(Fjala e mbajtur në Akademinë që Shoqëria LËVIZJA, bashkë me komunën e Hanit të Elezit, ka mbajtur në kuadër të 40 – vjetorit të themelimit të LPK – së, – VIT I LËVIZJES, – për Heroin e Lëvizjes sonë Kombëtare, Gafurr Lokun dhe të birin, Dritonin, që ranë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë.)
Në fshatin e tij, para shtëpisë së tij, në një mbrëmje të errët dimërore hijenat vrastare serbe vranë në pabesi babë e bir, Gafur Lokun dhe Driton Lokun. Pas vrasjes mizore milicia serbe i mori trupat e tyre dhe i dërgoi në morgun e Spitalit (serb) të Prishtinës. Akti i kësaj vrasjeje dhe prania gjithnjë e më e madhe e trupave ushtarake e policore serbe në Han të Elezit dhe në rrethinën e tij kishte shkaktuar shqetësim të madh dhe, për pasojë, një valë të re të largimit të popullsisë përtej vijës kufitare Kosovë – Maqedoni. Agjencia e lajmeve “Kosovapress” lajmëronte se rreth 1500 të larguar, gra, fëmijë e pleq, ishin vendosur në Tetovë, Shkup e Kumanovë, me rrethinat e tyre.
Propaganda djallëzore serbe, me qëllim të futjes së hutisë dhe përçarjes, kishte deklaruar në RTB se gjoja ishte UÇK-ja ajo që e kishte vrarë Gafurin, sepse, sipas saj, Gafuri “kishte qenë qytetar lojal i Serbisë”! Propaganda serbe shkonte deri në idiotësi me shpifjet e saj.
Gafur Loku, jo vetëm që nuk ishte qytetar lojal i Serbisë, po ishte njëri nga djemtë më të devotshëm të Shqiptarisë. Ai ishte dy herë i dënuar për vepër politike; herën e parë i dënuar me 5 vjet burg, në vitin 1972 dhe, herën e dytë, i dënuar me 3.5 vjet në vitin 1982. Veprimtarinë atdhetare e kishte filluar qysh në vitin 1968, kur ishte nxënës i shkollës së mesme në Tetovë. Shok të shkollës dhe të veprimit e kishte Rafi Halilin, kurse në burg e kishte të madhin, Rexhep Mala. Bashkë me Rafiun, Gafuri e ka ngritur flamurin kombëtar në Tetovë, nëpër minaret e xhamive dhe nëpër fshatra, pastaj ka shkruar dhe shpërndarë thirrje për demonstrata, ishte vënë në krye të demonstratës së 23 dhjetorit 1968 etj.
Ende si nxënës, Gafuri dhe Rafiu kishin filluar veprimtarinë ilegale, duke ngritur celula të organizuara nëpër fshatrat e komunës së Tetovës. Ata çlirimin e vendit e shihnin përmes demonstratave apo përmes kryengritjes së armatosur.
Ndaj Gafurit janë zbatuar hetime të rënda e të gjata, disaherë dënime edhe me burg. Akuza e ngarkonte për veprimtari armiqësore, për shkruarje e shpërndarje të trakteve, për rrëmbim të armëve në institucione. Në burgje ka përjetuar trajtim jonjerëzor, tortura të egra, poshtërim të dinjitetit njerëzor, mohim të identitetit kombëtar, kurse familja e tij përjetonte diskriminim dhe ndjekje të vazhdueshme politike. Megjithatë, as në burg Gafuri nuk kishte heshtur. Gjithnjë i vendosur në bindjet e tij politike, organizonte greva të urisë kundër masave dhe torturave ndaj të burgosurve shqiptarë. I shoqëruar edhe në burg me viganët e çështjes kombëtare, Rafi Halilin e Rexhep Malajn, Gafuri gjithmonë mbante qëndrim të fortë, të pathyeshëm e të palëkundur, edhe pse shëndeti i tij gjithnjë përkeqësohej.
