Arkiv / Ripublikim

Disa dokumente të arkivave shqiptare për pjesën e pushtuar të Shqipërisë (Kosova me vise) nga Jugosllavia (14)

   Redaksia e gazetës LËVIZJA do t’i botojë në vazhdime një pjesë të mijëra dokumenteve të gjetura, pas një pune hulumtuese shkencore, në arkivat e shtetit tonë AMË nga studiuesi i zellshëm Prof. Dr. Sabit Syla. Nga këto dokumenta lexuesit tanë mund të njihen më mirë me interesimin, përkushtimin dhe angazhimin e shtetit tonë, që udhëhiqej nga Enver Hoxha, për përmirësimin e pozitës së popullit të pushtuar shqiptar nga Jugosllavia dhe për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Iliri (Ballkan). Shteti shqiptar dhe personalisht Enver Hoxha interesohej për të gjitha shqetësimet dhe kërkesat që kishte pjesa e pushtuar e Shqipërisë dhe e popullit të saj, që vuante persekutimin, terrorin, burgimet, torturat, vrasjet dhe shpërnguljet (dëbimet) e pushtuesit jugosllavo komunist të Tito – Rankoviçit…

   Në arkivat e shtetit tonë AMË është një mal me shkresa e dokumente që presin mendjen, vullnetin dhe dorën e studiuesve tanë për t’i hulumtuar, analizuar e publikuar. Studimi, analizimi, interpretimi dhe botimi i dokumenteve arkivore është shkencë më vete… Një pjesë të vogël të këtyre dokumenteve kemi patur rastin t’i shohim edhe ne në arkivin e Ministrisë së Jashtme (kryesisht të viteve 1981, 1982, 1983).

   Shteti ynë ishte shpresa dhe përkrahja e vetme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Shqipërinë e pushtuar në periudhën e viteve 1945 – 1990. Askush në botë nuk çante kokën në atë periudhë pse dy të tretat e një vendi e të një kombi ishin të pushtuara dhe grabitura nga fqinjët shovinistë, që kishin krijuar shtetet e tyre kryesisht në tokat e Shqipërisë! Falë shtetit të Enver Hoxhës dhe mbështetjes së tij të pa rezervë Lëvizja jonë Kombëtare e Çlirimtare ia doli të unifikohejë, të organizohejë dhe të konsolidohejë deri në atë shkallë sa të merrte përsipër organizimin e Luftës Antipushtuese Çlirimtare, duke krijuar UÇK – në. Përkrahja e shtetit tonë dhe e pjesës së lirë të popullit tonë ishte vendimtare edhe pas vitit 1990 dhe, sidomos, gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK – së, që pati për rezultat çlirimin e Kosovës (pa vise) dhe përmirësimin e pozitës së popullit shqiptar në Maqedoninë tonë dhe në trojet tjera shqiptare… Roli i shtetit tonë AMË, Republikës së Shqipërisë, mbetet edhe më tej vendimtar për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare dhe për (ri)bashkimin e Shqipërisë në një shtet dhe me një Flamur kuqezi… (GL)

Prof. dr. Sabit Syla 

DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Një interes të veçantë për opinionin publik shqiptar paraqet qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës. Hapja e arkivave shqiptare, ka sjellë një bollëk dokumentesh, një pjesë e mirë të panjohura më parë. Dokumentet e viteve ’50 dhe ’60 të shek. XX që po i ofrojmë lexuesit, pasqyrojnë në mënyrë të plotë dinamikën e qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, gjatë viteve në fjalë. Shteti shqiptar ka ndjekur në vazhdimësi politikën jugosllave në të gjitha drejtimet e saj karshi shqiptarëve e gjendjen e këtyre të fundit në të gjitha aspektet e zhvillimeve ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike. Këto dokumente janë përzgjedhur nga mijëra dokumente të hulumtuara në Arkivin e Ministrisë për Evropën dhe Punë të Jashtme dhe dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve 2008 – 2023. Për të ruajtur origjinalitetin e dokumenteve nuk kemi ndërhyrë.

 

                                                                                -42-

Mbi ligjin e ri kushtetues të Kosovës

              Më 24 shkurt të këtij viti, në një mbledhje të pesë dhomave të Kuvendit Krahinor të Kosovës, nën kryesinë e Fadil Hoxhës, u aprovua Kushtetuta e re dhe e parë e Krahinës së Kosovës. Deri në këtë kohë, Kosova ka pasur një statut i cili ishte përgatitur në bazë të kushtetutës së Serbisë, në të cilën bënë pjesë Kosova si Krahinë Autonome. Kushtetuta e Kosovës u përgatit, u diskutua dhe u aprovua në disa rrethana të veçanta të gjendjes së brendshme dhe të jashtme të Jugosllavisë dhe të Kosovës në veçanti.

