Kulturë\Letërsi

Shkëlzen Ukëhaxhaj: Komiteti i Deçanit (Poezi)

-Kushtuar Jusuf Gërvallës-

Mareshali Tito një natë ish trazuar,
Kish parë një ëndërr dhe qe zgjuar.
Një bombë n’Kosovë Bevci e kish kurdisur,
Tik- taku i asaj ore më bën të lemerisur.
 
Në vitin ’79-të i plakur e i dërmuar,
I mbledh “sejmenët” për t’i urdhëruar,
Bëhuni gati!
Në Kosovë do të shkojmë,
Bombën e Kardelit ta asgjësojmë!
 
Mareshali i plakur, dinaku i dërmuar,
Erdhi në Kosovë e sa nuk ulëriti,
N’Kosovë bomba veç paska plasur,
Eh, Bevc, ç’ma paske punuar!
 
Si bishë mali egërsuar
Të famshmen fushatë ndërmori
Çështjen e shqiptarizmës për ta përfunduar,
Çdo armë e metodë dhune përdori…
Pasi mendoi se çdo gjë kishte mbaruar,
Jusuf Gërvalla i çonte fjalë nga jashtë:
“Njeriu ka të drejtë për të menduar”.
 
I çakërdisur si asnjëherë në jetë
I mblodhi “sejmenët” në Karagjorgjevë
Të gjithë ishin strukur përpara tij,
Humbjen e lexonte te secili në ata sy.
Dhe kishte hapur veshët i alarmuar,
Kur një agjent e kishte informuar:
 
Në Deçanin e vogël,
Bri kufirit me Shqipërinë,
Lëvizja është duke vazhduar,
Jugosllavinë tonë për ta gjunjëzuar.
Më e keqja, që i thonë një fjale,
Qenkan betuar n’Flamurin e Shqipërisë,
Për t’i ndryshuar kufijtë Jugosllavisë…
 
 
 
 
U ngrit “i madhi” mareshali në këmbë
Mbi tavolinë koka e tij një pëllëmbë.
Ishte i vogël, i keq e i zi,
Por zëri i tij si krismë e alltisë.
Si është e mundur, ata, për të shpëtuar,
A do të thotë kjo që jam plakë e dërmuar?!
Këmbët s’e mbajtën, u struk n’kolltuk
Çdo shenjë jete n‘atë fytyrë të zezë ka humb.
 
Mes jetës e vdekjes përmendej,
Si n’ëndërr e shihte dinastinë e tij.
Nga ajo Lëvizje klandestinësh,
Jugosllavinë e AVNOJ-it përdhe duke e shtrirë.
 
Informatori vazhdonte duke treguar:
Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” me ata profesorë,
Për Jugosllavinë janë bërë agresorë.
Dhe me urdhrin tuaj,
Të gjithë i prangosim, i gjunjëzojmë këtu para teje…
Jugosllavia e AVNOJ-it është vepër e paprekshme,
Vepra e mareshalit që se zhdukin shekujt
E jo më shqiptarët.
Derisa mareshali venitej,
e ngadalë po jepte shpirt,
Komiteti po lëshonte rrënjët,
Të rinjtë i bashkoheshin ilegales
Për ta rrënuar kalanë e tij – Jugosllavinë.
 
Erdh qershor i vitit ’80-të
U bashkua pesëshja në Bibliotekë,
Në bibliotekën e gjimnazit,
I pagëzuar Vëllezërit Frashëri.
 
Njëri – tjetrit i dhanë dorën,
i bashkonte halli i Kosovës,
Ranë dakord për t’ia nisur,
Jusuf Gërvalla i kish porositur.
 
Nga gjimnazi në Gllogjan
Me Ismail Xhemailin në Kullën e tij,
I vunë themelet e Komitetit,
Jugosllavisë me ia nisë tërmetin.
 
Pesëshja e bashkuar brenda komitetit,
Morën qëndrim punës për t’iu përveshur,
LNÇKVSHJ-ja që të ringjallet,
T’i lëshojë rrënjët anë e kënd ku janë shqiptarët.
 
Lëshonin rrënjët çdo ditë treshet,
e prej tyre komitet…
Habiteshin edhe informatorët,
Qendra ku ishte,
Kush ishin organizatorët?!
 
Sa gjenin lëmshin,
Fija ju humbiste,
Një nga njëqind e prangosnin,
N’Lëvizje qindra të tjerë radhiteshin.
 
E dinte Jugosllavia dhe Beogradi zyrtar,
Një fjali e Enver Hoxhës në Tiranë
Ngrihen dhe në zjarr hidhen,
Të gjithë shqiptarët.
 
Por në Kosovë nga vinte vala?
Prej Gjermanisë nga Jusuf Gërvalla,
Në Deçan te Komiteti,
Viseve shqiptare përhapej rrjeti.
 
Akoma pa u bërë viti i plotë,
Jugosllavia dridhej nga tërmeti mbi tokë.
Puna dhe roli i këtij komiteti,
Një nga epiqendrat e atij tërmeti.
 
Jugosllavia tërmetin e mbijetoi,
Themelet iu tronditën, por në këmbë qëndroi,
Tani Kosova duhej dënuar,
Pse kjo Lëvizje kishte mbijetuar.
 
Pas Prillit, dyzet vjet
Po kthehem prapa,
Komiteti ishte vënë nën pranga,
Jehonë i bënte,
Jusuf Gërvalla.
 
Dhe qëllimi fisnik i tij,
Lëvizja si një trup bashkohet,
Në mes t’janarit ’82-it
Me Kadrinë dhe Bardhoshin
Tashmë n’përjetësi.
 
Jugosllavia më s’pa shëndet,
Po as luftën s’e ndërpreu.
Edhe Komiteti në tjetrën anë,
Vazhdoi punën kurrë pa u ndalë.
 
Kur u mbush dhe kupë e qiellit
Me la hesapet me Serbinë
E madhërishmja UÇK- ja,
Bijtë e Komitetit brenda kishte,
Fuqi e ripërtërirë.

(Shkëputur nga libri me poezi:
“Kur fjala takon zemrën”
 Shkëlzen Ukëhaxhaj)