Vështrim/Analizë

Bedri islami: Nga erdhi e si erdhi në krye të PDSH -së dhe cili është tamam misioni i L. Bashës

“Në sofrën e politikës, duke hequr përrallat se ka qenë antikomunist që 10 vjeç apo ka lexuar Tostoin që kur kishte nisur të ecte, ai është ftuar si askush tjetër, me lugë në brez”

Lulzim Basha botoi këto ditë librin e tij të parë, i cili besoj se do të jetë edhe i fundit, e mirë bën të jetë i fundit, të cilin e ka quajtur, apo ia kanë quajtur “Misioni im”.

Nuk do të doja të besoja se rrëfimi i një drejtuesi opozitar është i gjithi në këtë nivel, por kur ai vetë, e afishon kaq ngazëllueshëm, atëherë njeriu është i detyruar të besojë.

Askush nuk e di misionin e Bashës, as ai vetë, sepse në sofrën e madhe të politikës, duke hequr përrallat se ka qenë antikomunist që në moshën 10 vjeçare, apo ka lexuar Tostoin që kur kishte nisur të ecte, pra vetëm 4 vjeçar, ai është i ftuar, si askush tjetër, me lugë në brez. Ka ardhur drejt e në sofër dhe këtë ardhje, që nuk e cek në librin e tij, ashtu si duhej, sinqerisht, nuk e ka pasur askush tjetër.

8 vitet në opozitë, për fat të keq, nuk e kanë bërë atë më të pjekur e më serioz, e as nuk i kanë mësuar se rruga për të qenë lider, është më e vështirë se sa çasti kur të falin liderllëkun.

Misioni i Bashës, që u bë ministër pa e njohur askush, tani është të jetë kryeministër. A do të jetë ai?

Një pyetje e shtruar shumë para kohe, por si shkak për të bërë anatominë e shkurtër politike të një njeriu që nga e panjohura e madhe, sa mirë sikur të ishte vetëm kështu,kaloi drejt posteve të rëndësishme qeverisëse në të cilat, ndërsa nuk la pas asgjë për të përmendur për të mirë, la pas vetes një humbëtirë të gjithanshme, me një dëmtesë të pazakonshme në jetën ekonomike e financiare të vendit, në jetën politike dhe në vetë shtetin.

I panjohuri i ardhur nga zyrat e të huajve në Kosovë, ku nuk dihej ende se kush e kishte gjetur e që më pas, do të vinte këtu përmes bekimit të një serbo-boshnjaku, Fazlliq, nuk mund të paraqiste asnjë kredencial tjetër, veç shtatit të gjatë, pamjes së bukur dhe miqësisë me vajzën e liderit të opozitës që shumë shpejt, sa po të bëhej kryeministër, postin më të begatshëm, do ia besonte atij. I besuar tri herë, duke përdhosur tri herë postet e tij, përmes vjedhjeve, vrasjeve dhe tradhtisë së kombit, ai të gjitha do i përcillte përmes një buzëqeshje karakteristike të përsonazheve të Dikensit.

“Njeriu që qesh” ishte thirrur si vajtojcat e dikurshme.

Çuditërisht, ky njeri, pa asnjë mendim të tij politik dhe pa asnjë thërrime vizioni, pa asnjë të shkuar,  u bë njeriu i së ardhmes në PD-në e dhuruar dhe nga e cila, pasi skicoi fundin politik , (të jetë vetëm kaq!) të Olldashit, fundosi edhe një plejadë, që thënë të drejtën, me ndonjë përjashtim, nuk më janë dhëmbsur.

Njeriu i panjohur, kamarieri i dikurshëm i Rinasit, i emëruar apo i dërguar, këtë askush nuk e di, poseduesi i një pasaporte amerikane, për të cilën askurrë nuk e tregoi se si kishte arritur tek ai, i dyshuari i dosjeve të atyre që kishin bërë luftën në Kosovë,  ndihmësi i hetuesve apo vetë hetuesi i çështjeve përvëluese të pas luftës, njëri nga ata prej të cilëve do të dilte e plotë dosja e Millosheviqit, edhe me ato që ishin thënë në koridoret e në bisedat e lira; njëri ndër krijuesit e legjendës famëkeqe të Shtëpisë së Verdhë, ku, si duket, nuk kishte qenë vetëm përkthyesi ,por edhe kallauzi  që sao kishte dëgjuar se diku aty ishin mjekuar të plagosur nga lufta e kishte përcjellë prapsht lajmin; tani do të ishte figura kryesore e opozitës, që, të paktën në një rast, tregoi se edhe brnda vathës së tij, ajo që shitet kushton më shtrenjtë se vlera që është fluide. Për të parën herë ai i dërgoi listat e kandidatëve për deputetë të PD si në serialet turke, një pjesë sot e një tjetër nesër…sipas ligjit të kërkesë – ofertës.

