Komenti

BEDRI HALIMI: SERBIA PO E VAZHDON LOJËN E ZJARRIT

SERBIA VAZHDON LOJËN E ZJARRIT
Tashmë janë thënë shumçka rreth ngjarjeve të zhvilluara gjatë ditës së djeshme në pjesën veriore të Kosovës. Ajo që vlenë të potencohet fillimisht është deklarimi unik, i subjekteve politike në Kosovë rreth këtij qëndrimi, për dallim nga Vuqiqi që për këtë ngjarje fajëson vetëm një njeri – Kryeministrin e Kosovës. Dhe këtë e bën jo pa qëllim. Në njërën anë e bën me qëllim të futjes së parqarjes së faktorit politik shqiptar dhe në anën tjëtër, te shfajsimit të Sebrisë përmes fajsimit të Kosovës, qoftë edhe përmes një njeriu.
Gjithashtu ajo që vlenë për t’u përmendur është edhe deklarimi unik i faktorit Ndërkombëtar ndaj këtij akti kriminal të kryer në Kosovë.
Por në këtë rast ia vlen që të theksohen disa gjëra në mënyrë më decitive, të cilat i kanë thënë madje edhe disa intelektual serb si Natasha Kandic, avokati Nikoliq etj.
Çështje parësore që duhet të përmendet në këtë rast, është organizimi i strukturave të serbëve të caktuar, me një arsenal kaq të madh të armëve. Këtu vetvetiu parashtrohen pyetje të shumta si: Nga u siguruan ato lloje të ndryshme të armëve? Nga depërtuan ato armë në Kosovë, ku prodhimi i të gjithë këtij arsenali është prodhim serb?
Nga depërtuan makineri e blinduar ushtarako-policore serbe në këtë pjesë të Kosovës? Në rrugët kufijtare, sigurisht jo, por dikah kanë hyrë në Kosovë apo jo? Prandaj kjo të imponon vetëvetiu pyetjen se si është e mundur që pjesë të makinerisë ushtarako-policore serbe të hyjnë në Kosovë kur çdo gjë është e survejuar?
Duke pasur parasysh mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet, të imponohet gjithashtu pyetja: Çka synonte ky formacion në fakt militar serb në Veri? A mund të thuhet se BIA serbe nuk paska qenë në njohuri të gjitha këtyre përgatitjeve, apo vet BIA është e përzier në këtë punë! Në rast se BIA s’ka qenë e njoftuar, atëherë mund të quhen paramilitar. Por duke pasur parasysh zhvillimin e tërë ngjarjeve të pasluftës në pjesën Veriore të Kosovës, kush mund ta besoj se BIA nuk ka qenë e përzier? Aq më tepër kur në krye të BIA-së është Aleksandër Vulin, njeriu i cili është përkrahës i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe njëkohësisht njeri që gjendet në listën e zezë amerikane?
Pos BIA-së, këtu është në pyetje edhe faktori Kishë Ortodokse serbe. Prej nga guximi i këtij formacioni kriminal për të hyrë në kishë? Apo paraprakisht janë marrë vesh që jatakun mundësisht ta kenë aty, në kuptimin që askujt si shkon mendja që edhe në shtëpi të zotit grumbullohen armë dhe makineri luftarake? Është thënë dhe s’ka nevojë ta përsërisim se si do të reagonte jo vetëm Serbia por madje edhe bota sikur armë të tilla të ishin zënë në ndonjë xhami, të future madje edhe nga vetë serbët.
Por si duket në këtë rast plani ka qenë më i gjerë, dhe jo për të vepruar menjëherë. Duket qartë se plani i organizatorëve të këtij formacioni kriminal, ka qenë që t’i zgjerojnë rradhët e veta duke e bërë në instancën e fundit edhe armatosjen e një pjese të instrumentalizuar të popullatës serbe në pjesën veriore të Kosovës. Këtë formë veprimi Serbia e ka përdorur edhe në kohën e Millosheviqit, ku para se të fillonte lufta ka bërë armatosjen e një pjesë të konsiderueshme të popullatës serbe, e cila edhe sot e kësaj dite është e paçarmatosur. Të gjithë këtë në emër të vetmbrojtjes nga shqiptarët, përkatësisht në emër të pasigurisë që ndjejnë nga shqiptarët.
Pastaj për ta ndezur shkëndijën e zjarrit, Serbia nuk e ka të vështirë: ashtu siç nuk e ka pasur të vështirë t’i vras as të rinjët serb në rastin “Panda”. Merreni me mend se si do të tingëllonte, sikur të vriteshin brenda manastirit personeli i Kishës Ortodokse serbe, ku madje në këtë rast paskësh pasur edhe pelegrin.
Mirëpo ky skenar i paramenduar mirë, u dështoi, sa duke ju falenderuar moskujdesisë të dikujt nga ky grup kriminal në njërën anë, e në veçanti, duke ju falenderuar syqelësisë dhe vigjilencës së ekipit të policëve të Kosovës, ky plan u dështoi, me pasojat që tashmë dihen.
Është e vërtetë se Policia vërtet në mënyrë profesionale e ka kryer detyrën e vetë, ashtu siç edhe faktori ndërkombëtar në Kosovë, me qëndrimin e vet tregoi se ishin në njohuri të hollësishme të ngjarjeve që po zhvilloheshin.
Por do të ishte shqetësuese në këtë rast të besonim, sikur e tëra kjo ngjarje, duke u trajtuar si triumf i Kosovës…, nuk duhet neglizhuar dhe as harruar mundësinë, që Serbia përsëri të dërgoj “misionar” të tillë, përkatësisht grupe të tilla të organizuara, por gjithësesi të përgatitura më mirë.
Kjo dmth. se institucionet e Kosovës, duhet të vazhdojnë të jenë edhe më syqelë në të ardhmen, qoftë në planin e sigurisë, qoftë në planin politik e diplomatik.