Në Plenumin e Brionit të LKJ-së, në vitin 1966, ra hegjemonia serbomadhe e Rankoviqit, pozitat e Serbisë u lëkunden shumë, u ndryshua raporti i forcave brenda vendit, të gjithë popujt dhe kombësitë e Jugosllavisë, ndërmjet tyre edhe popullsia shqiptare në Jugosllavi e cila në mënyrë të egër është shtypur dhe shfrytëzuar nga regjimi titist e kryesisht nga Republika serbe, u ngritën dhe secili kërkonte të përfitonte nga kjo situatë, për të përmirësuar pozitën e vet si politiko-shoqërore, ashtu edhe ekonomike. Titoja dhe përkrahësit e tij ishin të interesuar për të organizuar nga kombësi të tjera një front antiserb, sepse kjo i lehtësonte luftën për eliminimin e grupit të Rankoviqit. Popullariteti i madh që mori Plenumi i Brionit, si brenda ashtu edhe jashtë Jugosllavisë, kërkonte që ai të shoqërohej edhe me disa masa të rëndësishme. Prandaj, në këtë drejtim, përveç masave të tjera u pa e nevojshme që të bëhej edhe rishikimi i Kushtetutës së Federatës të atyre republikave dhe e statuteve të krahinave autonome, dhe në kuadrin e politikës së vetadministrimit të bëheshin ndryshime në to. Në Federatë, republika dhe në krahina autonome u krijuan komisione kushtetuese.

Popullsia shqiptare e Kosovës shfrytëzoi këtë situatë për të fituar të drejta sa më të gjera dhe me të plota. Parulla kryesore në Kosovë u bë kërkesa për shkëputje të plotë nga varësia serbe dhe krijimi i një republike autonome me bashkimin e të gjitha tokave shqiptare të Jugosllavisë. Me realizimin e kësaj kërkese, shqiptarët e Kosovës mendonin se do t’i zgjidhshin një sërë problemesh të tjera si ato politiko-shoqërore, ekonomike, kulturoro-arsimore etj.

Kërkesa për një republikë autonome të Kosovës, filloi të gjej vend edhe në shtypin e krahinës ku argumentohet plotësisht kjo kërkesë. Në shumë shkrime që botohen për këtë qëllim, jepen të dhëna e shifra të popullsisë së republikave të Jugosllavisë, të përbërjes nacionale të tyre, etj., dhe indirekt del pyetja pse p.sh. Mali i Zi ose Maqedonia që kanë respektivisht 2.8% dhe 5.6% të popullsisë së përgjithshme të Jugosllavisë dhe përbërja e popullsisë së tyre kombëtare është 72% dhe 71% janë republika, kurse Kosova që ka 5.2% të popullsisë së përgjithshme të Jugosllavisë dhe 74% të popullsisë së saj janë shqiptarë, nuk është republikë, por krahinë autonome. Këto kërkesa të popullit shqiptar të Kosovës prekin jo vetëm interesat e tri republikave të Jugosllavisë me të cilat kufizohet Krahina e Kosovës, të cilat kanë brenda kufijve të tyre territore të gjera me popullsi shqiptare, por ato përbënin edhe një rrezik për të gjithë sistemin federativ jugosllav, prandaj Titoja me gjithë premtimet e mëdha që kishte dhënë për Kosovën, mori masa për t’u prerë hovin këtyre kërkesave, sepse realiteti i tyre rrezikonte edhe pozitën e vet Titos. Komisioni Kushtetues për Kosovën, në fazën e parë të punës së tij, u mor me njohjen dhe studimin e një sërë problemesh që kishin të bënin me ndryshimin e disa dispozitave të Kushtetutës së Federatës dhe të Serbisë dhe që kishin lidhje me Krahinën e Kosovës dhe pastaj përgatiti projekt kushtetutën e Krahinës.

Gjatë përgatitjes dhe diskutimit të projektligjit kushtetues, u zhvillua një luftë e gjerë politike ndërmjet rrymave dhe tendencave të ndryshme, si brenda në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj. Mund të thuhet se tri ishin rrymat kryesore që morën pjesë në këtë luftë politike. E para, forcat e shëndosha patriotike të shqiptarëve të Kosovës, duke e parë se në kushtet konkrete të gjendjes në Jugosllavi, kërkesa e tyre për krijimin e një republike më vete dhe bashkimi brenda saj i të gjitha tokave shqiptare nuk mund të realizohej u munduan dhe bënë të gjitha përpjekjet që me Kushtetutën e re, të fitohen sa më shumë të drejta për barazi kombëtare dhe të shkëputshin sa më shumë nga varësia serbe. Me këto forca u bashkuan edhe udhëheqësit e sotëm të Kosovës, që i shërbejnë me besnikëri Titos. E dyta, forcat shoviniste serbo-malazeze në Kosovë dhe jashtë saj, interesat e tyre prekeshin direkt nga realizimi i kërkesave të shqiptarëve, kërkuan dhe luftuan që krahinës së Kosovës të mos i jepeshin më tepër të drejta se sa ajo që kishte më parë. Rryma e tretë përfaqësohej nga ata shqiptarë, të cilët u shfaqen hapur kundër platformës së Lidhjes Komuniste dhe i konsideruan si fare të pakta të pamjaftueshme ato të drejta që i jepte Kushtetuta e re popullsisë shqiptare të Kosovës. Pikëpamjet e këtij grupi u dënuan nga udhëheqësit e Kosovës dhe kërkesat e tyre u quajtën joreale dhe të bëra me qëllime tendencioze. Kështu, tre studentë nga komuna e Suharekës, u dënuan më 16 janar, me nga 3 muaj burg, u akuzuan me rastin e diskutimit të projekt-kushtetutës dhe kishin shkruar parulla në kundërshtim me orientimet e Komitetit Krahinor.

