FITORJA E KOSOVËS QË DUHET TË VIJË
Sikur fitorja e një vendi që nuk vjen në një pikëkohë të vetme ashtu ajo nuk vjen as edhe e nëpër një
fragment pamjeje të veçuar nga sfondi i përgjithshëm.
Kosova me vise, fitoren bazë e morën me mirëmbajtjen e biologjisë së tyre. Mbajtja gjallë e jetës, në
Kosovë me viset e pushtuara, frymim shqiptar me shtimin e popullsisë përtej gjymtimeve që iu bënë nga
pushtuesit e në veçanti nga pushtimi serb i më shumë se njëqind sa viteve me gjenocidet programatike
të prodhimit Garashanin a qosiqash, përgjatë shekujve XIX dhe XX nga dita në ditë po i jep frytet e veta.
Mbijetesa dhe rrita kulturore ndërtoi mesin social ku u rrit përpjekja për çlirim e dinjitet drejt
sovranitetit si hapi i mesëm në rrugëtimin drejt bërjes më Vehte të Shqipërisë.
Çlirimi i vendit dhe bërja e institucioneve janë binom i pandashëm deri në përmbylljen e sovranitetit me
karrige në OKB që t’i hapin rrugë bërjes së të nesërmes sonë që aspirojmë. Në vazhdën e këtyre
zhvillimeve po kalojmë tranzicionin e pamerituar, por që në fakt është realiteti i vetëm që po na shtyhet
më shumë nën tepih se sa pa qoftë edhe nën tavolinë. Kështu na duket të shumtëve nga ne, qofshim ata
që shprehemi, qofshin ata që rezervohen të shprehen në publik për njëmijë e një arsye; nga ajo e
afërsisë apo identifikimit me palën fituese në zgjedhje e deri te frika e humbjes së mundësisë për të
përfituar. Fundja opurtnizmi dhe konformizmi nuk u shpikën te ne, andaj edhe po i vuajmë e do i vuajmë pasojat e tyre deri në bërjen e vetëdijes së demokracive të zhvilluara sikur edhe popujt tjerë i kanë vuajtur.
Frytet e një politike a pushteti, sikur e dijmë, janë ato që mbeten nga veprimet e tyre a të tij. Jemi
mësuar që verpimet e pushteteve tona të mos na pëlqejnë me tepri hera herës. Ky mospëlqim,
gjithmonë e njëjtë, eklipson deklarimin tonë kudo ku ne shprehemi në përditshmërinë e natyrshme të
meseve ku militojmë.
Përtej kësaj mbetet ajo që pas pushteteve na mbetet të mbrojmë të mirat që ato kanë sjellur, apo të
këqiat e bëra realitete që rrezikojnë të bëhen edhe më keq nga pushteti i ri.
A është kjo koha kur duhet ta shohim me këtë dioptri edhe pushtetin e Albinit. (E thash kështu
“pushtetin e Albinit”, sepse në Gadishullin Ilirik e përgjithësisht në botën e pazhvilluar nuk drejtojnë
institucionet, por liderët i pushtetojnë edhe institucionet edhe masat. Pra vijnë e shkojnë duke i lënë për
t’u kapur, rishtazi e rishtazi!
Nëpër gjithë zhurmën që e kemi bërë me bollëk, “pushteti Albin” ka bërë shurdhin dhe ka ecur me
kokëfortësinë e të injoruarit tërësorë, sikur bëjnë dy lloje drejtuesish: autokratët egocentrik dhe
drejtuesit që e kanë të qartë stacionion ku duan të mbërrijnë, andaj zgjedhin të rrugëtojnë duke drejtuar
karvanin pa vrarë mendjen për klithmat.
Po cili është rasti ynë?
Parë nga ato që po mbeten nga verpimet e Pushtetit Albin, qytetari në Kosovë pa dallim hapsire a etnie
ndjehet më i plotësuar, më i kujdesur në mikrofokusin e tij. Por, këto tri vitet e pushtetimit të tij që janë
përcjellur edhe me shumë turbulenca marrëdhëniesh me ndërkombëtarët kanë bërë fakt të kryer një
raport më të ngurtësuar të bashkësisë ndërkombëtare karshi pushtetit që drejton vendin.
Hermetizmi total i gjithë asaj që ndodhi me ne për sa i takon dialogut ka zënë të kundërmoi masa
shtërnguse të cilat po na dërgojnë përmes sanksioneve deri te fundi i procesit të tij e që, sikur është
edhe e prekshme sot, duket të jetë Bashkësia e komunave me shumicë serbe.
Spastrimi i terenit nga mbetjet e pushtetit paralel të Serbisë në Kosovë domosdo se ka qenë detyra e
secilit pushtet që do i takonte fati ta mbyllte këtë proces. Qeverinë tonë, në këtë ndërmarrje (ku ne
qytetarët edhe të çfarëdo etnie të jemi po ndjehemi të kujdesur)e ka ndihmuar, krahas gabimeve të
rënda të Serbisë që ka ushqyer terrorizmin serb deri në përmasën edhe të rastit të Banjës së Zveçanit
edhe konsistenca e guximi për ta spastruar terenin nga këto mbetje.
