Lëvizja\UÇK

Mehmet Bislimi: Heroi i LËVIZJES dhe i Shqipërisë Fadil Vata (1962 – 1990)

FADIL VATA
(1962 – 19909)
Lule në altarin e lirisë!
Shumë nga bijtë e popullit tonë të rritur dhe edukuar në frymën e atdhetarisë, ishin të
vetëdijshëm se liria e tokave shqiptare do përpjekje e sakrifica sublime, do përkushtim e qasje
shumë serioze, njëkohësisht pjekuri e vendosmëri.
Ata nuk u futen rastësisht në çështjen e pazgjidhur të fatit të atdheut tonë, ata u futën me
shumë vetëdije në këtë rrugëtim për të dhënë gjithçka që kërkohet nga vetja e vet para së
gjithash, të tillë ishin ata, i tillë ishte edhe Fadil Vata.
Fadili që në rini i edukuar në frymën e mirëfilltë atdhetare, së bashku me shokët e vet mori
krahët për të fluturuar drejt përjetësisë në historinë shqiptare.
Lindi më 10 janar 1962 në Solograzhdë ( Lumbardh) të Suharekës, ku mbaroi edhe
shkollimin. Më 2 maj të vitit 1981 Fadili arrestohet. Të dhëna të mjaftueshme për aktivitetin e
Fadilit në demonstratat e vitit 1981, UDB-ja e Suharekës kishte dërguar në Komandën
Ushtarake të Beogradit ku Fadili po bënte shërbimin ushtarak. Fadilin e arrestojnë dhe e
transferojnë në burgun ushtarak të Beogradit, ku pas 17 muaj izolimi, hetuesie e maltretimi e
dënojnë me 6 vite burg! Gjatë këtyre 17 muajve hetimesh e torturash, Fadili pëson dëmtime të
mëdha në shëndet të cilat më vonë do t’i kushtojnë me jetë. Mirëpo si gjithmonë ai nuk ndalej
së vepruari, duke qenë i vetëdijshëm se liria nuk vjen pa sakrifica.
Me Fadilin u njohëm në kazamatet e Pozharevcit. Ishte një djalë modest e i heshtur, i
sjellshëm e i kulturuar, i ngritur e i vendosur për rrugën që kishte nisur. Diku nga vjeshta e
vitit 1985, pas grevës së urisë që kishim bërë ne të dënuarit politikë shqiptarë, na shpërndanë
nëpër dhoma, duke na i ndërruar ato. Unë, pata fatin e mirë kur më caktuan në një dhomë me
Fadil Vatën, Afrim Zhitinë e Sabit Veselin. Aty edhe e njoha Fadilin dhe Afrimin më për së
afërmi. Me gjithë së që të dy ishin të rinj të habiste e mahniste ngritja e tyre intelektuale.
Fadili kishte diapazon të pasur njohurish, lexonte shumë, ishte i afërt me shokë dhe nuk e
nënçmonte asnjëherë mendimin e tjetrit. Ai edhe gjatë burgut, por edhe pasi që u lirua, nuk u
ndal për asnjë çast së vepruari në shërbim të atdheut, deri sa mbylli përgjithmonë sytë e tij.
Fadili ishte i goditur keq nga sëmundja në mushkëri. Diçka kancerogjene kishte marrë nga
torturat dhe plagët e shumta të brendshme gjatë hetuesisë 17 muajsh në burgjet e hetuesisë
ushtarake të Beogradit. Mirëpo, ai për asnjë çast nuk kishte humbur kurajon. Atë më pas e
transferuan nga “Zabela” e Pozharevcit për në “CZ” të Beogradit. Para së ta transferonin
Fadili atje, ai me gjithë gjendjen e rëndë shëndetësore që kishte, nuk e kishte humbur veten,
dhe na kishte lënë një letër në dhomë, ku kishte sqaruar shumë gjëra, duke kërkuar nga ne që
të mbaheshim të fortë! Këtë letër ne e nxorëm nga burgu dhe kur unë mbarova dënimin ia
dërgova familjes së Fadilit në shtëpi. Fadilin së pari e kishin dërguar në VMA të BG. Aty e
kishin mbajtur një kohë të gjatë me këmbë dhe duar të lidhura për shtrati! Xhelatët serbë,
gjatë tërë asaj kohe sa kishte qëndruar Fadili atje, mbi trupin e tij kishin vepruar me rreze
lazer e rëntgen, për të përhapur edhe më shumë sëmundjen në organizmin e tij të njomë. Ky
eksperiment “modern” që UDB- e Beogradit përdori mbi trupin e Fadilit, dha rezultatet fatale
që më vonë solli edhe vdekjen e tij në një moshë shumë të re.
Para së të mbaronte dënimin, gazetarët e gazetës serbe:”Borba”, kishin bërë një intervistë me
Fadilin, duke menduar se ky nga gjendja e rëndë shëndetësore, do të jetë lodhur e tërhequr
nga aspiratat e tij kombëtare. Mirëpo Fadili ua kishte prerë shkurt: “Unë as edhe një herë në
jetën time nuk do të tërhiqem nga rruga e lirisë së atdheut tim, pavarësisht qëndrimeve tuaja të