Mbas një periudhe pune prej më shumë se një viti, Komisioni Kushtetues përgatiti projektligjin – Kushtetutën e Krahinës së Kosovës, i cili mbas një diskutimi të përgjithshëm njëmujor, u aprovua. Nga një shikim i parë i ligjit të kushtetutës së Kosovës, del se të drejtat kryesore që ka fituar popullsia shqiptare e Kosovës me aprovimin e këtij dokumenti, mund të përmblidhen si më poshtë: 1) Nga një krahinë autonome, që më parë varej plotësisht dhe tërësisht nga Serbia, tani “populli punues i Kosovës sikurse thuhet në Kushtetutë – siguron dhe realizon të gjitha të drejtat e veta në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës, me përjashtim të atyre të cilat me interes të përbashkët, janë përcaktuar si të drejta të Federatës dhe të Republikës”. 2) Krahina fiton të drejtën të ketë ligjin e saj kushtetues në vend të statutit që ka pasur më parë. 3) Fiton të drejtën që të caktojë deputetët e saj për në dhomën e kombeve të RSFJ-së. Më parë, krahinat autonome zgjidhnin nga 5 deputetë për në Dhomën e Kombeve, por ata hynin në përbërjen e deputetëve të Republikës së Serbisë, tani zgjedhën nga 10 deputetë dhe nuk hyjnë në grupin e deputetëve të Serbisë, kurse republikat zgjedhnin nga 20 deputetë. 4) Kushtetuta e re konkretizon dhe zhvillon konceptin themelor kushtetues mbi krahinën autonome si bashkësi shoqërore politike, demokratike, socialiste të pavarur në realizimin e të gjitha punëve në kuadrin e të drejtave e detyrave të saja dhe se funksionet e krahinës janë caktuar në mënyrë të njëllojtë si dhe funksionet e republikës. 5) Fiton të drejtën që në kuadrin e të drejtave dhe detyrave të veta të marr masa për realizimin e një sistemi unik të ekonomisë, ajo ka të drejtë të planifikojë zhvillimin ekomomik dhe të bazës materiale të arsimit, kulturës, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe aprovon plane përkatëse. 6) Krahina ka të drejtë të nxjerr ligje e akte tjera normative, lidhur me interesat dhe nevojat e krahinës. 7) Gjuha shqipe vihet në pozitë të barabartë më gjuhët e tjera që fliten në Kosovë. Në të kaluarën, serbokroatishtja ka qenë gjuhë e detyruar për të gjithë popullsinë e krahinës, tani nuk është më e këtillë. 8) Krahina fiton të drejtën të bëjë vetëorganizimin e organeve të pushtetit. Më parë këtë të drejtë e kishte Republika serbe. 9) Territori i krahinës nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e Kuvendit Krahinor. 10) Në Kosovë krijohet Gjyqi Suprem i Krahinës me pozitën, të drejtat dhe detyrat e Gjyqit Suprem Republikan. 11) Sanksionohet e drejta e flamurit kombëtar, e drejtë që më parë ka qenë mohuar për popullsinë shqiptare të Kosovës.

Gjatë përgatitjes dhe diskutimit të projektkushtetutës popullsia shqiptare e Kosovës ka treguar interesim të veçantë për këto çështje kryesore: barazim kombëtar, autonominë ekonomike, barazinë e gjuhës dhe precizime e formulime sa më të sakta për të drejtat e tyre si komb dhe si popull: janë bërë kërkesa për zgjedhje direket të deputetëve të Kuvendit të Krahinës, është kërkuar që mbi ndryshimet territoriale të Krahinës të vendosë referendumi i qytetarëve dhe jo Kuvendi Krahinor, është propozuar që të caktohet stema e krahinës, të përcaktohet më qartë detyrimi i arsimit tetëvjeçar, të hiqet me ligje kufizimi i tanishëm, sipas të cilit flamujt kombëtarë nuk mund të ngrihen në ndërtesat e organeve shtetërore dhe organizatave politiko-shoqërore etj.

Forcat shoviniste serbo-malazeze kanë bërë presion të vazhdueshëm mbi shqiptarët e Kosovës; largimi i specialistëve serbë dhe malazezë në formë demonstrative nga ndërmarrjet ekonomike të Kosovës është një tregues në këtë drejtim.

Disa çështje kryesore të përmbajtjes së ligjit, Kushtetutës

Kushtetuta, në fillim ka një hyrje ku përshkruhen parimet themelore të ndara në gjashtë pjesë. Në pjesën e parë flitet për konditat dhe rrethanat në të cilat u krijua Krahina Autonome e Kosovës, dhe se ajo është bashkuar me RS të Serbisë në kuadër të RSFJ të Jugosllavisë. Në pjesën e dytë bëhet fjalë mbi sistemin shoqëroro-ekonomik e politik të Jugosllavisë dhe se nëpërmjet këtij sistemi populli i Kosovës realizon të drejtat e veta. Në pjesën e tretë flitet mbi rolin e organizatave politike, siç janë: Lidhja Socialiste, Lidhja Komuniste, sindikatat, Lidhja e Rinisë. Pjesa e katërt i kushtohet faktorëve që përbëjnë bazën e barazisë; në këtë numër futën sistemi i marrëdhënieve në prodhim, sistemi shoqëroro-politik dhe solidariteti. Pjesa e pestë përmban detyrat dhe të drejtat e popullsisë së krahinës për të siguruar zbatimin e kërkesave në drejtim të bashkim-vëllazërimit, zhvillimit dhe forcimit të bazës materiale, krijimit të kushteve për eliminimin e diferencave shoqëroro-ekonomike, zgjerimit dhe zhvillimit të forcave të vëllazëris, realizimit të lirive dhe të drejtave njerëzore etj. Në pjesën e fundit, parimet e shprehura më lart konsiderohen si pjesë përbërëse e Kushtetutës dhe si bazë për interpretimin e saj dhe të ligjeve krahinore. Prandaj, Kushtetuta është e ndarë në 7 kapituj. Në kapitullin e parë, që ka 13 nene, jepen dispozitat e përgjithshme. Krahina Autonome e Kosovës konsiderohet si bashkësi demokratike vetëqeverisëse dhe hynë në përbërjen e RS Serbe në kuadrin e RSFJ të Jugosllavisë. Bëhet fjalë për të drejtat dhe detyrat e popullit punues dhe të krahinës; vihet detyrë mbrojtja e territorit të krahinës dhe e tërësisë territoriale të RSF të Jugosllavisë, flitet për të drejtat dhe barazinë e shqiptarëve, turqve dhe pjesëtarëve të kombësive të tjera, për garantimin e të drejtës së zhvillimit të lirë dhe shprehjes së veçorive kombëtare: të gjuhës, kulturës, historisë, letërsisë, artit etj. Thuhet se në Kosovë sigurohet barazia e gjuhës shqipe, serbokroate e turqishte dhe e shkrimit të tyre etj. Prishtina caktohet si kryeqytet i Krahinës së Kosovës

