Histori

Bedri Islami: Si u vra Vasil Shanto dhe kush e vrau

Botuar në DITA

Në paraqitjet e tij për figurën e Xhafer Devës, analisti Nexhmedin Spahiu, ndoshta nga padija, megjithëse është njeri i mësuar, mes të tjerave ka sjellë edhe vrasjen e Vasil Shantos, me 1 shkurt 1944.

Si edhe herë të tjera, duke luajtur me hijen e viteve, ai ka sjellë të pasaktësi të mëdha, deformime historike, të cilat, edhe pse janë të njohura në Shqipëri, sidomos në Shkodër, manipulohen deri në skaj.

Spahiu shkruan:

“Në Mitrovicë ka shkollë me emrin Bislim Bajgora, dhe një nga rrugët kryesore mban këtë emër. Por kush ishte Bislim Bajgora? Bislimi ishte në fakt një xhandar i thjeshtë, që vrau Vasil Shanton, dhe merita e vetme e tij, ishte që vrau Vasil Shanton dhe arrestoi Miladin Popoviçin dhe për këtë meritë, i është vënë emri i një prej rrugëve kryesore në Mitrovicë dhe në qytetet e tjera.

Heroizmi i Vasil Shantos ishte se vrau djalin e Isa Boletinit, Nënkolonel Adem Boletinin. Kjo ishte lufta e tij antifashiste. Djali i Isa Boletinit, nënkolonel Adem Boletini ishte shefi i xhandarmërisë së Shkodrës, ishte në funksion të shtetit shqiptar, ishte oficer i shkolluar dhe nën emrin e luftës antifashiste dhe antinaziste, sepse fashizmi kishte përfunduar, e vrau Vasil Shanton.

Kur xhandarmëria e Shkodrës, përkatësisht kur Bislim Bajgora arrestoi Miladin Popoviçin, Vasil Shanton dhe një tjetër, ai vrau Vasil Shanton pikërisht për të marrë hak për djalin e Isa Boletinit…”

E gjithë deklarata e tij është një mashtrim! Së pari, Bislim Bajgora nuk ishte një xhandar i thjeshtë, por njëri ndër drejtuesit e regjimentit “Kosova”, që veproi në Shkodër dhe që u bë tmerri i qytetit. Ai ishte njëri ndër figurat më të urryera në Shkodër, edhe shumë vite pas luftës, dhe jo një xhandar i thjeshtë.

Vasil Shanto asnjëherë nuk është arrestuar nga fashistët apo nazistët që e kërkonin kudo kokën e tij. Ai është arrestuar vetëm një herë, nga xhandarët e Zogut dhe është dënuar. Miladin Popoviçi nuk ka qenë asnjëherë në Shkodër gjatë luftës, ndërsa Dushan Mugosha, po.

Ai është takuar me Vasil Shanton në shtëpinë e Ranko Thanasit, kushëri i Vasilit dhe biseda është ndërprerë me tone të ashpra, menjëherë kur Ranko, i këshilluar më parë nga Vasili, si rastësisht pyeti se kur do të bashkohej Kosova me Shqipërinë.

Adem Boletini nuk ka qenë asnjëherë komandant i xhandarmërisë së qarkut të Shkodrës. Këtë funksion e ka pasur major Ndrec Prenga dhe atentati ka qenë i organizuar në eliminimin e tij.

Nuk është vrarë nga Vasil Shanto, por nga drejtuesi i njësiteve guerile Hajrulla Kastrati dhe një grup pranë tij. Xhandarmëria e kohës, në të gjitha qarqet, si pas pohimeve të funksionarëve të lartë gjermanë, ka qenë mbështetje e forcës gjermane, dhe përmes tyre janë bërë bastisje, vrasje, arrestime dhe grabitje.

