Ekonomi

Buxheti botëror për mbrojtjen thyen çdo rekord

Shpenzimet ushtarake globale kanë arritur një rekord prej 2440 miliardë dollarësh pas rritjes më të madhe vjetore të shpenzimeve të qeverive për armë në më shumë se një dekadë.

Një raport i Institutit Ndërkombëtar për Kërkimet e Paqes në Stokholm (SIPRI) konkludon se rritja prej 6.8% midis 2022 dhe 2023 ishte më e larta që nga viti 2009.

Për herë të parë, shpenzimet ushtarake janë rritur njëkohësisht në të pesë rajonet gjeografike: Afrikë, Evropë, Lindjen e Mesme, Azi dhe Oqeani dhe Amerikë.

Kjo sipas Nan Tian, një prej studiuesve që kanë hartuar raportin, tregon për një përgjigje të drejtpërdrejtë të vendeve ndaj përkeqësimit global të paqes dhe sigurisë.

Pjesën më të madhe të shpenzimeve globale e ndajnë Shtetet e Bashkuara (37%) dhe Kina (12%), të cilat i kanë rritur ato përkatësisht me 2.3% dhe 6%.

Që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë dhe rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, SHBA-të e kanë zhvendosur fokusin nga operacionet kundër kryengritjes dhe lufta asimetrike në “zhvillimin e sistemeve të reja të armëve që mund të përdoren në një konflikt të mundshëm me kundërshtarët me ushtri të avancuar”, thuhet në raport.

Kina, e cila vjen e dyta pas SHBA për shpenzimet ushtarake, ndau rreth 296 miliardë dollarë në vitin 2023, një rritje prej 6% në vitin 2022.

Pas Kinës vijnë Rusia, India, Arabia Saudite dhe Britania e Madhe – me një rritje prej 7.9% nga viti në vit.

Shpenzimet ushtarake të Kremlinit në vitin 2023, pas një viti lufte në shkallë të gjerë me Ukrainën, ishin 24% më të larta se në 2022 dhe 57% më shumë se në 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë. Me shpenzime në 5.9% të PBB-së, ekuivalente me 16% të shpenzimeve totale të qeverisë ruse, viti 2023 shënoi nivelet më të larta të regjistruara që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.

Rritja prej 4.3% e shpenzimeve të Arabisë Saudite, në rreth 75.8 miliardë dollarë, ose 7.1% të PBB-së, u tha se ishte fuqizuar nga rritja e kërkesës për naftë jo-ruse dhe rritja e çmimeve të naftës pas pushtimit rus të Ukrainës.

Shpenzimet në Lindjen e Mesme u rritën me 9% në rreth 200 miliardë dollarë, rajoni me shpenzimet më të larta ushtarake në raport me PBB-së në botë me 4.2%.

Shpenzimet ushtarake të Izraelit, e dyta pas Arabisë Saudite në rajon, por përpara Turqisë, u rritën me 24% për të arritur në 27.5 miliardë dollarë, të nxitura kryesisht nga ofensiva në Gaza.

Irani renditet i katërti në listën e vendeve me shpenzimet më të larta në Lindjen e Mesme. Shpenzimet e tij u rritën me 0.6% në 10.3 miliardë dollarë.

Ukraina u bë shpenzuesi i tetë më i madh ushtarak në botë në vitin 2023, me një rritje vjetore prej 51% për të arritur në 64.8 miliardë dollarë, sa 59% të shpenzimeve ushtarake të Rusisë atë vit.

Shpenzimet ushtarake të Kievit u rritën me 1270% midis 2014 dhe 2023, falë edhe ndihmës ushtarake të marrë nga mbi 30 vende.

Vendi me rritjen më të madhe të shpenzimeve ushtarake në vitin 2023 ishte Republika Demokratike e Kongos (+105%), ku qeveria është në konflikt prej kohësh me grupet e armatosura joshtetërore, kryesisht në lindje të vendit.

Përdorimi i ushtrisë për të luftuar bandat e organizuara u tha se ishte një faktor në rritjen e shpenzimeve në Amerikën Qendrore dhe Karaibe, ku shpenzimet ishin 54% më të larta në 2023 sesa në 2014.

b.m/dita