Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXVII) – Ishmi – fshati i lashtë ku pushon Ibrahim Kodra

Ishmi është qendër dhe Njësi Administrative e 10 fshatrave në kuadër të Bashkisë, të Rrethit dhe të Qarkut të Durrësit. Nën administrimin e saj Ishmi e ka Kepin e Rodonit, Gjirin e Lalëzit, kodrat mes Gjirit të Lalëzit dhe lumit Ishëm. Ndodhet në kodrat e Kepit të Rodonit, 15 km nga Fushë-Kruja dhe 40 km nga Durrësi. Poshtë fshatit, nëpër një fushë të begatshme, rrjedhë i qetë lumi me emrin e njëjtë, lumi Ishëm. Ishmarët janë marrë tradicionalisht me bujqësi e blegtori. Ata janë të njohur për prodhimin e drithërave, të lulediellit, të bimëve foragjere etj. Mirëpo, të ardhurat kryesore banorëve të fshatit u vijnë nga emigrantët. Gjatë tri dekadave të fundit ka rënë numri i popullsisë, si pasojë e largimit në botën e jashme të të rinjve të fshatit në kërkim të një jete më të mirë. Ishmi është më shumë se një fshat i zakonshëm, është një qytezë e vogël simpatike, që kishte shkollë të mesme bujqësore, shtëpi kulture, muze, qendër shëndetësore etj. Fshati apo qyteza Ishëm është vendbanim i lashtë ilir, që nga shek. III p.e.r. Sipas arkivave të Raguzës, Ishmi ka qenë i njohur me emrat Isamnus, Issam, Ismus, Istiamus, Istm. Edhe emri Rodon rrjedhë nga ilirët, sipas hyjnisë së detit, e quajtur Rodon. Në gjysmën e dytë të shek. XIV Ishmi ka qenë nën sundimin e Principatës së Topiajve dhe në shek. XV, nën sundimin e Venedikut. Në vitin 1450 tërë Kepin e Rodonit, ku gjendet edhe Ishmi, e mori në zotërim Skënderbeu, i cili e bëri portin e tij kryesor. Pas pushtimit nga Perandoria Osmane, në vitet 1572 – 1574, në Ishëm është ndërtuar kalaja trekëndore mesjetare, me përmasa 100 x 40 m, që ka shërbyer si garnizon i ushtrisë osmane me kapacitet prej 410 ushtarëve. Kalaja ndodhet në një pikë dominuese të fshatit Ishëm, që lidhej me kalanë e Krujës. Edhe pse është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1977, pas vitit 1990 kjo kala u la krejtësisht në mëshirën e fatit, pa asnjë përkujdesje institucionale, duke shkuar drejt rrënimit të saj. Janë hequr edhe tabelat “Monument kulture” dhe “Mbrohet nga shteti”! Madje, nga muret e saj janë marrë gurët për përdorim ndërtimesh private. Edhe në brendinë e kalasë janë ndërtuar shtëpi në mënyrë krejt të paligjshme. Ishmi lidhet me rrugë në dy drejtime; drejt Maminasit e autostradës Tiranë – Durrës dhe në drejtimin që nxjerrë në rrugën Fushë-Krujë – Vorë, afër Fushë – Krujës. Emrin Ishëm e mbanë edhe lumi, që rrjedhë në 74 km gjatësi nëpër Shqipërinë Qendrore dhe derdhet në Detin Adriatik, në gjirin e Kepit të Rodonit. Ky lumë, dikur i lundrueshëm, sot është bërë problematik për shkak të përmbytjeve të tokave përreth dhe për shkak se është tepër i ndotur. Meqenëse lumi Ishëm dhe lumenjtë që derdhen në të përshkojnë qytete e zona të populluara dendur, që mbeturinat i hedhin në lumë, Ishmi bartë epitetin e lumit më të ndotur në Shqipëri, madje edhe në Evropë. Derdhjet e ujërave të zeza e të kimikateve, si dhe hudhja e mbeturinave plastike në lumë, e kanë zhdukur florën e faunën e lumit, kanë ndotur vijën bregdetare në rreth 8 km, kanë dëmtuar imazhin e lumit e të bregut të detit, duke i shkatërruar