Pas burgut pushteti e dërgoi Gafurin në shërbimin ushtarak, ku u njoftua me djalin kaçanikas, Ismail Rakën, tashmë dëshmor i kombit. Edhe pas kryerjes së burgut të parë dhe shërbimit ushtarak, Gafuri vazhdoi veprimtarinë atdhetare ilegale duke formuar, bashkë me Rafi Halilin, Elmaz Ademin e veprimtarë tjerë organizatën “Kushtrimi i lirisë”. Kjo organizatë formonte celula të reja, shkruante e shpërndante trakte gjithandej, shpërndante literaturë ilegale nga Shqipëria. Madje, kjo organizatë kishte shkruar e shpërndarë një memorandum, me titull “500 mijë shqiptarë të Maqedonisë kërkojnë dhe protestojnë”. Shpërndarja e trakteve e alarmonte së tepërmi UDB-në, ndaj e përforconte ndjekjen e veprimtarëve ilegalë në Tetovë e rrethinë.
Është karakteristik dhe përmbajtësor betimi që bënin veprimtarët e anëtarësuar në organizatë: “Unë, Shqiptar Shqipëria, bir i tokës Shqipëri, e cila më pagëzoi Shqiptar, betohem para flamurit, para kombit tim, se do të veproj për lirinë dhe bashkimin e Atdheut në një shtet, duke ia falur edhe jetën”.
Pas lirimit edhe nga burgu i dytë, Gafurin e gjejmë përherë në lëvizje e në veprime atdhetarie. Ishte sekretar i Këshillit komunal për Financa, kryetar i shoqatës humanitare ”Nënë Tereza”, veprimtar i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Han të Elezit, veprimtar i pajtimit të gjaqeve. Ai mori pjesë në të gjitha protestat e organizuara në Han të Elezit, kurse në një protestë, ku brohoritej për UÇK-në, milicia serbe e arrestoi djalin e Gafurit, Dritonin 20-vjeçar, të cilin e torturon rëndë.
Formimi i njësitit të parë të UÇK-së për zonën e Hanit të Elezit, më 19 qershor 1998, Gafurin e gëzon pamasë, ndaj bashkëpunon dhe e ndihmon gjithanshëm. Duke e ditur rolin e Gafurit në krijimin dhe funksionimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mbrëmjen e errët të 21 shkurtit 1999 sigurimi serb i organizoi atentat të planifikuar para shtëpisë së tij, duke e vrarë Gafurin dhe djalin e tij, Dritonin.
Edhe përkundër kësaj vrasjeje tinzare, njësiti i UÇK-së i Hanit të Elezit rritej çdo ditë e më shumë, duke u shndërruar në brigadë të UÇK-së e duke marrë emrin e merituar “Gafur Loku”. Kjo brigadë ka hyrë triumfalisht në Han të Elezit më 11 qershor 1999, duke e shpallur çlirimin e zonës së Hanit të Elezit dhe duke e çliruar pikën kufitare.
Edhe kazerma e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës në Han të Elezit mbajti emrin e tribunit e luftëtarit, Gafur Loku. Sot trupi i Gafur Lokut prehet përjetësisht në Kompleksin Përkujtimor të Dëshmorëve në Puset e Nikës.
Gafur Loku është një hero kombëtar, një tribun popullor. Ai dëshironte, kërkonte e luftonte për liri dhe bashkim kombëtar, për barazi dhe mirëqenie të qytetarëve dhe të popujve, duke mbetur përgjithmonë në kujtesën tonë dhe në kujtesën e ndritur të historisë sonë. Gjaku i pastër i tij dhe i djalit të tij, Dritonit, ka frymëzuar dhe ka bashkuar shumë djem e vasha në idealin e shenjtë dhe në luftën e shenjtë për t’i bërë trojet shqiptare në ish-Jugosllavi të lira dhe të pavarura. E, në rrugën e tij të gjatë e të rëndë drejt lirisë nuk e ndalën as shpifjet e ndjekjet e vazhdueshme, as arrestimet e dënimet e rënda me burg. Nuk e mposhti as burgu, as torturat çnjerëzore. Nuk kishte forcë që Gafurit t’ia thyente dinjitetin e krenarinë njerëzore e kombëtare. Vrasja mizore bëri që Gafuri e Dritoni mos ta prisnin lirinë e Kosovës, por ata e hapën rrugën për të ardhur më shpejt liria. Pra, Gafuri ishte bërë dhe mbetet prore simbol i qëndresës dhe i bashkimit kombëtar, luftëtar popullor i pamposhtur dhe i pakompromis. Sa jetoi, bëri jetë të rëndë, por të lavdishme, një jetë epike, një jetë lufte e përballimi.
add a comment