Në Shkodër, përmes forcave të xhandarmërisë u vranë shumë antifashistë, figura të njohura, si doktor Karamitri, Nikolla Fanko, Esat Gjyli, Hajrulla Kastrati, Daniel Matlija, u arrestua dhe iu dorëzua majorit SS Hauzding, drejtuesi dhe Heroi i njohur Manush Alimani, i cili vdiq në torturat 27 ditëshe; është i njohur fakti se komandanti i mëvonshëm i xhandarmërisë, pasi arrestoi qindra djem e burra të Shkodrës, i dërgoi në kampet e përqendrimit naziste, shumë nga të cilët u vranë në masakrën e Kukësit ose në kampin e përqendrimit në Prishtinë, apo edhe më tej, dy antifashistë të njohur, pasi u zunë rob, u pushkatuan në mesin e qytetit dhe meqenëse ende nuk kishin vdekur, ky komandant urdhëroi t’u mbushej goja me llaçin e një banese aty afër, e vetë shkoi të pinte kafe dhe priste lajmin e vdekjes. Dhe ishte fundi i luftës.

Pra, përrallat se xhandarmëria ishte në funksion të shtetit shqiptar, kur nuk kishte shtet, kishte vetëm një qeveri kuislinge, nën diktatin nazist, që luante me neutralitetin, por që i armatoste xhandarët, mes tyre edhe atyre të ardhur nga Kosova, për t’i shpënë në luftë me nacional çlirimtaren, janë mjerime politike, të cilat ngjasin vetëm në trojet shqiptare.

Bislim Bajgora nuk ka asnjë lidhje, absolutisht asnjë,.me vrasjen e Vasil Shantos, ku ky i fundit ishte një organizator i shquar i luftës antifashiste, sidomos në Veriun e shtetit shqiptar, me autoritet të jashtëzakonshëm, figurë politike organizative dhe drejtuese. Bislim Bajgora nuk ka pasur “ fatin” të arrestojë Vasilin, e aq më pak ta vrasë atë.

Nexhmedin Spahiu, ose nuk e di historinë dhe bën sikur e di, ose e trillon dhe e di përse e trillon. Ai është figurë e njohur mediale në Kosovë, sidomos për qëndrimet e tij in extremis ndaj Shqipërisë, shtetit shqiptar dhe, më tej, lëvizjes dhe luftës çlirimtare në Kosovë. Është mbështetësi kryesor i tezës së krijimit të kombit kosovar, shërbim që mezi pritet nga fqinjët veriorë të Kosovës, gjithnjë me arsyetimin se me Shqipërinë nuk kemi asgjë të përbashkët, madje as gjuhën.

Në pikun e luftës së Kosovës ai ishte figura mediale që mbështeste dhe përhapte idenë se në Kosovë janë dy UÇK, tezë që përfshiu edhe ndonjë funksionar të lartë të socialistëve. Ishte dëshira e pamatshme për krijimin e një përplasje jo vetëm politike, e cila, fatbardhësisht, pavarësisht provokimeve të shumta, nuk ndodhi, pasi deviza e njerëzve të UÇK-së ishte lufta me makinerinë serbe, duke shmangur çdo përplasje të mundshme.

Spahiu ka bindjen se figura e Xhafer Devës është më e rëndësishme në historinë e kombit se ajo e Adem Jasharit. Krahasimi i dy ekstremeve , njëri kolaboracionist dhe tjetri çlirimtar: njëri që braktis vendin e tij dhe tjetri që qëndron deri në fund, së bashku me gjithë Fisin e tij; njëri, të cilin historia e ka saktësuar si ministër i brendshëm nën pushtimin nazist, dhe tjetri, i përjetësuar si qëndrestar dhe dalzotës i Kosovës, janë dy pole që vështirë të bashkohen ndonjëherë.

Miti real i Adem Jasharit është ngritur nga e vërteta, është bërë më i afërt për njerëzit edhe nga ditëlindja e tij me 28 nëntor. Spahiu, pasi bëri “ hulumtimet” shkruan se ditëlindja e tij nuk është 28 nëntori, por 10 tetori 1955.

Çmitizimi i Adem Jasharit është njëra nga drejtimet kryesore të institucioneve shkencore serbe, të ngritura në dy dekadat e fundit. Duke filluar që nga ditëlindja e tij, pastaj lufta, dhe jo rastësisht Spahiu e përcakton atë si një fshatar kryengritës të thjeshtë, megjithëse duhet ta dijë rolin dhe funksionin e tij. Të jesh kolaboracionist , për disa analistë, është më atdhetare se të jesh dalëzotës i Kosovës.

