Komenti

Bislim Elshani: Republika e Shqipërisë është shteti AMË i të gjithë shqiptarëve

Motra ime ma tërhoqi vërejtjen se ky shkrim, për të pasur qasje, kërkohet një fjalëkalim nga administratori i webfaqes. E zgjodha për një arsye të vetme, diplomati shqiptar, si një mjeshtër i vërtetë, tërheq vërejtjen, me një kulturë të theksuar mirësjelljeje diplomatike, për një gabim që e bëjnë shpeshherë politikanët nga Kosova. Psh. më ra të dëgjoj më herët liderin e LDK-së, që kur flet për raportet Kosovë Shqipëri, thotë pak a shumë kështu: “Raportet Kosovë – Shqipëri, ose Shqipëri – Kosovë, thoni si të doni…”. Të njëjtën formulë e pashë sot që figuronte edhe në një analizë të Enver Robellit në “Koha”. Ndoshta pikërisht në këtë pikë konsistonte edhe gabimi i znj. Osmani, e cila po e rizbulonte rrotën, duke i dhënë mësime nacionalizmi parlamentit shqiptar. Eja baba të t’i mësoj arat! Një gabim të ngjashëm, ndonëse në sensin e kundërt, pati bërë dhe ish-ministri ynë i jashtëm, z. E. Hoxhaj, në deklaratën e tij nga Shkupi, në të cilën thoshte që “Tirana duhej t’i shikonte punët e veta”. Po e ofroj këtë fragment nga analiza e z. Bushati, në të cilin të mençurit do të vënë re dallimin: “Ioannis Kasoulidis, ish-ministër i Jashtëm i Qipros dhe një prej mendjeve elegante të diplomacisë evropiane nuk nguronte ta pranonte nëpër biseda se “për arsye të njohura historike, qendra e helenizmit është Athina dhe jo Nikosia”. Kjo është e vetëkuptueshme edhe për ne shqiptarët. Për Shqipërinë, Kosova është kryeçështje që prej themelimit të shtetit në vitin 1912, pavarësisht rrethanave gjeopolitike, formave të ndryshme të regjimit, qeverive që kanë shërbyer në Shqipëri dhe evoluimit të projektit të shtetësisë së Kosovës.Mund të argumentohet e të debatohet hollësisht për peshën dhe influencën e Shqipërisë në Kosovë, për marrëdhëniet mes politikanëve dhe forcave politike, por nuk mund të vendoset në pikëpyetje roli i pazëvendësueshëm i Shqipërisë.Për më tepër, Shqipëria është shteti amë i të gjithë shqiptarëve në rajon, e jo veç atyre që jetojnë në Kosovë. Kësisoj, pritshmëritë ndaj Shqipërisë janë gjithnjë të mëdha, sikurse përgjegjësitë e saj.”