egra e shtypëse. Unë nuk do të tërhiqem me as një çmim, as edhe me çmimin e jetës!”… Ky
ishte Fadil Vata që tmerroi gazetarët dhe drejtorinë e burgut me qëndrimin e tij dinjitoz!
Fadili, për asnjë çast nuk e ndali veprimtarinë e vetë atdhetare. Edhe pse në gjendje të tillë
shëndetësore, ai vepronte në tërë territorin e Kosovës e më gjerë. Pas mbarimit të dënimit, ai
iu rrek studimeve në drejtimin e sociologji-filozofisë në Universitetin e Prishtinës. Fadili
tanimë ishte në mesin e shokëve dhe veprimtarëve të palodhshëm të atdheut. Ai së bashku me
Afrim Zhitinë e me qindra shokë të tjerë, përgatitën dhe organizuan lëvizjen e madhe
popullore të vitit 1988, ku populli ynë liridashës ngriti fuqishëm zërin e tij kundër shovinizmit
dhe hegjemonizmit serbosllav. Ai së bashku me Afrim Zhitinë e me shokë të tjerë u bënë
krahu i djathtë edhe i grevës së minatorëve të vitit 1989, me këshilla e sugjerime të shokëve të
Lëvizjes Popullore, grevë kjo e cila mori karakter gjithëkombëtar e gjithëpopullor!
Fadilit, tanimë po i humbnin fuqitë e trupit, sëmundja ishte bërë e pamëshirshme dhe nuk po e
linte që të vepronte, por fuqia e tij shpirtërore nuk jepej dot. Shokët (në nivel organizate)
kishin vendosur që atë ta nxirrnin jashtë atdheut për shërim. E shtruan në spitalin e Baselit të
Zvicrës, por sëmundjen e rëndë nuk kishin mundësi ta kthenin mbrapa as mjekët më në zë të
këtij spitali! Ai me qëndrimin e tij, po forconte shokët e idealit, familjen dhe të gjithë ata që iu
gjenden pranë ato ditë të fundit të jetë së tij. Ai shpesh thoshte se: ”As vdekja nuk ka për të na
i prerë rrugët e lirisë!”… Ishte edhe një goditje e rëndë, tepër e rëndë për Fadilin, kur mësoi
për rënien heroike të shokëve të tij të idealit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut…. Ky lajm i
kobshëm (sa do që Fadili nuk jepej), sikur e fashiti rëndë. Pas disa muajsh qëndrimi në
spitalin e Baselit, gjendja shëndetësore e Fadilit sa vinte e rëndohej. Më 25 prill të vitit 1990
Fadili ynë mbylli sytë përgjithmonë…. Ai na i la amanet rrugët e lirisë!
Lajmi i rëndë për vdekjen e Fadilit trokiti fort në zemrat e çdo shqiptari liridashës. Lumbardhi
i Fadilit ishte shumë i vogël për t’i zënë shqipet tona, të cilët kishin shkuar atje për ta mbuluar
Fadilin me flatrat e tyre të dashurisë. Lumi i fshatit ishte shumë i vogël dhe nuk po përpinte
dot lotët që po derdheshin për Fadilin e dashur, birin e tokës mëmë! Mbi njëqind mijë njerëz,
zemra e sy, drejtuar nga qielli, po prisnin ardhjen e birit të shqipes për t’u prehur përjetësisht
në gjirin e ngrohtë të tokës mëmë që aq shumë e deshi! Qindra e mira kurora lulesh zbritën
nga majat e maleve shqiptare dhe puthiten varrin e njomë të Fadilit! Kortezhi i përmortshëm
së bashku me gjerdanin e luleve të freskëta i mbështjellë me flatrat e shqiponjave, po printe
drejt banesës së fundit të Fadilit. Atë ditë edhe toka sikur u trazua, diçka e madhe sikur pëlciti,
diçka e madhe gjëmoi si bubullimë e motit të trazuar!…
Nuk me hiqet nga sytë, as sot momenti kur nënë Tahirja e para, vuri mbi supet e saja arkivolin
funeral të të birit e po i printe kortezhit të përmortshëm!… ( Nënëmadhja Tahire, që nga kjo
pranverë, prehet e qetë pranë varrit të të birit të saj e të Kosovës, Fadilit). Lavdi të përjetshme
edhe nënë Tahirës nga duart e së cilës, ne shokët e Fadilit kemi ngrënë shumë bukë!
Po, këto janë nënat tona, që ndër shekuj na bartën herë në djepa e herë arkivole mbi supe, na
rriten me copa të thekura buke. Prej nesh kur u ndanë u bënë të forta e nuk qanë, edhe pse
zemrat e nënave në dysh u çanë. Eh nënat tona të madhërishme që rriten bijtë dhe bijat e lirisë
së tokave shqiptare, të cilave po ju dalin zot!…
Qoftë i përjetshëm kujtimi për te!
CH-24-04-2023
Mehmet Bislimi