Tani, të vijmë te ajo që është më kryesore: si u vra Vasil Shanto, kush e vrau atë dhe a ishte Bislim Bajgora njeriu që e arrestoi dhe më pas e vrau Vasil Shanton? Sepse, sipas Spahiut, merita e Bajgorës qenka vrasja e Heroit të Popullit, Vasil Shanto, dhe pikërisht për këtë “meritë” ka disa rrugë me emrin e tij.

Arif Gjyli drejtuesi politik i Qarkorit të Shkodrës, i njohur me emrin e luftës “ Bardhi”, ka lënë shënimet e tij për ngjarje dhe figura të luftës. Në një studim prej rreth 100 faqesh, për “Veliun” emri i luftës i Shantos, mes të tjerave, përshkruan edhe vrasjen e tij.

Arif Gjyli është, pa dyshim, figura më e besuar e dëshmive të kësaj kohe, për vetë funksionin që ka pasur dhe jetën e tij. Deputet i Parlamentit Shqiptar të vitit 1946 atij do i besohet nga deputetët e Vlorës të bënte të njohur propozimin e tyre për shpalljen e Republikës me 11 janar 1946.

Ulqinak, nga familja e mbrojtësit të Ulqinit, Mehmet Gjylit, nip i Sulço beg Bushatit, i lidhur me krushqi me Gjylbegajt, i arrestuar me grupin e deputetëve, dënuar fillimisht me pushkatim, kthyer në 20 vite burg, nga i cili do të lirohet pas dënimit të koxixoxistëve, i njohur si figurë antisllavomadhe, i dëbuar nga Beogradi kur ishte zëvendës ambasador në Jugosllavi shkrimtar, një figurë komplekse politike dhe artistike.

Ai shkruan:

“Vasili është i deleguar i Komitetit central të Shqipërisë në Jalcë. Ne nuk e dimë se si ka reaguar Vasil Shanto në Jalcë dhe udhëheqja jugosllave me të. Dimë vetëm se ka shtruar kërkesën këmbëngulëse të Komitetit tonë Central për të përcaktuar qëndrimin ndaj Kosovës e viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Vetë Titoja në përgjigjen e 5 dhjetorit shkruante se tanimë në Jugosllavinë e re që po ndërtohej nuk ishte vend për çështje kombesh.

Natyrisht se qëndrime të tilla duhet të kenë lënë vragë të thella te një kuadër si Vasil Shanto.

Është për të vënë në dukje se rruga për kthim, e njohur tanimë nga Vasili, zgjati dyfish kohë. Mendojmë se e anë mbajtur për një kohë në Jalcë.

Nga fundi i janarit Vasili dhe Reshit Rusi arritën në Kolloshin. Aty Vasili u takua me profesor Zekirja Rexhën, figurë e shquar kosovare, anëtar i Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, i cili i kumtoi për vendimet historike të Bujanit dhe qëndrimin antishqiptar të të dërguarit të Titos , Pavel Joviçeviçit, lidhur me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë pas luftës.

Vasili pati një mbledhje të gjatë me Bllazho Jovanoviçin, sekretar i përgjithshëm i PKJ për Malin e Zi dhe anëtarë të tjerë të shtabit.

Shokët Rexhep Valbona, Zymer Halili e Zekirja Rexha tregojnë se, kur doli nga mbledhja Vasili qe i kuq në fytyrë e u tha shokëve,” Të bëjmë një fotografi. Ndoshta është hera e fundit që shihemi. Luftë është, nuk i dihet…”.

Këtë kujtim dhe fotografinë e fundit të heroit e ruajnë edhe sot e kësaj dite Rexhepi dhe Zymeri. Në këtë foto shikojmë dhe tradhtarin Naun Zafirov, dhe Rifat Manjani. Zafirovin ia dhanë gjoja për ta përcjellë në Maqedoni.

