Shqipëria/Aktualitet

Balluku: Tren elektrik në linjën hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektuan ecurinë e punimeve për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës.

Në fjalën e saj zv/kryeministrja Balluku u shpreh se, në linjën hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas do të operojë tren elektrik që nuk do të ketë emetime karboni.

“Hekurudha Tiranë-Durrës mbështetet nga Bashkimi Evropian, si një paketë e rëndësishme e një transporti efikas dhe eficient. Pra hekurudha ishte fillimi i një pakete që ne do të kemi si mbështetje e Bashkimit Evropian për Shqipërinë, që vazhdon me Korridorin 8 dhe me një nga projektet e rëndësishme që kemi në vazhdim që është hekurudha nga Vora, deri në Han të Hotit”, deklaroi Balluku.

Zv/kryeministrja Balluku tha se, kjo hekurudhë është shumë e rëndësishme sepse lidh Tiranën me Durrësin, por jo vetëm me qytetin e Durrësit aty ku do të ndërtohet ballina ujore më e rëndësishme e Ballkanit dhe Porti i Jahteve, por do të lidhë edhe Tiranën me portin e ri të Durrësit të ndërtuar në Porto Romano, përmes nyjes së Sukthit.

“Ky është një tren elektrik, i cili do të ketë një shpejtësi nga kjo pikë deri në Durrës 120 km/h, ndërkohë që nga kjo pikë deri në Tiranë do të variojë nga 50-80 km/h; pra do të jetë me një shpejtësi të moderuar, duke qenë se do të futet brenda në qytet. Duhet pasur parasysh se nuk është Tirana, brenda qytetit, për shkëmbimin e mallrave. Sigurisht, ka platforma të tjera, siç është platforma e Vorës apo edhe vende të tjera, ku do të ketë edhe interseksione me pjesë të tjera të hekurudhës, siç është hekurudha nga Vora deri në Han të Hotit. Kjo hekurudhë është shumë e rëndësishme, sepse lidh Tiranën me Durrësin, por jo vetëm me qytetin e Durrësit, aty ku do të ndërtohet ballina ujore më e rëndësishme e Ballkanit dhe Porti i Jahteve, por do të lidhë edhe Tiranën me portin e ri të Durrësit të ndërtuar në Porto Romano, përmes nyjes së Sukthit. Kjo është një vepër inxhinierike për t’u krenuar e gjithë Shqipëria. Por, si gjithçka e mirë, nis nga Tirana”, bëri të ditur Balluku.

Balluku shtoi se, hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas me gjatësi 39 km kushton 70 milionë euro.

Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, bëri të ditur Balluku, do të jetë gati në shtator të vitit 2024.

Balluku tha se, hekurudha financohet përmes një granti prej 35 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian dhe një kredie të butë prej po 35 milionë eurosh kredie të butë, me interes 1 %, nga BERZH.

Gjithsej projekti parashikon ndërtimin e 8 stacioneve, 5 ekzistues dhe 3 do të ndërtohen të reja.