Kjo gatishmëri e qeverisë çoi në “minierën shpëtuese të arit” e cila e ripozicionon Kosovën në
gjeopolitikën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Pyetjes pse lëngonte Kosova duke qenë gjithmonë e dekonspiruar në çdo ndërmarrje të saj për të vënë
rend e për ta vënë terenin nën kontroll më në fund i erdhi përgjigja. Shërbimi rus ia kishte dalur të
vendosej fizikisht në krah të qeverisë sonë duke përdorur një ambient të Ministrisë së Bujqësisë të
marrur në përdorim nga një OJQ fiktive. Ky shërbimi rus, me sa ka rrjedhur në opinion, nga ky ambient
po përdorte të gjitha zyrat e pushtetit paralel të serbisë që po operonin në Kosovë. Anipse pa ligjshëm,
ato sikur ishin instaluar në heshtje e pa u penguar, po operonin në kapacitete të plota të të qënit shtet
paralel duke përdorur hapsirën njëjtë e në kapacitete të plota sikur edhe pushteti legal i shtetit të
Kosovës.
Tashmë, Përëndimi euroatlantik e ka të qartë përmasën e goditjeve dhe rrezikshmërisë, të cilat i mori
dhe i përjetoi Kosova gjithë këto vite nëpër mjegullën fatkeqësi që ia thurrën reth qafe vetë
ndërkombëtarët duke e shtyrë atë nga lëshimi në lëshim. Tashmë të gjithë e dijmë, vendorë e
ndërkombëtarë, se kështu nën trysni të vazhdueshme ndërkombëtare për lëshime nga hapi në hap sa
për ta kënaqur Serbinë e për kalkulime të gabuara gjeopolitike vetëm shtet nuk bëhet. Ata që na
ndihmuan të bëheshim, pavetëdijshëm po na dërgonin drejt zhbërjes!
KM Kurti u shfaq në Këshillin e sigurimit të OKB-së i armatosur me fajet e rënda serbe e ruse të Banjës së Zveçanit e zgjatimin rus të Qendrës ruse të Nishit hiq më pak se në trupin fizik të qeverisë së Kosovës me degëzimin e saj funksional kudo zyrave të shtetit paralel të Serbisë në Kosovë. Tashmë triumfator, zoti Kurti , e ka gjithë të drejtën ta mvesh Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në rastin më të rëndë me petkun e një OJQ-je dhe në rastin më të mirë me mosbërjen e saj, për çka argumenti i tendencës për t’u përdorur një instrument i tillë nga Rusia do të bëheshte rrezik i përhershëm për Kosovën sot e për botën euroatlantike nesër kur Kosova do t’i bashkohet NATO-s.
Me këto zhvillime të reja, Opozitës sonë i mbetet kohë e mjaftushme për ta reformuar veten, sepse
zgjedhjet e ardhshme tashmë kanë rezultat të paraditur.
Ne tashmë kemi hyrë në vitin e fundit paraelektoral, i cili që në fillet e tij ka dhënë shenjat e vitit të
vetëm investiv në fushën e investimeve kapitale. Qeveria po i shet projektet e paraardhësve si modifikim
përkushtimor të duarve të pastra. Kjo po ndodhë për shkak të shkurtimit të madh të fondeve që u
ndikuan nga masat e vëna nga bashkësia ndërkombëtare. Fondet e shkurtuara nga sanksionet dhe
paratë buxhetore të bartura nëpër vite, të pakësuara nga inflacioni për mopërdorimin e tyre në kohë, do
të duan goxha reetorikë për t’i mbuluar. Por fati i qeverisë Kurti kësaj radhe nuk ka pse të trokas në derën e hapur. Opozita nuk do të mund ta përdorë për kalë beteje këtë dëmtim të madh të kapaciteteve. Partive të vjetra u rri shpatë mbi kokë sot keqpërdorimi korruptiv e zhvatës, i cili pas një vetingu në drejtësi do t’i mbushë sallat e gjyqeve kundërmim, e burgjet me banorë të rinj të sojit që nuk i ka patur deri më sot.
Opozita nga të gjithë krahët, përjashto PSD-në e grupimit të Dardan Molliqajt (nëse kjo e ka bërë
ndarjen njëherë e mirë me të shkuarën e shpendahmetëve me kompani për të cilët nuk ka perceptim të
mirë qytetar) zgjedhjet e reja do të jenë vet filli i plojës që populli po e pret me pa durim, ndëshkimin e
autorëve që shitën vendin te grykësia e tyre dhe grykësinë e bënë teren fitoreje për Serbinë.
Kalimi i gjithë zhvillimeve ekonomike të pasluftës në sitën e drejtësisë do të nxjerr në pah fytyrat e bërë
pis dhe shpirtërat e shitur të këtij vendi.
Grykësia e pushtetarëve i hapi rrugë suksesit të armiqve tanë të operonin me skalperin e botës ruso-
serbe të FSB-së e të BIA-s. Argatët e Serbisë, të cilët u bënë leva e pushtetarëve nëpër këtë zallamahi,
me kohën zunë dhe u bënë gjithnjë e më shumë edhe fytyra reale e të pushteteshmëve, derisa
zhgënjimi qytetar solli të panjohurat e papjekura në pushtetin me qerren e përmbysjes ku edhe dreqërit
të bardhë atë zi do të shiheshin si ujët çfarëdo të jetë (i paster a jo) mjaftoi të shërbente për ta shuar
zjarrin që po shkrumbonte shtëpinë tonë të përbashkët.
Uroj që keqpërdorimet dhe zhvatja e ushtruar nga pushteti i ri të mos ia dalin të bëhen pengesë për këtë
rrugëtim që na pret heret a vonë.