gjallesat ujore dhe duke e pamundësuar ujitjen e të mbjellave në luginën e lumit Ishëm. Si shumë qytete e fshatra, edhe fshatrat e Njësisë Administrative të Ishmit ishin nga më të dëmtuarat nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019. Rreth 700 shtëpi janë rrënuar apo dëmtuar, për të cilat është aplikuar në Programin e Rindërtimit. Vetëm në Ishëm janë shpallur 200 banesa të pabanueshme, duke përfshirë edhe qendrën shëndetësore e shkollën. Sipas projektit “Programi i Rindërtimit”, po ndërtohet një lagje e tërë për familjet e dëmtuara nga tërmeti. Në zonën e Ishmit, në fshatin Gjuricaj, ndodhet një shtëpi e veçantë trikatëshe, e vjetër mbi 550 vjet. Kjo shtëpi në luftërat e Skënderbeut kishte shërbyer si bazë e ushtrisë shqiptare. Shtëpia, e cila me sukses u ka mbijetuar shekujve, e shpallur monument kulture por tash e 30 vjet e braktisur dhe në pronësi private, pa asnjë përkujdesje institucionale, e ka lodhur koha dhe është në gjendje mjaft të rëndë. Në fshatin Gjuricaj gjithashtu ndodhen themelet e një bazilike antike 1500-vjeçare, edhe kjo e harruar nga shteti! Në Gjuricaj është gjetur, pos tjerash, edhe një bust femre e veshur me xhamadanin e njohur ilir. Në fshatin Likmetaj të Ishmit ka lindur piktori me famë botërore, Ibrahim Kodra (1918 – 2006). Në Ishëm, përballë kalasë mesjetare, në një natyrë të mrekullueshme ndodhet varri i tij. Ibrahim Kodra ka jetuar e vepruar në Itali, ku edhe ka vdekur në moshën 88-vjeçare dhe është varrosur po në Itali, por në vitin 2006 trupi i tij është sjellë në Shqipëri dhe është rivarrosur në Ishëm, sipas dëshirës së tij. Të theksojmë se në Shqipëri piktori Kodra është nderuar, pas vdekjes, me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”. Në Kepin e Rodonit, apo siç e quajnë vendësit, Kepi i Muzhit, qëndron Kalaja e Skënderbeut, e cila është ndërtuar pas rrethimit të parë të Krujës, në vitet 1450 – 1452. Muret e saj, të ndërtuara nga mjeshtër venedikas, arrinin gjatësinë 400 metra, por sot një pjesë e tyre është fundosur në ujërat e detit. Aty gjenden edhe rrënojat e kishës mesjetare të Shën Ndout e shek. XIII, e ndërtuar sipas stilit romano-gotik, e mbiquajtur si kisha e Skënderbeut. Sikurse kështjella, edhe kisha, paraqet vlera monumentale historike, arkitekturore e turistike. Ishmi është edhe zonë turistike; ka pasuri të mëdha natyrore, historike e kulturore. Kjo zonë ndodhet në maje kodre, mes pyjeve të larta e të ruajtura mirë, ku qëndrojnë shtëpitë shekullore të fshatit, të radhitura njëra pas tjetrës anës së rrugës kryesore. Prej këtu krijohet pamje fantastike drejt drejt Detit Adriatik, drejt fushës nga Lezha deri në Tiranë, po edhe drejt Krujës, Shkodrës, Aeroportit e deri në Durrës. Peisazhi i jashtëzakonshëm dhe historia e pasur, që lidhet me këtë vend, si dhe lidhja natyrore me Kepin e Rodonit, e bëjnë Ishmin një pikë turistike nga më interesantet dhe më tërheqëset në vend, veçanërisht të turizmit fshatar, mjedisor e kulturor, por edhe për gjueti e peshkim. Terreni kodrinor – malor i Ishmit, me sipërfaqe të mëdha pyjore, me trashëgimi të pasur kulturore e historike, që lidhet edhe me Kepin e Rodonit, paraqet njërin nga destinimet më tërheqëse turistike në Shqipëri.