Kapitulli i dytë, që përbëhet nga 59 nene, përmban detyrat dhe të drejtat e krahinës: flitet mbi marrëdhëniet shoqërore e ekomomike; mbi rregullimin shoqëroro-politik; mbi rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet krahinës e komunave; mbi kompetencat e krahinës në fushën e legjislaturës; dhe mbi konstitucionalizmin dhe ligjshmërinë. Mjetet e reproduksionit shoqëror që realizohen në territorin e krahinës shfrytëzohen në përpjesëtim me pjesëmarrje të njerëzve punues në krijimin e tyre. Thuhet se krahina rregullon çështjen e organizimit të shkollave. Bashkësitë shoqëroro-politike në krahinë janë komunat dhe krahinat, dhe ato kanë cilësinë e personit juridik. Organi më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes shoqërore është Kuvendi Krahinor, ndërsa organi politik ekzekutiv i Kuvendit Krahinor është Këshilli Ekzekutiv Krahinor. Krahina rregullon me ligje krahinore çështjen me interes të përbashkët të jetës shoqëroro-ekonomike, politike e kulturore dhe zhvillimin e krahinës. Kurse, për çështjet për të cilat Federata nxjerrë ligje themelore si dhe për çështjet e mbrojtjes popullore dhe të sigurimit politik, krahina rregullon çështjet dhe marrëdhëniet të cilat nuk janë të rregulluara me ligjet federative. Thuhet se në Krahinë është i barabartë aplikimi i gjuhës shqipe e serbokroate dhe shkrimet e tyre, kurse në vendet ku jetojnë edhe turqit, është i barabartë edhe aplikimi i gjuhës shqipe, serbokroate, turqisht si dhe shkrimi i tyre. Në kapitullin e tretë, në 41 nene bëhet fjalë për pozitën dhe kompetencat e Kuvendit të Krahinës dhe zgjedhjen e tij. Kuvendi përbëhet nga 5 dhoma: Dhoma Krahinore me 70 deputetë, Dhoma Ekonomike, Dhoma Arsimore-Kulturore, Dhoma Social-Shëndetësore dhe Dhoma Organizativo-Politike me nga 50 deputetë secila, dhe të gjithë deputet janë delegat të komunave. Kapitulli i katërt përmban detyra dhe të drejtat e Këshillit Ekzekutiv Krahinor, i cili si organ i Kuvendit Krahinor ushtron funksionin politiko-ekzekutiv në kuadrin e të drejtave dhe detyrave të Krahinës. Në kapitullin e pestë, flitet për administratën e Krahinës mbi krijimin e sekretariateve dhe organeve të tjera të administratës krahinore: mbi detyrat dhe të drejtat e tyre. Kapitulli i gjashtë, i kushtohet Gjyqit Suprem të krahinës. Në kapitullin e fundit, mbi dispozitat përfundimtare, thuhet se Ligji Kushtetues hynë në fuqi ditën e shpalljes së Kuvendit Krahinor.

Nga sa u tha më lart, mund të bëhen këto konkluzione të përgjithshme: 1) Lufta e vazhdueshme dhe këmbëngulëse e popullsisë shqiptare të Kosovës për të fituar dhe mbrojtur të drejtat e saja të ligjshme, ndihma e PPSH-së në këtë drejtim si dhe gjendja e brendshme dhe e jashtme e krijuar në Jugosllavi dhe Kosovë mbas Plenumit të Brionit, e detyruan klikën e Titos që të rishikojë çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe të vendosë për nxjerrjen e Ligjit Kushtetues të parë të Krahinës së Kosovës. 2) Aprovimi i Ligjit Kushtetues të Kosovës është pasojë e krizës së përgjithshme politike të regjimit titist dhe si dështim i plotë i politikës revizioniste të LKJ-së për zgjidhjen e çështjes nacionale në Jugosllavi. 3) Ligji kushtetues i çdo shteti, si ligj themelor i tij, u shërben qëllimeve dhe interesave të atyre klasave që janë në fuqi, prandaj edhe Ligji Kushtetues i Kosovës i shërben regjimit kapitalist, titist të Jugosllavisë, por me gjithë këtë ajo është një fitore për shqiptarët e Kosovës, sepse mbi këtë bazë, lufta e tyre për të fituar të drejta të plota do të ngrihen në të ardhmen në një shkallë më të lartë.

