Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXVII) GERDECI – FSHATI I TRAGJEDISË, VIKTIMË E PANGOPËSISË NJERËZORE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXVII)
GERDECI – FSHATI I TRAGJEDISË, VIKTIMË E PANGOPËSISË NJERËZORE
Më kujtohet si sot ajo ditë e bukur parapranverore në Tiranë. Ishte ditë me diell e kafet po i shijonim me miq në oborrin e një kafeneje. Një krismë, një shpërthim i fuqishëm dhe tavolina u dridh. – Çka u bë, çka ndodhi, – pyesnim njëri tjetrin me zë të ulët. Pak më vonë mësuam se diku, në rrethinën e Tiranës, në një repart ushtarak kishte ndodhur një shpërthim i fortë. Shpërthimi, që ishte një tragjedi e vërtetë, kishte ndodhur në një fshat të vogël në afërsi të qytezës së Vorës. Që nga atëherë, para 16 viteve e deri sot emri i fshatit Gerdec na u bë shumë i njohur.
Gerdeci ndodhet afër qytezës së Vorës, anës së djathtë të autoudhës dhe të hekurudhës Tiranë – Durrës, rrethi i Tiranës. Është ky një fshat i vogël kodrinor, 22 km nga Tirana, 4 – 5 km nga Vora dhe 2 – 3 km nga autostrada Tiranë – Durrës.
Emri i fshatit Gërdec është përfolur aq shumë viteve të fundit. Për herë të parë e kemi dëgjuar kur ndodhi tragjedia, kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm në punishten për çmontimin e municionit. Në atë shpërthim humbën jetën 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën e u lënduan qindra të tjerë, duke përfshirë edhe gra e fëmijë. Pos Gerdecit vala e shpërthimit kishte prekur, duke shkaktuar dëme të mëdha, edhe aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, qytezën e Vorës, si dhe fshatrat përreth, Marqinetin, Shargën, Muçajn, Marikajn, Gjokaj, Fushë-Prezën etj. Dëmet ishin të pallogaritshme në shtëpitë, shkollat, qendrat shëndetësore, dyqanet, bagëtitë, makineritë, pastaj në prishjet e sistemit elektrik, kontaminimin e ujësjellësit etj. Vetëm në Bashkinë e Vorës kishte rreth 2500 shtëpi të dëmtuara, nga të cilat 313 ishin rrënuar tërësisht e 185 të tjera kishin pësuar dëme të mëdha. Gerdeci pothuaj ishte rrënuar i tëri. Shumë njerëz mbetën përgjithmonë të gjymtuar apo me probleme të përjetshme shëndetësore. Shpërthimi paraqiste edhe problemin dhe pasojat nga radioaktiviteti, duke prekur qeniet e gjalla, bimët, ujin e pijes dhe kontaminimin e tokës. Ishin të konsiderueshme dëmet fizike, morale e materiale. Shpërthimi i 400 tonë municioni të vjetër në depon që ndodhej në kodrat e Gerdecit i përngjante shpërthimit të një bombe atomike, duke krijuar edhe një krater të thellë në tokë.
Edhe pse në Shqipëri kishte dhjetëra uzina ushtarake, duke përfshirë edhe uzinën moderne kimike afër Elbasanit, ku mund të çmontohej municioni pa problem, ishin zgjedhur hapësirat e lëna të ish-repartit të brigadës së tankeve në fshatin Gerdec, një vend i papërshtatshëm e pa kushte për këtë lloj veprimtarie. Depoja ishte ndërtuar në mënyrë kriminale, në kundërshtim me çdo rregull të sigurisë teknike, pa plan e pa kritere profesionale, si një “fabrikë”, si një depo apo si një punishte primitive e municionit dhe e lëndëve plasëse të luftës. Në këtë punishte, më 15 mars 1998, në orën 12.05, ndodhi më e keqja e mundshme, shpërthimi i fuqishëm i barotit, që ngriti në ajër një fshat të tërë. Flakë kishin marrë katër kontenierë përplot barot, kurse sasi të madhe baroti kishte qenë e hedhur dhe e shtrirë nëpër tërë sipërfaqen përreth kontenierëve. Në këtë punishte, pronë private e shoqërisë “Albademil” sh.p.k., çmontonin municion në mënyrë primitive 165 njerëz, ndërsa ditën e shpërthimit në punishte ndodheshin 60 punëtorë. Të angazhuarit në punë ishin pa përvojë dhe disa prej tyre punonin “në të zezë”, duke përfshirë edhe gratë e fëmijët.
Zhdukja e rreth 100 mijë tonë të municioneve luftarake, sa vlerësohej se ndodheshin në atë kohë në Shqipëri, ishte njëra ndër detyrat e shtetit shqiptar para se të anëtarësohej në Paktin Veri-Atlantik NATO.
Pas tragjedisë Qeveria shpalli tri ditë zi kombëtare, ministri i Mbrojtjes, pas një jave, dha dorëheqje për “përgjegjësi morale”, pasuan edhe protesta të shumta, opozita akuzoi qeverinë si shkaktare e ngjarjes, ndërsa gazeta amerikane New York Times, si dhe mediat vendore e ndërkombëtare, shkruan për afera korruptive të qeverisë rreth çmontimit dhe tregtimit të armëve, të municionit dhe të lëndëve luftarake në Shqipëri, që quan deri në tragjedinë e Gerdecit.
Në fund, tragjedia përfundoi në gjykata të vendit dhe të atyre ndërkombëtare, por pa rezultate të pritura nga familjarët dhe nga opinioni i gjerë. Katër vjet pas tragjedisë, në vitin 2012, një gjykatë në Tiranë i liroi si të pafajshëm të akuzuarit kryesorë, ndërsa 28 të pandehurve tjerë morën dënime më të buta nga sa kishte kërkuar Prokuroria. Të gjithë ata që ishin dërguar në gjykatë, tashmë janë të liruar. Mirëpo, pas 12 vjet të ngjarjes, në vitin 2021, SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupcionit dhe Krimit të Organizuar) i ka rihapur hetimet për tragjedinë e Gerdecit me akuzën kryesore “shpërdorim i detyrës” dhe ka filluar rigjykimi në ngarkim të tragjedisë së Gerdecit.
Në vitin 2023 familjarët e viktimave të tragjedisë së Gerdecit e kanë fituar gjyqin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Sipas kësaj gjykate në gjykimet paraprake janë konstatuar shkelje, sepse familjarët nuk ishin pjesë e procesit të gjykimit. Familjarët shpresojnë se, më në fund, do ta fitojnë edhe gjyqin në Gjykatën përkatëse të Tiranës.
Të shtojmë, në fund, se shtëpitë e rrënuara në Gerdec janë zëvendësuar me shtëpi të reja e të bukura, është ndërtuar një kopsht i ri për fëmijë dhe është ndërtuar shkolla e re bashkëkohore. Mirëpo, banorët e Gerdecit, të Marqinetit e të fshatrave tjera të dëmtuara ndihen të harruar nga shteti, sidomos për investime në infrastrukturë. Gerdeci sot paraqitet si një fshat i bukur në luginat mes kodrave të gjelbëruara, por kurrë nuk do të zhduket kujtesa e hidhur e tragjedisë, që ndodhi nga pangopësia e njerëzve të ligj. Gerdeci është vet ndërgjegjja jonë e vënë në peshojë.