Të katërt arritën në Tuz natën e 31 janarit dhe në mëngjes morën rrugën për në Shkodër, të veshur si ballistë.

Në Grudë të keqe rastësisht kaluan nga shtëpia e Pepiqve. Pepiqi lëshoi kushtrimin “Na ranë Hallunoviçët” (gjaksit). Por është e pabesueshme që ai të merrte katër burra me qeleshe të bardha, shqiponja në to, etj, për armiqtë e tij, që i njihte me rrënjë dhe me dhëmballë.

Nuk është çudi, përkundrazi, që Bllazho Jovanoviçi, me njerëzit e tij në atë trevë, jo pak me origjinë malazeze, të ketë kurdisur ngjarjen e asaj dite. Mbi shpinën e shokëve u lëshuan xhandarët vendas të Vrakës. Vasili vrapoi te një familje e besuar vrakaçore dhe dorëzoi çantën me dokumente, që të mos binte në dorë të armikut.

Ndërkaq Reshit Rusi u plagos rëndë, Rifat Majani u vra. Zafiri hodhi armën në gardh dhe u dorëzua. U vra edhe Vasili në breg të liqenit. Reshitin e nisën në spital miqtë e tij me qerre. Rrugës ai tha prerë “lajmëroni familjen se nuk kanë gjak për të marrë. Më ka vrarë dikush nga prapa”.

Dhe ka dy fakte këtu: si nga shoqëruesit, ashtu edhe nga njerëz të spitalit dihet që Reshiti ka marrë vetëm një plumb revolveri pas koke në çastin kur qe ndeshur ballë për ballë me xhandarmërinë vendase, asnjë plumb në gjoks. Vasili ishte larg tij, në breg të liqenit. Vrasësi është dezertori Zafirov, i dërguari i Bllahos.

Atë ditë u përhap lajmi se majori SS , Hausdingu e fali Zafirofivin, sepse ka kryer shkollën e lartë në Vjenë me të. Në procesverbalin e mbajtur në Gestapo ai ka deklaruar se është çetnik. Se ka qenë i ngarkuar për të vrarë Vasil Shanton në bazën e parë që do të ndaleshin.

Kjo është plotësisht e besueshme. Për udhëheqjen jugosllave Vasili duhej zhdukur me patjetër. Ai dinte – ndër të tjera – dhe ishte i vetmi që e dinte – gjithë prapaskenën e kurdisur në Jalcë kundër Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.

Por ajo nuk donte të bënte vrasjen e një delegati shqiptar në tokën e saj. Për këtë i dhanë Vasilit Zafirovin me vete. Është fakt se Zafirovi nuk ishte çetnik, sikur ka deklaruar në Gestapo, por kuadër i PKJ. Pas çlirimit ai ka qenë për 15 vite zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

Kufomat e Vasilit dhe të Reshit Rusit i lanë të ekspozuara te sheshi para ndërtesës së prefekturës gjatë gjithë ditës së 2 shkurtit , për të ndryshuar vullnetin e popullit.

Por ndodhi e kundërta: vjen nëna e Reshitit me të bijën 16 vjeçare. Ecën kryelart drejt trupave. Një mori shokësh janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Të gjithë i lëshojnë udhë nënës. Edhe vetë kriminelët e H.I. dhe të Ll.M., që bëjnë roje mbi kokat e tyre.

Motra e shkretë në gvajë e gjëmë. Plaka nuk flet asnjë fjalë, ulet në gjunjë, puth në ballë të birin, pastaj Vaslin, ngrihet, qëndron drejt me kokën lart, pa lëshuar asnjë pikë lot. I flet ashpër së bijës:

“Shuaj zërin, po të them. Mos i turpëro për së vdekuri trimat e nanës, sokolat e Shkodrës. Mos u kënaq zemrave dushmanëve!” I bën shenjë nga xhandarët dhe bashibozukët. Vajza hesht. Pastaj bie përmbys mbi vëllanë.

E ëma i flet ëmbël: “Puthe, përqafoje Velinë tonë, është yt vëlla, është i madhi”.

Kështu u vra Vasil Shanto.