4) Fushata për diskutimin e projektligjit kushtetues, u shfrytëzua nga udhëheqësit titist të Kosovës, si Fadil Hoxha etj., dhe për të shpifur kundër vendit tonë.

Në situatën e tanishme të gjendjes së brendshme dhe të jashtme të Jugosllavisë dhe Kosovës në veçanti, detyra jonë është që duke përdorur shtypin, radion dhe mjetet tjera të propagandës, të ndihmojnë popullsinë shqiptare në Jugosllavi që të luftojë për të vënë në jetë të gjitha ato të drejta që ajo fiton me Ligjin Kushtetues dhe lufta e saj për të drejta të plota si komb dhe si popull, të marr një hov të ri.

Mars, 1969

                                                                                -43-

Mbledhja e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës

Më datë 5 prill, u mblodh në Prishtinë, Komiteti Krahinor i LK të Kosovës. Në këtë mbledhje u shtruan një varg problemesh politike të Krahinës, në mes të të cilave: detyrat e ardhshme të LK, veprimtaria e LK e Krahinës, në zbatimin e vendimeve të Kongresit të Nëntë të LK të Jugosllavisë, kujdesi ndaj rinisë, sidomos ndaj studentëve etj. Anëtari i Sekretariatit Krahinor të LK, Ismail Bajra, foli mbi gjendjen politike të Krahinës pas demonstratave të nëntorit të vitit të kaluar. Situatën e tanishme e vlerësoi në përgjithësi si pozitive se, “janë ngushtuar elementët antisocialistë që kanë organizuar demonstrata në Prishtinë e në disa vende tjera të krahinës”. Ai tërhoqi vëmendjen se, “me gjithë sukseset e arritura, armiku përsëri nuk ka pushuar dhe se në forma të hapura apo të maskuara ka vepruar edhe pas nëntorit veçanërisht në disa rajone të Prishtinës”. “Pasojat e këtij diversioni – tha ai – nuk zhduken lehtë”, dhe bëri thirrje për vigjilencë e gatishmëri. Çështja e fushatës së tanishme për zgjedhje të organeve shtetërore në Kosovë, i preokupon shumë udhëheqësit titistë. Shumë kandidatë të propozuar nga LS janë rrezuar nga populli, veçanërisht serbë e malazezë dhe kanë dalë elementë të “padëshirueshëm”, për të cilët janë bërë të gjitha përpjekjet për heqjen e tyre nga listat e kandidatëve.

Ismail Bajra, si sekretar i Komitetit Krahinor që merrej me çështjet ndërnacionale, ka referuar shumë herë dhe më parë mbi gjendjen e Krahinës pas demonstratave. Në mbledhjen e Komitetit Krahinor në muajin janar, theksonte se: “në krahinë është krijuar njëfarë presioni në marrëdhëniet ndërnacionale, është mbjellë njëfarë mosbesimi dhe mossigurimi shoqëror”. Rezistenca e popullit kosovar kundër shtypjes titiste e serbomëdhenjve, e quan punë armiqësore nga armiq që “përbëjnë një aleancë antisocialiste, duke filluar nga armiqtë e klasës, të dënuarit politikë, kriminelë nga Shqipëria” etj. Shprehja kriminelë nga Shqipëria nuk është thënë kjartë se për cilët bëhet fjalë, megjithatë nga akuzat e njëpasnjëshme kundër vendit tonë të titistëve duket se kjo i referohet thënies së tyre të mëparëshme për gjoja përkrahje të demonstratave e akteve të tjera.

Në Plenum theksohet se këto “forca armiqësore nuk janë aq të mëdha sa mund të organizojnë një ofensivë kundër LK dhe kudo që lidhja e komunistëve ka zhvilluar luftë të hapur ajo ka mundur këto forca”. Por, në diskutimet e zhvilluara në Plenum del se në përgjithësi dyshohet për forcat e lidhjes dhe për këtë shprehet shqetësim.

Veli Deva, në fjalën e tij theksonte se: “… I tan ky aktivitet politiko-shoqëror, bëri që të zbulojmë dhe ca dobësi në punën dhe jetën e partisë. Ka raste kur një organizatë partie nëntë muaj rresht nuk bënë asnjë mbledhje partie. Kush duhet të veprojë në vend të saj – në vend të partisë atëherë? “Ndërsa, Ismail Bajra, në Plenumin e janarit thekson se: “Gjithnjë e më tepër është prezente dhe po përhapet dukuria e dezinformimit, sidomos në atë mes ku akoma ndihet mungesë e informimit të organizuar shoqëror. Këtij dezinformimi po i kontribuon edhe një pjesë e shtypit tonë. Kështu p.sh. në disa fshatra të komunës së Pejës u përhap lajmi se në Pejë serbët dhe malazezët shqyen të gjithë flamujt shqiptarë, se në Mal të Zi u kthyen dasmorët shqiptarë pse shkuan me flamur kombëtar. Nacionalistët prej kombësisë serbe e malazeze vazhdimisht po dilnin me parulla se fëmijët e udhëheqësve shqiptarë morën pjesë në demonstrata… Këtu mungon forca dhe puna e partisë, e komunistëve.

