Histori

Blerim Latifi: Konsullata serbe në Prishtinën shqiptare gjatë kohës së pushtimit otoman

Vrasja e konsullit serb nga shqiptarët në vitin 1890

Rastësisht po kaloja në rrugën e RTK-së. Aty ndodhet kjo gërmadhë, për të cilën sot pak kush di të thotë diçka. Fjala është për ndërtesën e ish konsullatës serbe, e cila, me lejën e Sulltanit, ishte hapur në Prishtinë, pak vite pas shuarjes me gjak të Lidhjes së Prizrenit. Kjo nuk ishte e vetmja. Konsullata serbe ishin hapur edhe në Prizren e Shkup. Qëllimet e tyre ishin të qarta: të ndërtonin rrjetin e përkrahësve të Serbisë, e cila po bënte plane që një ditë të pushtonte Kosovën, gjë që edhe u realizua në vjeshtën e vitit 1912. Por me konsullatën serbe të Prishtinës lidhet një ngjarje, e cila do të mbetej gjatë në kujtesë. Në krye të saj ishte Lluka Marinkoviq. Ai shquhej për ndjenjat e tij të forta antishqiptare. Rrinte në ballkonin e konsullatës dhe prej andej tallej me shqiptarët që kalonin aty pari. Një ditë tre shqiptarë, të dëbuar nga Toplica, të indinjuar nga talljet e tij, u futën në oborrin e konsullatës dhe e vranë konsullin serb. Kjo kishte ndodhur në qershor të vitit 1890. Njëri nga atentatorët u kap i gjallë dhe u dënua me vdekje nga gjykata osmane, dy të tjerët u vranë më vonë gjatë ndjekjeve nga xhandarmëria, ndërsa vejushës së konsullit iu nda një pension i plotë nga Sulltani.

Shtëpia gërmadhë ku ishte vendosur konsullata serbe gjatë kohës së pushtimit otoman në një nga qytetet e Shqipërisë, në Prishtinë. Nuk dihet pse nuk pastrohen nga komuna e Prishtinës këto mbetje otomano – serbe?!!