Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare (7 prill 1939-29 Nëntor 1944) është Historia e Artë e Popullit Shqiptar në rrjedhat e kohës, është frymëmarrja jonë e lirë, është dinjiteti ynë kombëtar i gjithëkohshëm. Lufta e Drashovicës është një faqe floriri e kësaj historie të ndritshme, pjesë e së tërës çlirimtare. Lufta e Drashovicës hyri në historinë e artit ushtarak të kohës si beteja e parë ballore që zhvilluan forcat partizane. Në shtator 1943, pushtuesit fashistë u zëvendësuan nga nazistët, të cilët u pritën gjithashtu me armë. Një nga betejat më të rëndësishme dhe më të gjata të vitit 1943, e para betejë ballore në Shqipëri e UNÇSH dhe e forcave vullnetare territoriale kundër pushtuesve gjermanë, ishte Lufta e Drashovicës (15.09.1943-04.10.1943), ku vërtet u shkrua një epope. Telegrafisht, mund të përmendim se në fushën e betejës armiku la mbi 200 të vrarë e robër, përveç të plagosurve. Në duart e partizanëve ranë 5 autoblinda, 7 topa, 600 kuaj dhe shumë municion e materiale të tjera. Nga kampi i përqendrimit u çliruan 600 robër italianë dhe 100 jugosllavë të internuar. Por në fushën e betejës ranë dhe 23 partizanë dhe u plagosën mbi 50 të tjerë, ndër ta dhe drejtuesi i luftës në qarkun e Vlorës Hysni Kapo.
***
Lufta e Drashovicës është një epope e lavdishme, me rëndësi historike për fatet e lirisë të popullit shqiptar, sepse, bijtë e nënave gjalmëzeza, të udhëhequr nga vëllezërit e motrat e tyre po aq atdhetarë e liridashës, por të shkolluar e me akademi, me përvojë e të zotë për luftim në front i treguan vendin neoperandorisë së egër naziste. Ishte gati e pabesueshme, por e vërtetë.
Legjenda e gjallë e lavdisë partizane dhe heroizmi mbarëpopullor u shkrua për 20 ditë e net. Drashovica, që u bë simbol i qëndresës së madhe dhe i fitores së luftës së drejtë dhe u quajt Harku i Triumfit Shqiptar mbi pushtuesit nazistë, frymëzoi mbarë popullin shqiptar dhe pati jehonë të paparë ndërkombëtare. Është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar dhe për të është shkruar në tekstet e historisë të niveleve parauniversitar, universitar dhe pasuniversitar. Po ashtu, në botimet e nivelit akademik, Lufta e Drashovicës ka vendin e saj të merituar, krahas ngjarjeve më të rëndësishme luftarake. Edhe në botimin e fundit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është zëri i përgatitur për këtë epope trimërore nga gjeneral Bejto Isufi dhe prof. Pajtim Ribaj [ASH. Fjalor Enciklopedik Shqiptar, vëll. 2, Tiranë, 2008, f.1545]
Lufta e Drashovicës (15.09-04.10.1943) është beteja e parë ballore e Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe e forcave vullnetare territoriale kundër pushtuese gjermanë. Atë e drejtoi Shtabi i Zonës I Operative, i cili udhëhoqi veprimet luftarake të forcave partizane të ZIO dhe forcave vullnetare territoriale, që zhvilluan veprimtari të gjerë luftarake duke shkruar faqe lavdie të historisë çlirimtare me gjakun e bijve trima të popullit liridashës.
Zona e Parë Operative (1943-1944) u krijua në Kuç të Kurveleshit, më 04.08.1943 me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, si njësi organizative e veçantë e UNÇSH. Përfshiu në varësinë e saj forcat partizane dhe ato vullnetare – territoriale të qarkut të Vlorës, të Gjirokastrës dhe të krahinës së Mallakastrës, të organizuara në 5 grupe partizane dhe disa dhjetëra formacione vullnetare – territoriale. Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë – Gjirokastër – Mallakastër (ZIO) përbëhej nga komandanti – kapiten Islam Radovicka, komisari politik – toger Bedri Spahiu, zëvendëskomandanti – Hasan Pulaj, zëvendëskomisari – Hysni Kapo, oficeri i planeve – Jaho Gjoliku, ndihmësoficeri i planeve – Qazim Kondi, si dhe nga anëtarët: Baba Fejzo, Rexhep Plaku, Nuredin Aliu, Hariz Velo dhe Faslli Jaho. Pranë shtabit u organizua agjitpropi, shërbimi i intendencës, i shëndetësisë, i ndërlidhjes, kompania e shërbimeve dhe spitali. Më 25 gusht 1943 në Shpellën e Ramicës u krijua i pari Spital Partizan për Zonën e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Shtabi i Zonës I Operative, vendosi të sulmohej garnizoni i fortë gjerman, që ishte vendosur në fushën e Drashovicës e të Mavrovës, të çlironte 6000 ushtarët e oficerët italianë të çarmatosur nga Gjermanët dhe të mbyllur në kampin e përqëndrimit të Mavrovës, si dhe të merrej ose të shkatërrohej materiali luftarak i armikut.