Në Plenum u tha se problemet ekonomike të Krahinës kanë reflektuar dhe reflektojnë gjerësisht gjendjen politike. Si nga diskutimet dhe nga shtypi, del se afro dy e treta e ndërmarrjeve ekonomike të Kosovës punojnë me humbje të mëdha dhe 31 000 punëtorë, ose gjysma e tyre që janë në marrëdhënie pune marrin një pagë nën 600 dinarë. Sipas konkluzioneve të shumë diskutantëve këto mungesa shkaktojnë lindjen dhe shfaqjen e pakënaqësive si dhe konfliktet e karakterit ideologjik. Në diskutimin e tij Veli Deva tha se: “Lidhja e Komunistëve të Kosovës është zënë me detyra politike dhe prandaj, kohët e fundit, në njëfarë mase e ka lënë pas dore problematiken ekonomike”.

Në referatin e Ismail Bajrës si dhe në diskutime u vu në dukje edhe problemi i divergjencave nacionale në krahinë. U theksua veçanërisht problemi i lokalizmit, “dyshimet dhe mosbesimi kundrejt kombësive tjera”. Bartësit e këtyre formave të nacionalizmit sipas tyre janë “disa elemente nga radhët e inteligjencës, veçanërisht e atyre me moshë të kaluar, si elementë mikroborgjezë”, u vunë detyra mbi luftën që duhet të bëjnë komunistët kundër çdo forme të nacionalizmit dhe shovinizmit, “si rreziqe të mëdha në kushtet e Krahinës me shumë kombësi”.

Nga mbledhja e Komitetit Krahinor të Lidhjes së K. të Kosovës mund të nxirren këto konkluzione kryesore

  1. Gjendja politike në Krahinën e Kosovës, për klikën e Titos është mjaftë shqetësuese. Me gjithë masat e marra kohët e fundit, si ajo e aprovimit të Kushtetutës, propaganda e madhe mbi barazinë dhe të drejtat e popujve, populli shqiptar i Kosovës nuk mashtrohet me demagogjinë titiste. Lufta për të drejtat kombëtare po merr çdo ditë proporcione më të gjera. Punëtorët në shumë qendra pune e prodhimi luftojnë që në udhëheqjet e tyre të vihen elemente shqiptare, që në administratat e kudo të vihet gjuha shqipe.
  2. Në drejtim të gjendjes ekonomike problemi paraqitet gjithashtu i ndërlikuar. Tani më ka pushuar propaganda për të ashtuquajturën ndihmë Kosovës si krahinë e pazhvilluar. Në Plenum u fol për gjendjen e pakënaqshme në ndërmarrjet ekonomike, rrogat e vogla papunësia dhe bujqësia e prapambetur, por nuk u fol për asnjë masë që mund të merret ndaj kësaj gjendje në mënyrë konkrete. Në fjalimet e udhëheqësve titistë është rregull që kur flitet për nivelin e ulët të Kosovës kjo prapambetje i lihet historisë.
  3. Në Plenum u diskutua shumë edhe çështja nacionale. Kohët e fundit ka qenë problem në Kosovë ikja e specialistëve serbë e malazezë nga shumë ndërmarrje të ndryshme, si dhe heqja nga lista e zgjedhjeve për këshilltarë e deputetë të një numri serbësh dhe zëvendësimi i tyre me elemente shqiptare, dhe kjo ka krijuar telashe për klikën e Titos, sepse ka ngjallë zemërim te serbët. Siç duket, ata kanë ndërmend të ndërmarrin fushatë propagandistike për këto probleme, për “ forcimin e bashkim-vëllazërimit”, në kuadrin e punimeve të materialeve të Kongresit të 9-të të LK të Jugosllavisë.
  4. Mendojmë se një nga shkaqet e mbajtjes të këtij Plenumi ka qenë dhe problemi i masave që duhen marrë për evitimin e mundësive të organizimit të ndonjë demonstrate tjetër në Kosovë, për të cilën flitej se mund të organizohej me fillimin e pranverës. Kështu, në mbledhje u diskutua shumë për masat që duhen marrë për edukimin e rinisë, veçanërisht të asaj studentore. Kjo theksohej duke e lidhur me gjyqet në Prishtinë ndaj studentëve të akuzuar si organizatorë të demonstratave në nëntorin e vitit të kaluar.

                                                                                       -44-

               Informacion mbi përdorimin e flamurit kombëtar nga shqiptarët e Kosovës

Flamuri kombëtar është një simbol i shenjtë për çdo komb, popull dhe përdorimi i tij i lirë është një e drejtë e pamohueshme. Popullsisë shqiptare të Jugosllavisë një e drejtë legjitime i është mohuar nga krajlët e vjetër serbë, iu mohua për gati një çerekshekulli edhe nga revizionistët titistë. Shqiptarët e Kosovës kanë bërë një luftë të vazhdueshme dhe këmbëngulëse për të ruajtur kombësinë shqiptare, gjuhën dhe zakonet e veta, ai ka luftuar për të fituar të drejtën e shkollës në gjuhën amtare, barazinë e gjuhës dhe mbajtjen e flamurit kombëtar. Në saje të kësaj lufte dhe si rezultat i krizës së brendshme të regjimit revizionist në Jugosllavi këto vitet e fundit. Titoja dhe klika e tij, u detyruan të bëjnë një lëshim – t’i lejojnë popullit shqiptar të Kosovës të drejtën të mbrojtjes dhe përdorimit të flamurit kombëtar. Kjo qe një fitore e madhe për popullsinë shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe të Malit të Zi, dhe një disfatë për titistët, për shovinistët serbomëdhenj etj. Që nga koha e lënies së lirë të popullsisë shqiptare të Kosovës, e përdorimit të flamurit kombëtar, deri tani nuk ka kaluar shumë kohë, por prapë revizionistët e Beogradit gjatë kësaj periudhe, kanë bërë çdo gjë të mundur prej tyre për të kufizuar sa më shumë, ose për ta hequr përsëri të drejtën e përdorimit e flamurit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës si dhe për ta përdorur këtë kërkesë të drejtë, për të nxitur akoma më tepër shovinistët serbomëdhenj etj., kundër popullsisë shqiptare të Jugosllavisë.

