Shqipëria/Aktualitet

Albert Zholi: Historiku i rrallë i bazës ushtarake ajrore të Kuçovës që sot u inagurua nga NATO

Historiku i rrallë i bazës ushtarake ajrore të Kuçovës që sot u inagurua nga NATO

– Në mars të vitit 1981 me ndihmën e efektivit pilot e teknik të repartit, Kinostudio “Shqipëria e re” xhiroi filmin artistik “Gjurmë në kaltërsi”.

15 maj 1955 është dita e krijimit të Reparti Ushtarak 3362 Kuçovë me emrin Reparti “23 Peza”.

– Në paradën ajrore me rastin e 35-vjetorit të çlirimit të Atdheut, reparti mori pjesë me 9 avionë.

– Në korrik të vitit 1957 në këtë aerodrom u ul për herë të parë avioni bombardues JI- 28.

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka ndarë dje në rrjetet sociale pamje nga baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë, që pritet të inaugurohet sot, pra këtë të hënë. Sipas Peleshit, kjo bazë ajrore rrit profilin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, duke forcuar angazhimin e vendit tonë për siguri dhe paqe në rajon. “Edhe 1 ditë nga inaugurimi i Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, një hap i madh në fuqizimin e kapaciteteve tona ushtarake”, shkruan dje Peleshi. “Ky zhvillim i rëndësishëm jo vetëm që rrit profilin tonë në skenën ndërkombëtare, por gjithashtu forcon angazhimin tonë për paqe dhe siguri në rajon”, përfundon Peleshi. Baza e re ajrore e Kuçovës është ndërtuar dhe projektuar sipas kërkesave të NATO-s dhe ka kapacitet mbajtës të njëhershëm për 6 avionë reaktivë dhe 2 avionë transporti. Operimi në bazën ajrore të Kuçovës, do të bëhet nga personeli i Forcës Ajrore, Personeli fiks i Bazës Ajrore të Kuçovës dhe personeli i NATO-s. Po ashtu, në vijim do të ketë edhe personel shtesë që do të vlerësohet në një fazë tjetër, sipas nevojave. Baza ajrore e Kuçovës, është përzgjedhur mes dhjetëra bazave të tjera ajrore të NATO-s, pasi ka pozicionin gjeostrategjik tejet të favorshëm në detin Mesdhe. Kjo bazë është përzgjedhur ndërmjet dhjetëra bazave ajrore të NATO-s të tjera për t’u ndërtuar, projektuar dhe për të funksionuar si një bazë ajrore taktike. Kjo duke nisur nga pozicioni gjeografik, kushtet atmosferike dhe pozicioni gjeostrategjik, që ofron mundësi për mbështetjen e forcave të NATO-s në të gjitha operacionet në krahun juglindor të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Risi në këtë bazë ajrore do të jetë dhe instalimi i 3 dronëve “Bayraktar TB2”, të cilat u morën nga Shqipëria falë marrëveshjes të firmosur me Turqinë në vitin 2022. Droni është një mjet ajror luftarak pa pilot i prodhuar nga kompania turke e teknologjisë Bayraktar. Tri njësitë e para hynë në shërbim me Forcat e Armatosura Turke më 29 gusht 2021. Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij.

Historiku i Regjimentit “23 Peza”

Reparti Ushtarak 3362 Kuçovë mbante emrin Reparti “23 Peza”. Ai u krijua si formacion i parë i madh luftarak i Forcave Ajrore për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë. Bërthama e parë e këtij regjimenti u krijua me vendim të posaçëm, ku u morën masa për përgatitjen e efektivit pilot e teknik për teknikën e re reaktive me të cilën do të pajisej reparti. Krahas këtyre u morën masa për përgatitjen e ambienteve për pritjen e efektivit dhe teknikës. Pas përfundimit të përgatitjes së efektivit pilot e inxhiniero-teknik, Regjimenti mori formën e plotë, i gatshëm për kryerjen e detyrave.

15 maj 1955 është dita e krijimit të regjimentit.