***
Sulmi filloi në orën 01:00 të datës 15 shtator, pasi u bë një përgatitje e shkurtër artilerie. Batalionet partizane “Ismail Qemali” e “Halim Xhelo” sulmuan forcat armike në rajonin e fortifikuar të kazermave te ura e Drashovicës, ndërsa batalionet vullnetare territoriale sulmuan forcat armike në fushën e Mavrovës. Në mëngjes, forcat armike ishin afër asgjësimit të plotë, por atyre u erdhën në ndihmë rreth dy batalione të shoqëruara me mjete të blinduara, nga drejtimi i Vlorës dhe më pas një forcë tjetër nga Tepelena, të cilat mundën të bashkoheshin me forcat armike që luftonin në rrethim. Natën e 15-16 shtaorit, komanda gjermane i vendosi forcat në rajonin e fortifikuar tek ura, në fshatin e vjetër të Drashovicës dhe në Sherishtë. Pas dy ditë luftimesh të ashpra, forcat partizane e detyruan armikun të tërhiqej nga kjo vijë dhe të zinte pozicione mbrojtjeje, rreth 5-6 km larg qytetit të Vlorës. Forcat partizane e vullnetare, pasi thyen disa kundërsulme të armikut, u përqendruan në vijën nga Qafa e Zallit deri në pjerrësitë lindore të malit të Shashicës. Komanda gjermane, pasi mori përforcime të reja, më 3-4 tetor filloi operacionin “Eliot”. Për dy-tri ditë forcat partizane zhvilluan luftime të ashpra për të thyer operacinin armik. Përballë forcave të shumta armike Shtabi Operativ urdhëroi tërheqjen e forcave partizane në malin e Çikës, për t’i shpëtuar rrethimit, si dhe kthimin e forcave vullnetare territoriale në rajonet e tyre. Në këto luftime, që zgjatën mbi 20 ditë, armiku pati mbi 200 të vrarë e robër, përveç të plagosurve.
Prapavija më e fuqishme dhe e vetmja për partizanët, ishte populli që i mbështeti pa rezerva në këtë luftë, si në tërë Luftën Nacionalçlirimtare. Gjatë 20 ditëve të luftimit, partizanëve pothuajse nuk u mungoi asgjë. Në çdo fshat, duke filluar nga Kuçi, Himara, Mesapliku, Kudhësi, Gorrishti e Selenica, pa përjashtuar Topalltinë, u krijuan brigada të posaçme me njerëz e kafshë që bënin çdo natë furnizimin e frontit. Populli i këtyre zonave bëri sakrifica të mëdha për të ndihmuar djemtë e vëllezërit e tyre, që qëndronin pa u tundur në pozicionet e zjarrit. Ai hiqte nga goja e fëmijëve kafshatën e bukës për t’ua çuar atyre që luftonin. Kjo ndihmë e përkrahje e popullit u jepte zemër e kurajo partizanëve, i bënte ata të mos kursenin as jetën për çlirimin e atdheut.
Nga forcat partizane e territoriale ranë në fushën e luftës 23 partizanë dhe mbi 50 u plagosën, ndër ta edhe Besniku i Lirisë, Hysni Kapo.
Qysh gjatë luftës, kur u plagos në Epopenë e Drashovicës, në betejën e parë frontale kundër pushtuesve nazifashistë (15.09-04.10.1943) për të u thur kënga: “Moj Mavrov’ e Drashovicë” nga xha Selimi i Bratit. Artisti i Popullit Selim Hasani është autori i kësaj kënge mbarëpopullore, e cila bën jetë aktive folklorike edhe sot e kësaj dite jo vetëm në fshatrat e Lumit të Vlorës. Kujtojmë që xha Selimi luftoi më Njëzetën në Vlorë kundër pushtuesve italianë, luftoi dhe më Dyzetetreshin në Drashovicë kundër pushtuesve gjermanë dhe më pas, edhe pse 60 vjeçar, në radhët e Brigadës V Sulmuese Heroinë e Popullit, pas Hysni Kapos e Shefqet Peçit me partizanët trima për çlirimin e vendit.
***
Në luftën e Drashovicës, Hysni Kapo ishte sa drejtues aq dhe partizan i vijës së parë dhe u plagos rëndë në gju nga mortaja armike, ndërsa xha Selimi, i cili gjatë luftimeve ditë më vonë u plagos dhe vetë në të dy këmbët, në nofull dhe shpatull, aty për aty, në llogoret e luftës qëndisi dhe këndoi me shokët këngën për Komisarin: “Moj Mavrov’ e Drashovic / Ç’hata bëre atë ditë?/ Me topa me alitrikë/ Ç’ e bëre natën-ë ditë/ Bomb’ më bomb’ e thik’ me thikë/. Hysni Kapua petrit/ Përmbi tela ç’u vërvit/ Gjermane në gju ç’u flit:/ Dorëzohi, mor jezitë!/ S’keni par’ djemt’ e Shqiprisë,/ Opinga gome llastik/ Me jelek e pa këmishë,/ I marrin plumbat në sisë”.
Ndër poezitë për Luftën, njërën nga më të bukurat dhe më të arrirat e ka thurur poeti i shquar Fatos Arapi, atë me titull “Drashovica”, ku, ndër të tjera shkruan: “Nata shkon shaluar në kurriz të maleve./ Nëpër trup të saj, kolonat gjermane,/ kacavirren ngjiten;/ skuadrat partizane/ i presin si thikë…/ Oh, moj Drashovicë!/ trup me trup përleshen/ jo lebër e fricë, -/ kryqëzat e thyer/ dhe yjet e kuq,/ fytas janë mbërthyer…”
Mbi Harkun e Triumfit, Drashovicë, te Monumenti me lule Shqiponjat e këngët ulen… Dhe çdo vit, 15 shtatori festohet si një nga datat më të shënuara të LANÇ në qarkun e Vlorës.