Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXI) KRASMIROCI – FSHATI I ODAVE SHQIPTARE, I TRIMËRISË DHE BESNIKËRISË

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXI)
KRASMIROCI – FSHATI I ODAVE SHQIPTARE, I TRIMËRISË DHE BESNIKËRISË
Në pjesën verilindore të Drenicës, në rrëzë të malit të Qyqavicës, rreth 17 km nga qyteti i Skënderajt dhe 18 km nga Drenasi, ndodhet fshati Krasmiroc ose Bunjak. Është fshat i vogël i tipit të dendur, që ka histori të pasur e bukuri të rrallë.
Emri i Krasmirocit përmendet në defterin e vitit 1530, me emrin Kras. Përmendet edhe në një dokument turk të vitit 1455, kur në këtë fshat jetonin 29 familje, ndërsa sipas defterit kadastral të viteve 1566 – 1574 kishte 22 familje. Aty atëherë jetonte popullsi e krishterë, pasi në fshat ndodhen gjurmë të dy kishave. Fshati është rithemeluar shekujve në vazhdim nga dy familje të ardhura nga fshati Samadrezhë, komuna e Vushtrrisë. Sipas regjistrimit të vitit 2011 në Krasmiroc kishte 31 familje me 215 banorë. Një pjesë e banorëve pas luftës është shpërngulur në qytete të afërme; Skënderaj, Drenas, Mitrovicë, Vushtrri e Prishtinë, si dhe ka emigruar jashtë vendit.
Krasmiroci njihet për trimëri e besnikëri, duke i dhënë vendit luftëtarë të shquar të lirisë. Fshati veçanërisht ka ruajtur traditën e odave shqiptare, ku kanë gjetur strehim edhe luftëtarët e lirisë, veçanërisht ata të kryengritjes së Shaban Polluzhës dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Theksojmë se edhe në luftën e fundit çlirimtare tërë fshati është përfshirë në luftë, duke i dhënë lirisë së Kosovës luftëtarë e dëshmorë.
Përkundër masave të dhunshme të regjimit serb në Kosovë, që janë shprehur edhe me mbylljen e shkollave shqipe në vitet 1990 – 1999, shqiptarët e kanë krijuar sistemin e shtëpive – shkolla. Gjatë viteve 90-ta të shek. të kaluar në shtëpinë – shkollë të Ismail Mehmetit është zhvilluar mësimi në arsimin fillor, klasat I – IV, si paralele e ndarë e shkollës së Çirezit. Po në këtë shtëpi, pas ofensivave të forcave pushtuese serbe, shtëpia – shkollë ishte shndërruar në spital ushtarak të UÇK-së të Zonës Operative të Drenicës. Mirëpo gjatë sulmeve të forcave serbe mbi këtë fshat, në prill të vitit 1999, është djegë shtëpia – shkollë dhe spitali me tërë dokumentacionin, kur janë djegur edhe 35 shtëpi dhe janë dëmtuar 41 shtëpi tjera. Edhe dy vite shkollore pas luftës çlirimtare kjo shtëpi – shkollë ka shërbyer si shkollë e fshatit dhe ka vazhduar të funksionojë, deri në vitin 2016, si paralele e ndarë e shkollës fillore “Dëshmorët e Qyqavicës” të fshatit Çirez. Shkolla është mbyllë në vitin 2016 për shkak të rënies së numrit të nxënësve, ndaj nxënësit e Krasmirocit tash i ndjekin mësimet në shkollën e Çirezit. Shtëpia – shkollë e Krasmirocit, e cila gjatë luftës ka shërbyer edhe si spital ushtarak i UÇK-së, është kthyer në një muze të vogël simpatik e simbolik, ndërsa në ballinën e saj është vendosur një pllakë përkujtimore.
Një kohë gjatë luftës popullsia e fshatrave tjera të Drenicës janë strehuar në Krasmiroc dhe në fshatrat e rrëzës së Qyqavicës. Ndërsa, një pjesë e popullsisë së Krasmirocit në prill – maj – qershor 1999 janë deportuar në Maqedoni dhe Shqipëri, ndërsa burrat kanë qëndruar në fshat. Pas përfundimit të luftës ka filluar kthimi i familjeve në shtëpitë e tyre, duke rindërtuar dhe meremetuar shtëpitë dhe duke i rivarrosur të rënët në luftë. Nga ky fshat në luftë kanë rënë nëntë persona.
Krasmiroci, i futur thellë në një grykëmali të Qyqavicës, është një fshat me bukuri natyrore, i rrethuar me tokë bujqësore dhe me pyje të dendura, si dhe i pasur me burime ujore. Nga ky fshat mund të ngjiteni në kurrizin e malit të Qyqavicës, në lartësi 1091 metra, nga ku vrojtohet gjerësisht krahina gjeografike dhe etnologjike e Drenicës, në njërën anë dhe gjysma e Fushës së Kosovës, nga Mitrovica deri në Prishtinë, nga ana tjetër.