Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXIX) – FUSHËKOSOVA – QYTETI ME RRITJE TË SHPEJTË TË POPULLSISË

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXIX)
FUSHË-KOSOVA – QYTETI ME RRITJE TË SHPEJTË TË POPULLSISË
Fushë-Kosova, e ndodhur vetëm 5 – 6 km nga qendra e Prishtinës, është njëri ndër qytetet më të reja të Kosovës, qendër e komunës e 16 vendbanimeve të pjesës qendrore të Kosovës. Qyteti i Fushë-Kosovës është nyja kryesore hekurudhore e Kosovës në drejtimet veri -jug dhe lindje – perëndim. Nga këtu degëzohen rrugët hekurudhore drejt Mitrovicës e Kralevës, drejt Shkupit, drejt Nishit dhe drejt Pejës e Prizrenit. Në afërsi të Fushë-Kosovës, në fshatin Albanë e Madhe, ndodhet Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Rrethina e Fushë-Kosovës ka qenë e banuar nga popullsia ilire – dardane që nga kohët e lashta. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike në Bardhin e Madh të shek. VII p.e.r., Harilaçi, nga neoliti, Ulari, Kumanova (afër Vragolisë), Bardhi i Vogël etj. Në shek. XV kjo trevë është pushtuar nga Perandoria Osmane, kurse në vitin 1448 në territorin e Livragonës (Vragolisë) është zhvilluar Lufta e Dytë e Kosovës mes ushtrisë osmane, me Sulltan Muratin II në krye dhe ushtrisë hungareze, nën udhëheqjen e Janosh Huniadit.
Deri në vitin 1988 territori i komunës së sotme të Fushë-Kosovës i takonte komunës së Prishtinës. Mirëpo, 16 vendbanime të saj janë shkëputur në vitin 1988, duke formuar komunën e re të Fushë-Kosovës. Komuna e Fushë-Kosovës, atëherë e formuar si një komunë politike serbe, shtrihet në pjesën qendrore të fushës së Kosovës, pranë brigjeve të lumit Sitnica. Dy fshatra Fushë-Kosovës ia ka marrë, në vitin 2009, komuna e Graçanicës, sipas Projektit (politik) për decentralizim.
Pozita e mirë gjeografike në qendër të Kosovës, pasuritë natyrore, kushtet e përshtatshme klimatike, relievi fushor, afërsia dhe lidhja me kryeqytetin, Prishtinën, afërsia me Aeroportin e Prishtinës, nyje qendrore hekurudhore e nyje e rëndësishme rrugore, ka mundësuar një zhvillim të gjithanshëm të qytetit, veçanërisht të zhvillimit të biznesit. Mes Fushë-Kosovës dhe Prishtinës ndodhet zona industriale, e mbushur me biznese të të gjitha llojeve. Nëntoka e komunës së F. Kosovës është e pasur me rezerva të mineralit të hekur – nikelit e të magnezitit dhe, sidomos, të qymyrit, që shfrytëzohet, përmes Mihjes Sipërfaqësore të Bardhit të Madh, për furnizimin e termocentraleve “Kosova” në Kastriot. Edhe kur Fushë-Kosova ishte në përbërje të komunës së Prishtinës, në Fushë-Kosovë ishin ndërtuar disa objekte të rëndësishme ekonomike, si Fabrika e mishit, Fabrika e miellit, Fabrika e bukës dhe e ëmbëlsirave, Fabrika e konfeksionit “Yumco”, kombinati bujqësor industrial “Miradia”, Ndërmarrja Hekurudhore, Aeroporti i Prishtinës etj., të cilat, pas privatizimit të tyre, shumica janë mbyllur. Pas luftës qyteti është zhvilluar shumë me hapjen e njësive biznesore në Zonën Industriale, sa që sot Fushë-Kosova është një qendër e rëndësishme ekonomike e Kosovës. Meqenëse mbi 60 për qind e territorit të komunës është tokë bujqësore, që shtrihet në pellgun e lumenjve Sitnicë e Drenicë, bujqësia paraqet mundësi të madhe ekonomike. Përveç Sitnicës e Drenicës në territorin e komunës së Fushë-Kosovës rrjedhin edhe lumenjtë e vegjël, Prishtina e Graçanica, si dhe ndodhet një liqen i vogël në fshatin Henc.
