CUCLLA MBUSHUR ME GJAK
(Vrasjes së fëmijëve gjatë luftës në Kosovë)
Lojërat s’u kanë harruar akoma
Si kronikë e ditës së kujtimeve çdo kohë qëndrojnë
Në rrugën e largët të shpirtrave kristal
E vrasësit tuaj pinin kafe në restoranin e vagonit
Ngrejnë kurthe të reja për shpirtrërat e njomë
Klithin nga mungesa e shpirtit njerëzor
E vaji juaj i bën thirrje mosharrimit
Kuptimin e kurtheve si vend gjaku t’ua prishim
Kriminelëve që s’u nxorën kurrë para gjyqit
E as u futën në shtëpinë mortore të Evropës
Edhe të heshtur ju jeni duke ecur
Cucllën e qumështit mbushur me gjakun e nënës
E mbani si llampë të ndezur në duar
Kemi nevojë për shfaqjen e dritës suaj
Mes dëshmitarëve të kërcnuar me zhurma zërash
Gjaku juaj përkulet në lumin e së ardhmes
Edhe pse sehirxhinjtë ndërtojnë ura prej rëre
Ju, Zogj më keni thirrur moti
E unë erdha
Që në tokën e ditës së shkurtër
Të dëgjojmë përjetësinë e zërit tuaj të zjarrtë
Oh! çfarë zjarri i pa qetësuar zëri juaj
I njëjti zë gjithmonë më thërret
Këtu dhe vetëm këtu
Edhe kur të plakemi ne Zëri juaj prore jehon
Këtu dhe vetëm këtu
E unë i trishtuar flej në krahërorin tuaj
Mendoj pa e ditur se cila natë ka me më kuptue
Në këtë botë kur njeriu harron
E vrasësit tuaj u bënë vetëvrasës
Që vetvritën çdo ditë