Çështja e përdorimit të flamurit kombëtar në Kosovë, mbas Plenumit të Brionit të LKJ, është shtruar dhe diskutuar në dhjetëra mbledhje në organizata dhe forume të ndryshme që nga ato federative e republikane e deri në ato të Krahinës, por në të gjitha këto mbledhje çështja nuk është zgjedhur përfundimisht dhe popullit shqiptar të Kosovës i duhet akoma të luftojë për ta fituar plotësisht këtë të drejtë.

Vitin e kaluar, KQ i LK të Jugosllavisë, aprovoi propozimet e 9 majit të Komitetit Ekzekutiv të KQ të LK të Serbisë dhe vendosi që “të gjitha kombësitë në kuadrin e RSFJ kanë të drejtën me i përdorë flamujt e tyre kombëtar”. Siç shihet në këtë vendim nuk del e qartë se kur dhe ku mund të përdoren flamujt, dhe kjo sigurisht nuk është bërë pa qëllim. Në radhë të parë, ky përcaktim i errët u la shteg titistëve dhe shovinistëve serbomëdhenj që ta katandisin këtë çështje në një akt formal, ose edhe ta shtrembërojnë fare. Popullsia shqiptare e Kosovës ka luftuar me këmbëngulje që e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar të sanksionohet me një ligj të posaçëm dhe flamuri shqiptar të përdoret jo vetëm në formë private, por ai të ngrihet edhe në institucionet shtetërore dhe shoqërore.

Udhëheqësit e sotëm të Kosovës të detyruar nga presioni i masave popullore kosovare, më 5 tetor të vitit të kaluar, në një mbledhje të Kryesisë dhe Këshillit Ekzekutiv të Konferencës Krahinore të Lidhjes Socialiste, shqyrtoi çështjen e përdorimit të flamujve kombëtar në Krahinë dhe aprovoi konkluzionet e kësaj mbledhje. Në këto konkluzione ndërmjet tjerave thuhet: “Pjesëtarët e kombësive të Kosovës dhe Metohisë – shqiptarët dhe turqit kanë të drejtë të vënë flamujt kombëtarë në të gjitha rastet kur e konsiderojnë të nevojshme” dhe se “pjesëtarët e kombësive shqiptare do të përdorin flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenore, mbi të është ylli i kuq pesërrembash i rrethuar me shirit të verdhë”.

Në nenin 11 të Ligjit Kushtetues të Krahinës së Kosovës, që u aprovua në shkurt të këtij viti, thuhet: “Në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës është e drejtë e shqiptarëve … të përdorin flamurin kombëtar”.

Kushtet dhe mënyrat e përdorimit e flamurit kombëtar do të rregullohen me ligj. “Ky përcaktim përsëri është i errët dhe nuk është bërë pa qëllime të caktuara. Me çfarë ligji do të përcaktohen këto, sepse, ligje nxjerrë Federata, nxjerrë Republika, nxjerrë edhe Krahina. Kjo gjendje jo vetëm që nuk e kënaqi popullsinë shqiptare të Kosovës, por edhe e revoltoi atë – ai ka kërkuar dhe kërkon që kjo çështje të përcaktohet qartë dhe ai të këtë të drejtë të ngrejë flamurin kombëtar në Kosovë kudo dhe kurdo që ai e shikon të arsyeshme dhe për këtë të vendosë ai vetë dhe jo dikush tjetër. Por, titistët dhe serbomëdhenjtë nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë dakord me një kërkesë të tillë dhe jo vetëm kaq, por ata kërkuan dhe kërkojnë akoma që jo vetëm që të mos lejojnë përdorimin e flamurit kombëtar më nga popullsia shqiptare e Kosovës, por ta ndryshojnë fare flamurin kombëtar, t’i japin Kosovës një flamur tjetër, por jo atë shqiptar. Kështu gazeta titiste “Politika ekspres”, në një njoftim që bënte në fund të muajit mars të këtij viti, lidhur me analizën që do ta bënte konferenca federative lidhur me flamujt e kombësive, thotë se “flamujt të cilët në luftën nacionalçlirimtare, i mbanin brigadat e shumë kombësive do të jenë bazë për përcaktimin e flamurit kombëtar. Këto simbole duhet të dallohen nga flamuri shtetëror i vendit amë të përkatësisë kombëtare”. Ja se deri ku po shkojnë shovinistët jugosllavë në çështjen e të drejtave të popullit shqiptar për përdorimin e flamurit kombëtar. Një kërkesë e tillë e serbomëdhenjve për ta ndryshuar flamurin kombëtar shqiptar dhe për t’u imponuar kosovarëve një flamur të ri “bazohet dhe në urdhëresat që kanë nxjerr titistët në Kosovë gjatë luftës nacionalçlirimtare, por qe populli shqiptar kudo në Jugosllavi, nuk i ka njohur kurrë ashtu si në të kaluarën dhe gjatë kësaj lufte ka luftuar me flamurin e tij kombëtar.