Të gjitha këto dihen. Ashtu si dihet se çdo lider i opozitës synon të vijë sa më shpejt në pushtet, të qeverisë. E drejtë e ligjshme, por jo kur tentohet të arrihet me çdo mjet të paligjshëm e për më tepër, aq antikombëtar.

Nëse dikush, më herët, ka pasur dyshimin se pas bashës qëndron një njeri që është i gatshëm të shesë kombin e tij, apo se veprimet e tij në Kosovë kanë qenë sporadike e të justifikuara nga detyra, tani, që gjërat po rrjedhin ndryshe, mund të jetë i bindur se “njeriu që qesh”, i cili, sipas Topallit, “ të gënjen edhe kur të tregon se sa është ora”, nuk ka ardhur rastësisht në atë post dhe se miqësia e tij me Fazlliqin e “ kalitja” në kudhrën e hetuesisë janë saktësisht të përllogaritura.

Asnjëherë tjetër, nga askush, edhe kur liderë si  Nano kanë qenë të burgosur apo si Rama, të vjedhur masivisht, nuk kanë bërë kështu kundër vendit të tyre, nuk kanë pasur këtë tërbim, deri në shtazëri ndaj një shteti ku bëjnë pjesë dhe ku rastësisht kanë lindur. Ka disa muaj, por sidomos pas 25 qershorit, kur dështimi ishte aq i turpshëm, që Basha dhe një grup rreth tij, shumica të pavlerë brenda vendit, por të fryrë jashtë tij, po bëjnë të gjitha përpjekjet për të deeguar imazhin e një Shqipërie tjetër, krejt tjetër, e cila, edhe pse është larg asaj që njerëzit duan, nuk është ajo e Bashës.

Një sulm aspak befasues ka shpërthyer kundër çdo njeriu, institucioni dhe organizmi që, sado pak, ka interes të mbarë ndaj vendit, që synon të shpejtojë integrimin e tij, dhe që, në një formë a në një tjetër, duke harruar se grupimi politik është më i pakët se sa vlera e një shteti, merr përsipër të bëjë diçka në të mbarë.

Basha, si askush tjetër, në çdo qelizë institucinale ku ka pasur mundësi ka nisur kasnecët e tij dhe kjo nuk është bërë e nuk po bëhet falas, se ashtu ia do qejfi atyre që marrin përsipër të nxijnë këtë vend. Pagesa të mëdha, nga të cilat vetëm disa dihen e deri tani janë bërë të njohura, janë nisur drejt këtyre grupimeve për një mision të vetëm, nxirjen e një vendi që e dërrmoi në 25 qershor dhe që , edhe tani, nuk e merr veten nga kjo dërmë.

Jo vetëm firmat e ngarkuara, por edhe të hollat miliona dollarëshe, janë deri tani të pagjurmë se nga janë nisur e nga kanë vajtur. Verifikimet e deritashme në shtetin amerikan dëshmojnë vetëm për disa firma fantazmë që nisin paratë e pëdëistëve, do të thotë të bashës, por jo origjinën e tyre. Nëse një ditë do të ketë të dhëna të qarta se kto kanë dalur nga parajsat fiskale kjo nuk do të jetë çudi, ashtu si nuk do të jetë e papritur se fillesa e tyre është pikërisht në lidhjet  Bashës me fazlliqn, të njëjta me lidhjet që kishte dikur Berisha, në fillimet e tij, me lobin dhe strukturat e larta serbe. Humbjet e liderëve të opozitës së sotme në parajsat fiskale qipriote  nuk e kanë pakuar pasurinë e vjedhur prej tyre, por rrugën atyre ua tregoi Fazlliqi dhe njerëzit e tij, për të patur gjithnjë brenda vetes një pjesë e atij grupimi që, edhe kur e ndjen se po mbytet, kërkon të mbysë edhe vendin e tij. Sipas parimit të njohur berishian, “pas meje, të bëhet qameti”.