Me vendim të posaçëm të Kuvendit Popullor Nr.81 datë 06.11.1956, Regjimentit i dorëzohet Flamuri Luftarak me mbishkrimin “Regjimentit 23 të Aviacionit Gjuajtës PEZA“ (botuar në gazetën zyrtare të vitit 1956, faqe 494). Në janar të vitit 1956 në regjiment filloi përgatitja luftarake e organizuar mbi bazën e një planëzimi të rregullt. Në maj të këtij viti me urdhër të ministrit të Mbrojtjes u krijua nënreparti i ofiçinës së mirëmbajtjes së aviacionit me komandant Daut Gurabardhi, ndërkohë që një pjesë e pilotëve shkuan për studime për helikopterë. Në korrik të vitit 1957 në këtë aerodrom u ul për herë të parë avioni bombardues JI- 28, i cili hyri në armatimin e Aviacionit tonë Luftarak. Në dhjetor në Kuçovë ulet një avion transporti anglez Skymaster. Me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor për kryerjen me sukses të kësaj detyre u dekoruan pilotët Kosta Dede e Mahmut Hysa, si dhe aviodrejtuesi Shyqyri Balla. Në muajin shtator 1959 regjimenti mori pjesë në stërvitjen me trupat e armatës në rajonin e Ersekës. Dhe në muajin nëntor regjimenti mori pjesë në paradën ushtarake me rastin e 15-vjetorit të çlirimit të atdheut. Në muajin prill të vitit 1961, për herë të parë filloi eksperimentimi i karburantit të markës shqiptare i prodhuar nga punonjësit e laboratorit të naftës me në krye inxhinierin Stefan Kagjini. Komandanti i Regjimentit piloti Niko Hoxha me avionin 332 bëri provën e parë në ajër. Në vitin 1964 në vartësi të regjimentit u krijuan dy reparte të reja, Batalioni i Shërbimit të Aerodromit dhe Grupi i Radio-Dritës. Në vitin 1965 krijohet skuadrilja e tretë reaktivo-mësimore për përgatitjen e pilotëve, teknikëve të rinj, me komandant pilotin Sali Dibra. Në fillim të vitit 1966 filluan punimet për ndërtimin e Uzinës së Riparimit të Avionëve, ndërsa në muajin prill reparti pajiset me një skuadrilje MIG-17. Në gusht të vitit 1975  eksperimentohet për herë të parë qitje natën me raketa, ndërsa në vitin 1977 për herë të parë eksperimentohet bombardimi nga fluturimi horizontal në lartësi të vogël. Në vitin 1979, në detyrën e komandantit të regjimentit emërohet Harilla Rebi dhe në atë të komisarit Viktor Vangjeli. Po këtë vit u vu në gatishmëri për drejtimin luftarak të regjimentit Vendkomanda e Kohës së Luftës. Në paradën ajrore me rastin e 35-vjetorit të çlirimit të Atdheut, reparti mori pjesë me 9 avionë. Në mars të vitit 1981 me ndihmën e efektivit pilot e teknik të repartit, Kinostudio “Shqipëria e re” xhiroi filmin artistik “Gjurmë në kaltërsi”, kushtuar armës së Aviacionit, ku ndihmë konkrete dhanë pilotët Harilla Rebi, Viktor Vangjeli, Agim Balili, Gjergji Spaho, etj, duke kryer një sasi të madhe fluturimesh në funksion të filmit, si dhe duke organizuar e ndihmuar edhe në punët e tjera. Në vitin 1984 reparti emërohet “Regjimenti 23 i Aviacionit Gjuajtës Bombardues”, ndërsa në vitin 1985 dekorohet me urdhërin “Për shërbime të shquara në fushën e mbrojtjes”. Në vitin 1995 krijohet Baza e Mbrojtjes Ajrore Kuçovë, Reparti Ushtarak 4030 (ish-1875). Viti 1999, është viti i kthimit në normalitet, ndërsa në vitin 2001, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, në strukturën e re organizative të Forcave Ajrore, ky repart kalon në Akademia e Forcave Ajrore, duke pasur në vartësi dhe Fakultetin Teoriko-Mësimor  Vlorë. Në vitin 2003 vazhduan punimet nga pala turke në aerodromin e Kuçovës, të cilat përfunduan në kohë sipas planit. Në vitet në vazhdim si detyrë kryesore ka qenë modernizimi i infrastrukturës për plotësimin e standardeve dhe kushteve të aerodromit të Kuçovës si Host Nation Support Komandant i Bazës Ajrore Kuçovë është nënkolonel Balil Hyseni.

Misioni dhe detyrat sot

Baza Ajrore, Kuçovë, në përbërje të Forcës Ajrore në kuadër të realizimit të misionit kryen këto detyra kryesore:

– Të sigurojë gatishmërinë luftarake në përputhje me nivelet operacionale të përcaktuara. Të realizojë mbështetjen me infrastrukturën e nevojshme për trajnimin e pilotëve dhe specialiteteve sipas misionit të Shkollës së Trupës. Të realizojë transport trupash dhe materialesh në interes të forcave të tjera në operacione te ndryshme. Të marrë pjesë dhe kontribuojë me forca dhe mjete në operacione humanitare në emergjenca si dhe në fatkeqësi natyrore dhe me shërbim të limituar SAR. Të krijojë kushte si vend pritës për mjetet ajrore të NATO, (HNS). Të modernizojë dhe zhvillojë infrastrukturën e duhur për krijimin e kapaciteteve infrastrukturore për implementim të opsioneve të reja të policimit ajror. Të kryejë monitorim sipas situatave të kufirit detar dhe tokësor në drejtim interesi. Të garantojë, sigurojë dhe realizojë shërbimet e mirëmbajtjes në kohë dhe sipas kërkesave teknike të përcaktuara, si për mjetet ajrore, ashtu edhe për mjetet tokësore që ka në përdorim. Të zhvillojë stërvitje të ndryshme me Batalionin e Këmbësorisë në Poshnjë në interes të plotësimit të misioneve si repart i transportueshëm nga ajri.

Komandantët e Bazës ndër vite

Niko Hoxha, Fahri Bubësi, Bardhyl Taçi, Harilla Rebi, Agim Balili, kolonel Fatmir Meçe, nënkolonel Agim Matraku, Gëzim Ismaili, Andon Todri, Tomorr Dyrmo, Flamur Hoxha, Syrja Gjoka.