Udhëheqësit e sotëm të Kosovës e shohin qartë se klika e Titos dhe pasardhësit e Rankoviqit në Serbi po bëjnë të gjitha përpjekjet që ajo çka është thënë për lirinë e përdorimit të flamurit kombëtar nga popullsia shqiptare, të mbetët vetëm një premtim në letër dhe t’i shërbej jo vetëm si një mashtrim, por të përdoret dhe si një pretekst persekutime dhe reprezaljesh të reja kundër shqiptarëve të Jugosllavisë. Ismail Bajra, drejtor i gazetës “Rilindja” në një mbledhje në fillim të muajit qershor, deklaroi: se strukturat politike të Krahinës nuk janë distancuar sa duhet nga disa dukuri të nacionalizmit shtetmadh që po manifestohen me disa veprime të burokratizmit republikan e federative, që po shprehen negativisht në gjendjen politike të Krahinës. Dikush po i jep të drejtën vetes të flas e të shkruaj se ç’duhet shtuar ose hequr prej flamujve të kombësive. Në një mbledhje të ligjëruar të seksionit të Konferencës Federative të LSFJ për marrëdhëniet nacionale dhe ndër republikane që u bë, më 25 qershor, dhe u shkëmbyen mendime mbi përdorimin e flamujve të kombësive në Jugosllavi, Ismail Bajra kërkoi bile që flamuri kombëtar të ngrihet edhe në ndërtesat shtetërore dhe të organizatave politike duke motivuar se “ vënia e flamujve kombëtar në ndërtesat e organizatave politike dhe të organeve të shtetit do të ndikojë në afrimin midis popujve dhe kombësive”, Në këtë mbledhje u kërkua “që çështja e vënies së lirë të flamujve të kombësive të zgjidhet me akte normative dhe të përcaktohet me ligj”. Por, udhëheqësve të sotëm të Kosovës u ka mbetur akoma vetëm e drejta për të folur, se për të vendosur e ka tjetër kush këtë të drejtë në regjimin antipopullor të Jugosllavisë dhe këtë populli shqiptar i Kosovës e di mirë dhe nuk do të mashtrohet nga demagogjia e revizionistëve titistë dhe serbomëdhenjve. Në këtë mbledhje që u diskutua për një kërkesë të ligjshme të popullit shqiptar të Kosovës, u vendos kundër dëshirave dhe kërkesave të tij dhe në kundërshtim me Ligjin Kushtetues të sotëm të Kosovës, sipas të cilit “Kushtet dhe mënyra e përdorimit të flamurit kombëtar do të rregullohet me ligj”. Mbledhja erdhi në konkluzion se: Tek e fundit çfarë flamuri, ku dhe me çfarë rasti mund të ngrihen anëtarët e kombësive dhe nuk duhet të zgjidhet tani me ndonjë akt të përgjithshëm normativ, “u tha gjithashtu se edhe Sekretariati Federativ për legjislaturë është i mendimit se tani nuk ekziston nevoja që përdorimi i flamujve të kombësive të rregullohet me dispozita ligjore” … dhe se “ndoshta mund të rregullohet më detajisht me ligj federativ, ngritja e flamurit shtetëror kurse me ligj republikan përdorimi i flamujve republikan, ndërsa përdorimi i flamujve të kombësive do të jetë çështja e marrëveshjes ose eventualisht do të rregullohet me dispozita të Kuvendit Komunal shumica e popullsisë të së cilës e përbëjnë anëtarët e kombësisë. Këto janë konkluzionet e debatit të fundit mbi flamujt e kombësive në Jugosllavi. Si përfundim çështja mbi përdorimin e flamurit kombëtar i lihet Komunës, e cila ka të drejtë të nxjerr ligje.

Nga se u tha më lart mund të arrihet në këto konkluzione:

1)         Me gjithë propagandën e madhe që kanë bërë dhe bëjnë revizionistët jugosllavë mbi masat që gjoja kanë marrë e po marrin për një barazi të plotë të popullsisë shqiptare të Kosovës – (në këtë drejtim dhe me lënien e lirë të përdorimit të flamurit kombëtar) janë një blof dhe një mashtrim. Qëndrimi i tyre prej shovinisti e serbomadhi nuk ka ndryshuar aspak dhe as që ka për të ndryshuar me vullnetin e tyre. 2) Çështja e përdorimit të flamurit kombëtar për shqiptarët e Jugosllavisë në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti, nuk është zgjidhur dhe nuk do të zgjidhet kurrë nga titistët. 3) Shovinistët serbo-maqedonas dhe malazezë do ta përdorin këtë çështje ashtu si në të kaluarën për provokacione dhe reprezalje kundër popullsisë shqiptare, duke i akuzuar ata si “nacionalistë”, “shqiptaromëdhenj” etj. 4) Popullsia shqiptare në Kosovë është indinjuar për këtë të drejtë të shenjtë të sajin që i ndajnë titistët dhe shovinistët serbomëdhenj, dhe ajo është e vendosur që të luftojë për këtë të drejtë. Nga shtypi i Kosovës del se rinia shqiptare është në krye të kësaj lufte dhe ajo e manifeston kudo këtë; shumë të rinj e të reja mbajnë veshje kuq e zi, rinia i thurë vargje flamurit kombëtar, etj. Me qenë se nga ana e shtypit tonë është shkruar vitin e kaluar një artikull, prapë shtypi ynë mund të kthehet edhe njëherë në këtë temë – duke demaskuar përpjekjet e titistëve dhe shovinistëve serbomëdhenj, për t’i mohuar popullsisë shqiptare të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar, ose mund të bëhet ndonjë koment në radio.