Nuk është vetëm etja për pushtet ajo që e shtyn një njeri të politikës, aq më tepër një shef opozite, drejt karrikes kryeministrore. Në këtë rast, është shumë më tepër se kaq. beteja për kryeprokurorin është vetëm njëra prej tyre; shfaqja e oligarkisë financiare që mund të shkërmoqet nuk është e gjitha. Detyrime më të mëdha qëndrojnë pas gjithë këtyre përpjekjeve të parreshtura për të hedhur gjithçka në greminë, për të shfaqur para botës një shtet që, megjithëse ka dhjetra probleme të mëdha, shumë nga të cilat të lënë prej atyre që ikën, përsëri nuk është ai që përpiqen të shfaqin.

Në takimet e fundit të Bashës me statura të njohura të politikës së mendimit të djathtë evropian, disa nga të cilat kanë trajtuar ndryshe nga ai shtetin shqiptar, është folur me tërbim të pazakontë, janë sajuar fakte dhe ngjarje sipas “qytetarit digital” dhe është krijuar  një tabllo sinoptike sipas stilit të hoxhizmit. Pas takimit të fundit me Bashën ka prej tyre që kanë ngritur çudinë dhe kanë dyshuar nëse ky njeri mban vërtet një pasaportë shqiptare. Gjuha e tij ka qenë e njëjtë me atë të diplomacisë serbe, e nganjëherë deri edhe në detaje. Si duket, pas përkthimit në gjuhën shqipe.

Është një e vërtetë e pamohueshme: në të gjithë atë që ka bërë në jetën e tij politike, pas humbjes së parë të madhe, në qershorin e vitit 2013 dhe, si nuk ishte menduar, ardhjes së tij në drejtimin e PD-së me bekimin e të parit të fisit të tij politik, Berishës, ka qenë synimi për të ardhur në krye të qeverisë sa më parë të jetë e mundur.

Është njëra nga pamundësitë e mëdha dhe për më tepër e ditur.

Që të jemi të saktë deri në fund, të paktën me bindjen tonë, qeveria Rama nuk është ajo që është pritur dhe nuk ka sjellë atë që njerëzit kanë menduar. Ka njerëz të devotshëm ndaj saj që janë të zhgënjyer dhe që do të kishin dashur të ishte në shumëçka ndryshe. Është lehtësisht i përfytyrueshëm dëshpërimi e zhgënjimi i shumë njerëzve me politikën e mosndëshkimit të së keqes, lejimin e saj e, në jo pak raste, vazhdimin në një formë tjetër.

Arritja spektakolare e Ramës nuk ishte meritë vetëm e tij. Ai bëri lojën më të mirë të mundshme politike, duke i kthyer krahët asaj që nuk ishte bërë dhe duke sjellë në skenën butaforike kundërshtarët e tij. Vasilin, që në mendimin e shumkujt ishte vetëm një i deleguar i zakonshëm, dhe Bashën, që nuk ia vlente. E kishin provuar tri herë ministër, një herë kryebashkiak, e kishin provuar të qeshur e të paqeshur, nuk ia vlente.

Basha kërkon të rrëzojë një qeveri që nuk është më e mira e mundshme, jo se do të mund të sjellë një tjetër. Ai e di këtë. E di faktin se askush nuk mund ta rrëzojë Ramën nga pushteti, edhe nëse lëshon nga zingjirët të gjithë nokët e tij. E di se asnjë shtetar i huaj, me mend në kokë, nuk mund të heqë një njeri të autoritetshëm, që jo pak herë edhe ABUZON me këtë autoritet dhe të vendosë një manekin të politikës. Një njeri që kur nuk i ecë i tija, si ato fëmijët plangprishës, thërret kusherinjtë dhe i bërtasin të tjerëve, si këto thirrjet e fundit kundër ambsadorit Lu e zonjës Vllahutin, që , si duket, e kanë vendosur kufirin mes tyre, shteteve që përfaqsojnë dhe një grupi horrash në politikë.

Basha i di të gjitha këto. Por atij i duhet një Shqipëri me imazhin e saj të copëtuar, të lodhur, të stërkequr, në mënyrë që një politikë tjetër, ajo serbe, të mund të ketë duart e lira në Kosovë, të sjellë edhe një herë ëndrrën e saj për Kosovën si një Jeruzalem serb.

Mos u habisni me këtë konkluzion.

E kam thënë edhe herë të tjera: mes elitës politike në PD dhe politikës serbe ndaj Shqipërisë qëndron një enë komunikative, që ende nuk është shterrur.

Që ena të vazhdojë funksionin e saj duhet që ndodhë kjo që po ndodh. Është një detyrë nga e cila ai, Basha, nuk mund të shmanget.

Haraçet e borxhet e vjetra paguhen një ditë!