Shqipëria/Aktualitet

“Dhuna e të miturve në protestë akt i rëndë”/ Kushi: Po përdoren politikisht, do të trajtohen nga sektori psiko-social

TIRANË, 13 dhjetor/ ATSH/- Të miturit e përfshirë në dhunë gjatë protestave të ditëve të fundit në vendin tonë do të identifikohen dhe do të trajtohen nga sektori psiko-social.

Kështu deklaroi ministrja i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi gjatë një intervistë televizive ku u shpreh e shqetësuar për përfshirjen në akte dhune të të miturve në protestat e dhunshme gjatë ditëve të fundit.

“Pasi të qetësohet situata do të punohet për identifikimin e tyre në shkolla dhe gjimnaze për t’i trajtuar me sektorin psiko-social”,- tha Kushi.

“Po t’i referohemi ligjit fëmijët nuk duhet të dalin në protestë të pa shoqëruar nga prindërit, që nuk duhet të lejojnë të përdoren për qëllime politike. Edhe kur ndalohen duhet të jenë psikologët pranë, pasi është shumë e vështirë t’i trajtosh minorenët. Unë si ministre kam një shqetësim shumë të madh për këta fëmijë, kur të mbarojë gjithçka do të interesohemi që të kemi emrat, t’i identifikojmë se një pjesë janë të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazistë”,-  u shpreh ministrja Kushi.

“Kjo që ka ndodhur është e rëndë edhe për zhvillimin e tyre. Kur bëjnë krime në moshë kaq të vogël, imagjinoni më vonë. Pamjet që pamë në Shkodër, të gjithë fëmijë të vegjël. Një pjesë që i kemi identifikuar janë në klasë të 6-të apo 7-të”,- tha ajo.

Ministrja Kushi e cilësoi tragjedi ngjarjen e të martës në mëngjes. “Humbja e jetës së të riut është tragjedi jo vetëm për familjen për të gjithë ne, një ngjarje e shëmtuar, e hidhur, por e shkëputur nga Policia. Polici goditi në rrethana të pashpjegueshmi mbi djalin. Pavarësisht kësaj është përgjegjësia e shtetit jo thjesht për të kërkuar ndjesë se arma ishte e shtetit, por çështja të zbardhet. Autori është në duart e drejtësisë, do të dënohet sipas ligjit. Kemi edhe një akt shumë të lartë moral të ministrit të Brendshëm, edhe pse nuk ishte i detyruar apo përgjegjës, ai dha dorëheqjen. Jemi në kushtet, kur të rinjtë janë në protestë, por më e rënda është përdorimi politik i fëmijëve”,- vijoi Kushi.

“Ngjarjet do të hetohen për të gjetur personat që i kanë nxitur të dalin, nuk janë fëmijët e tyre, pasi asnjë prind qoftë demokrat apo socialist, nuk do ta pranonte që fëmija i tij të qëllonte ndaj institucioneve apo policisë. Kjo ndodh se legjislacioni ndaj fëmijëve është më i butë. Nuk na kishte shkuar mendja kurrë që fëmijët do të përdoreshin në Shqipëri për të përdorur dhunë. Për policinë nuk është e lehtë të ushtrojnë forcë ndaj fëmijëve”,- u shpreh ajo.

“E para gjithçka që po ndodh nuk ka më lidhje me ngjarjen, vrasjen e Klodianit. Është situatë tjetër, pasi drejtësia po vepron, shteti nuk po e mbron vrasësin, e ka çuar përpara organeve përkatëse. Për policinë është shumë e vështirë punë kur fëmijët po përdoren. Nuk e kanë të lehtë, por në momentin kur ushtrohet dhunë, dëmtohen institucionet dhe aktet vandaliste janë të tilla që rrezikojnë edhe jetën e tyre, policëve, duhet të merren masa”,- tha Kushi.

Ministrja tha se nga protestat ka të lënduar punonjës policie, jo protestues.  “Nuk kemi asnjë të lënduar nga protestuesit. Gazi lotsjellës është një metodë që përdoret dhe është krijuar për të shpërndarë protestat. Jemi edhe në mes të një pandemie shumë të vështirë, ndërkohë që këto protesta janë të rrezikshme edhe për vetë protestuesit”,- tha Kushi.

Lidhur me mësimin online, Kushi tha se pushimet dimërore për shkollat këtë vit do të jenë më të gjata, ndërsa shtoi se është Komiteti i Ekspertëve ai që vendos mbi masat që do merren ose jo në të ardhmen.

“I vetmi sinjal që kemi është që pushimet dimërore do të jenë më të gjata. Akoma nuk e kemi vendosur nëse do të jetë 11 apo 18 janar fillimi i shkollës. Theksojë se dinamika e pandemisë do të ndikojë në vendimmarrje”, -përfundoi Kushi. /a.a/