Pas luftës Fushë-Kosova dhe fshatrat e kësaj komune kanë përjetuar një transformim të thellë ekonomik e shoqëror. Vet qyteti sot është një qendër e zhvilluar ekonomike, është qyteti më dinamik, me rritjen më të shpejtë të popullsisë, pas kryeqytetit. Kjo rritje vjen ngase banorë të viseve të largëta vendosen për të jetuar në F. Kosovë, sepse këtu janë banesat më të lira dhe nga këtu e kanë afër Prishtinën. Sipas regjistrimit të vitit 2011 komuna e Fushë-Kosovës kishte rreth 35 mijë banorë, kurse vetëm qyteti kishte mbi 20 mijë banorë. Mirëpo, ky numër ndryshon thuaja çdo ditë për shkak të rritjes së popullsisë. Kështu, komuna e Fushë-Kosovës është territori me dendësinë më të madhe të popullsisë në Kosovë, mbi 450 banorë për kilometër katror.
Krahas rritjes së numrit të popullsisë, janë rritë kërkesat për tokë banimi, për tokë ndërtimi banesor dhe për tokë komerciale. Kërkesat për blerje të banesave janë të shprehura më shumë se gjithkund tjetër, edhe pse ndërtimet janë përcjellë me probleme të shumta. Ndërtimet e larta janë bërë kryesisht pa kritere e me mungesë të infrastrukturës përcjellëse, që kanë shkaktuar kaos urbanistik. Qyteti i Fushë-Kosovës faktikisht është ngjitur me Prishtinën dhe realisht paraqet një paralagjje të kryeqytetit.
Komuna e Fushë-Kosovës ka mjedisin më të ndotur, pas Kastriotit, në Kosovë. Ajri ndotet nga tymi dhe pluhuri që lëshojnë termocentralet “Kosova” në Kastriot (vetëm 2 km larg F.Kosovës), nga depot e naftës e të gazit në Miradi, nga një bazë për prodhimin e asfaltit, nga qarkullimi i dendur i automjeteve dhe nga faktorë tjerë. Rruga Fushë-Kosovë – Prishtinë është rruga më e ngarkuar me trafik në Kosovë. Ndërsa lumenjtë Sitnica, Drenica, Prishtina e Graçanica po ndoten në nivelin më të lartë nga derdhja e ujërave të zeza dhe ujërave teknologjike të Prishtinës dhe të shumë vendbanimeve përgjatë rrjedhës së tyre, por edhe të derdhjes së ujërave industriale nga shkritorja “Ferronikeli” në Drenas. Gjendja e mjedisit lidhet me zhvillimin e shpejtë dhe të pakontrolluar të sektorit ekonomik dhe banesor të qytetit.
Fushë-Kosova ishte vendi i parë ku u vendosën kolonët serbë, të ardhur nga vise të ndryshme të ish-Jugosllavisë. Në vitet mes dy luftërave botërore ishin vendosur rreth 400 familje kolone. Në dekadat e fundit të shekullit të kaluar, kur gjendja politike dhe ekonomike e Kosovës është përmirësuar, banorët serbë, shumica e tyre, i shitën pronat që më parë i kishin marrë falas dhe u shpërngulën në Serbi.
Lufta çlirimtare edhe në komunën e Fushë-Kosovës ka lënë pasoja të rënda. Në territorin e kësaj komune janë vrarë 165 persona civilë, nga të cilët 61 janë të pagjetur.
Edhe komuna e rrafshët e Fushë-Kosovës ka shpallur zona të mbrojtura; në vitin 2005 “Zonën e Goleshit”, ku rritet bima endemike “Forsythia Europea-Boshtra”. Zona të mbrojtura, të shpallura në vitin 2009, janë edhe Kalaja e Harilaçit dhe Kalaja e Bardhit të Madh. Që nga viti 2019 qytetin e Fushë-Kosovës e zbukuron shtatorja e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Fushë-Kosova është qytet dinamik, me zhvillim të shpejtë të popullsisë dhe me zgjerim të madh të vendbanimit, një qytet me probleme mjedisore, por i përshtatshëm për banim. Ky qytet, me këtë ritëm të rritjes dhe të zhvillimit, shpejt mund të bëhet njëri nga qytetet më të mëdha në trojet tona.