territorin e vendit të saj, veçanërisht në afërsi të kufirit shqiptaro-jugosllav, në një bazë të lirë e të sigurt të agjenturave të qeverive të përmendura më lart për veprimtari armiqësore kundër popullit shqiptar dhe RP të Shqipërisë. Provat për këtë janë të shumta e të pakundërshtueshme dhe të vërtetuara nga të gjitha proceset kundër spiunëve dhe diversantëve, që janë zhvilluar qysh prej çlirimit e këndej në vendin tonë. Kështu, p.sh. i pandehuri Et’hem Çako, kriminel lufte i popullit shqiptar dhe spiun e agjent në shërbim të Qeverisë së SHBA-së dhe Italisë, deklaroi përpara Gjykatës së Lartë Ushtarake në Tiranë, se: “… Në rast se do të dështonin në veprën tonë tradhtare, do të gjenim si rrugë shpëtimi kalimin në tokën jugosllave ose greke, ku duke iu përmbajtur udhëzimeve dhe parullave të dhëna nga instruktorët e kurseve në Itali, do të gjenim me siguri përkrahjen nga organet e spiunazhit jugosllav dhe grek”.
I pandehuri Muhamet Zeqir Hoxha, kriminel i popullit shqiptar dhe spiun e agjent në shërbim të spiunazhit amerikan dhe të Anglisë, deklaroi përpara organeve gjyqësore të Republikës Popullore të Shqipërisë se: “…Ndërsa ishim duke kryer kursin e spiunazhit në Gjermani në shërbim të spiunazhit të Qeverisë së SHBA-së, merrnim letra nga Jugosllavia prej Rexhep Berishës, i cili ishte hedhur në Shqipëri me parashutë bashkë me Selim Rrustem Dacin dhe Iliaz Zia Toptanin. Ky na shkruante se në Shqipëri, pasi ishim ndjekur këmba-këmbës nga populli, u detyruam të hynim në Jugosllavi, ku u pritëm me përzemërsi nga qeveritarët e Jugosllavisë”. Kriminelët dhe armiqtë e popullit shqiptar Nikollë Mlyshi dhe Ndue Pjetër Gjon Marku, spiunë e agjentë të përanditur në Itali nga ana e spiunazhit të Qeverisë italiane dhe të hedhur në tokën shqiptare me parashutë në fillim të vitit 1949, të cilët organizuan, kryen, personalisht vrasjen e deputetit të popullit për rrethin e Mirditës, shokun Bardhok Biba, kanë kaluar nga Shqipëria në Jugosllavi, nga ku Ndue Pjetër Gjon Marku është kthyer në Itali. Agjenti i zbulimit italian, Llukman Lutfi, ka deponuar se ishte udhëzuar nga qendra e tij në Itali, që të merrte lidhje me UDB-në, sidomos në rast rreziku. Po ashtu, agjenti i spiunazhit italian, Pal Biba, i ndjekur këmba-këmbës nga populli ynë, mundi të gjejë strehim e të shpëtojë lëkurën në tokën jugosllave.
Një argument i ri për kryqëzimin e agjenturave të spiunazhit jugosllav me spiunazhet e vendeve kapitaliste, ishte gjyqi i fundit që u zhvillua në Tiranë në muajin maj të këtij viti (shih deponimet e Tomë Sejkos e Tahir Demirit). Provokacionet e armatosura dhe incidentet e ndryshme në kufi, dhunimi i hapësirës ajrore dhe shkelja e ujërave territoriale të RP të Shqipërisë, janë një tjetër formë në arsenalin e përgjithshëm të politikës dhe veprimtarisë armiqësore të Qeverisë jugosllavë kundër RP të Shqipërisë. Që nga gushti i vitit 1948 e këndej, nga organet kufitare jugosllave, aviacioni dhe marina janë bërë gjithsej 582 provokacione, nga të cilat 312 tokësore, 240 ajrore dhe 30 detare. Qeveria e RP të Shqipërisë, që në fillim ka protestuar energjikisht pranë Qeverisë jugosllave për këto provokacione armiqësore e që vënë në rrezik integritetin e RP të Shqipërisë. Me anën e një varg notash proteste, ajo ka kërkuara që t’i jepet fund një veprimtarie të tillë që nuk pajtohet me parimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe me asnjë ligj e rregull ndërkombëtare. Qeveria jugosllave jo vetëm që nuk i ka marrë parasysh këto nota, por në të kundërtën ajo ka ardhur duke e dendësuar veprimtarinë e saj provokuese dhe në këtë mënyrë është rrezikuar jeta, jo vetëm e shumë kufitarëve shqiptarë, por edhe e qytetarëve civilë. Organet kufitare jugosllave, duke organizuar prita brenda territorit të RP të Shqipërisë dhe sulme të befasishme kundër kufitarëve shqiptarë, kanë vrarë dhe plagosur 21 kufitarë dhe kanë grabitur 5 të tjerë, duke i marrë me forcë në territorin jugosllav.
Qeveria e RP të Shqipërisë, për këto akte barbare të kryera nga organet qeveritare jugosllave, si anëtarë të rregullt të saj, ka vënë në dijeni edhe organet kompetente të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me qëllim që të intervenohej pranë Qeverisë jugosllave e t’i jepej fund kësaj veprimtarie banditeske. Për gjithë veprimtarinë armiqësore kundër RP të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, Qeveria jugosllave mban një përgjegjësi të rëndë.